Forum 



Na kontaktoni

Këshilli i Lartë Gjyqësor

Godina “Poli i Drejtësisë “, Rruga “Ana Komnena”, Tiranë

 

Shpjegimi i konflikteve

 

 

Procesi Civil në Gjykatë

 

Procesi gjyqësor civil zhvillohet në përputhje me rregullat e përcaktuara në Kodin e Procedurës Civile. Ai fillon në bazë të investimit që i bëhet Gjykatës nga një person fizik ose juridik. Të investosh Gjykatën do të thotë t'i drejtohesh asaj me një kërkesë e cila quhet padi dhe me të cilën kërkon mbrojtjen e një të drejte ose interesi të ligjshëm, i cili është shkelur ose cenuar nga persona të tjerë. Personi që i drejtohet Gjykatës quhet paditës. Personi i cili ka shkelur ose cenuar të drejtën e pretenduar quhet i paditur.

 

Gjykata, pasi njihet me padinë, kontrollon legjitimitetin e palëve. Të kontrollosh legjitimitetin e palëve do të thotë që të verifikosh nëse padia është ngritur nga personi të cilit i përket e drejta dhe nëse është ngritur ndaj atij që ka cenuar apo shkelur të drejtën.

 

Gjyqtari cakton detyrimisht seancën e veprimeve përgatitore në rastet kur merr në shqyrtim  kërkesat për ndërhyrje kryesore, dytësore, për zëvendësim procedural, kalim procedural,  ndryshimin e shkakut ose shtimin, pakësimin ose ndryshimin e objektit të padisë, paraqitjen e  kundërpadisë, si dhe caktimin e ekspertit.

 

Gjyqtari, gjatë veprimeve përgatitore, bën të gjitha përpjekjet për të zgjidhur mosmarrëveshjen me pajtim, kur e lejon natyra e çështjes. Për këtë qëllim, kur është rasti, urdhëron edhe paraqitjen e vetë palëve. Gjithashtu gjykata edhe në çdo fazë të gjykimit, vë në dijeni palët lidhur me  mundësinë e zgjidhjes së mosmarrëveshjes me ndërmjetësim dhe nëse ato pranojnë e kalon çështjen për ndërmjetësim. Kur arrihet pajtimi pa filluar seanca gjyqësore, mbahet procesverbal, i cili nënshkruhet nga palët. Gjyqtari me vendim miraton pajtimin. Në rast të paraqitjes së  aktmarrëveshjes për pajtim ose për zgjidhjen e mosmarrëveshjes me ndërmjetësim, gjykata vendos miratimin e saj, nëse kjo e fundit nuk është në kundërshtim me ligjin. Kur pajtimi arrihet  në seancë gjyqësore, kushtet e marrëveshjes pasqyrohen në procesverbalin gjyqësor. Gjykata jep vendim për miratimin e tij, por në çdo rast ai nuk duhet të jetë në kundërshtim me ligjin.

 

Kundër vendimit për zgjidhjen e mosmarrëveshjes me pajtim ose me ndërmjetësim, ose mospranimin e pajtimit, mund të bëhet ankimi veç.

Në rast se çështja nuk arrihet të zgjidhet me pajtim, atëherë gjykata i fton palët të paraqesin pretendimet e tyre rreth çështjes në gjykim. Në seancë gjyqësore mbahet procesverbal në të cilin pasqyrohen shpjegimet e palëve, provat që merren si dhe vendimet dhe urdhrat që shpall Gjykata. Kryetari i seancës gjyqësore drejton hetimin gjyqësor dhe bisedimet e palëve në përputhje me rregullat e përcaktuara në Kodin e Procedurës Civile. Kur ndonjë nga palët bën vërejtje ndaj veprimeve të kryetarit ose të ndonjërit nga anëtarët e trupit gjykues, duke pretenduar se u kufizohen ose u shkelen të drejtat e tyre këto duhet të pasqyrohen në procesverbal.

