Forum 



Na kontaktoni

Këshilli i Lartë Gjyqësor

Godina “Poli i Drejtësisë “, Rruga “Ana Komnena”, Tiranë

ANKIMET

 

Mjetet e ankimit janë:

 

- Ankimi në Gjykatën e Apelit

- Rekursi në Gjykatën e Lartë

- Kërkesa për rishikim

 

Vendimet e dhëna nga gjykatat e shkallës së parë me juridiksion të përgjithshëm mund të ankimohen në gjykatën e apelit me juridiksion të përgjithshëm.

Vendimet e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së parë për korrupsionin dhe krimin e organizuar mund të ankimohen në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Vendimet e dhëna nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë, mund të ankimohen në Gjykatën e Apelit Administrativ.

Vendimet e gjykatave të mësipëme mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë.

Vendimet gjyqësore janë objekt shqyrtimi vetëm mbi bazën e ankimeve kundër tyre sipas përcaktimeve në Kodet e Procedurave ose në ligje të veçanta. Pra, vendimet e gjykatave të shkallës së parë, mund të ekzekutohen vetëm kur marrin formë të prerë. Në ligjet procedurale përcaktohen qartë së kur marrin formë të prerë dhe cilat janë mjetet e ankimit, afatet e ankimit, kur paraqiten ankimet dhe mënyrën e gjykimit të tyre.

 

Ankimi i çështjeve civile

Ankimi është akti me të cilin palët ose pjesëmarrësit e tjerë në proces parashtrojnë kundërshtimet e tyre ndaj vendimit të gjykatës dhe veprimeve të përmbaruesit gjyqësor, për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e tyre.

Afati i ankimit në gjykatën e apelit, kundër vendimeve përfundimtare të gjykatës së shkallës së parë, është 15 ditë, kurse afati për të bërë rekurs në Gjykatën e Lartë kundër vendimeve të Gjykatës së Apelit është 30 ditë.  Afati i ankimeve dhe rekurseve të veçanta është 5 ditë.

Këto afate janë të prera dhe fillojnë nga dita e nesërme e shpalljes së vendimit përfundimtar. Kur çështja është gjykuar dhe nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe nga Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në mungesë të njërës palë, ky akt fillon nga dita e njoftimit të vendimit.

Ankimi në gjykatën e apelit dhe rekursi në Gjykatën e Lartë nuk mund të bëhen pasi ka kaluar një vit nga shpallja e vendimit. Kjo dispozitë nuk zbatohet kur pala në mungesë vërteton se nuk ka qenë në dijeni të procesit gjyqësor për shkak të pavlefshmërisë së njoftimeve.

 

Mund të ankimohen në gjykatën e apelit të gjitha vendimet e dhëna nga gjykata e shkallës së parë, me përjashtim të rasteve kur ankimi përjashtohet me ligj. Ankimi që i drejtohet gjykatës së apelit duhet të nënshkruhet nga vetë pala, avokati ose përfaqësuesi i pajisur me prokurë dhe duhet të përmbaj:

  1. a)Palët ndërgjyqëse;
  2. b)Vendimi kundër të cilit bëhet ankimi;
  3. c)Shkaqet për të cilat bëhet ankimi;

ç) Çfarë kërkohet me ankimin.

 

Bashkë me ankimin duhet të paraqiten, kopje të ankimit dhe të dokumenteve të tjera, aq sa janë personat që marrin pjesë në çështje si palë, prokura kur ankimi paraqitet nga avokati ose përfaqësuesi i palës. Në rast se ankimi nuk plotëson kushtet e mësipërme, si dhe ato të neneve 453 dhe 454 të Kodit të Procedurës Civile, gjykata njofton palën që të ndreqë të metat brenda 5 ditëve, në të kundërt ankimi kthehet.

Gjykata që ka dhënë vendimin nuk pranon ankimin kur:

- Është paraqitur jashtë afatit të parashikuar në ligj,

- Nuk ndreqen të metat brenda afatit të caktuar,

- Është bërë kundër një vendimi ndaj të cilit nuk lejohet ankim,

- Është hequr dorë nga ankimi

 

Pala që nuk ka bërë ankim apo pala kundër së cilës është bërë ankimi, mund ta kundërshtojë atë me kundër ankim brenda 5 ditëve nga dita që ka marrë njoftim për ankimin e palës tjetër. Ankimi kundërshtues duhet t’u njoftohet palëve të tjera në gjykim, sipas rregullave për njoftimin e ankimit. Kur palët kanë humbur të drejtën e ankimit për shkaqe të arsyeshme, mund të paraqesin kërkesë për rivendosje në afat, përpara gjykatës që ka dhënë vendimin. Kjo kërkesë shqyrtohet nga gjykata dhe kundër vendimit të tij mund të bëhet ankim i veçantë.

