Forum 



Na kontaktoni

Këshilli i Lartë Gjyqësor

Godina “Poli i Drejtësisë “, Rruga “Ana Komnena”, Tiranë

Gjykatat

Në Republikën e Shqipërisë, pushteti gjyqësor ushtrohet vetëm nga Gjykatat, në përputhje me Kushtetutën dhe kompetencat që u ngarkohen atyre me ligj. Gjyqtarët kanë kompetencë të shqyrtojnë të gjitha çështjet penale, civile, administrative si dhe çdo çështje tjetër të përcaktuar me ligj.

Pushteti gjyqësor ushtrohet nga Gjykata e Lartë, nga gjykatat e apelit dhe gjykatat e shkallës së parë, të cilat krijohen me ligj.

 

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ndalon krijimin e Gjykatave të Jashtëzakonshme. Neni 135, pika 3 përcakton “...Kuvendi mund të krijojë me ligj gjykata për fusha të veçanta, por në asnjë rast Gjykata të Jashtëzakonshme...”. Një gjë e tillë është pasqyruar edhe në paragrafin e tretë të nenit 4, pika 2, të ligjit nr.  98/2016 “Për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

 

Gjykatat me juridiksion të përgjithshëm janë gjykata me juridiksion të përgjithshëm të shkallës së parë dhe gjykata me juridiksion të përgjithshëm të apelit. Gjykatat me juridiksion të përgjithshëm të shkallës së parë mund të kenë degë.

Gjykata të posaçme janë:

  1. a)Gjykatat administrative të shkallës së parë dhe Gjykata Administrative e Apelit;
  2. b)Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë dhe e Apelit për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Gjykata e Lartë gjykon çështje të juridiksionit të përgjithshëm dhe të posaçëm.

 

Secili nivel trajton çështje civile, penale, tregtare dhe administrative dhe çdo çështje tjetër të përcaktuar me ligj.

Sistemi ynë i Drejtësisë përfshin 408 magjistrat, të cilët janë të shpërndarë në 13 gjykata të juridiksionit të përgjithshëm të shkallës së parë, 1 Gjykatë e Posaçme e Shkallës së Parë për gjykimin veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, 2 gjykata administrative të shkallës së parë, 1 Gjykatë Apeli të Juridiksionit të Përgjithshme, 1 Gjykatë e Posaçme e Apelit për gjykimin veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, 1 Gjykatë Administrativ e Apelit si dhe Gjykata e Lartë.

 

Territori i Republikës së Shqipërisë ndahet në rrethe gjyqësore, që është njësia ku funksionon një gjykatë e shkallës së parë me juridiksion të përgjithshëm. Një rreth gjyqësor mund të mbulojë një ose më shumë njësi të pushtetit vendor.

 

Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm i shtrinë kompetencat tokësore mbi të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Kjo Gjykatë gjykon në shkallë të dytë ankimet kundër vendimeve të Gjykatave të Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm.

 

Procesi i caktimit të kompetencave tokësore të gjykatave kryet nëpërmjet propozimit të përbashkët të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Ministrit të Drejtësisë për hartën gjyqësore, i cili i përcillet për miratim Këshillit të Ministrave nga Ministri i Drejtësisë.

 

Këshilli i Lartë Gjyqësor është autoriteti kompetent, i cili propozon numrin e përgjithshëm të gjyqtarëve në Republikën e Shqipërisë bashkë me propozimin për buxhetin e sistemit gjyqësor, sipas procedurës së caktuar me ligj. Me qëllim rritjen e efiçencës dhe për të siguruar specializimin në gjykata, numri minimal i gjyqtarëve do të jetë për gjykatën e shkallës së parë me juridiksion të përgjithshëm dhe administrativ duhet të kenë të paktën shtatë gjyqtarë, gjykata e apelit me juridiksion të përgjithshëm dhe administrativ të paktën dhjetë gjyqtarë, gjykatat e posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar të shkallës së parë të përbëhen nga të paktën 16 gjyqtarë, gjykatat e posaçme të apelit për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar të përbëhen nga të paktën 11 gjyqtarë.

 

Gjykatat e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm

Gjykatat e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm kanë juridiksion të përgjithshëm dhe për rrjedhojë ato përbëjnë hallkën themelore të sistemit tonë të drejtësisë. Struktura organizative është 251 gjyqtarë dhe 288 sekretarë gjyqësor. Gjykatat e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm shqyrtojnë çështjet gjyqësore, sipas rregullave të detyrueshme, të njëjta e të barabarta për gjykimin e mosmarrëveshjeve civile e të mosmarrëveshjeve të tjera, të parashikuara në Kodin e Procedurës Civile e në ligje të veçanta, si dhe veprat penale sipas rregullave dhe përgjegjësive të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale. Në asnjë rast gjykata nuk mund të mos shqyrtojë dhe të japë vendime për çështjet që paraqiten për shqyrtim, me arsyetimin se ligji mungon, nuk është i plotë, ka kundërshtime ose është i paqartë. Gjithashtu, legjislacioni procedural penal ka për detyrë të sigurojë një procedim të drejtë, të barabartë e të rregullt ligjor, të mbrojë liritë personale dhe të drejtat e interesat e ligjshme të shtetasve, të ndihmojë për forcimin e rendit juridik dhe zbatimin e Kushtetutës e të ligjeve të tjera.