 

Gjatë zhvillimit të procesit gjyqësor civil Gjykata me vendim lejon palët të provojnë faktet mbi të cilat i bazojnë kërkimet dhe pretendimet e tyre, duke paraqitur në Gjykatë vetëm ato prova që janë të domosdoshme dhe që kanë lidhje me çështjen në gjykim. Në Kodin e Procedurës Civile njihen këto lloje provash: pohimet e palëve apo prej përfaqësuesve të tyre, dëshmitarët, shkresat, aktet zyrtare, eksperti dhe ekspertimi, këqyrja e personave, sendeve dhe këqyrja në vend, eksperimentimi. Në rast se një provë rrezikon të zhduket gjykata merr vendim për sigurimin e saj. Në çështje për të cilat kërkohen njohuri të posaçme në fushën e shkencës teknikës e në fusha të tjera, gjykata vetë ose me kërkesën e palëve cakton ekspert. Gjykata pasi dëgjon palët dhe provat e paraqitura nga ato si dhe pasi shqyrton çështjen në tërësi merr vendim me të cilin e pranon tërësisht apo pjesërisht padinë si të bazuar në prova e në ligj ose vendos rrëzimin e saj si të pabazuar në prova ose në ligj.

 

Ndaj vendimit të Gjykatës palët kanë të drejtë të bëjnë ankim në Gjykatën e Apelit.

Gjykata e Apelit gjatë shqyrtimit të çështjes mban parasysh, për aq sa janë të zbatueshme, dispozitat mbi procedurën e gjykimit në shkallë të parë të parashikuara në Kodin e Procedurës civile. Me kërkesë të palëve ose kryesisht, gjykata e apelit riçel pjesërisht ose tërësisht hetimin gjyqësor. Në gjykimin në apel nuk mund të paraqiten kërkime të reja, të shtohen apo të ndryshohen elementët e padisë, me përjashtim të kërkimit për shpenzimet e gjykimit në apel. Gjykata e Apelit mund të pranojë për shqyrtim fakte dhe prova të reja. Kur kërkimet dhe pretendimet e papranuara nga gjykata e shkallës së parë nuk përsëriten në ankim, konsiderohet sikur është hequr dorë prej tyre.

 

Gjykata e Apelit pasi shqyrton çështjen vendos:

    a) Lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së shkallës së parë;

    b) Ndryshimin e vendimit;

    c) Prishjen e vendimit dhe pushimin e çështjes;

    d) Prishjen e vendimit dhe dërgimin e çështjes për rigjykim në gjykatën e shkallës së parë në rastet e parashikuara nga neni 467 i K.Pr.C.

Kundër vendimit të gjykatës së apelit për prishjen e vendimit të gjykatës së shkallës së parë dhe pushimin e çështjes lejohet rekurs i veçantë.

 

Procesi penal në gjykatë 

Procesi gjyqësor penal fillon në bazë të depozitimit në gjykatë të kërkesës së prokurorit ose të dëmtuarit akuzues. Brenda dhjetë ditëve nga depozitimi i kërkesës së prokurorit ose të viktimës akuzuese, kryetari i trupit gjykues, i ngarkuar për gjykimin e çështjes cakton datën e seancës gjyqësore. Data e seancës i njoftohet prokurorit, të pandehurit, mbrojtësit, viktimës, palëve private dhe përfaqësuesve të tyre të paktën dhjetë ditë para datës së caktuar për gjykim.

 

Kur janë kushtet e parashikuara në ligj prokurori mund të kërkojë gjykimin e drejtpërdrejtë kurse i pandehuri gjykimin e shkurtuar, në këto raste zbatohen rregullat e caktuara në Kodin e Procedurës Penale për gjykimet e posaçme. Deri në datën e caktuar për gjykim palët mbrojtësit dhe përfaqësuesit e tyre kanë të drejtë të shikojnë sendet e sekuestruara të shqyrtojnë në sekretari aktet dhe dokumentet e mbledhura në fashikullin për shqyrtimin gjyqësor si dhe të nxjerrin kopje të tyre. Për rastet që kërkohet sigurimi i provës kryetari me kërkesën e palëve urdhëron marrjen e provave të cilat më vonë rrezikohen të mos merren duke respektuar rregullat e parashikuara për shqyrtimin gjyqësor. Palët që kërkojnë pyetjen e dëshmitarëve dhe të ekspertëve duhet të depozitojnë në sekretarinë e Gjykatës, të paktën pesë ditë para datës së caktuar për gjykim, listën e tyre.

