Forum 



Contact us

High Judicial Council

Building “ Justice Pole”, “Ana Komnena” Street, Tirana

PUSHTETI GJYQËSOR

 

Në Republikën e Shqipërisë, pushteti gjyqësor ushtrohet vetëm nga Gjykatat, në përputhje me Kushtetutën dhe kompetencat që u ngarkohen atyre me ligj. Gjyqtarët kanë kompetencë të shqyrtojnë të gjitha çështjet penale, penale ushtarake, civile, administrative si dhe çdo çështje tjetër të përcaktuar me ligj.

Sistemi Shqiptar i Drejtësisë përbëhet nga Gjykatat e Faktit, Gjykatat e Apelit dhe Gjykata e Lartë. Secili nivel trajton çështje civile, penale, tregtare dhe administrative. Sistemi ushtarak i drejtësisë është i përfshirë në sistemin e drejtësisë penale.
Sistemi ynë i Drejtësisë përfshin 346 gjyqtarë të cilët janë të shpërndarë në 29 Gjykata Fakti, 6 Gjykata Apeli, 1 Gjykatë Ushtarake Apeli dhe në Gjykatën e Lartë.

Gjykatat e Rretheve Gjyqësore organizohen dhe funksionojnë në rrethe gjyqësore në të gjithë territorin e vendit. Kompetencat tokësore dhe qëndra e ushtrimit të veprimtarisë për secilën prej tyre caktohet me dekret të Presidentit të Republikës, me propozimin e Ministrit të Drejtësisë, pasi të jetë marrë edhe mendimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Gjykatat e Rretheve Gjyqësore gjykojnë sipas rregullave të parashikuara në kodet e proçedurave, ku përcaktohet edhe përbërja e trupit gjykues.

Gjykatat e Apelit funksionojnë në zona të caktuara nga Presidenti i Republikës, përsëri me propozimin e Ministrit të Drejtësisë, pasi të jetë marrë edhe mendimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Këto Gjykata gjykojnë në shkallë të dytë ankimet kundër vendimeve të Gjykatave të Rretheve Gjyqësore.

Gjykatat e Apelit gjykojnë me trup gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë.

Gjykatat Ushtarake organizohen dhe funksionojnë brenda sistemit gjyqësor sipas kompetencave të përcaktuara në ligj. Gjykatat Ushtarake përbëhen nga Gjykatat e Shkallës së Parë dhe të Apelit. Kjo e fundit shqyrton në shkallë të dytë ankimet kundër vendimeve të Gjykatave Ushtarake të Shkallës së Parë.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ndalon krijimin e Gjykatave të Jashtëzakonshme. Në nenin 135 pika 2 e saj thuhet: "Kuvendi mund të krijojë me ligj Gjykata për fusha të veçanta, por në asnjë rast Gjykata të Jashtëzakonshme". Një gjë e tillë është pasqyruar edhe në paragrafin e tretë të nenit 11 të ligjit 8436, datë 28.12.1998 "Për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë"

Gjykatat e Rretheve Gjyqësore kanë kompetencë të gjykojnë të gjitha mosmarrëveshjet civile si dhe mosmarrëveshjet e tjera të parashikuara në Kodin e Proçedurës Civile e në ligje të tjera, si dhe veprat penale, përveç atyre që i përkasin kompetencës së Gjykatës Ushtarake. Këto të fundit gjykojnë ushtarakët për veprat penale ushtarake, robërit e luftës dhe persona tjerë të caktuar me ligj.
Për gjykimin e mosmarrëveshjeve civile e të mosmarrëveshjeve të tjera të parashikuara ne Kodin e Proçedurës Civile e në ligje të veçanta, zbatohen rregulla të detyrueshme, të njëjta e të barabata. Në asnjë rast Gjykata nuk mund të mos shqyrtojë dhe të japë vendime për çështjet që paraqiten për shqyrtim, me arsyetimin se ligji mungon, nuk është i plotë, ka kundërshtime ose është i paqartë.

Gjithashtu, legjislacioni proçedurial penal ka për detyrë të sigurojë një proçedim të drejtë, të barabartë e të rregullt ligjor, të mbrojë liritë personale dhe të drejtat e interesat e ligjshme të shtetasve, të ndihmojë për forcimin e rendit juridik dhe zbatimin e Kushtetuës e të ligjeve të shtetit.