Forum 



Na kontaktoni

Këshilli i Lartë Gjyqësor

Godina “Poli i Drejtësisë “, Rruga “Ana Komnena”, Tiranë

 

GJYKATAT

 

 

Neni 135

(Ndryshuar neni me ligjin Nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

 

  1. Pushteti gjyqësor ushtrohet nga Gjykata e Lartë, si dhe nga gjykatat e apelit e gjykatat e shkallës së parë, të cilat krijohen me ligj.
  2. Gjykatat e posaçme gjykojnë veprat penale të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, si dhe akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, anëtarit të Këshillit të Ministrave, gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Kryetarit të Bashkisë, deputetit, zëvendësministrit, anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dhe drejtuesve të institucioneve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj, si dhe akuzat kundër ish-funksionarëve të sipërpërmendur.
  3. Kuvendi mund të krijojë me ligj gjykata të tjera për fusha të veçanta, por në asnjë rast gjykata të jashtëzakonshme.
  4. Gjyqtarët e gjykatave të posaçme që parashikohen në paragrafin 2, të këtij neni, emërohen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, sipas ligjit. Gjyqtarët e gjykatave të posaçme shkarkohen nga detyra me dy të tretat e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Kandidatët për gjyqtarë dhe nëpunës civilë gjyqësorë në gjykatat e posaçme, si dhe familjarët e afërm të kandidatëve, para emërimit, i nënshtrohen verifikimit të pasurisë dhe të figurës, si dhe japin pëlqimin për kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare dhe të telekomunikimeve vetjake, sipas ligjit.

 

Neni 136

(Ndryshuar neni me ligjin Nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

 

  1. Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës, me propozim të Këshillit të Lartë Gjyqësor, për një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë riemërimi.
  2. Presidenti i Republikës, brenda 10 ditëve nga data e marrjes së vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, emëron gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, me përjashtim të rasteve kur Presidenti konstaton se kandidati nuk plotëson kriteret e kualifikimit ose kushtet e zgjedhshmërisë, sipas ligjit. Dekreti i Presidentit të Republikës për mosemërimin e kandidatit humbet fuqinë kur kundër tij votojnë shumica e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Në këtë rast, si dhe kur Presidenti nuk shprehet, kandidati shpallet i emëruar dhe fillon detyrën brenda 15 ditëve nga data e vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
  3. Gjyqtari i Gjykatës së Lartë zgjidhet nga radhët e gjyqtarëve me të paktën 13 vjet përvojë në ushtrimin e profesionit. Një e pesta e gjyqtarëve në këtë gjykatë përzgjidhet mes juristëve të spikatur me jo më pak se 15 vjet përvojë si avokatë, profesorë ose lektorë të së drejtës, juristë të nivelit të lartë në administratën publike ose në fusha të tjera të së drejtës. Kandidatët që përzgjidhen nga radhët e juristëve duhet të kenë gradë shkencore në drejtësi.
  4. Kandidati jo gjyqtar nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike në administratën publike, ose pozicione drejtuese në parti politike, gjatë 10 vjetëve të fundit para kandidimit. Kritere të tjera dhe procedura e përzgjedhjes së gjyqtarit parashikohen me ligj.
  5. Gjyqtari i Gjykatës së Lartë qëndron në detyrë deri në emërimin e pasardhësit, përveç rasteve të parashikuara në nenin 139, paragrafi 3, nënparagrafët “c”, “ç”, “d” dhe “dh”

 

Neni 136/a

(Shtuar neni me ligjin Nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

 

  1. Gjyqtarë mund të jenë shtetasit shqiptarë që emërohen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, pas përfundimit të Shkollës së Magjistraturës dhe pas kryerjes së procesit të verifikimit paraprak të pasurisë dhe të figurës së tyre, sipas ligjit.
  2. Kritere të tjera për përzgjedhjen dhe emërimin e gjyqtarëve parashikohen me ligj.

 

Neni 137

(Ndryshuar neni me ligjin Nr. 88/2012, datë 18.9.2012; ndryshuar neni me ligjin Nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

 

Gjyqtari gëzon imunitet për mendimet e shprehura dhe vendimet e marra në ushtrimin e funksioneve të tij, përveç rasteve të dhënies qëllimisht të një vendimi, si pasojë e një interesi vetjak ose keqbesimi.