 

Në rastin e veprave që ndiqen me kërkesën e të dëmtuarit akuzues gjykata thërret të dëmtuarin dhe atë kundër të cilit është bërë kërkesa për gjykim dhe u propozon zgjidhjen e çështjes me pajtim, në rast se i dëmtuari e tërheq kërkesën dhe ai që akuzohet e pranon tërheqjen, gjykata vendos pushimin e çështjes në të kundërt ajo cakton datën e seancës dhe u bën të njohur atyre se mund të ndihmohen nga një mbrojtës. Seanca gjyqësore është publike përndryshe quhet e pavlefshme, por Gjykata mund të vendosë që shqyrtimi gjyqësor ose disa veprime të tij të zhvillohen me dyer të mbyllura kur ndodhet para njërit nga rastet e parashikuara në Kodin e Procedurës Penale.

 

Drejtimi i seancës bëhet nga kryetari i seancës, urdhrat e tij për ruajtjen e rendit e të qetësisë janë të detyrueshme për palët pjesëmarrësit dhe të zbatueshme nga organet e rendit. Kur shqyrtimi gjyqësor nuk mund të përfundohet në një seancë gjyqësore Gjykata vendos që të vazhdojë ditën e më pasme të punës, por gjykata mund të ndërpresë shqyrtimin gjyqësor vetëm për arsye të veçanta deri në 15 ditë. Hetimi gjyqësor fillon me marrjen e provave të kërkuara nga prokurori ose i dëmtuari akuzues dhe vazhdon me marrjen e atyre që kërkohen nga i pandehuri mbrojtësi dhe palët e tjera. Pas marrjes së provave, prokurori mbrojtësi i të pandehurit dhe përfaqësuesit e palëve të tjera formulojnë dhe parashtrojnë konkluzionet përkatëse. Prokurori, mbrojtësit dhe përfaqësuesit e palëve mund të bëjnë replikë. Diskutimi përfundimtar nuk mund të ndërpritet për të marrë prova të reja përveçse kur Gjykata e çmon të domosdoshme. Pas diskutimit përfundimtar Gjykata tërhiqet për marrjen e vendimit i cili mund të jetë vendim për pushimin e çështjes, vendim pafajësie, vendim dënimi për të pandehurin.

 

Kundër vendimit të Gjykatës së shkallës së parë palët mund të bëjnë ankim në Gjykatën e Apelit.

Gjykata e Apelit e shqyrton çështjen në tërësi dhe nuk kufizohet vetëm me shkaqet e paraqitura në ankim. Kryetari i kolegjit të Gjykatës së Apelit urdhëron thirrjen e të pandehurit, paditësit civil dhe të paditurit civil si dhe të mbrojtësve e të përfaqësuesve të tyre. Afati i paraqitjes së tyre nuk mund të jetë më i vogël së dhjetë ditë. Gjykata e Apelit mund të vendosë marrjen e provave të reja ose përsëritjen tërësisht apo pjesërisht të shqyrtimit gjyqësor ajo vendos përsëritjen e shqyrtimit gjyqësor kur vërtetohet se i pandehuri nuk ka marrë pjesë në shkallë të parë sepse nuk ka marrë dijeni ose nuk ka mundur të paraqitet për shkaqe ligjore.

 

Gjykata e Apelit pasi shqyrton çështjen vendos:

    a) Lënien në fuqi të vendimit;

    b) Ndryshimin e vendimit;

    c) Prishjen e vendimit dhe pushimin e çështjes kur janë rastet që nuk lejojnë fillimin ose vazhdimin e procedimit;

    d) Prishjen e vendimit dhe kthimin e akteve gjykatës së shkallës së parë kur nuk janë respektuar dispozitat që lidhen me kushtet për të qenë gjyqtar në çështjen konkrete, me numrin e gjyqtarëve që është i domosdoshëm për formimin e kolegjeve të caktuara në Kodin e Procedurës Penale, me ushtrimin e ndjekjes penale nga prokurori dhe pjesëmarrjen e tij në procedim, me pjesëmarrjen e të pandehurit, mbrojtësit të tij, ose përfaqësuesit të viktimës akuzuese, me shkeljen e dispozitave për paraqitjen e akuzave të reja, si dhe në çdo rast kur në dispozita të veçanta është parashikuar pavlefshmëria e vendimit.

