Forum 



Na kontaktoni

Këshilli i Lartë Gjyqësor

Godina “Poli i Drejtësisë “, Rruga “Ana Komnena”, Tiranë

 

PËRGJEGJËSIA DISIPLINORE, CIVILE DHE PENALE

 

KREU I

DISPOZITAT E PËRGJITHSHME

 

Neni 100

Parimet e procedimit disiplinor

 

  1. Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe Këshillat, për ushtrimin e funksioneve të parashikuara në këtë pjesë, udhëhiqen dhe synojnë zbatimin e përshtatshëm dhe në mënyrë të balancuar të parimeve të mëposhtme:
  2. a) e drejta për një proces të rregullt, duke përfshirë dhe marrjen e një vendimi brenda një afati të arsyeshëm;
  3. b) parimin e ligjshmërisë, në kuptimin që organi kompetent ka detyrimin të hetojë nëse ka shkaqe të mjaftueshme për të besuar se ka ndodhur një shkelje disiplinore, si dhe parimin e “mosdënimit pa ligj”;
  4. c) parimin e akuzës, në kuptimin që çdo institucion shtetëror ose zyrtar duhet të veprojë kryesisht dhe të paraqesë një ankesë nëse ka prova të mjaftueshme për të besuar që ka ndodhur një shkelje disiplinore;

ç) parimin e barazisë para ligjit;

  1. d) prezumimin e pafajësisë;
  2. dh) parimin e dyshimit në favor të magjistratit, subjekt i procedimit disiplinor;
  3. e) parimin e proporcionalitetit;

ë) parimin e pavarësisë dhe paanësisë së institucioneve disiplinore dhe respektimi për pavarësinë e magjistratit;

  1. f) parimin e drejtësisë së hapur;
  2. g) parimin e konfidencialitetit dhe të drejtën e jetës private dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
  3. Në balancimin e parimit të drejtësisë së hapur, parimit të konfidencialitetit, të drejtës për jetë private dhe mbrojtjen e të dhënave personale, Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe Këshillat duhet të marrin parasysh veçanërisht:
  4. a) faktin që të garantohet mbrojtja e integritetit dhe figura e magjistratit nga akuzat e pabaza;
  5. b) rëndësinë që ka informimi i publikut në lidhje me akuzat e provuara në funksion të administrimit të drejtësisë.

 

Neni 101

Shkeljet disiplinore

 (Shfuqizuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. 34, datë 10.4.2017 dhe ndryshuar me ligjin nr. 48/2019, datë 18.7.2019)

 

  1. Magjistrati kryen shkelje disiplinore, me dashje ose për shkak të pakujdesisë, kur:
  2. a) kryen veprime ose mosveprime, të cilat përbëjnë mospërmbushje të detyrës, sjellje joprofesionale ose joetike gjatë ushtrimit të funksionit ose jashtë tij, të cilat diskreditojnë pozitën dhe figurën e magjistratit, ose dëmtojnë besimin e publikut në sistemin gjyqësor ose të prokurorisë;
  3. b) gjatë ushtrimit të funksionit nuk i referohet ligjit ose fakteve, me dashje ose për shkak të pakujdesisë së rëndë, ose kur ka paaftësi të dukshme profesionale.
  4. Kur përcaktohet nëse veprimi, mosveprimi apo sjellja e magjistratit konsiderohet shkelje disiplinore, ose është e lidhur vetëm me veprimtarinë profesionale, merret parasysh:
  5. a) shkalla e pakujdesisë;
  6. b) shpeshtësia e kryerjes së veprimit ose mosveprimit apo sjelljes;
  7. c) përvoja dhe pozicioni i magjistratit në sistem;

ç) dëmtimi, mundësia e shkaktimit të dëmtimit ose shkalla e pasojave që kanë ardhur ose mund të vijnë nga veprimi apo mosveprimi; si dhe

  1. d) çdo situatë që është jashtë kontrollit të magjistratit dhe që mund të lidhet me mosfunksionimin e sistemit gjyqësor ose të prokurorisë.

 

Neni 102

Shkeljet disiplinore në lidhje me ushtrimin e funksionit

(Shfuqizuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. 34, datë 10.4.2017, ndryshuar me ligjin nr. 48/2019, datë 18.7.2019)

 

  1. Shkelje disiplinore gjatë ushtrimit të funksionit janë, në veçanti, por pa u kufizuar në to, veprimet, mosveprimet ose sjelljet e magjistratit, si më poshtë:
  2. a) mosparaqitja e kërkesës për heqje dorë nga procedimi ose gjykimi i çështjes, kur kjo është e detyrueshme, sipas ligjit, nëse magjistrati ka dijeni ose duhet të kishte dijeni të rrethanave të tilla;
  3. b) paraqitja e kërkesës për heqje dorë nga procedimi ose gjykimi i çështjes, nëse ky veprim:
  4. i) nuk bazohet në shkaqe të parashikuara në ligj;
  5. ii) bëhet me qëllim që të krijohen përfitime të padrejta për palët dhe të tretët ose synon shmangien e detyrimit ligjor për shqyrtimin e çështjes apo të krijojë mundësinë që çështja të shqyrtohet nga një magjistrat tjetër;

iii) nuk kryhet menjëherë pasi merr dijeni për shkakun;

  1. c) ndërhyrja ose ndikimi i padrejtë në ushtrimin e funksionit të një magjistrati tjetër;

ç) mospërmbushja e pajustifikuar ose e përsëritur e funksioneve gjatë gjykimit ose hetimit;

  1. d) vonesa të përsëritura ose që sjellin pasoja të rënda apo zvarritje të pajustifikuara të veprimeve dhe/ose akteve procedurale;
  2. dh) veprimi, mosveprimi ose sjellja e magjistratit, që sjell përfitime të padrejta ose dëme për palët në një proces gjyqësor ose procedurë hetimore, në kundërshtim me ligjin;
  3. e) angazhimi i personave të jashtëm në kryerjen e detyrave që me ligj i takojnë magjistratit ose delegimi i detyrave apo veprimtarive që lidhen me ushtrimin e funksionit të magjistratit;

ë) vonesa e përsëritur dhe e pajustifikuar për fillimin e seancës gjyqësore ose zvarritje e hetimeve;

  1. f) mungesa e pajustifikuar në detyrë, sipas parashikimeve të këtij ligji, për më shumë se 3 ditë pune në vit;
  2. g) shkelja e rëndë ose e përsëritur e dispozitave ligjore dhe nënligjore që rregullojnë organizimin dhe funksionimin e gjykatave ose prokurorisë;
  3. gj) moszbatimi pa shkaqe të justifikuara i vendimeve të dhëna nga Këshilli ose refuzimi i zbatimit të masës disiplinore të dhënë ndaj magjistratit;
  4. h) mospërmbushja pa shkaqe të pajustifikuara e detyrimit për të marrë pjesë në programet e trajnimit vazhdues, sipas kushteve dhe kritereve të përcaktuara me ligj;
  5. i) mosnjoftimi nga magjistrati i kryetarit dhe Këshillit, si dhe autoriteteve kompetente, sipas ligjit, për ndërhyrjet ose format e tjera të ndikimit nga magjistratët e tjerë, avokatët, funksionarët politikë, funksionarët publikë ose subjektet e tjera;
  6. j) shkelja e rregullave të konfidencialitetit dhe të mospërhapjes së informacionit, të parashikuara në legjislacionin në fuqi, për të cilat merr dijeni për shkak të funksionit të magjistratit ose që rezultojnë nga hetimi ose gjykimi, në proces ose i përfunduar;
  7. k) pengimi i Këshillit, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë apo çdo organi tjetër publik në kryerjen e funksioneve të tij, sipas ligjit:
  8. l) mospërmbushja nga ana e kryetarit e detyrimeve të përcaktuara në ligj, në veçanti detyrat e lidhura me sistemin e menaxhimit të çështjeve;
  9. ll) bërja publike e mendimeve që janë dhënë nga vetë magjistrati ose magjistratët e tjerë gjatë procesit që nuk kanë marrë ende formën e një akti të disponueshëm për publikun;
  10. m) bërja e deklaratave publike në media për çështjet, me përjashtim të komunikimeve për shtyp të magjistratit brenda kufijve të detyrës së tij;
  11. n) mosnjoftimi i Këshillit për ekzistencën e shkaqeve të mbarimit të mandatit;
  12. nj) mosnjoftimi i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, nga ana e kryetarit, lidhur me fakte në dijeni të tyre, që mund të përbëjnë shkelje disiplinore të magjistratit;
  13. o) mosnjoftimi i Këshillit, nga ana e kryetarit, lidhur me ekzistencën e dyshimit të arsyeshëm, të rasteve të papajtueshmërisë, kufizimeve të funksionit, dhe për çështje, për të cilat ligji parashikon mbarimin e mandatit të magjistratit;
  14. p) shkelja e rregullave të papajtueshmërisë ose të parandalimit të konfliktit të interesit, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi.
  15. Sipas parashikimeve të shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 101, të këtij ligji, shkeljet disiplinore gjatë ushtrimit të funksionit si magjistrat janë, në veçanti, por pa u kufizuar në to, veprimet, mosveprimet ose sjellja e magjistratit, si më poshtë:
  16. a) mosrespektimi i rëndë ose i përsëritur i legjislacionit procedural dhe material ose zbatimi i gabuar i legjislacionit procedural dhe material, kur konstatohet nga një gjykatë më e lartë;
  17. b) parashtrimi i shtrembëruar i fakteve dhe rrethanave në mënyrë të dukshme në aktet e nxjerra;
  18. c) nxjerrja e akteve të paarsyetuara ose që përmbajnë, në pjesën arsyetuese, vetëm përfundime mbi ligjin e zbatueshëm pa parashtruar rrethanat e faktit, në të gjitha ato raste kur ligji kërkon nxjerrjen e aktit në formën e arsyetuar;