 

Neni 138

(Ndryshuar neni me ligjin Nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

 

Paga dhe përfitimet e tjera të gjyqtarit nuk mund të ulen, përveç rasteve kur:

  1. a) nevojitet marrja e masave të përgjithshme ekonomiko-financiare për të shmangur situata të vështira financiare të vendit ose emergjenca të tjera kombëtare;
  2. b) gjyqtari kthehet në detyrën që mbante para emërimit;
  3. c) i jepet një masë disiplinore ose vlerësohet i pamjaftueshëm profesionalisht, sipas ligjit.

 

Neni 139

(Ndryshuar neni me ligjin Nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

 

  1. Mandati i gjyqtarit të Gjykatës së Lartë mbaron në rastet e mëposhtme:
  2. a) mbush moshën e pensionit;
  3. b) përfundon mandatin 9-vjeçar;
  4. c) jep dorëheqjen;

ç) shkarkohet sipas parashikimeve të nenit 140 të Kushtetutës;

  1. d) vërtetohen kushtet e pazgjedhshmërisë dhe të papajtueshmërisë në ushtrimin e funksionit;
  2. dh) vërtetohet fakti i pamundësisë për të ushtruar detyrën.
  3. Mbarimi i mandatit të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë deklarohet me vendim të Gjykatës së Lartë.
  4. Procedura për emërimin e gjyqtarit në një gjykatë tjetër pas përfundimit të mandatit rregullohet me ligj.

 

Neni 140

(Ndryshuar neni me ligjin Nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

 

  1. Gjyqtari mban përgjegjësi disiplinore, sipas ligjit.
  2. Gjyqtari shkarkohet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor kur:
  3. a) kryen shkelje të rënda profesionale ose etike që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës;
  4. b) është dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi.
  5. Gjyqtari pezullohet nga detyra me vendim të Këshillit të Lartë Gjyqësor kur:
  6. a) ndaj tij caktohet masa e sigurimit personal “arrest në burg” ose “arrest në shtëpi” për kryerjen e një vepre penale;
  7. b) ai merr cilësinë e të pandehurit për një krim të rëndë të kryer me dashje;
  8. c) kur fillon procedimi disiplinor, sipas ligjit.
  9. Kundër vendimit të shkarkimit mund të bëhet ankim në Gjykatën Kushtetuese.

 

Neni 141

(Ndryshuar neni me ligjin Nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

 

  1. Gjykata e Lartë shqyrton çështje lidhur me kuptimin dhe zbatimin e ligjit për të siguruar njësimin ose zhvillimin e praktikës gjyqësore, sipas ligjit.”.
  2. Për ndryshimin e praktikës gjyqësore, Gjykata e Lartë tërheq për shqyrtim në Kolegjet e Bashkuara çështje të caktuara gjyqësore të vendosura nga kolegjet, sipas ligjit.

 

Neni 142

 

  1. Vendimet gjyqësore duhet të jenë të arsyetuara.
  2. Gjykata e Lartë duhet t’i botojë vendimet e saj, si dhe mendimet e pakicës.
  3. Organet e shtetit janë të detyruara të ekzekutojnë vendimet gjyqësore.

 

Neni 143

(Ndryshuar neni me ligjin Nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

 

Qenia gjyqtar nuk pajtohet me asnjë veprimtari tjetër politike ose shtetërore, si dhe veprimtari profesionale që ushtrohet kundrejt pagesës, me përjashtim të aktivitetit mësimdhënës, akademik, shkencor, si dhe delegimit pranë institucioneve të sistemit të drejtësisë, sipas ligjit.

 

Neni 144

(Shfuqizuar neni me ligjin Nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

 

Neni 145

 

  1. Gjyqtarët janë të pavarur dhe u nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve.
  2. Kur gjyqtarët çmojnë se ligjet vijnë në kundërshtim me Kushtetutën, nuk i zbatojnë ato. Në këtë rast, ata pezullojnë gjykimin dhe ia dërgojnë çështjen Gjykatës Kushtetuese. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për të gjitha gjykatat.
  3. Ndërhyrja në veprimtarinë e gjykatave ose të gjyqtarëve passjell përgjegjësi sipas ligjit.

