NGRITJA E PADISË

KREU I

HARTIMI, PARAQITJA NË GJYKATË, NJOFTIMI I PADISË DHE VEPRIMET
PËRGATITORE

(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 35)

Neni 153

Hartimi i padisë

Gjykimi i një çështjeje në gjykatë fillon me paraqitjen e kërkesëpadisë me shkrim.

Neni 154

(Shfuqizuar paragrafi i fundit me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 36;

shtuar dy paragrafët e fundit me ligjin nr. 122/2013)

Kërkesëpadia shkruhet në gjuhën shqipe dhe duhet të përmbajë:

  • gjykatën përpara së cilës paraqitet kërkesa;
  • emrin, atësinë, mbiemrin, vendbanimin ose vendqëndrimin e paditësit e të paditurit dhe të personave që përkatësisht i përfaqësojnë ata, kur ka të tillë;
  • përcaktimin e objektit të kërkesëpadisë;
  • tregimin e fakteve, rrethanave, dokumenteve, mjeteve të tjera provuese dhe të së drejtës mbi të cilat mbështetet kërkesëpadia;
  • kërkimin e paditësit;
  • vleftën e padisë, në rast se objekti i saj është i vlerësueshëm.

Përveç këtyre kërkesave, paditësi në kërkesëpadi duhet të tregojë saktë:

  1. të dhënat elektronike të kontaktit të tij ose të përfaqësuesit, nëse ka një të tillë, në të cilin gjykata mund ta njoftojë, si dhe deklaratën e pranimit të njoftimit me mjete të komunikimit elektronik;
  2. listën e personave, që kërkon të thirren në gjykim, duke saktësuar emrin, atësinë, mbiemrin dhe adresën e plotë të tyre.

Paditësi, për çdo ndryshim të mëvonshëm të adresës dhe të dhënave elektronike të kontaktit të tij ose të përfaqësuesit, detyrohet të njoftojë gjykatën. Shkelja e këtij detyrimi i bën të papranueshme pretendimet për pavlefshmërinë e njoftimit.

Neni 154/a

Paraqitja e kërkesëpadisë

(Shtuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 37)

Kërkesëpadia paraqitet në gjykatë nga paditësi ose nga përfaqësuesi i tij i pajisur me prokurë. Kërkesëpadia mund të paraqitet në gjykatë edhe nëpërmjet postës.

Padia iu caktohet gjyqtarëve me short.

Kur kërkesëpadia nuk plotëson kushtet e përmendura në këtë kre, gjyqtari i vetëm ia kthen paditësit në kohën e paraqitjes së saj ose ai njoftohet me shkrim për plotësimin e të metave dhe, pasi të jetë shënuar në padi data e paraqitjes, caktohet një afat për plotësimin e të metave. Deri në këtë datë padia mbetet pa veprime.

Kur paditësi nuk plotëson të metat brenda afatit të caktuar, kërkesëpadia quhet se nuk është paraqitur dhe i kthehet paditësit së bashku me aktet e tjera.

Kundër vendimit të gjyqtarit të vetëm për kthimin e kërkesëpadisë mund të bëhet ankim i veçantë.

Kur të metat e kërkesëpadisë janë plotësuar në afatin e caktuar, ajo quhet e regjistruar që nga dita që është regjistruar në gjykatë. Në këtë mënyrë veprohet edhe kur të metat e kërkesëpadisë konstatohen gjatë gjykimit të çështjes.

Neni 155

Njoftimi paraprak i padisë

Ndërmjet datës që është njoftuar padia dhe asaj të paraqitjes në gjykatë, duhet të sigurohet një afat jo më pak se dhjetë ditë.

Kur vendi i njoftimit është jashtë rrethit ose jashtë shtetit, afati për paraqitjen në gjyq duhet të jetë i tillë sa të sigurohet një komunikim normal i padisë dhe paraqitja në gjykatë e të paditurit ose të personave të tretë.

Në çështjet që është e nevojshme të kryhet një njoftim i shpejtë i padisë, me kërkesën e paditësit, gjyqtari kur e sheh atë me vend, mund të lejojë mosrespektimin e afatit të mësipërm të parashikuar në paragrafin e parë të këtij neni, por gjithnjë njoftimi duhet të jetë bindës, në përputhje me rregullat e parashikuara prej neneve 132 e 133 të këtij Kodi dhe pa i cenuar të paditurit të drejtën e mbrojtjes.

Neni 156

Aktet që i bashkëngjiten padisë

Bashkë me kërkesëpadinë duhet të paraqiten:

  1. prokura, në rast se kërkesëpadia paraqitet në emër të paditësit nga përfaqësuesi i tij;
  2. kopje të kërkesëpadisë dhe të akteve provuese, në numër sa janë të paditurit, si dhe për rastin e parashikuar nga neni 197 i Kodit Civil.

Me paraqitjen e kërkesëpadisë paguhet taksa mbi aktet, si dhe shpenzimet e nevojshme për njoftimet ose shërbimet e tjera gjyqësore.

Kërkesëpadisë i bashkëngjitet thirrja në të cilën shënohen data e paraqitjes në gjykatë, si dhe porosia që në këtë datë të jenë të saktësuara provat që i padituri pretendon se duhen dëgjuar nga gjykata.