ç) nxjerrja e akteve, ku pjesa përshkruese - arsyetuese parashtron rrethana që janë haptazi në kundërshtim me pjesën urdhëruese ose që nuk kanë lidhje me të;

  1. d) marrja e vendimeve qëllimisht të paarsyetuara, si rezultat i një interesi personal ose keqdashjes;
  2. dh) shkelja e përsëritur ose e rëndë e rregullave të solemnitetit, rregullave të sjelljes në marrëdhëniet me palët, subjektet e tjera të përfshira në proces, me kryetarin, magjistratët e tjerë, si dhe me personelin e administratës gjyqësore.

 

 Neni 103

Shkeljet disiplinore jashtë ushtrimit të funksionit

(Shfuqizuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. 34, datë 10.4.2017, ndryshuar me ligjin nr. 48/2019, datë 18.7.2019)

 

Shkeljet disiplinore jashtë ushtrimit të funksionit janë, në veçanti, por pa u kufizuar në to, veprimet, mosveprimet ose sjelljet e magjistratit, si më poshtë:

  1. a) shkelja e rregullave të papajtueshmërisë me funksionin e magjistratit ose të kufizimeve për shkak të funksionit, sipas parashikimeve të bëra në nenet 6 dhe 7, të këtij ligji;
  2. b) përdorimi i statusit të magjistratit, me qëllim krijimin e përfitimeve për vete ose për të tjerët;
  3. c) ushtrimi i veprimtarive, me pagesë, jashtë funksionit, pa miratimin paraprak të Këshillit;

ç) shoqërimi me persona që janë nën ndjekje penale, janë subjekt të një  procedimit penal ose me persona të dënuar dhe të parehabilituar, kur nuk kanë lidhje të ngushta gjaku ose ligjore  me magjistratin ose vendosja e marrëdhënieve të papërshtatshme të biznesit me këta persona;

  1. d) përfitimi i padrejtë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë i dhuratave, favoreve, premtimeve ose trajtimeve preferenciale të çfarëdo lloji, të cilat jepen për shkak të funksionit që ushtron ose si rrjedhojë e shfrytëzimit të pozicionit të magjistratit, edhe në rastin kur formalizohen me një veprim juridik;
  2. dh) raste të tjera të sjelljes që diskrediton pozitën dhe figurën e magjistratit dhe dëmton besimin e publikut në sistemin gjyqësor ose të prokurorisë, të kryera jashtë ushtrimit të detyrës.

 

Neni 104

Shkeljet disiplinore për shkak të kryerjes së një vepre penale

(Shfuqizuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. 34, datë 10.4.2017, ndryshuar me ligjin nr. 48/2019, datë 18.7.2019)

 

  1. Shkelje disiplinore për shkak të kryerjes së veprës penale janë veprimet, mosveprimet ose sjelljet, për të cilat magjistrati është dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një kundërvajtjeje penale dhe që, sipas natyrës së tyre, diskreditojnë pozitën dhe figurën e magjistratit ose dëmtojnë rëndë besimin e publikut në sistemin gjyqësor ose të prokurorisë, bazuar në faktet dhe rrethanat e pranuara nga gjykata.
  2. Shkeljet disiplinore për shkak të kryerjes së një kundërvajtjeje penale janë edhe veprime, mosveprime ose sjelljet, sipas pikës 1, të këtij neni, pavarësisht se vepra penale është shuar, ndjekja penale nuk mund të fillojë ose nuk mund të vazhdojë, ose magjistrati është rehabilituar, ose ka përfituar nga falja apo amnistia.
  3. Masa disiplinore e shkarkimit nga detyra jepet vetëm nëse dënimi me vendim të formës së prerë është dhënë për kryerjen e një krimi. Në këtë rast, gjatë procedurës disiplinore, parashikimet e këtij ligji zbatohen për aq sa është e nevojshme.

 

Neni 105

Masat disiplinore

 

  1. Këshillat mund të vendosin një ose më shumë nga këto masa disiplinore:
  2. a) vërejtje konfidenciale;
  3. b) vërejtje publike;
  4. c) ulje e përkohshme e pagës:
  5. i) deri në 40 për qind për një periudhë jo më të gjatë se një vit:
  6. ii) në rastin e magjistratëve që kanë dhënë dorëheqjen, gjobë në një masë të barabartë me uljen e përkohshme të pagës.

ç) ulje në detyrë nga një pozicion më i lartë në një më të ulët ose nga një pozicion në gjykatën e posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar ose në Prokurorinë e Posaçme në një gjykatë të juridiksionit të përgjithshëm ose në një prokurori tjetër;

  1. d) pezullim nga detyra për një periudhë nga tre muaj deri në dy vjet, me të drejtë për përfitimin e pagës minimale, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave;
  2. dh) shkarkim nga detyra.
  3. Në caktimin e masës disiplinore, Këshilli mund të vlerësojë çdo lloj pezullimi të mëparshëm sipas kreut V të kësaj pjese, që është vendosur gjatë procedurës përkatëse disiplinore, dhe mund të vendosë në mënyrë të përshtatshme një masë disiplinore më të lehtë ose që pezullimi është masa e përshtatshme dhe e mjaftueshme për shkeljen e kryer.

 

Neni 106

Vërejtje konfidenciale

 

  1. Vërejtja konfidenciale është masë disiplinore jopublike, e njohur vetëm për magjistratin ndaj të cilit i jepet, e cila vërteton kryerjen e sjelljes së papërshtatshme të magjistratit.
  2. Vërejtja konfidenciale përfshihet në dosjen personale të magjistratit dhe mbahet parasysh në rastin e kryerjes së shkeljeve të ngjashme disiplinore ose për vlerësimin etik dhe profesional.
  3. Vërejtja konfidenciale jepet për shkelje të lehta, në të cilat publiku nuk është përfshirë ose nuk është vënë në dijeni të shkeljes.

 

Neni 107

Vërejtje publike

 

  1. Vërejtja publike është një formë e masave disiplinore publike që deklaron publikisht kryerjen e sjelljes së papërshtatshme të magjistratit.
  2. Vërejtja publike përfshihet në dosjen personale të magjistratit.
  3. Vërejtja publike jepet për shkelje të lehta, të cilat janë bërë publike.

 

Neni 108

Ulja e përkohshme e pagës

 

Këshilli, kur vendos të ulë përkohësisht pagën e magjistratit deri në 40 për qind, bazuar në kriteret e përcaktuara në nenin 115, të këtij ligji, për një periudhë jo më të gjatë se një vit, ose gjobën që i është caktuar, në masë të barabartë me uljen e përkohshme të pagës, vlerëson rëndësinë e çështjes dhe të gjitha rrethanat e saj. Ulja e përkohshme e pagës jepet në këto raste:

  1. a) kur magjistratit i është dhënë vërejtje konfidenciale ose vërejtje publike për shkelje disiplinore të mëparshme;
  2. b) kur masat më të lehta disiplinore janë të papërshtatshme për rrethanat e shkeljes disiplinore;
  3. c) kur rrethanat e shkeljes nuk përbëjnë shkelje disiplinore shumë të rëndë dhe nuk është e përshtatshme një masë disiplinore më e rëndë.