 

Kundër vendimit të Gjykatës së Apelit palët kanë të drejtë të bëjnë ankim në Gjykatën e Lartë.

Gjykata e Lartë e shqyrton çështjen brenda kufijve të shkaqeve të ngritura por për çështje ligjore që duhet të shihen kryesisht nga Gjykata në çdo gjendje e shkallë të procesit të cilat nuk janë parë, Gjykata e Lartë ka të drejtë të vendosë. Gjatë gjykimit të çështjes në Gjykatë të Lartë zbatohen të gjitha normat që lidhen me publicitetin rregullin e seancës dhe me drejtimin e diskutimit si në Gjykatën e shkallës së parë për aq sa janë të zbatueshme.

 

Pas shqyrtimit të çështjes Gjykata e Lartë vendos:

    a) Mospranimin e rekursit në rastet kur është bërë për shkaqe të ndryshme nga ato që parashikon Kodi;

    b) Prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së shkallës së parë;

    c) Prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në këtë gjykatë me tjetër trup gjykues;

    d) Prishjen e vendimeve të gjykatës së apelit dhe të gjykatës së shkallës së parë dhe dërgimin e çështjes për rigjykim në shkallë të parë kur nuk janë respektuar dispozitat që lidhen me kushtet për të qenë gjyqtar në çështjen konkrete, me numrin e gjyqtarëve që është i domosdoshëm për formimin e kolegjeve të caktuara në Kod, me ushtrimin e ndjekjes penale nga prokurori dhe pjesëmarrjen e tij në procedim, me pjesëmarrjen e të pandehurit, të mbrojtësit të tij, ose përfaqësuesit të viktimës akuzuese, me shkeljen e dispozitave për paraqitjen e akuzave të reja, si dhe në çdo rast kur në dispozita të veçanta është parashikuar pavlefshmëria e vendimit;

    e) Prishjen e vendimeve të gjykatës së shkallës së parë dhe të gjykatës së apelit dhe pushimin e gjykimit të çështjes pa e kthyer për rishqyrtim;

    f) Ndryshimin e vendimeve të gjykatës së apelit dhe të gjykatës së shkallës së parë dhe zgjidhjen përfundimisht të çështjes kur zbatimi i ligjit procedural ose material nuk diktohet nga nevoja për rivlerësimin e fakteve apo të provave të çështjes;

    g) Lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së apelit.

 

Të drejtat e qytetarëve në gjykatë

 

Të drejtat e qytetarëve në Gjykatë janë të përcaktuara në Kodin e Procedurës Civile dhe në Kodin e Procedurës Penale.

Në procesin gjyqësor civil, e drejta themelore është e drejta për t'iu drejtuar gjykatës me padi. Me anën e padisë kërkohet njohja e një të drejte ose mbrojtja e një të drejte që është mohuar ose cenuar nga një person tjetër. Palët në një proces gjyqësor civil kanë të drejtën për të kërkuar përjashtimin e njërit ose të gjithë anëtarëve të trupit gjykues, në rastet kur ata kanë interes në çështjen që shqyrtohet ose për mosmarrëveshje të tjera që kanë lidhje me çështjen në gjykim; kur gjyqtari ose bashkëshorti i tij është i afërm i njërës prej palëve në proces; kur gjyqtari paraprakisht ka dhënë këshilla ose ka shfaqur mendim për çështjen në gjykim si dhe për çdo lloj arsye tjetër e cila krijon bindjen se gjyqtari nuk do të jetë i paanshëm. Çdo person ka të drejtë të ndërhyjë në gjykimin që është duke u zhvilluar midis personave të tjerë, në rast se ai pretendon për vete të drejtën ose sendin për të cilin zhvillohet gjykimi. Po ashtu ai mund të ndërhyjë edhe kur ka interes për të mbështetur njërën ose tjetrën palë me të cilën bashkohet në gjykim.
Secila prej palëve në gjykimin civil ka të drejtë të thërrasë për të marrë pjesë në gjykimin e çështjes, personin që mendon se e ka të përbashkët çështjen ose nga i cili mund të kërkohet një garanci që lidhet me përfundimin e çështjes. Secila nga palët në proces ka të drejtë t'i kërkojë Gjykatës që të urdhërojë palën tjetër ose një person të tretë që nuk merr pjesë në çështje që të paraqesë në gjykim një dokument ose send i cili konsiderohet i nevojshëm për zgjidhjen e çështjes dhe që nuk mund të sigurohet nga pala që bën pretendimin. Paditësi ka të drejtë që në çdo fazë të gjykimit të heqë dorë nga gjykimi i padisë. Në këtë rast Gjykata vendos pushimin e gjykimit të çështjes. Paditësi ka të drejtën që t'i kërkojë Gjykatës marrjen e masave për sigurimin e padisë në ato raste kur ka arsye të bazuara për të dyshuar se ekzekutimi i vendimit do të bëhet i pamundur ose i vështirë.