 

Neni 146

 

  1. Gjykatat i japin vendimet në emër të Republikës.
  2. Vendimet gjyqësore shpallen publikisht në çdo rast.

 

Neni 147

(Ndryshuar neni me ligjin Nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

 

  1. Këshilli i Lartë Gjyqësor siguron pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe mbarëvajtjen e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë.
  2. Këshilli i Lartë Gjyqësor përbëhet nga 11 anëtarë, gjashtë prej të cilëve zgjidhen nga gjyqtarët e të gjitha niveleve të pushtetit gjyqësor dhe pesë anëtarë i zgjedh Kuvendi, nga radhët e juristëve jogjyqtarë.
  3. Anëtarët gjyqtarë përzgjidhen nga radhët e gjyqtarëve me integritet të lartë moral dhe profesional, sipas një procedure transparente dhe publike që siguron një përfaqësim të drejtë të të gjitha niveleve të gjyqësorit. Anëtarët jogjyqtarë përzgjidhen nga radhët e juristëve të spikatur me jo më pak se 15 vjet përvojë pune në profesion, me integritet të lartë moral dhe profesional. Ata nuk duhet të kenë mbajtur funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit. Kritere të tjera dhe procedura për përzgjedhjen e kandidatëve rregullohen me ligj.
  4. Dy anëtarë jogjyqtarë zgjidhen nga radhët e avokatëve, dy anëtarë nga trupa e pedagogëve të fakulteteve të drejtësisë dhe të Shkollës së Magjistraturës, si dhe një anëtar nga shoqëria civile. Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, bazuar në një procedurë transparente dhe publike, shpall vendet vakante, sipas ligjit.
  5. Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, jo më vonë se 10 ditë nga paraqitja e kandidaturave, verifikon nëse kandidatët plotësojnë kushtet e parashikuara nga Kushtetuta dhe ligji, si dhe vlerëson kriteret profesionale e morale për anëtarin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe përgatit listën. Në rast se kandidatët nuk i plotësojnë kushtet dhe kriteret për t’u zgjedhur, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit nuk i përfshin emrat e tyre në listë.
  6. Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit pas përfundimit të verifikimeve, i dërgon menjëherë listën e kandidatëve që plotësojnë kriteret formale nënkomisionit, sipas paragrafit 7 të këtij neni.
  7. Komisioni i përhershëm përgjegjës për çështjet ligjore në Kuvend krijon një nënkomision për vlerësimin e mëtejshëm dhe përzgjedhjen e kandidatëve jo më vonë se 3 ditë nga paraqitja e listës. Nënkomisioni përbëhet nga 5 deputetë, prej të cilëve 3 caktohen nga shumica dhe 2 nga pakica parlamentare. Nënkomisioni, me të paktën katër vota, mund të përfshijë në listën e kandidatëve edhe ata që janë përjashtuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit për mospërmbushje të kritereve formale. Nënkomisioni përzgjedh kandidatët me mbështetjen e të paktën 4 anëtarëve. Nëse nuk arrihet shumica e kërkuar, kandidatët përzgjidhen me short.
  8. Emrat e kandidatëve të përzgjedhur nga nënkomisioni përmblidhen në një listë dhe i dërgohen Kryetarit të Kuvendit. Brenda 10 ditëve, Kuvendi miraton listën e kandidatëve me 2/3 e të gjithë anëtarëve. Nëse lista rrëzohet, procedura përsëritet në nënkomision sipas pikës 7 të këtij neni, por jo më shumë se dy herë. Në rast se pas zhvillimit për herë të tretë të procedurës Kuvendi nuk miraton listën e paraqitur, kandidatët e kësaj liste konsiderohen të zgjedhur. Procedura e detajuar rregullohet me ligj.
  9. Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor zgjidhet në mbledhjen e parë të Këshillit nga radhët e anëtarëve jogjyqtarë, sipas ligjit.
  10. Anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor e ushtrojnë detyrën me kohë të plotë për një periudhë prej pesë vjetësh, pa të drejtë rizgjedhjeje të njëpasnjëshme. Në përfundim të mandatit, anëtarët gjyqtarë kthehen në vendet e mëparshme të punës. Gjyqtarit të Gjykatës së Lartë ose të gjykatës së posaçme i pezullohet mandati si gjyqtar gjatë kohës që ushtron funksionin si anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor. Anëtarët jogjyqtarë që përpara emërimit punonin me kohë të plotë në sektorin publik, rikthehen në vendet e mëparshme të punës ose në pamundësi, në detyra të barasvlershme me to.