 

Neni 109

Ulja në detyrë

 

  1. Ulja në detyrë e magjistratit nga një gjykatë më e lartë në një gjykatë më të ulët ose nga një pozicion në gjykatën e posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar ose në Prokurorinë e Posaçme në një gjykatë të juridiksionit të përgjithshëm ose në një prokurori tjetër, jepet në këto raste:
  2. a) kur shkelja është e rëndë;
  3. b) kur magjistrati shfaq sjellje që evidentojnë se aftësitë e tij nuk janë të përshtatshme për gjykatën më të lartë ose gjykatën e specializuar, ndërkohë që shkelja nuk e bën magjistratin të papërshtatshëm për të ushtruar funksionin e tij si magjistrat.
  4. Në rast uljeje në detyrë, sipas pikës 1, të këtij neni, magjistrati merr pagën e pozicionit të ulur në detyrë.

 

Neni 110

Pezullimi si masë disiplinore

 

Masa e pezullimit nga detyra e magjistratit, me të drejtën për të marrë pagën minimale për një periudhë nga tre muaj deri në dy vjet, jepet vetëm në këto raste:

  1. a) kur shkelja është e shumë e rëndë;
  2. b) kur Këshilli çmon se, pavarësisht se natyra dhe rrethanat e kryerjes së shkeljes nuk e bëjnë magjistratin të papërshtatshëm ose të padenjë për të ushtruar funksionin, rëndësia e shkeljes dhe dëmi që i shkaktohet imazhit të magjistratit kërkojnë që magjistrati të pezullohet për një kohë të caktuar.

 

Neni 111

Shkarkimi

 

  1. Shkarkimi i magjistratit nga detyra jepet si masë disiplinore vetëm në këto raste:
  2. a) kur shkelja është shumë e rëndë;
  3. b) kur Këshilli çmon se natyra dhe rrethanat e kryerjes së shkeljes e bëjnë magjistratin të papërshtatshëm ose të padenjë për të ushtruar funksionin e tij, për shkak të dënimit për kryerjen e një krimi, për shkak të paaftësisë së rëndë dhe të dukshme, ose për shkak të një sjelljeje që kryhet të paktën me pakujdesi të rëndë, sipas nenit 101, shkronja “b”, të këtij ligji, dhe që shkel haptazi vlerat themelore të sistemit gjyqësor dhe të prokurorisë.
  4. Në rastin kur magjistrati i gjykatës së posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar ose i Prokurorisë së Posaçme përhap informacion sensitiv, si nga pakujdesia e rëndë, sipas nenit 101, shkronja “b”, të këtij ligji, ose me dashje, ose kur kryen shkelje tjetër të rëndë, atij i jepet masa disiplinore e shkarkimit.

 

Neni  112

Masat disiplinore plotësuese

(Shfuqizuar pika 1 me vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. 34, datë 10.4.2017)

 

  1. Shfuqizuar.
  2. Këshilli, së bashku me masat të parashikuara në pikën 1, shkronjat “b”, “c”, nënndarja “i”, “ç”, “d”, të nenit 105, të këtij ligji, mund të vendosë edhe një nga masat disiplinore plotësuese të mëposhtme:
  3. a) ndjekjen e detyrueshme të trajnimeve profesionale të specifikuara, sipas parashikimit në nenin 113 të këtij ligji;
  4. b) largimin nga detyra e kryetarit.

 

Neni 113

Masa plotësuese për trajnim

 

Në mbështetje të nenit 112, pika 2, shkronja “a”, të këtij ligji, Këshilli mund të vendosë masën disiplinore plotësuese të ndjekjes së detyrueshme të trajnimeve profesionale të specifikuara, nëse shkelja e kryer mund të korrigjohet nëpërmjet pjesëmarrjes në programet e detyrueshme të trajnimit. Në këtë rast, në vendim përcaktohet përmbajtja dhe kohëzgjatja e programit të detyrueshëm të trajnimit.

 

Neni 114

Largimi nga detyra e kryetarit

 

Këshilli mund të vendosë masën disiplinore plotësuese të largimit të magjistratit nga detyra e kryetarit  dhe  caktimin e tij si magjistrat, në rastet e shkeljeve të kryetarit, të cilat nuk justifikojnë vazhdimësinë e tij në funksione drejtuese, sipas parashikimeve të nenit 112, pika 2, shkronja “a”,  të këtij ligji.

 

Neni 115

Kriteret për caktimin e masës disiplinore

 

  1. Në caktimin e rëndësisë së shkeljes disiplinore dhe llojit të masës disiplinore, Këshilli merr parasysh këto kritere:
  2. a) llojin dhe rrethanat e shkeljes;
  3. b) shkallën e fajësisë dhe motivin;
  4. c) pasojat e shkeljes;

ç) të dhënat profesionale, të çështjeve disiplinore dhe të dhëna kriminale të magjistratit;

  1. d) masën e ndonjë rreziku të shkaktuar nga shkelja disiplinore;
  2. dh) çdo rrethanë e rëndësishme që ka lidhje me shkeljen;
  3. e) rrethana të lidhura me gjendjen shëndetësore të magjistratit;

ë) sjelljen e magjistratit pas kryerjes së shkeljes dhe pas fillimit të hetimit;

  1. f) sjelljen e magjistratit gjatë procedimit disiplinor dhe qëndrimin që mban ndaj tij;
  2. g) çdo çështje tjetër që Këshilli e konsideron të rëndësishme.
  3. Këshilli, kur vendos masën disiplinore:
  4. a) duhet të arsyetojë parimin e proporcionalitetit;
  5. b) duhet të marrë parasysh çdo rrethanë lehtësuese ose rënduese.
  6. Rrethanat lehtësuese, sipas pikës 2, të këtij neni, janë:
  7. a) kur magjistrati e kryen shkeljen për herë të parë;
  8. b) kur magjistrati ka vepruar nën ndikimin e një pale të tretë, për shkak të besimit ose frikës;
  9. c) duke marrë parasysh në tërësi rrethanat e çështjes, shkelja e magjistratit ka pasur ndikim të vogël;

ç) kur magjistrati bashkëpunon në hetimin dhe procedimin disiplinor, duke përfshirë dhe rastet kur pranon shkeljen e kryer ose jep informacione që ndihmojnë në hetimin dhe procedimin disiplinor;

  1. d) kur magjistrati ka zëvendësuar dëmin e shkaktuar nga shkelja ose ka ndihmuar në mënyrë aktive për të zhdukur ose pakësuar pasojat e saj;
  2. dh) koha që ka kaluar që nga kryerja e shkeljes;
  3. e) kur ekziston çdo rrethanë tjetër, për të cilën Këshilli çmon se lehtëson shkeljen e kryer.
  4. Rrethanat rënduese, sipas pikës 2, të këtij neni, janë:
  5. a) kur shkelja kryhet më shumë se një herë, ose kur shkelja është kryer pas dhënies së një mase disiplinore për një shkelje të mëparshme;
  6. b) kur shkelja është e vazhdueshme;
  7. c) kur shkelja kryhet për shkak të motiveve diskriminuese;

ç) kur shkelja kryhet për motive të tjera të dobëta;

  1. d) kur nxiten të tjerët për kryer shkelje ose veprime të paligjshme;
  2. dh) kur shkelja kryhet duke shfrytëzuar dobësitë ose pozitën e cenueshme të të tjerëve;
  3. e) kur ekziston çdo rrethanë tjetër, për të cilën Këshilli çmon se rëndon shkeljen e kryer.

 

Neni 116

Masat për shmangien e vonesave

 

  1. Për magjistratin ose përfaqësuesin e tij, në rastet e deklarimit në mungesë, si dhe të procedimit disiplinor në mungesë të magjistratit, do të zbatohen rregullat procedurale të parashikuara nga Kodi i Procedurës Penale për aq sa këto rregulla gjejnë zbatim.
  2. Në rastin kur magjistrati ose përfaqësuesi i tij, dëshmitari, eksperti ose përkthyesi cenojnë dinjitetin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ose të Këshillit, ose kryejnë ndonjë veprim, që në mënyrë të dukshme ka për qëllim të vonojë procedurën, autoriteti kompetent paralajmëron magjistratin dhe e udhëzon mbi pasojat e kësaj sjelljeje. Në rast se sjellja vazhdon, autoriteti kompetent e dënon me gjobë deri në 100 000 lekë subjektin shkelës. Përsëritja e sjelljes përbën shkak për dhënien sërish të dënimit me gjobë dhe, nëse vlerësohet e përshtatshme, për fillimin e hetimit disiplinor ose penal.
  3. Vendimi për dënimin me gjobë përbën titull ekzekutiv. Shërbimi përmbarimor ngarkohet me ekzekutimin e vendimit përkatës.
  4. Ndaj vendimit mund të ushtrohet ankim brenda 24 orëve nga marrja dijeni e tij. Ankimi shqyrtohet nga Këshilli, në rast se gjoba vendoset nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe nga gjykata kompetente, në rast se gjoba vendoset nga Këshilli.
  5. Inspektori i Lartë i Drejtësisë ose Këshilli i njoftojnë vendimin për dënimin me gjobë Dhomës Kombëtare të Avokatisë ose institucioneve përgjegjëse për ekspertët ose përkthyesit.