Kur kërkimet dhe pretendimet e papranuara nga gjykata e shkallës së parë nuk përsëriten në ankim, konsiderohet sikur është hequr dorë prej tyre. Në ankim nuk mund të parashtrohen kërkime të reja që nuk janë parashtruar në gjykimin në shkallë të parë. 

Shqyrtimi i çështjes në Gjykatën e Apeli zhvillohet në referim të nenit 460-471 të Kodit të Procedurës Civile.

 

Gjykata e apelit shqyrton çështjen brenda kufijve të ankimit duke mbajtur parasysh, për aq sa janë të zbatueshme, dispozitat mbi procedurën e gjykimit në shkallë të parë.

Me kërkesë të palëve ose kryesisht, gjykata e apelit riçel pjesërisht ose tërësisht hetimin gjyqësor. Në gjykimin në apel nuk mund të paraqiten kërkime të reja, të shtohen apo të ndryshohen elementët e padisë, me përjashtim të kërkimit për shpenzimet e gjykimit në apel.

 

Gjykata e apelit mund të pranojë për shqyrtim fakte dhe prova të reja, nëse:

  1. a)Pala e interesuar provon se, pa fajin e saj, gjatë shqyrtimit të çështjes para gjykatës së shkallës së parë nuk ishte në gjendje të paraqiste këto fakte dhe/ose prova të reja;
  2. b)Pala e interesuar i ka kërkuar, por gjykata e shkallës së parë, në kundërshtim me ligjin, nuk i ka marrë këto fakte dhe/ose prova, të cilat kanë rëndësi për çështjen;
  3. c)Pala e interesuar provon se nuk mund të ishte në dijeni të fakteve dhe/ose provave të reja gjatë gjykimit në shkallën e parë.

 

Në rastet kur në K.Pr.C parashikohet gjykimi në apel në dhomë këshillimi, gjykimi bëhet mbi bazë aktesh dhe/ose dokumentesh. Gjykata në dhomë këshillimi vendos kalimin e çështjes në seancë gjyqësore me praninë e palëve në rast se çmon se debati gjyqësor është i nevojshëm për të vlerësuar nëse duhen marrë apo pranuar fakte ose prova të reja, sipas nenit 465 të K.Pr.C; ose kur vë në diskutim çështje të faktit ose të ligjit, për të cilat palët nuk kanë paraqitur më parë mendimin e tyre. Për shqyrtimin e çështjes në dhomë këshillimi mbahet procesverbal nga sekretari gjyqësor.

 

Gjykata e apelit pasi shqyrton çështjen vendos:

- Lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së shkallës së parë;

Ndryshimin e vendimit;

- Prishjen e vendimit dhe pushimin e çështjes;

- Prishjen e vendimit dhe dërgimin e çështjes për rigjykim në gjykatën e shkallës së parë në rastet e parashikuara nga neni 467 të K.Pr.C, çka do të thotë ndër të tjera se:

- gjykata e shkallës së parë ka shkelur dispozitat mbi juridiksionin dhe kompetencën;

- përbërja e trupit gjykues nuk ka qenë e rregullt ose vendimi nuk është nënshkruar nga anëtarët e tij, ose është cenuar parimi i paanësisë;

- gjykata e shkallës së parë ka vendosur pushimin e çështjes në kundërshtim me rregullat e përcaktuara në K.Pr.C;

- çështja është gjykuar në mungesë të pjesëmarrësve në proces, pa pasur dijeni për gjykimin;

- nuk është formuar drejt bashkëndërgjyqësia, sipas nenit 162, paragrafi i dytë, i K.Pr.C;

- kur mungojnë ose janë të pavlefshme padia, procesverbali gjyqësor, ankimi, si dhe çdo dokument tjetër që ka ndikuar në dhënien e vendimit;

- gjykata e shkallës së parë nuk e ka kryer shqyrtimin gjyqësor të të gjitha kërkimeve lidhur me objektin e mosmarrëveshjeve.

 

Ankimi i Çështjeve Penale

E drejta e ankimit i takon vetëm atij që ligji ia njeh shprehimisht. Kur ligji nuk bën dallim ndërmjet palëve, kjo e drejtë i takon secilës prej tyre. Mbi apelin e bërë kundër vendimeve të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm vendos Gjykata e Apelit të Jurdidiksionit të Përgjithshëm. Për ankimin e bërë kundër vendimeve të Gjykatës për Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendos Gjykata e Apelit për Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Prokurori, i pandehuri dhe paditësi dhe i padituri civil kanë të drejtë të apelojnë vendimet e gjykatës së shkallës së parë. Përveç rasteve të parashikuara ndryshe në ligj, afati për të bërë ankim është pesëmbëdhjetë ditë. Ky afat fillon nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit. Ankimi bëhet me akt të shkruar, në të cilin tregohen vendimi i ankimuar, dita e tij, gjykata që e ka dhënë, si dhe pikat e vendimit që kundërshtohen, shkaqet e ankimit dhe çfarë kërkohet.

