Kati i parë i godinës shërben për të realizuar plotësimin e kërkesave të publikut për informacion, depozitim kërkesash, për tërheqje akte gjyqësore, ndërsa në katet e tjera janë të sistemuara sallat civile dhe penale. Gjykata ofron aksese për personat me handikap lokomotor, duke mundësuar praninë e tyre në çdo sallë gjykimi. Shtatë sallat e gjykimit janë të pajisura me sistemin audio dhe pajiset audiovizuale të nevojshme për kryerjen e një procesi gjyqësor të rregullt e transparent. Të gjitha planifikimet e gjykimeve bëhen nëpërmjet kalendarit elektronik PAKS+ të instaluar në çdo zyrë gjyqtari, sekretare si dhe në çdo sallë gjykimi. Këndi i afishimeve në hyrje të Gjykatës, së bashku me këndin e transparencës të ndodhur në hollin e katit të parë, jep informacion mbi çështjet në gjykim, shpalljet e vendimeve, listat e ekspertëve, psikologëve, regjistrin e kërkesave dhe përgjigjeve, programin e transparencës si dhe përmban formularë fizikë për personat në nevojë që kërkojnë akses në gjykatë, broshura dhe njoftime të tjera të akteve proceduriale.
Informacione të hollësishme mbi veprimtarinë e Gjykatës ofrohen për publikun nga Kancelari, Kryesekretaria e Gjykatës, Arshiva, Sekretaria Regjistruese, Punonjësi për Marrëdhëniet e Gjykatës me Publikun dhe Median dhe Zyra e Financës. Pranë sporteleve të shërbimeve ofrohet çdo lloj informacioni apo dokumentacioni në lidhje me gjykimet, dhënien e kopjeve të vendimeve, depozitimin e kërkesave, kërkesëpadive, ankimeve dhe rekurseve, dhënien e vërtetimeve, dhënien e kopjeve të akteve të ndryshme, depozitimin e kërkesave për shtyrje, si dhe çdo informacion apo dokumentacion tjetër. Për çdo problematikë të hasur në gjykim apo në punën e administratës gjyqësore publiku mund të na drejtohet nëpërmjet postës elektronike, me shkrim, ose mund të lërë përshtypjet e tyre në librin e hapur posaçërisht për mendimet e publikut, si dhe mund të vlerësojë shërbimet e gjykatës nëpërmjet formularëve të hapur, të përgatitur për këtë qëllim.