 

KREU II

PROCEDURAT HETIMORE

 

Neni 117

Afatet e parashkrimit

 

  1. Shkeljet disiplinore parashkruhen brenda pesë vjetëve. Nëse një ankesë, sipas nenit 119, të këtij ligji, paraqitet pas 5 vjetëve nga koha kur ka ndodhur shkelja e pretenduar, Inspektori i Lartë i Drejtësisë nuk verifikon ankesën për shkak të parashkrimit. Nëse Inspektori i Lartë i Drejtësisë merr të dhëna, sipas nenit 124, të këtij ligji, pas 5 vjetëve nga koha kur ka ndodhur shkelja e pretenduar, ai nuk fillon hetimin për shkak të parashkrimit.
  2. Afati i parashkrimit fillon nga momenti kur shkelja e pretenduar është kryer.
  3. Nëse magjistrati kryen shkelje tjetër të së njëjtës natyrë brenda afatit të parashkrimit, afati zgjatet deri në një vit.
  4. Pavarësisht parashikimeve të pikave 1 dhe 3, të këtij neni, për shkeljet disiplinore që përbëjnë njëkohësisht vepra penale, afatet e parashkrimit përllogariten sipas parashikimeve të Kodit Penal, vetëm nëse në këtë Kod parashikohen afate parashkrimi më të gjata se pesë vjet.

 

Neni 118

Afatet e procedimit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë

 

  1. Inspektori i Lartë i Drejtësisë vendos të arkivojë ankesën ose të fillojë hetimin për shkeljen e pretenduar, brenda tre muajve nga marrja e ankesës.
  2. Inspektori i Lartë i Drejtësisë, brenda gjashtë muajve nga dita e marrjes së vendimit për fillimin e hetimit, fillon procedimin disiplinor duke i paraqitur Këshillit kompetent raportin e hetimit ose merr vendimin për mbylljen e hetimit.
  3. Inspektori i Lartë i Drejtësisë mund të zgjasë afatin e hetimit, të parashikuar në pikën 2, të këtij neni, për tre muaj të tjerë në raste komplekse, për arsye të shtimit ose ndryshimit të objektit të hetimit, ose në rast sëmundjeje apo pamundësisë së magjistratit.
  4. Në rastet kur, pas kalimit të afateve të parashikuara në pikat 2 ose 3, të këtij neni, dalin prova të reja, mbi bazën e të cilave ka shkaqe të arsyeshme të besohet se shkelja mund të ketë ndodhur, Inspektori i Lartë i Drejtësisë riçel hetimin, me kushtin që nuk janë parashkruar afatet, sipas përcaktimeve të pikave 1 dhe 4, të nenit 117, të këtij ligji.
  5. Nëse Inspektori i Lartë i Drejtësisë nuk zbaton afatet e parashikuara në pikat 1 deri në 4, të këtij neni, magjistrati ka të drejtën të ankimojë mosveprimin administrativ të tij te Këshilli përkatës.

 

Neni 119

Ankesat

 

  1. Inspektori i Lartë i Drejtësisë shqyrton ankesat e paraqitura nga çdo person fizik ose juridik.
  2. Në rastet kur ka të dhëna të besueshme që një magjistrat ka kryer shkelje disiplinore, ankesa paraqitet tek Inspektori i Lartë i Drejtësisë nga subjektet e mëposhtme:
  3. a) Ministri i Drejtësisë;
  4. b) një anëtar i vetëm i Këshillit;
  5. c) kryetari i gjykatës ose i prokurorisë.
  6. Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka detyrimin të shqyrtojë ankesat, përveç atyre anonime. Ankuesi ka të drejtë të kërkojë ruajtjen e konfidencialitetit.
  7. Inspektori i Lartë i Drejtësisë i konfirmon ankuesit marrjen e ankesës brenda pesë ditëve nga marrja e saj. Inspektori i Lartë i Drejtësisë i njofton ankuesin vendimin për arkivimin e ankesës, për fillimin hetimit, shtimin ose ndryshimin e objektit të tij, si dhe mbylljen e hetimit, brenda pesë ditëve nga marrja e vendimit përkatës. Ankuesi ka të drejtë të ankimojë vendimet për arkivimin dhe mbylljen e hetimit.
  8. Ankesa paraqitet personalisht, me postë të rregullt, postë elektronike ose faks.
  9. Tërheqja e ankesës nga ankuesi nuk sjell arkivimin e ankesës, nëse Inspektori i Lartë i Drejtësisë vlerëson që pretendimi ka shkaqe të mjaftueshme për kryerjen e hetimit me iniciativën e tij, si dhe nuk sjell mbylljen e një hetimi të filluar.
  10. Ankesa mund të përmbajë prova dhe burime të dhënash për faktet dhe rrethanat e pretenduara.
  11. Inspektori i Lartë i Drejtësisë publikon modelin e formularit të ankesës në faqen e tij zyrtare, me qëllim lehtësimin e paraqitjes së ankesave.

 

Neni 120

Kriteret për pranueshmërinë e ankesës

 

  1. Ankesa pranohet nëse përmbush kriteret e mëposhtme:
  2. a) paraqitet në formën e përcaktuar, sipas parashikimeve të bëra në pikën 2 të këtij neni;
  3. b) i referohet fakteve që kanë ndodhur brenda afatit të parashkrimit për hetimin disiplinor;
  4. c) nuk përmban elemente abuzive, nuk është haptazi e pabazuar ose e përsëritur nga i njëjti ankues.

ç) bëhet ndaj sjelljes së magjistratit, i cili ka qenë në detyrë në kohën kur shkelja e pretenduar ka ndodhur;

  1. d) bëhet ndaj sjelljes së magjistratit, të parashikuar si shkelje disiplinore nga ligji në fuqi në kohën kur shkelja e pretenduar ka ndodhur;
  2. dh) bëhet ndaj sjelljes së magjistratit që, nëse provohet se është kryer, përbën shkelje disiplinore të parashikuar nga ligji.
  3. Ankesa paraqitet në formë të shkruar dhe përmban të dhënat e mëposhtme:
  4. a) gjenealitetet dhe adresën e ankuesit, si dhe nëse ankuesi kërkon konfidencialitetin e identitetit të tij;
  5. b) përshkrim të rrethanave të faktit që pretendohen të kenë ndodhur;
  6. c) emrin dhe mbiemrin e magjistratit, gjykatën ose prokurorinë, në të cilën magjistrati ka ushtruar funksionin në kohën kur ka ndodhur shkelja e pretenduar.

 

Neni 121

Shqyrtimi fillestar dhe vlerësimi i ankesës

 

  1. Inspektori i Lartë i Drejtësisë shqyrton fillimisht nëse ankesa është ose jo e pranueshme.
  2. Pas shqyrtimit fillestar të ankesës, Inspektori i Lartë i Drejtësisë vendos:
  3. a) të arkivojë ankesën, pasi nuk përmbush një ose më shumë kritere të parashikuara në pikën 1, të nenit 120, të këtij ligji;
  4. b) të verifikojë ankesën;
  5. c) të fillojë hetimin.
  6. Në rastin kur vendoset të arkivohet ankesa, vendimi për arkivimin i njoftohet ankuesit dhe magjistratit brenda afatit të parashikuar në pikën 4, të nenit 119, të këtij ligji. Ankuesi ka të drejtë të ankimojnë këtë vendim në Këshill, brenda një jave nga data e marrjes së vendimit të arsyetuar.