Ankimi paraqitet në sekretarinë e Gjykatës që ka dhënë vendimin e ankimuar, ose mund të paraqitet edhe në Gjykatën kur ka vendbanimin pala e interesuar. Në këto raste, akti dërgohet menjëherë në sekretarinë e gjykatës që ka dhënë vendimin. Gjithashtu ankimi mund të dërgohet edhe me postë rekomande në sekretarinë e gjykatës që ka dhënë vendimin. Ankimi mund të paraqitet pranë një nëpunësi konsullor jashtë shtetit.

Akti i ankimit u njoftohet prokurorit, të pandehurit dhe palëve private, nga sekretaria e gjykatës që ka dhënë vendimin.

Me përjashtim të rasteve kur konstatohet në seancë, ankimi nuk pranohet në dhomë këshillimi:

- kur është bërë nga ai që nuk është i legjitimuar;

- kur vendimi është i paankimueshëm;

- kur nuk janë respektuar dispozitat për formën, paraqitjen, dërgimin, njoftimin dhe afatin e ankimit;

- kur është hequr dorë nga ankimi gjatë gjykimit;

- kur ankimi nuk ka më objekt.

 

Gjykata e apelit e shqyrton çështjen brenda shkaqeve të ngritura në ankim. Për çështje të ligjit që duhet të shqyrtohen kryesisht, si dhe për shkaqet e ngritura në ankim që nuk bazohen në motive personale, gjykata e apelit shqyrton edhe pjesën që u takon bashkë të pandehurve që nuk kanë bërë apel.

Kodi Procedurës Penale parashikon rregulla më të detajuara mbi ecurinë e procesit penal në gjykatën e apelit.

 

Gjykata e apelit, pasi shqyrton çështjen, vendos:

- lënien në fuqi të vendimit;

- ndryshimin e vendimit;

- prishjen e vendimit dhe pushimin e çështjes kur janë rastet që nuk lejojnë fillimin ose vazhdimin e procedimit ose kur nuk vërtetohet fajësia e të pandehurit;

- prishjen e vendimit dhe kthimin e akteve gjykatës së shkallës së parë kur nuk janë respektuar dispozitat që lidhen me kushtet për të qenë gjyqtar në çështjen konkrete, me numrin e gjyqtarëve që është i domosdoshëm për formimin e kolegjeve të caktuara në këtë Kod, me ushtrimin e ndjekjes penale nga prokurori dhe pjesëmarrjen e tij në procedim, me pjesëmarrjen e të pandehurit, të mbrojtësit të tij, ose përfaqësuesit të viktimës akuzuese, me shkeljen e dispozitave për paraqitjen e akuzave të reja, si dhe në çdo rast kur në dispozita të veçanta është parashikuar pavlefshmëria e vendimit.

 

Rekurs në Gjykatën e Lartë

 

Rekursi Civil

Rekursi është akti me të cilin palët ose pjesëmarrësit e tjerë në proces parashtrojnë kundërshtimet e tyre ndaj vendimit të gjykatës së apelit në Gjykatën e Lartë, sipas rregullave të përcaktuara në ligjin procedural.

 

Vendimet e shpallura nga gjykata e apelit dhe ato të shkallës së parë në rastet që parashikohen në Kodin e Procedurës Civile mund të ankimohen me rekurs në Gjykatën e Lartë:

- Për zbatim të gabuar të ligjit material ose procedural, të një rëndësie themelore për njehsimin, sigurinë dhe/ose zhvillimin e praktikës gjyqësore;

- Kur vendimi i ankimuar është i ndryshëm nga praktika gjyqësore e Kolegjit Civil ose praktika e njehsuar e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë;

- Ka shkelje të rënda të normave procedurale, me pasojë pavlefshmërinë e vendimit ose të procedurës së gjykimit.

Nuk lejohet rekurs kundër vendimeve të gjykatës së apelit për paditë me vlerë deri në 150.000 lekë.

Afati për të bërë rekurs në Gjykatën e Lartë kundër vendimeve të Gjykatës së Apelit është 30 ditë. Si për ankimin në Gjykatën e Apelit, kundër vendimeve të Gjykatës së Shkallës së Parë ashtu edhe për rekursin në Gjykatën e Lartë, ligji ka përcaktuar afate të cilat janë të prerë dhe fillojnë nga dita e nesërme e shpalljes së vendimit përfundimtar.

