Koordinatori për të Drejtën e Informimit

 

Ligji nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” i ndryshuar, në nenin 91 të tij, parashikon në mënyrë të shprehur qasjen në drejtësi dhe marrëdhëniet me publikun. Gjithashtu, sikurse për ҫdo autoritet tjetër publik, Ligji nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit” ,i ndryshuar, i ngarkon gjykatat me detyrime specifike për të ndërtuar dhe garantuar transparencë mbi veprimtarinë e tyre për palët në proces, grupet e interesit, publikun dhe median. Ndërsa Ligji nr. 9887/2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar, përcakton rregullat për mbrojtjen dhe përpunimin e ligjshëm të të dhënave personale në respektim dhe garantim të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Bazuar në këtë kuadër ligjor në fuqi, janë hartuar një sërë mjetesh që aktualisht përdoren nga gjykatat në funksion të ndërtimit të një marrëdhënie të hapur, transparente, të besueshme dhe të përgjegjshme  me publikun dhe median, ndër të cilat është edhe caktimi nga ana e ҫdo gjykate e KOORDINATORIT PËR TË DREJTËN E INFORMIMIT, i cili mban marrëdhënie të vazhdueshme me mediat dhe publikun lidhur me kërkesat e tyre për informacion. Ekzistenca e Koordinatorit për të Drejtën e Informimit, si një hallkë proaktive komunikimi mes gjykatave, publikut dhe medias, parimisht i shërben përmirësimit të treguesve të besueshmërisë së publikut. Ndaj në këtë perspektivë, Koordinatori për të Drejtën e Informimit në gjykata ka një rol dhe peshë të rëndësishme në ndryshimin e perceptimit apo qëndrimeve skeptike të publikut.

Sipas Ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit” i ndryshuar, Koordinatori për të Drejtën e Informimit ka kompetenca si në vijim:

- i mundëson çdo kërkuesi të drejtën për t’u njohur me informacionin publik, sipas këtij ligji, duke u konsultuar me dokumentin origjinal ose duke marrë një kopje të tij;

- krijon, mban, publikon dhe përditëson regjistrin e kërkesave dhe përgjigjeve brenda afatit të parashikuar në pikën 1, të nenit 8, të këtij ligji;

- bashkërendon punën për plotësimin e kërkesave për informacione brenda afateve dhe sipas mënyrës së parashikuar në këtë ligj;

- regjistron kërkesat për informacion dhe cakton një numër rendor për secilën prej tyre;

- dërgon kërkesën për informim te një autoritet tjetër publik, brenda afateve të parashikuara në këtë ligj, kur rezulton se autoriteti publik ku është depozituar kërkesa nuk e zotëron informacionin e kërkuar;

- verifikon rastet për dhënien falas të informacionit qytetarëve, sipas parashikimit të pikës 5, të nenit 13, të këtij ligji;

- kryen njoftimet paraprake, sipas neneve 14 dhe 15 të këtij ligji, si dhe komunikon me kërkuesin, sipas nevojës për trajtimin e kërkesës për informacion publik.

 

KOORDINATORI PËR TË DREJTËN E INFORMIMIT NË GJYKATEN ADMINISTRATIVE TË APELIT

 

Vilma Yzo

Orari i shërbimit: E hënë – e Premte Ora 08:00 – 16:00

Adresë postare: Rruga “Ismail Qemali” 9, Njësia Bashkiake nr.2, Tiranë

 

Email: vilma.yzo@gjykata.gov.al