 

Neni 122

Verifikimi i ankesës

 

  1. Për ankesën që nuk ka informacion të qartë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë verifikon nëse ka fakte të mjaftueshme që justifikojnë fillimin e hetimit.
  2. Inspektori i Lartë i Drejtësisë mund t’i kërkojë ankuesit të paraqesë dokumente shtesë ose të japë shpjegime për mënyrën dhe rrethanat në të cilat ka ndodhur shkelja e pretenduar.
  3. Inspektori i Lartë i Drejtësisë mund të marrë çdo informacion tjetër nga këshilli, gjykata ose prokuroria përkatëse.
  4. Në rast se nuk ka fakte të mjaftueshme për të justifikuar fillimin e hetimit, ankesa arkivohet.
  5. Vendimi i arsyetuar për arkivimin e ankesës i njoftohet ankuesit dhe magjistratit ndaj të cilit është paraqitur ankesa. Ankuesi ka të drejtë të ankimojë këtë vendim në Këshill, brenda një jave nga marrja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.

 

Neni 123

Vendimi i fillimit të hetimit me nismë të ankuesit

 

  1. Inspektori i Lartë i Drejtësisë fillon hetimin nëse ka dyshime të arsyeshme se shkelja mund të jetë kryer, bazuar në faktet dhe provat e mbledhura, që justifikojnë fillimin e hetimit.
  2. Inspektori i Lartë i Drejtësisë merr vendim për fillimin e hetimit, pavarësisht zhvillimit të një procesi gjyqësor apo administrativ në lidhje me të njëjtat fakte.
  3. Vendimi i arsyetuar për fillimin e hetimit i njoftohet ankuesit, magjistratit dhe Këshillit. Vendimi duhet të përmbajë të paktën:
  4. a) emrin e inspektorëve të ngarkuar me hetimin;
  5. b) objektin e hetimit, duke treguar shkeljen e dyshuar;
  6. c) parashtrimin e rrethanave të faktit të pretenduara;

ç) provat e mbledhura;

  1. d) periudhën kohore përkatëse për hetimin;
  2. dh) parashtrimin e të drejtave të magjistratit në lidhje me hetimin disiplinor, si dhe të drejtën e magjistratit dhe të ankuesit për të dorëzuar parashtresë dhe dokumente mbështetëse, brenda tre javëve nga marrja e vendimit.
  3. Në rastet kur shkelja ka të bëjë me sjellje ose veprime të përsëritura, objekti i hetimit, sipas pikës 3, shkronja “b”, të këtij neni, përmban sjelljet e magjistratit në rastet e tjera, në lidhje me të njëjtën situatë brenda periudhës kohore të përcaktuar në vendimin për fillimin e hetimit, në mënyrë që të verifikohet nëse janë vërejtur sjellje të tilla apo të përsëritura.

 

Neni 124

Fillimi i hetimeve me iniciativën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë

 

  1. Inspektori i Lartë i Drejtësisë fillon hetimin me iniciativën e tij, bazuar në të dhëna thelbësore mbi fakte që rezultojnë nga burime të besueshme, mbi bazën e të cilave lind dyshimi i arsyeshëm se shkelja mund të jetë kryer. Informacionet që përftohen nga media ose nga ankues anonimë mund të shërbejnë si indicie për të filluar një hetim kryesisht nëse përmbushen kriteret e parashikuara në nenin 120, pika 1, shkronjat “b”, “ç”, “d” dhe “dh”.
  2. Inspektori i Lartë i Drejtësisë vendos me vendim të arsyetuar për fillimin e hetimit me iniciativën e tij, duke parashtruar rrethanat faktike të verifikueshme.
  3. Rregullat e parashikuara në pikat 2 deri në 4, të nenit 123, të këtij ligji, zbatohen edhe në rastin e fillimit të hetimit me iniciativën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

 

Neni 124/1

Verifikimi i pasurisë dhe figurës

(shtuar me ligjin nr. 15/2020, datë 12.2.2020)

 

  1. Inspektori i Lartë i Drejtësisë, brenda një jave nga vendimi për fillimin e hetimeve, sipas nenit 123 dhe 124, të këtij ligji, kërkon informacion nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, prokuroria, Policia e Shtetit, organet e administratës tatimore dhe doganore, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, Byroja Kombëtare e Hetimit, shërbimet shtetërore informative, çdo organ disiplinor që ka mbikëqyrur disiplinën në marrëdhëniet e punës të magjistratit, si dhe çdo institucion tjetër kompetent për verifikimin e pasurisë dhe të figurës në lidhje me çdo shkelje tjetër disiplinore.
  2. Inspektori i Lartë i Drejtësisë mund të kërkojë informacion shtesë nga institucionet e përmendura pikën 1, të këtij neni, si dhe nga çdo institucion tjetër publik apo subjekt privat.
  3. Çdo institucion publik apo subjekt privat duhet të përmbushë kërkesat e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për informacion, dokumentacion, ose materiale të tjera në lidhje me një hetim, brenda afatit ligjor të arsyeshëm të përcaktuar nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë në kërkesën e tij, me përjashtim të rasteve të kufizuara me ligj.
  4. Inspektori i Lartë i Drejtësisë në rast se nga verifikimi i pasurisë dhe figurës rezulton se ka dyshime të arsyeshme për kryerjen e ndonjë shkeljeje tjetër disiplinore, përveç rastit kur shkelja përbën vepër penale, merr vendim për të shtuar ose ndryshuar objektin e hetimit, sipas përcaktimeve të nenit 125 të këtij ligji.

 

Neni 125

Shtimi ose ndryshimi i objektit të hetimit

 

  1. Në rast se gjatë hetimit ngrihen dyshime të arsyeshme se ka ndodhur një shkelje tjetër, Inspektori i Lartë i Drejtësisë merr vendim për të shtuar ose ndryshuar objektin e hetimit, në zbatim të nenit 124 të këtij ligji.
  2. Rregullat e parashikuara në pikat 2 deri në 4, të nenit 123, të këtij ligji, aplikohen për aq sa gjejnë zbatim.

 

Neni 126

Pezullimi i hetimeve

(ndryshuar fjalë në pikën 5 me ligjin nr. 48/2019, datë 18.7.2019)

 

  1. Inspektori i Lartë i Drejtësisë vendos pezullimin e hetimit disiplinor kur është duke u zhvilluar hetim penal ose një proces gjyqësor penal, administrativ ose civil:
  2. a) në të cilat, njëra nga palët është magjistrati;
  3. b) shkelja e dyshuar lidhet me të njëjtat fakte, për të cilat do të merret vendimi.
  4. Hetimi pezullohet deri në dhënien e vendimit të formës së prerë të institucionit kompetent.
  5. Ankuesi, magjistrati, gjykata, prokuroria dhe Këshilli njoftohen me shkrim për vendimin e pezullimit. Gjykata, prokuroria e interesuar ose institucione të tjera i dërgojnë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë pa vonesë çdo vendim që merret gjatë hetimit dhe procesit përkatës.
  6. Inspektori i Lartë i Drejtësisë i referohet vetëm fakteve mbi të cilat bazohet vendimi i formës së prerë i gjykatës. Vendimi i formës së prerë i gjykatës në favor të magjistratit nuk pengon hetimin nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë për të përcaktuar përgjegjësinë disiplinore të magjistratit.
  7. Pezullimi i hetimeve ndërpret afatet e parashkrimit të parashikuara nga neni 117, i këtij ligji, për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë.
  8. Vendimi për pezullimin e hetimit nuk ankimohet.

 

Neni 127

Kërkesa për pezullimin e magjistratit

 

Në çdo fazë të procedurës së hetimit, Inspektori i Lartë i Drejtësisë informon Këshillin lidhur me faktet që sjellin pezullim të detyrueshëm të magjistratit, sipas parashikimeve në nenin 151, të këtij ligji, ose mund të kërkojë vetë pezullimin e magjistratit për arsyet e parashikuara në nenin 152 të këtij ligji.

 

Neni 128

Bashkimi i procedimeve hetimore

 

Inspektori i Lartë i Drejtësisë bashkon procedimet, në rastet kur konstaton se ankesat ose hetimet e filluara u referohen të njëjtave fakte ose të njëjtit magjistrat.

 

Neni 129

Të drejtat dhe detyrimet e magjistratëve gjatë hetimit

 

  1. Magjistrati është palë në proces që nga momenti i fillimit të hetimit, sipas nenit 123 ose 124, të këtij ligji, dhe i garantohet aksesi në dosjen e hetimit në atë masë që është në përputhje me objektin e hetimit.
  2. Inspektori i Lartë i Drejtësisë mund të kërkojë nga magjistrati informacion, dokumente ose çdo provë që është e nevojshme për hetimin.
  3. Inspektori i Lartë i Drejtësisë i njofton magjistratit të interesuar ose përfaqësuesit të tij, vendimin për arkivimin e ankesës, për fillimin hetimit, shtimin ose ndryshimin e objektit të tij, si dhe mbylljen e hetimit, brenda pesë ditëve nga marrja e vendimit përkatës.