 

Gjykata e shkallës së parë gjykon çështjet civile me trup gjykues të përbërë nga një gjyqtar ose tre gjyqtarë. Me trup gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë gjykohen këto çështje:

  • Paditë me vlerë më shumë se 50 milionë lekë;
  • Paditë për shpalljen e zhdukjes ose të vdekjes së personit;
  • Paditë për heqjen ose kufizimin e zotësisë për të vepruar të personave.

Çështjet e tjera gjykohen nga një gjyqtar i vetëm.

 

Veprat penale gjykohen në shkallë të parë nga gjykatat e shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm dhe Gjykata për Korrupsionit dhe Krimit të Organizua me një ose tre gjyqtar, sipas rregullave dhe përgjegjësive të caktuara në ligjet në fuqi.

 

Gjykatat Administrative të Shkallës së Parë

Në Republikën e Shqipërisë ka 2 Gjykata Administrative të Shkallës së Parë dhe në strukturën organizative kanë 36 gjyqtarë dhe 36 sekretarë gjyqësor.

Gjykatat Administrative të Shkallës së Parë janë kompetente për:

 

  • mosmarrëveshjet që lindin nga aktet administrative individuale, aktet nënligjore normative dhe kontratat administrative publike, të nxjerra gjatë ushtrimit të veprimtarisë administrative nga organi publik;
  • mosmarrëveshjet që lindin për shkak të ndërhyrjes së paligjshme ose të mosveprimit të organit publik;
  • mosmarrëveshjet e kompetencave ndërmjet organeve të ndryshme administrative në rastet e parashikuara nga Kodi i Procedurave Administrative;
  • mosmarrëveshjet në fushën e marrëdhënieve të punës të nëpunësve civilë, nëpunësve civilë gjyqësorë, nëpunësve civilë të prokurorisë dhe të nëpunësve shtetërorë që sipas ligjit organik kanë një rregullim të posaçëm. Përjashtohen nga ky rregull punonjësit në administratën publike, në gjykatë ose prokurori, marrëdhënia e punës e të cilëve bazohet në Kodin e Punës;
  • kërkesat e paraqitura nga organet administrative për shqyrtimin e kundërvajtjeve administrative, për të cilat ligji parashikon heqjen e lirisë deri në 30 ditë, si një lloj të dënimit administrativ për kundërvajtësin;
  • kërkesat e paraqitura nga organet administrative për shqyrtimin e kundërvajtjeve administrative, për të cilat ligji parashikon heqjen e lirisë deri në 30 ditë, si një lloj të dënimit administrativ për kundërvajtësin;
  • kërkesat e paraqitura nga kundërvajtësit për zëvendësimin e dënimit administrativ me heqje lirie deri në 30 ditë me dënimin me gjobë.

 

Gjykata administrative e shkallës së parë gjykon me trup gjykues të përbërë me tre gjyqtarë mosmarrëveshjet lidhur me kontratat administrative publike, kërkesat e paraqitura nga organet administrative për shqyrtimin e kundërvajtjeve administrative, për të cilat ligji parashikon heqjen e lirisë deri në 30 ditë, si një lloj të dënimit administrativ për kundërvajtësin, si dhe kërkesat e paraqitura nga kundërvajtësit për zëvendësimin e dënimit administrativ me heqje lirie deri në 30 ditë me dënimin me gjobë.

Të gjitha mosmarrëveshjet e tjera shqyrtohen me trup gjykues të përbërë nga një gjyqtar.

 

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

Gjykata e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, është një  gjykatë e vetme për të gjithë territorin e Republikës dhe në strukturën organizative ka 16 gjyqtarë dhe 18 sekretarë gjyqësor.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, gjykon veprat penale të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, si dhe akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, anëtarit të Këshillit të Ministrave, gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Kryetarit të Bashkisë, deputetit, zëvendësministrit, anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dhe drejtuesve të institucioneve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj, si dhe akuzat kundër ish-funksionarëve të sipërpërmendur.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, gjykon me trup gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë, me përjashtim të rasteve kur në ligj parashikohet ndryshe.