 

Neni 147/a

(Shtuar neni me ligjin Nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

 

  1. Këshilli i Lartë Gjyqësor ushtron funksionet e mëposhtme:
  2. a) emëron, vlerëson, ngre në detyrë dhe transferon gjyqtarët e të gjitha niveleve;
  3. b) vendos për masat disiplinore ndaj gjyqtarëve të të gjitha niveleve;
  4. c) i propozon Presidentit të Republikës kandidatët për gjyqtarë të Gjykatës së Lartë, sipas ligjit;

ç) miraton rregullat e etikës gjyqësore dhe mbikëqyr respektimin e tyre;

  1. d) drejton dhe kujdeset për mbarëvajtjen e punës në administratën e gjykatave, me përjashtim të mbarëvajtjes së strukturave të teknologjisë së informacionit në gjykata, e cila rregullohet me vendim të Këshillit të Ministrave;
  2. dh) propozon dhe administron buxhetin e tij dhe të gjykatave;
  3. e) informon publikun dhe Kuvendin për gjendjen e sistemit gjyqësor;

ë) ushtron funksione të tjera të caktuara me ligj.

  1. Ligji mund të parashikojë krijimin e komisioneve vendimmarrëse pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor.
  2. Ministri i Drejtësisë mund të marrë pjesë, pa të drejtë vote, në mbledhjet e Këshillit të Lartë Gjyqësor kur diskutohen çështje që lidhen me planifikimin strategjik dhe buxhetin e pushtetit gjyqësor.

 

Neni 147/b

(Shtuar neni me ligjin Nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

 

  1. Mandati i anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor mbaron sipas rasteve të mëposhtme:
  2. a) mbush moshën e pensionit;
  3. b) përfundon mandatin 5-vjeçar;
  4. c) jep dorëheqjen;

ç) shkarkohet sipas parashikimeve të nenit 147/c të Kushtetutës;

  1. d) vërtetohen kushtet e pazgjedhshmërisë dhe të papajtueshmërisë në ushtrimin e funksionit;
  2. dh) vërtetohet fakti i pamundësisë për të ushtruar detyrën.
  3. Mbarimi i mandatit të anëtarit deklarohet me vendim të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
  4. Kur vendi i anëtarit mbetet vakant, organi që ka emëruar anëtarin paraardhës, sipas nenit 147, emëron një anëtar të ri, i cili qëndron në detyrë deri në përfundimin e mandatit të anëtarit të larguar.
  5. Anëtari i Këshillit të Lartë Gjyqësor qëndron në detyrë deri në emërimin e pasardhësit, përveç rasteve të parashikuara në nënparagrafët “c”, “ç”, “d” dhe “dh”, të paragrafit 1, të këtij neni.

 

 Neni 147/c

(Shtuar neni me ligjin Nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

 

  1. Anëtari i Këshillit të Lartë Gjyqësor mban përgjegjësi disiplinore, sipas ligjit.
  2. Ai shkarkohet nga Gjykata Kushtetuese kur:
  3. a) kryen shkelje të rënda profesionale ose etike;
  4. b) është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.
  5. Anëtari i Këshillit të Lartë Gjyqësor pezullohet nga detyra me vendim të Gjykatës Kushtetuese kur:
  6. a) ndaj tij caktohet masa e sigurimit personal “arrest në burg” ose “arrest në shtëpi” për kryerjen e një vepre penale;
  7. b) ai merr cilësinë e të pandehurit për një krim të rëndë të kryer me dashje;
  8. c) fillon procedimi disiplinor, sipas ligjit.

 

Neni 147/ç

(Shtuar neni me ligjin Nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

 

            Qenia anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor nuk pajtohet me asnjë veprimtari tjetër politike ose shtetërore, si dhe veprimtari profesionale që ushtrohet kundrejt pagesës, me përjashtim të veprimtarisë mësimdhënëse, akademike dhe shkencore, sipas ligjit.