 

Neni 130

Ecuria e hetimeve

(ndryshuar fjalë në pikën 2 me ligjin nr. 15/2020, datë 12.2.2020)

 

  1. Objekti i hetimit tregon qartë elementet e shkeljes së pretenduar, sipas përcaktimeve në vendimin për fillimin e hetimit, sipas parashikimeve të nenit 123 të këtij ligji.
  2. Inspektori i Lartë i Drejtësisë thërret dëshmitarë dhe mbledh të dhëna, dokumente dhe prova nga gjykata, prokuroria, institucione publike apo subjekte private, dëshmitarë dhe/ose magjistrati, dhe ndërmerr veprime të nevojshme për të hetuar dhe përcaktuar nëse shkelja e pretenduar ka ndodhur.
  3. Kur shkelja e pretenduar lidhet me çështje në proces në gjykatë ose në prokurori, hetimi duhet të jetë i tillë që të mos cenojë pavarësinë e magjistratit në gjykimin dhe hetimin e tyre dhe të mos konsiderohet si ndërhyrje. Në një rast të tillë Inspektori i Lartë i Drejtësisë:
  4. a) pezullon hetimet, sipas rasteve të parashikuara në nenin 126 të këtij ligji;
  5. b) vazhdon me hetimin nëse shkelja e pretenduar ka të bëjë me fakte që nuk lidhen me ato për të cilat do të vendoset nga hetimi penal ose procesi penal, civil ose administrativ.

 

Neni 131

Kërkesat për marrjen në pyetje

 

  1. Kur Inspektori i Lartë i Drejtësisë vlerëson se marrja në pyetje e magjistratit, dëshmitarëve ose personave të tjerë paraqet rëndësi për hetimin, i njofton ata lidhur me kohën dhe vendin e seancës së marrjes në pyetje.
  2. Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka për detyrë të sigurojë që seanca e marrjes në pyetje të regjistrohet në audio, sipas procedurës së mëposhtme:
  3. a) personi që merret në pyetje duhet të informohet se seanca përkatëse do të regjistrohet në audio;
  4. b) regjistrimi duhet të përmbajë gjenealitetet e personave që janë thirrur për t’u pyetur;
  5. c) në rast ndërprerjeje të seancës së marrjes në pyetje, përpara se regjistrimi audio të përfundojë, regjistrohet ora, shkaku i ndërprerjes, si dhe ora e rifillimit të seancës;

ç) në përfundim të seancës, personi i marrë në pyetje mund të saktësojë çdo gjë që ka deklaruar, si dhe të shtojë gjithçka që vlerëson. Më kërkesën e personit të marrë në pyetje, regjistrimi dëgjohet, si dhe regjistrohen korrigjimet dhe shpjegimet e tij në lidhje me deklarimet e mëparshme. Në mbarim të seancës së marrjes në pyetje regjistrohet ora e përfundimit të saj.

  1. Regjistrimi audio i seancës së marrjes në pyetje duhet të përmblidhet në procesverbal, si dhe mund të transkriptohet. Magjistrati nënshkruan procesverbalin e marrjes në pyetje, si dhe transkriptimin e regjistrimit audio nëse është bërë i mundur.
  2. Regjistrimi audio, transkriptimi i tij, nëse është bërë i mundur, si dhe procesverbali i seancës së marrjes në pyetje bëhen pjesë e dosjes.

 

Neni 132

Kërkesat në lidhje me mbledhjen e provave nga institucionet e tjera

 

  1. Çdo organ publik, person fizik ose juridik duhet të zbatojë kërkesat e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për marrje informacioni, dokumente ose prova të tjera që lidhen me hetimin, brenda afateve kohore të arsyeshme, të përcaktuara nga inspektori në kërkesën e tij, me përjashtim të rasteve kur dhënia e tyre është e kufizuar me ligj.
  2. Nëse gjatë hetimit disiplinor të magjistratit ekzistojnë nevoja thelbësore dhe specifike për të marrë dokumente, informacione, regjistrime telefonike ose prova të tjera, të cilat mbrohen nga garancitë për konfidencialitet ose mbrojtjen e të dhënave personale, Inspektori i Lartë i Drejtësisë mund t’i kërkojë Gjykatës së posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, lëshimin e një urdhri për dhënien e informacionit të kërkuar për magjistratin.
  3. Kërkesa duhet të përmbajë ekzistencën e dyshimit të arsyeshëm se magjistrati ka kryer shkeljen, si dhe se informacioni i kërkuar është thelbësor për të përcaktuar nëse shkelja ka ndodhur.
  4. Inspektori i Lartë i Drejtësisë përsërit kërkesën, në rastin kur personi ose subjekti, të cilit i drejtohet kjo kërkesë, nuk e përmbush atë brenda afatit të caktuar, duke informuar në rastin e personit juridik edhe drejtuesin e tij. Në rastin kur personi ose subjekti, të cilit i drejtohet kjo kërkesë, nuk përmbush kërkesën e përsëritur brenda afatit të caktuar, Inspektori i Lartë i Drejtësisë mund të vendosë gjobë deri në 100 000 lekë, si dhe njofton organin përgjegjës disiplinor.
  5. Urdhri për vendosjen e gjobës është titull ekzekutiv. Shërbimi përmbarimor ngarkohet me ekzekutimin e vendimit përkatës.
  6. Ndaj vendimit mund të ushtrohet ankim në Këshillin përkatës brenda 24 orëve nga marrja dijeni e tij.

 

Neni 133

Dokumentacioni i hetimit

 

  1. Inspektori i Lartë i Drejtësisë dokumenton çdo veprim hetimor me procesverbal.
  2. Procesverbali duhet të përmbajë:
  3. a) emrin dhe mbiemrin e inspektorit që kryen veprimin;
  4. b) datën e kryerjes së veprimit;
  5. c) subjektin dhe objektin e veprimit;

ç) pjesëmarrësit;

  1. d) përshkrimin e hollësishëm të veprimit të kryer;
  2. dh) nënshkrimin e inspektorit në fund të çdo faqeje, si dhe të personave që marrin pjesë në këto veprime;
  3. Me përfundimin e hetimit, Inspektori i Lartë i Drejtësisë harton raportin e hetimit, i cili përmban të paktën:
  4. a) emrin dhe mbiemrin e inspektorit kompetent;
  5. b) shkaqet për të filluar hetimin, subjektin dhe objektin e hetimit, sipas përcaktimeve të bëra në vendimin për fillimin e hetimit, ndryshimin ose shtimin e objektit të hetimit;
  6. c) veprimet e kryera gjatë hetimit;

ç) përmbledhjen e deklaratave të magjistratit përkatës dhe të personave të tjerë ose institucioneve;

  1. d) parashtrimin e fakteve të pranuara dhe të papranuara, ashtu si edhe të provave, si dhe vlerësimin e vërtetësisë dhe fuqisë provuese të tyre;
  2. dh) analizën ligjore të fakteve të pranuara që mbështesin përfundimin se shkelja disiplinore e pretenduar është kryer ose se hetimi duhet mbyllur;
  3. e) propozimin për mbylljen e hetimit ose për fillimin e procedimit disiplinor dhe propozimin për caktimin e masës disiplinore.