 

Gjykatat e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, është 1 gjykatë e vetme për të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe në strukturën organizative ka 78 gjyqtarë dhe 82 sekretarë gjyqësor. Gjykata e apelit të juridiksionit të përgjithshëm gjykon në shkallë të dytë ankimet kundër vendimeve të gjykatave të shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm, përveç rasteve kur në ligj parashikohet ndryshe.

Ato i marrin vendimet në trup gjykues të përbërë nga 3 (tre) gjyqtarë. Në çështjet civile gjykata e apelit shqyrton me gjyqtar të vetëm paditë me vlerë deri në 150 000 lekë, si dhe rastet e tjera të parashikuara në Kodin e Procedurës Civile, ndërsa në çështjet penale shqyrtohen nga një gjyqtar i vetëm kërkesat e parashikuara në pikën 2, të nenit 13, të Kodit Procedurës Penale.

 

Gjykata Administrative e Apelit, është 1 gjykatë e vetme për të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe në strukturën organizative ka 13 gjyqtarë dhe 23 sekretarë gjyqësor. Gjykata Administrative e Apelit gjykon me trup gjykues të përbërë nga 3 (tre) gjyqtarë, ankimet kundër vendimeve të gjykatës administrative të shkallës së parë dhe me 5 gjyqtarë, paditë ndaj aktit nënligjor normativ.

 

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, është 1 gjykatë e vetme për të gjithë territorin e Republikës dhe në strukturën organizative ka 11 gjyqtarë dhe 9 sekretarë gjyqësore. Gjykon në shkallë të dytë ankimet kundër vendimeve të Gjykatës së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, gjykon me trup gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë, përveç rasteve kur në ligj parashikohet ndryshe.

 

Gjykata e Lartë

Gjykata e Lartë organizohet dhe funksionon në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Gjykata e Lartë e ka selinë në Tiranë, me strukturë organizative prej 19 gjyqtarë dhe 22 sekretarë gjyqësor. Gjykata e Lartë shqyrton çështje lidhur me kuptimin dhe zbatimin e ligjit për të siguruar njësimin ose zhvillimin e praktikës gjyqësore, sipas ligjit. Për ndryshimin e praktikës gjyqësore, Gjykata e Lartë tërheq për shqyrtim në Kolegjet e Bashkuara çështje të caktuara gjyqësore të vendosura nga kolegjet, sipas ligjit.

Gjykata e Lartë organizohet në Kolegjin Civil, Kolegjin Penal dhe Kolegjin Administrativ. 

Kolegji Civil shqyrton rekurse ndaj vendimeve të gjykatave me juridiksion të përgjithshëm për çështje tregtare, civile dhe familjare, si dhe çështje të tjera të caktuara në kompetencë me ligj. Gjykata e Lartë gjykon në kolegj me trup gjykues të përbërë nga 3 gjyqtarë. Gjykata e Lartë gjykon në kolegje të bashkuara me pjesëmarrjen e të gjithë gjyqtarëve, çështjet e parashikuara shprehimisht në dispozita të tjera të Kodit Procedurës Civile.

 

Kolegji Penal shqyrton rekurse ndaj vendimeve të gjykatave me juridiksion të përgjithshëm dhe gjykatave të posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar për çështje penale, si dhe çështje të tjera të caktuara me ligj. Gjykata e Lartë gjykon në kolegje me trup gjykues të përbërë nga 3 gjyqtarë. Gjykata e Lartë gjykon njësimin dhe zhvillimin e praktikës gjyqësore në kolegje me trup gjykues të përbërë nga 5 gjyqtarë dhe ndryshimin e praktikës gjyqësore në kolegje të bashkuara.

 Kolegji Administrativ shqyrton rekurse ndaj vendimeve të gjykatave administrative. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë gjykon me 3 gjyqtarë të gjitha çështjet, me përjashtim të rekurseve të paraqitura kundër vendimeve të Gjykatës Administrative të Apelit që kanë shqyrtuar padi ndaj aktit nënligjor normativ, si dhe gjykimeve në seancë gjyqësore për njësimin ose zhvillimin e praktikës gjyqësore, të cilat gjykohen me 5 gjyqtarë.

 

Gjykata e Lartë gjykon në Kolegje të Bashkuara për çështje civile, penale ose administrative, të cilat, me vendim të një prej trupave gjykues ose të Kryetarit të Gjykatës së Lartë, paraqiten për shqyrtim për ndryshimin e praktikës gjyqësore.

Kolegjet e Bashkuara shqyrtojnë rastet kur e njëjta çështje juridike nuk është interpretuar në mënyrë të njëjtë nga kolegje të ndryshme të Gjykatës së Lartë, ose në rast se ekziston rreziku për interpretim jo të njëjtë nga kolegje të ndryshme të Gjykatës së Lartë.