 

Neni 147/d

(Shtuar neni me ligjin Nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

 

  1. Inspektori i Lartë i Drejtësisë është përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin me nismë të shkeljeve dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm, sipas procedurës së përcaktuar me ligj.
  2. Inspektori i Lartë i Drejtësisë është përgjegjës edhe për inspektimin institucional të gjykatave dhe të zyrave të prokurorisë.
  3. Inspektori i Lartë i Drejtësisë zgjidhet me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, për një periudhë 9-vjeçare, pa të drejtë rizgjedhjeje, nga radhët e juristëve të spikatur me jo më pak se 15 vjet përvojë pune në profesion, me integritet të lartë moral dhe profesional. Ai nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike në administratën publike, ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit.
  4. Inspektori i Lartë i Drejtësisë zgjidhet nga lista e pesë kandidatëve të përzgjedhur dhe renditur mbi bazën e meritave nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, sipas një procedure transparente dhe publike. Në rast se Kuvendi nuk arrin shumicën prej tri të pestave për asnjë prej kandidatëve brenda 30 ditëve nga paraqitja e listës, kandidati i renditur i pari shpallet i emëruar.
  5. Inspektori i Lartë i Drejtësisë gëzon statusin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë.
  6. Procedura e vendimmarrjes nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë rregullohet me ligj. Ankimet ndaj vendimeve lidhur me masat disiplinore ndaj inspektorëve të tjerë shqyrtohen nga Gjykata Kushtetuese.

 

Neni 147/dh

(Shtuar neni me ligjin Nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

 

  1. Mandati i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë mbaron kur:
  2. a) mbush moshën e pensionit;
  3. b) përfundon mandatin 9-vjeçar;
  4. c) jep dorëheqjen;

ç) shkarkohet sipas parashikimeve të nenit 147/e të Kushtetutës;

  1. d) vërtetohen kushtet e pazgjedhshmërisë dhe të papajtueshmërisë në ushtrimin e funksionit;
  2. dh) vërtetohet fakti i pamundësisë për të ushtruar detyrën.
  3. Mbarimi i mandatit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë deklarohet me vendim të mbledhjes së përbashkët të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
  4. Inspektori i Lartë i Drejtësisë qëndron në detyrë deri në emërimin e Inspektorit të ri, me përjashtim të rasteve të parashikuara në paragrafin 1, nënparagrafët “c”, “ç”, “d” dhe “dh”.
  5. Pas përfundimit të mandatit, me kërkesë të tij, Inspektori i Lartë i Drejtësisë kthehet në detyrën që mbante para emërimit ose në një detyrë të përafërt me të.

 

Neni 147/e

(Shtuar neni me ligjin Nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

 

  1. Inspektori i Lartë i Drejtësisë mban përgjegjësi disiplinore, sipas ligjit.
  2. Ai shkarkohet nga Gjykata Kushtetuese kur:
  3. a) kryen shkelje të rënda profesionale ose etike;
  4. b) është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.
  5. Pretendimet lidhur me shkeljet disiplinore të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë hetohen nga një komision hetimor i Kuvendit, duke respektuar të drejtën e tij për proces të rregullt. Komisioni hetimor, në rast se konstaton shkelje sipas paragrafit, 2 të këtij neni, i propozon Gjykatës Kushtetuese shkarkimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, sipas ligjit.
  6. Inspektori i Lartë i Drejtësisë pezullohet nga detyra me vendim të Gjykatës Kushtetuese kur:
  7. a) ndaj tij caktohet masa e sigurimit personal “arrest në burg” ose “arrest në shtëpi” për kryerjen e një vepre penale;
  8. b) ai merr cilësinë e të pandehurit për një krim të rëndë të kryer me dashje;
  9. c) fillon procedimi disiplinor, sipas ligjit.

 

Neni 147/ë

(Shtuar neni me ligjin Nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

 

            Qenia inspektor i lartë i drejtësisë nuk pajtohet me asnjë veprimtari tjetër politike ose shtetërore, si dhe veprimtari profesionale që ushtrohet kundrejt pagesës, me përjashtim të aktivitetit mësimdhënës, akademik ose shkencor, sipas ligjit.