 

Po ashtu, secila nga palët ka të drejtë t'i kërkojë Gjykatës të marrë masa për sigurimin e një prove e cila rrezikon të zhduket ose marrja e së cilës në të ardhmen mund të bëhet e pamundur ose e vështirë. Kjo në rastet kur prova ka rëndësi themelore për zgjidhjen e çështjes. Palët në gjykimin civil kanë të drejtë të paraqesin provat të cilat provojnë pretendimet përkatëse. Këtu përfshihet: thirrja e dëshmitarëve, paraqitja e provave shkresore etj. Personat që nuk dinë gjuhën shqipe kanë të drejtë të përdorin në gjykim gjuhën e tyre dhe të njihen me provat dhe me gjithë zhvillimin e gjykimit nëpërmjet përkthyesit.

 

Çdo qytetar ka të drejtë të marrë pjesë në një proces gjyqësor civil, me përjashtim të rasteve kur Gjykata vendos që gjykimi të bëhet me dyer të mbyllura për shkak të ruajtjes së një sekreti shtetëror dhe rendit publik; përmendjes së rrethanave të jetës intime të pjesëmarrësve në gjykim apo të ruajtjes së sekretit tregtar apo shpikjeve. Një e drejtë tjetër themelore e pjesëmarrësve në gjykim është e drejta për t'u ankuar ndaj vendimeve dhe urdhrave të Gjykatës. Në procesin gjyqësor penal një nga të drejtat themelore të pandehurit është se ai ka të drejtë të mbrohet vetë ose me ndihmën e mbrojtësit dhe kur nuk ka mjete të mjaftueshme financiare i sigurohet mbrojtja falas me avokat. I pandehuri ka të drejtë të zgjedhë jo më shumë se dy mbrojtës. Personat që akuzohen për një vepër penale por që nuk dinë shqip kanë të drejtë të përdorin gjuhën e tyre dhe me anën e përkthyesit kanë të drejtë të flasin e të marrin dijeni për provat e aktet si dhe për zhvillimin e procedimit.

 

Personat të cilët dëmtohen nga njëra prej këtyre veprave penale: rrahja, plagosja e rëndë nga pakujdesia, plagosja e lehtë nga pakujdesia, dhunimi i banesës, fyerja, shpifja, ndërhyrje të padrejta në jetën private, përhapja e sekreteve vetjake, mosdhënia e mjeteve për jetesë, marrja e padrejtë e fëmijës, botimi i veprës së tjetrit me emrin e vet, riprodhimi pa të drejtë i veprës së tjetrit, shkelja e paprekshmërisë së banesës kanë të drejtë ti drejtohen drejtpërdrejt Gjykatës dhe të marrin pjesë në gjykim si palë për të vërtetuar akuzën dhe për të kërkuar shpërblimin e dëmit.

Personat që procedohen në kundërshtim me ligjin ose dënohen pa të drejtë kanë të drejtë të kërkojnë që tu kthehen të drejtat dhe të shpërblehen për dëmin e pësuar. Secila nga palët në procesin gjyqësor penal ka të drejtë të kërkojë përjashtimin e njërit ose të gjithë anëtarëve të trupit gjykues në rastet kur ato kanë interes për çështjen, kur është kujdestar përfaqësues apo punëdhënës i të pandehurit, kur ka dhënë këshilla ose ka shfaqur mendim mbi objektin e procedimit, kur ndonjë prej të afërmeve të tij ose të bashkëshortit të tij është cenuar apo dëmtuar nga vepra penale si dhe kur ekzistojnë shkaqe të rëndësishme njëanshmërie.

