Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë qëndron në majën e e piramidës gjyqësore. Ajo siguron dhënien e barabartë dhe të paanshme të drejtësisë për të gjithë qytetarët në vend dhe vendos standardet e një gjykimi të drejtë. Gjykata e Lartë e ushtron pushtetin në përputhje me parashikimet Kushtetuese dhe ligjin.Parimet themelore që e udhëheqin Gjykatën e Lartë në veprimtarinë e saj gjyqësore janë: pavarësia, paanësia, efikasiteti, barazia, drejtësia, besueshmëria, llogaridhënia dhe aksesi transparent në drejtësi për të gjithë.Si gjykata më e lartë në vend, Gjykata e Lartë mbulon të gjithë territorin e vendit. Selia e saj është në Tiranë.Ajo shqyrton rekurset kundër vendimeve të gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm dhe gjykatat e posaçme të shkallëve më të ulëta, me misionin e vetëm që të sigurojë unifikim dhe zhvillim të mëtejshëm të praktikës gjyqësore.Gjykata e Lartë i ushtron funksionet gjyqësore të përmes kolegjeve të saj.

Kolegji Civil, shqyrton rekurset kundër vendimeve të gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm për çështje tregtare, civile dhe familjare, si dhe për çështje të tjera, të përcaktuara në ligj.

Kolegji Penal, shqyrton rekurset kundër vendimeve penale të gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm dhe nga gjykatat e posaçme për çështjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe për çështje të tjera, të përcaktuara në ligj.

Kolegji Administrativ, shqyrton rekurset kundër vendimeve të gjykatave administrative.

Gjykata e Lartë shqyrton çështje lidhur me kuptimin dhe zbatimin e ligjit për të siguruar njësimin ose zhvillimin e praktikës gjyqësore, sipas ligjit.Për ndryshimin e praktikës gjyqësore, Gjykata e Lartë tërheq për shqyrtim në Kolegjet e Bashkuara çështje të caktuara gjyqësore të vendosura nga kolegjet, sipas ligjit.Për të siguruar një proces sa më transparent dhe një akses të gjerë të publikut, Gjykata e Lartë vendos në shërbimin tuaj këtë faqe zyrtare ku cilido mund të informohet në mënyrë të vazhdueshme mbi veprimtarinë e saj gjyqësore dhe administrative.​