 

Neni 134

Mbyllja e hetimit

 

  1. Inspektori i Lartë i Drejtësisë mbyll hetimin, nëse provohet se pretendimet janë të pabazuara ose provat e mbledhura dhe rezultatet e hetimit të çojnë drejt përfundimit se:
  2. a) provat janë të pamjaftueshme për të provuar kryerjen e shkeljes disiplinore;
  3. b) çështja ka qenë objekt i një hetimi të mëparshëm që është mbyllur ose për të cilën është dhënë vendim i formës së prerë, në kuadër të një procedimi disiplinor;
  4. c) çështja është parashkruar në kohën kur është filluar hetimi, për shkak të kalimit të afateve;

ç) magjistratit i mbaron statusi, bazuar në kriteret e parashikuara, në shkronjat “b” deri në “ç”, të pikës 1, të nenit 64, të këtij ligji ose nuk ushtron funksionin e tij në mënyrë të përhershme, sipas parashikimeve të nenit 67 të këtij ligji;

  1. d) magjistrati ka vdekur.
  2. Inspektori i Lartë i Drejtësisë duhet t’i njoftojë vendimin magjistratit të interesuar ose përfaqësuesit të tij ankuesit dhe Këshillit përkatës. Vendimi duhet të përmbajë arsyet për mbylljen e hetimit, sipas pikës 1 të këtij neni. Vendimi tregon të drejtën e ankuesit për të ankimuar këtë vendim në Këshillin përkatës. Ankuesi ka të drejtë të ankimojë këtë vendim në Këshill, brenda një jave nga data e marrjes së vendimit të arsyetuar.
  3. Në rastet kur magjistrati ka dalë në pension, Inspektori i Lartë i Drejtësisë harton raportin përfundimtar, i cili përmban përmbledhje të pretendimeve për shkeljen disiplinore, provat e mbledhura dhe konkluzionet. Raporti mbyll procesin hetimor, si dhe iu bëhet me dije palëve dhe Këshillit përkatës.
  4. Faktet e zbuluara gjatë hetimit, të cilat nuk justifikojnë fillimin e procedimit disiplinor, por që mund të jenë të rëndësishme për vlerësimin etik dhe profesional, duhet t’i paraqiten Këshillit për shqyrtim të mëtejshëm.

 

Neni 135

Marrëveshje e përbashkët e pranimit

 

  1. Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe magjistrati në çdo kohë mund të dakordësojnë marrëveshjen e përbashkët të pranimit lidhur me shkeljen disiplinore që i atribuohet magjistratit.
  2. Palët mund të bien dakord për llojin e shkeljes disiplinore që magjistrati pranon, si dhe masën disiplinore të përshtatshme.
  3. Palët hartojnë me shkrim dhe nënshkruajnë marrëveshjen, e cila dorëzohet në Këshillin përkatës.
  4. Marrëveshja duhet të përmbajë:
  5. a) përmbledhje të fakteve dhe shkeljes që pranon magjistrati;
  6. b) masën disiplinore që palët kanë rënë dakord;
  7. c) një deklaratë se magjistrati është i vetëdijshëm se marrëveshja duhet të miratohet nga Këshilli.
  8. Këshilli përkatës pranon marrëveshjen me vendim të arsyetuar, nëse:
  9. a) marrëveshja është nënshkruar nga të gjitha palët dhe përmban elementet e parashikuara në pikën 4 të këtij neni;
  10. b) nëse rezulton se magjistrati e ka kuptuar marrëveshjen dhe përmbajtjen e saj, si dhe nëse ai ka dhënë pëlqimin me shkrim me vullnetin e tij të lirë;
  11. c) masat disiplinore kryesore dhe plotësuese, për të cilat kanë rënë dakord Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe magjistrati, të jenë në përputhje me këtë ligj.
  12. Këshilli përkatës refuzon marrëveshjen me vendim të arsyetuar, nëse:
  13. a) marrëveshja nuk nënshkruhet nga të gjitha palët ose nuk përmban elementet e parashikuara në pikën 4 të këtij neni;
  14. b) magjistrati i thirrur rregullisht nuk merr pjesë në seancë dhe nuk paraqet shkaqe të arsyeshme për mungesën e tij;
  15. c) provat e mbledhura janë në kundërshtim haptazi me deklarimin e magjistratit për pranimin e kryerjes së shkeljes disiplinore;

ç) masat disiplinore kryesore dhe plotësuese, për të cilat kanë rënë dakord Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe magjistrati, nuk janë në përputhje me këtë ligj;

  1. d) magjistrati është detyruar të pranojë marrëveshjen;
  2. dh) magjistrati tërheq pëlqimin për marrëveshjen.
  3. Nëse Këshilli e pranon marrëveshjen, ajo do të konsiderohet si një vendim i formës së prerë i procedimit disiplinor, e cila nuk ankimohet.
  4. Nëse Këshilli refuzon marrëveshjen, atëherë çdo pohim i bërë nga palët që lidhet me shkeljen disiplinore, në kuadër të hartimit të marrëveshjes, si dhe para Këshillit gjatë seancës për pranimin ose jo të marrëveshjes, nuk mund të përdoret në favor ose kundër këtyre palëve.
  5. Nëse marrëveshja refuzohet, Inspektori i Lartë i Drejtësisë mund të fillojë ose vazhdojë veprimet hetimore disiplinore ndaj magjistratit, brenda një muaji nga dita e refuzimit të kësaj marrëveshje.
  6. Nëse Inspektori i Lartë i Drejtësisë nuk zbaton afatet e parashikuara në pikën 9, të këtij neni, magjistrati ka të drejtë të ankimojë mosveprimin administrativ të tij te Këshilli përkatës.

 

Neni 136

Dërgimi i çështjes Inspektorit të Lartë të Drejtësisë

 

  1. Nëse gjatë procedimit disiplinor, Inspektori i Lartë i Drejtësisë vlerëson se ka dyshime të arsyeshme që mund të jetë kryer një shkelje tjetër, atëherë:
  2. a) kërkon të ndërpresë procedimin disiplinor, vendos për shtimin ose ndryshimin e objektit të hetimit, kryen hetimin e nevojshëm dhe paraqet raportin e hetimit të mëtejshëm brenda një muaji nga ndërprerja e procedimit;
  3. b) i kërkon Këshillit që të shtojë ose ndryshojë objektin e hetimit, nëse nuk është e nevojshme kryerja e hetimeve të mëtejshme, pasi të ketë marrë mendimin e palëve.
  4. Këshilli mund të dërgojë çështjen te Inspektori i Lartë i Drejtësisë, në rastet e parashikuara në nenin 144 të këtij ligji.

 

Neni 137

Sistemi i menaxhimit të çështjeve

 

  1. Inspektori i Lartë i Drejtësisë krijon dhe administron një sistem të menaxhimit të çështjeve për procedurën hetimore.
  2. Sistemi duhet të përmbajë të paktën informacionin e mëposhtëm:
  3. a) gjenealitetet dhe adresën e magjistratit nën hetim;
  4. b) emrin dhe adresën e ankuesit, nëse është e mundur;
  5. c) objektin e hetimit;

ç) të dhënat përkatëse mbi zhvillimin e hetimit;

  1. d) informacion për arkivimin e ankesës, mbi mbylljen e hetimit ose për fillimin e procedimit disiplinor;
  2. dh) informacion për vendimin e formës së prerë për masën disiplinore;
  3. e) informacione të tjera, sipas rastit.
  4. Inspektori i Lartë i Drejtësisë harton dispozita të hollësishme për:
  5. a) formatin dhe të dhënat që administrohen në regjistër;
  6. b) informacionin shtesë që përfshihet në sistem;
  7. c) mënyrën e mbajtjes së sistemit;

ç) informacionin e sistemit që është i hapur për publikun, si dhe informacion që është i aksesueshëm vetëm nga magjistrati nën hetim.

  1. Inspektori i Lartë i Drejtësisë mbledh dhe përpunon të dhënat në përputhje me ligjin “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.

 

KREU III

FILLIMI I PROCEDIMIT DISIPLINOR

 

Neni 138

Fillimi i procedurës disiplinore

(ndryshuar pika 1 me ligjin nr. 15/2020, datë 12.2.2020)

 

  1. Përveç parashikimeve të nenit 152, të këtij ligji, nëse ka dyshime të arsyeshme që magjistrati ka kryer shkelje disiplinore, Inspektori i Lartë i Drejtësisë fillon procedimin disiplinor, duke paraqitur raportin e hetimit së bashku me dosjen hetimore.
  2. Këshilli:
  3. a) përcakton datën për seancën dëgjimore, e cila duhet të jetë brenda një muaji nga dita e marrjes së dosjes nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë;
  4. b) njofton palët për datën e seancës dëgjimore të paktën 15 ditë para saj.
  5. Këshilli mund të zgjasë afatin e parashikuar në pikën 2, shkronja “a”, të këtij neni, deri në dy muaj, për shkaqe të rëndësishme, të cilat duhet të bëhen publike.
  6. Këshilli:
  7. a) shqyrton të gjithë faktorët që kanë rëndësi për çështjen;
  8. b) merr prova shtesë, duke përfshirë edhe thirrjen e dëshmitarëve;
  9. c) kur e konsideron të përshtatshme, thërret ekspertë ose i kërkon Inspektorit të Lartë të Drejtësisë të thërrasë ekspertë.
  10. Këshilli mund t’i kërkojë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë kryerjen e hetimeve të mëtejshme, duke specifikuar elementet që mungojnë dhe afatin. Inspektori i Lartë i Drejtësisë kryen veprimet hetimore sipas kërkesës së Këshillit.

