Mirë se vini në faqen zyrtare të Gjykatës së Apelit Tiranë!

 

Gjykata e Apelit Tiranë shqyrton në shkallë të dytë, çështjet që lidhen me ankimet ndaj vendimeve të gjykatave të shkallës së parë të rretheve gjyqësore Dibër, Krujë, Kurbin,  Mat dhe Tiranë.  Vendimet e gjykatës së apelit janë të formës së prerë.

 

Gjykata e apelit shqyrton gjithashtu si juridiksion fillestar, çështjet për të cilat ligji parashikon një procedurë të tillë gjykimi, siç janë gjykimet për kërkesat për njohjen e vendimeve të gjykatave të huaja apo arbitrazhit, si dhe ankimet ndaj vendimeve të Agjencisë së Trajtimit të Pronave.

 

Organika aktuale e trupës gjyqësore përbëhet nga 31 gjyqtarë, ndërsa e ushtrojnë detyrën vetëm 12 të tillë.

 

Duke filluar nga data 1 shkurt 2023, në kuadër të hartës së re gjyqësore, do të funksionojë vetëm një gjykatë apeli, nga gjashtë të tilla, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, me seli në Tiranë.

 

Nëpërmjet informacioneve që janë publikuar në këtë faqe, publiku mund të marrë të dhënat që lidhen si me veprimtarinë gjyqësore të gjykatës, ashtu edhe ato jo gjyqësore.  Përpos kësaj, në respekt të së drejtës për informim, Gjykata e Apelit Tiranë është e angazhuar të trajtojë në kohën më të shpejtë të mundshme edhe çdo kërkesë për informacionin, që nuk gjendet i publikuar.

 

Përditësimi i vazhdueshëm me informacion i faqes zyrtare te Gjykatës së Apelit Tiranë është pjesë e pandashme e angazhimit të Këshillit të Gjykatës, në funksion të rritjes së besimit të publikut në sistemin gjyqësor.