Deri në datën e caktuar për gjykim palët mbrojtësit dhe përfaqësuesit e tyre kanë të drejtë të shikojnë sendet e sekuestruara të shqyrtojnë në sekretari aktet dhe dokumentet e mbledhura në fashikullin për shqyrtimin gjyqësor si dhe të nxjerrin kopje të tyre. I pandehuri edhe kur është me masë sigurimi izoluese ose kur i është hequr liria për çdo lloj shkaku tjetër ka të drejtë të merret në pyetje i lirë. I pandehuri ka të drejtë të mos i përgjigjet pyetjeve të bëra nga ana e Gjykatës ose nga ana e prokurorit, po kështu ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata marrjen e provave që janë në favor të tij. I pandehuri i mitur ka të drejtë të kërkojë ndihmë juridike dhe psikologjike në çdo gjendje dhe shkallë të procedimit

 
Në procesin penal i pandehuri ka të drejtë të kërkojë ose të japë pëlqimin që gjykimi të zhvillohet në mungesë të tij. Gjatë procesit gjyqësor penal palët kanë të drejtë të kërkojnë pyetjen e dëshmitarëve dhe të ekspertëve, t'u drejtojnë atyre pyetje me qëllim për të vërtetuar fajësinë apo pafajësinë e të pandehurit. Para fillimit të procesit penal i pandehuri ose përfaqësuesi i tij i posaçëm kanë të drejtë të kërkojnë gjykim të shkurtuar pra që çështja të përfundohet derisa të mos ketë përfunduar shqyrtimi gjyqësor në gjendjen që janë aktet në rast se kërkesa pranohet dhe pranohet fajësia gjykata ul dënimin me një të tretën dhe dënimi me burgim të përjetshëm zëvendësohet me njëzet e pesë vjet burgim.

Prokurori ka të drejtë të kërkojë gjykim të drejtpërdrejtë kur i pandehuri është arrestuar në flagrancë ose kur gjatë marrjes në pyetje të pandehurit ai e ka pohuar dhe fajësia e tij është e qartë. Çdo person që ka pësuar dëm material nga vepra penale ose trashëgimtarët e tij mund të ngrenë padi civile në procesin penal kundër të pandehurit ose të paditurit civil për të kërkuar kthimin e pasurisë dhe shpërblimin e dëmit. Dëshmitari në një proces gjyqësor penal ka të drejtë të mos dëshmojë për fakte nga të cilat mund të lindë përgjegjësia penale për të.

 

Në një proces gjyqësor penal kanë të drejtë të përjashtohen nga detyrimi për të dëshmuar këta persona:

    a) Gjinia ose krushqia e afërt e të pandehurit, sipas përcaktimeve të nenit 16 (të K.Pr.P), me përjashtim të rasteve kur kanë bërë kallëzim ose ankim ose kur ata apo një i afërm i tyre janë të dëmtuar nga vepra penale;

    b) Bashkëshorti për faktet e mësuara nga i pandehuri gjatë jetës bashkëshortore;

    c) Bashkëshorti i ndarë nga i pandehuri për faktet e mësuara nga i pandehuri gjatë jetës bashkëshortore;

    ç) Ai që edhe pse nuk është bashkëshort i të pandehurit, bashkëjeton ose ka bashkëjetuar me të;

    d) Ai që është i lidhur me të pandehurin me marrëdhënie birësim

 

Gjithashtu në një proces gjyqësor penal kanë të drejtë të mos dëshmojnë për shkak të ruajtjes së sekretit profesional këta persona,:

    a) Përfaqësuesit e besimeve fetare statutet e të cilëve nuk janë në kundërshtim me rendin juridik shqiptar,

    b) Avokatët, përfaqësuesit ligjor dhe noterët, mjekët, kirurgët, farmacistët, obstetër dhe kushdo që ushtron një profesion shëndetësor si dhe ata të cilët ushtrojnë profesione të tjera të cilëve ligji u njeh të drejtën të mos dëshmojnë për ato që lidhen me sekretin profesional.

 

Një nga të drejtat themelore të pjesëmarrësve në procesin gjyqësor penal ashtu si edhe në procesin gjyqësor civil është e drejta e tyre për tu ankuar ndaj vendimeve dhe urdhrave të Gjykatës.