Proçesi gjyqësor civil zhvillohet në përputhje me rregullat që përcaktohen në Kodin e Procedurës Civile, ku përcaktohet se vetëm palët mund të vënë në lëvizje gjykatën për fillimin e një procesi gjyqësor, përveç kur ligji parashikon ndryshe.
Procesi gjyqësor civil fillon mbi bazën e padisë që i drejtohet Gjykatës nga një person fizik ose juridik.
Padia është e drejta e personit që bën pretendimin, për t’u dëgjuar, mbi themelin e këtij pretendimi, në mënyrë që gjykata ta shpallë atë të bazuar ose jo dhe mjeti me të cilën kërkon mbrojtjen e një të drejte ose interesi të ligjshëm, i cili është shkelur ose cënuar nga persona të tjerë fizikë apo juridikë.
Palët në procesin gjyqësor janë paditësi dhe i padituri.
Paditës quhet personi që i drejtohet Gjykatës dhe e vë në lëvizje atë.
I paditur quhet personi i cili ka shkelur ose cënuar të drejtën e pretenduar paditësit.
Palët në procesin gjyqësor mund të zgjedhin të përfaqësohen vet ose nëpërmjet një përfaqësuesi të pajisur me prokurë, në të cilën përcaktohen veprimet që mbulon përfaqësuesi në emër të të përfaqësuarit.
Përkatësisht, përsa i përket hartimit të kërkesëpadiasë, ajo shkruhet në gjuhën shqipe dhe duhet të përmbajë:
- a) gjykatën përpara së cilës paraqitet kërkesa;
- b) emrin, atësinë, mbiemrin, vendbanimin ose vendqëndrimin e paditësit e të paditurit dhe të personave që përkatësisht i përfaqësojnë ata, kur ka të tillë. Nëse paditësi ose i padituri është person juridik, emërtimin e tij ashtu siç figuron në regjistrat publikë, duke treguar edhe selinë ose zyrën qendrore, ku do kryhet njoftimi;
- c) objektin e padisë;
ç) tregimin konkret të fakteve, rrethanave, dokumenteve, mjeteve të tjera provuese, të së drejtës mbi të cilat mbështetet padia, si dhe kërkimin konkret të paditësit;
- d) vlerën e padisë, në rast se objekti i saj është i vlerësueshëm.
Përveç këtyre kërkesave, paditësi në kërkesëpadi duhet të tregojë saktë dhe/ose të bashkëngjisë:
- a) të dhënat elektronike të kontaktit të tij ose të përfaqësuesit, nëse ka një të tillë, ku gjykata mund
ta njoftojë;
- b) listën e personave që kërkon të thirren në gjykim në cilësinë e dëshmitarit, duke saktësuar emrin, atësinë, mbiemrin dhe adresën e plotë, si dhe faktet që kërkohet të provohen me to;
- c) provat që kërkohen të merren nga i padituri dhe të tretët, duke përcaktuar arsyet dhe
vendndodhjen e këtyre provave;
ç) llojin e ekspertimit që kërkohet të kryhet gjatë gjykimit;
- d) emrin, atësinë, mbiemrin ose emërtimin nëse është person juridik dhe adresën e plotë të personave të tretë që kërkon të thirren në gjykim me këtë cilësi;
- dh) aktin provues të pagimit të tarifës së padisë, sipas ligjit.
Kërkesëpadia paraqitet në gjykatë nga paditësi ose nga përfaqësuesi i tij i pajisur me prokurë. Kërkesëpadia mund të paraqitet në gjykatë edhe nëpërmjet postës.
Padia iu caktohet gjyqtarëve me short.
Kur kërkesëpadia nuk plotëson kushtet e përmendura në këtë kre, gjyqtari i vetëm ia kthen paditësit në kohën e paraqitjes së saj ose ai njoftohet me shkrim për plotësimin e të metave dhe, pasi të jetë shënuar në padi data e paraqitjes, caktohet një afat për plotësimin e të metave. Der
i në këtë datë padia mbetet pa veprime.
Kur paditësi nuk plotëson të metat brenda afatit të caktuar, kërkesëpadia quhet se nuk është paraqitur dhe i kthehet paditësit së bashku me aktet e tjera.
Bashkë me kërkesëpadinë duhet të paraqiten:
- a) prokura, në rast se kërkesëpadia paraqitet në emër të paditësit nga përfaqësuesi i tij;
- b) kopje të kërkesëpadisë dhe të akteve provuese, në numër sa janë të paditurit, si dhe për rastin e
parashikuar nga neni 197 i Kodit Civil.
Me paraqitjen e kërkesëpadisë paguhet tarifa, si dhe shpenzimet e nevojshme për njoftimet ose shërbimet e tjera gjyqësore.
Kërkesëpadisë i bashkëngjitet thirrja në të cilën shënohen data e paraqitjes në gjykatë, si dhe porosia që në këtë datë të jenë të saktësuara provat që i padituri pretendon se duhen dëgjuar nga gjykata.
Gjykata fillimisht vlerëson nëse çështja e paraqitur hynë në kompetencën territoriale apo lëndore të saj. Pasi përcakton se është kompetente për gjykimin e padisë së paraqitur, kontrollon legjitimitetin e palëve. Të kontrollosh legjitimitetin e palëve do të thotë që të verifikosh nëse padia është ngritur nga personi të cilit i përket e drejta dhe nëse ështe ngritur ndaj atij që ka cënuar apo shkelur të drejtën.
Pas kalimit të kësaj faze, gjyqtari bën përpjekje për zgjidhjen e çështjes me pajtim. Kjo do të thotë që ai i fton palët të bisedojnë për të arritur një marrëveshje e cila do të zgjidhte çështjen, duke vendosur një zgjidhje të favorshme për të dyja palët dhe duke shmangur procedurat e mëtejshme gjyqësore. Në rast se kjo gjë arrihet, marrëveshja e pajtimit pasqyrohet në procesverbalin e seancës, i cili nënshkruhet nga palët dhe nga gjyqtari. Mbas kësaj gjyqtari jep vendim për miratimin e pajtimit.
Në rast se çështja nuk arrihet të zgjidhet me pajtim, atëherë gjykata i fton palët të paraqesin pretendimet e tyre rreth çështjes në gjykim. Në seancë gjyqësore mbahet proçesverbal në të cilin pasqyrohen shpjegimet e palëve, provat që merren si dhe vendimet dhe urdhërat që shpall Gjykata. Në fund të gjykimit, Gjykata shprehet me vendimin përfundimtar përkatës.