 

Neni 139

Mbyllja e procedimit disiplinor pa seancë dëgjimore

 

  1. Këshilli vendos mbylljen e procedimit disiplinor pa zhvilluar seancë dëgjimore nëse:
  2. a) shkelja disiplinore është parashkruar në kohën kur ka filluar hetimi, sipas parashikimeve të nenit 117 të këtij ligji;
  3. b) çështja ka qenë objekt i procedimit disiplinor që është zgjidhur me vendim të formës së prerë;
  4. c) ka arsye të tjera për të mbyllur procedimin, në përputhje me parashikimet e nenit 134, pika 1, shkronjat “ç” dhe “d”;

ç) raporti i hetimit  është depozituar pa u arsyetuar.

  1. Dorëheqja e magjistratit nuk ndalon fillimin ose vazhdimin e procedimit disiplinor.
  2. Këshilli mbyll procedimin disiplinor, sipas parashikimeve të pikës 1, të këtij neni, me vendim të arsyetuar me shkrim. Ai njofton palët për shkaqet e mbylljes.

 

Neni 140

Bashkimi i procedimeve disiplinore

 

  1. Kur Këshilli konstaton që procedimi disiplinor u referohet të njëjtave fakte dhe të njëjtit magjistrat, mund të vendosë bashkimin e procedimeve.
  2. Në raste kur një gjyqtar ose një prokuror janë të përfshirë në të njëjtën shkelje, Këshillat vendosin bashkimin e procedimeve. Këshillat miratojnë rregulla të përbashkëta për bashkimin e procedimeve.

 

Neni 141

Të drejtat dhe detyrimet e palëve gjatë procedimit disiplinor

(Shfuqizuar fjalë në pikën 1 dhe shkronjat “a”, “b” dhe “c” të kësaj pike, me vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. 34, datë 10.4.2017 dhe ndryshuar pika 1 e shtuar pika 1/1me ligjin nr. 48/2019, datë 18.7.2019)

 

  1. Gjatë procedurës disiplinore, magjistrati ose përfaqësuesi i tij ka të drejtë të njihet me dokumentet e dosjes dhe të marrë kopje të tyre. Brenda pesë ditëve nga paraqitja e kërkesës, Këshilli i siguron magjistratit kushtet për njohjen me dosjen dhe i vë në dispozicion kopje të dokumenteve.

1/1. E drejta e aksesit me dosjen mund të kufizohet vetëm nëse është e domosdoshme, proporcionale dhe nëse dhënia e informacionit shkakton një dëm të rëndë dhe të pariparueshëm ndaj interesave të mëposhtëm:

  1. a) të drejtave themelore të një personi tjetër; ose
  2. b) sigurisë kombëtare, sipas përkufizimit të bërë nga legjislacioni në fuqi për informacionin e klasifikuar; ose
  3. c) parandalimit, hetimit dhe ndjekjes së veprave penale;

ç) barazisë së palëve në një proces gjyqësor dhe mbarëvajtjes së procesit gjyqësor.

E drejta e aksesit kufizohet për aq kohë sa ekzistojnë shkaqet e mësipërme. Në çdo rast, magjistrati ose përfaqësuesi i tij ka akses në dosje para se Këshilli të marrë vendimin.

  1. Kur magjistrati njoftohet se ndaj tij ka filluar procedim disiplinor, duhet që t’i bëhen të ditura të drejtat:
  2. a) për të paraqitur një parashtresë me shkrim në afatin e caktuar;
  3. b) për të marrë pjesë në seancë dëgjimore;
  4. c) për të thirrur dëshmitarë që mund të dëshmojnë fakte me interes për çështjen;

ç) për të paraqitur dokumente;

  1. d) për të marrë masa të tjera për paraqitjen e provave në mbështetje të mbrojtjes së tij;
  2. dh) për t’u përfaqësuar, sipas parashikimeve në Kodin e Procedurave Administrative;
  3. e) për kompensimin e shpenzimeve të arsyeshme ligjore të tij/saj në raste kur nuk vendoset masë disiplinore.
  4. Këshilli mund t’i kërkojë magjistratit të paraqesë të dhëna, dokumente ose çdo lloj prove, si dhe të marrë pjesë në seancë dëgjimore.
  5. Palët kanë të drejtë të njoftohen për çdo vendim të Këshillit brenda 5 ditëve nga marrja e tij.

 

Neni 142

Seanca disiplinore

 

  1. Seanca dëgjimore për procedimet disiplinore është publike.
  2. Këshilli, kryesisht ose me kërkesë të palëve, mund të vendosë zhvillimin e seancës me dyer të mbyllura, në rastet:
  3. a) kur publiciteti i seancës mund të dëmtojë moralin e shoqërisë ose mund të bëjë publike të dhëna sekrete në interes të sigurisë kombëtare, nëse kjo kërkohet nga autoritetet kompetente;
  4. b) kur është e nevojshme të mbrohet e drejta e jetës private, të mbrohen të dhënat personale të magjistratit ose një personi tjetër;
  5. c) kur nga publiku ka shfaqje që prishin zhvillimin normal të seancës dëgjimore.
  6. Në seancë dëgjimore para Këshillit:
  7. a) Inspektori i Lartë i Drejtësisë paraqet argumentet që shkelja disiplinore është kryer dhe propozon masat disiplinore që duhet të merren;
  8. b) magjistrati ose përfaqësuesi i tij paraqesin argumentet mbrojtëse.
  9. Përmbajtja e parashtrimeve me shkrim nuk përsëritet gjatë seancës dëgjimore.

 

Neni 143

Shtyrja e seancës dëgjimore

 

Këshilli mund të shtyjë seancën kur e konsideron të nevojshme marrjen e provave shtesë, por jo më shumë se një muaj.

 

Neni 144

Ndryshimi ose shtimi i objektit të procedimit disiplinor

 

  1. Kur Këshilli çmon se çështja nuk mund të zgjidhet në mënyrë të drejtë dhe të rregullt, pa marrë në shqyrtim një ose disa pretendime të tjera për shkeljen disiplinore ndaj të njëjtit magjistrat, ka të drejtë:
  2. a) të urdhërojë Inspektorin e Lartë të Drejtësisë të ndryshojë ose të shtojë objektin e procedimit disiplinor, në përputhje me këtë ligj, si dhe të hetojë këto pretendime të tjera të paktën brenda afatit njëmujor;
  3. b) të vendosë mbi pretendimet e ndryshuara ose të shtuara, nëse nuk është i nevojshëm hetim i mëtejshëm, pasi të ketë dëgjuar palët në procedim.
  4. Inspektori i Lartë i Drejtësisë vepron sipas parashikimeve të pikës 1, të nenit 136, të këtij ligji.

 

Neni 145

Pezullimi i procedimit disiplinor

 

Parashikimet ligjore gjatë procedimit disiplinor të nenit 126, të këtij ligji, do të aplikohen për aq sa gjejnë zbatim.

 

Neni 146

Vendimet e këshillit për çështjet e disiplinës

 

  1. Këshilli merr çdo vendim në lidhje me:
  2. a) angazhimin e ekspertëve dhe përcaktimin e detyrave të tyre;
  3. b) shtyrjet e seancave;
  4. c) pranueshmërinë e provave;

ç) zgjidhjen e çështjes;

  1. d) çdo çështje tjetër që Këshilli e vlerëson të nevojshme ose të përshtatshme në trajtimin e çështjes.
  2. Pas shqyrtimit të fakteve dhe provave, Këshilli:
  3. a) rrëzon kërkesën për procedim disiplinor, për shkak se faktet e pretenduara nuk kanë ndodhur ose ato nuk përbëjnë shkelje disiplinore;
  4. b) pranon kërkesën dhe vendos një ose më shumë masa disiplinore.
  5. Këshilli nuk është i detyruar t’i qëndrojë masës disiplinore të propozuar nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe jep vendim të arsyetuar me shkrim të paktën brenda dy javëve nga përfundimi i seancës.

 

Neni 147

E drejta e ankimit për vendimet disiplinore

 

  1. Magjistrati ka të drejtë të ankimojë vendimin për masë disiplinore në gjykatën kompetente.
  2. Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka të drejtë të ankimojë çdo vendim të Këshillit për çështjet disiplinore në gjykatën kompetente.