Rekursi depozitohet në sekretarinë e gjykatës që ka dhënë vendimin në afatin prej 30 ditësh nga dita e njoftimit që u është bërë palëve. Nga kjo del e qartë se rekursi duhet të depozitohet, sipas rastit, në sekretarinë e Gjykatës së Apelit kur objekti i rekursit është vendimi i Gjykatës së Apelit, dhe në sekretarinë e Gjykatës së Shkallës së Parë për vendimet e dhëna prej saj që mund të ankimohen direkt në Gjykatën e Lartë, në rastet që parashikohen nga Kodi i Procedurës Civile. Gjykata e Lartë shqyrton rekursin brenda kufijve të tij, përveç kur ligji parashikon ndryshe. Rekursi mund të mospranohet, Gjykata e Lartë vendos mospranimi i rekursit në dhomë këshillimi, në kolegj me trup gjykues të përbërë nga 3 gjyqtarë.

 

Rekursi duhet të përmbajë:

- palët ndërgjyqëse;

- vendimin që kundërshtohet;

- paraqitjen e përmbledhur të fakteve të çështjes;

- shkaqet për të cilat kërkohet prishja e vendimit, duke iu referuar normave ligjore mbi të cilat mbështetet;

- prokurën nëse rekursi është bërë nga avokati ose nga përfaqësuesi.

 

Pas shqyrtimit të çështjes, Kolegji Civil ose Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë vendosin:

- lënien në fuqi të vendimit;

- prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së shkallës së parë;

- prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në gjykatën e apelit me tjetër trup gjykues;

- prishjen e vendimit dhe pushimin e gjykimit të çështjes.

 

 

Rekursi Penal

Rekursi në Gjykatën e Lartë kundër vendimeve të gjykatës së apelit mund të bëhet për këto shkaqe:

- për mosrespektimin ose zbatimin e gabuar të ligjit material ose procedural, me rëndësi për njësimin ose zhvillimin e praktikës gjyqësore;

- për mosrespektimin ose zbatimin e gabuar të ligjit procedural me pasojë pavlefshmërinë e vendimit, pavlefshmërinë absolute të akteve ose papërdorshmërinë e provave;

- kur vendimi i ankimuar vjen në kundërshtim me praktikën e Kolegjit Penal ose të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.

Gjithashtu mund të bëhet rekurs në interes të ligjit, që do të thotë se kundër vendimit të formës së prerë të gjykatës së shkallës së parë, Gjykatës së Apelit dhe të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, për shkaqet e parashikuara në nenin 432 të K.Pr.P, Prokurori i Përgjithshëm mund të ushtrojë rekurs për prishjen e vendimit në interes të ligjit.

Rekursi kundër vendimit të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë shqyrtohet nga kolegjet e bashkuara të kësaj gjykate. Rekursi në interes të ligjit ushtrohet brenda një viti nga dita që vendimi ka marrë formë të prerë.

 

Rekursi nuk pranohet në qoftë se bëhet për shkaqe të ndryshme nga ato që lejon ligji, si dhe kur Gjykata e Lartë çmon se çështja nuk duhet të shqyrtohet prej saj, sipas përcaktimeve të paragrafit 1, të nenit 432, të Kodit Procedurës Penale.

Gjykata e Lartë e shqyrton çështjen brenda kufijve të shkaqeve të ngritura në rekurs.

Nëse rekursi pranohet për shqyrtim, Gjykata e Lartë ka të drejtë të vendosë edhe për çështje të ligjit që konstatohen kryesisht.

Në rastet kur Gjykata e Lartë kryesisht vë në diskutim çështje të ligjit, për të cilat palët nuk kanë paraqitur më parë mendimin e tyre, përpara shqyrtimit urdhërohet njoftimi i palëve dhe caktohet afati për depozitimin e parashtresave të tyre për çështjet e ligjit. Njoftimi në këto raste kryhet sipas rregullave të përgjithshme.

 

Rekursi duhet të përmbajë:

- palët ndërgjyqëse;

- vendimin që kundërshtohet;

- paraqitjen e përmbledhur të fakteve të çështjes;

- shkaqet për të cilat kërkohet prishja e vendimit, si dhe argumentet që mbështesin pretendimin se ekzistojnë shkaqe për rekurs sipas parashikimeve të nenit 432 të K.Pr.P;

- prokurën e avokatit në rastet kur rekursi paraqitet nga i pandehuri ose palët private.

Rekursi mund të paraqitet në përputhje me formatin e miratuar me vendim të Këshillit të Gjykatës së Lartë.

 

Rekursi paraqitet me shkrim brenda 45 ditëve nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të gjykatës së apelit. Afati për paraqitjen e rekursit kundër një vendimi të gjykatës së apelit me të cilin është vendosur prishja e vendimit dhe kthimi i akteve gjykatës së shkallës së parë është 20 ditë. Rekursi shqyrtohet nga Gjykata e Lartë jo më vonë se dy muaj nga momenti i regjistrimit të tij në sekretarinë gjyqësore. Akti i rekursit dhe memoriet duhet të nënshkruhen, me pasojë mospranimi, nga mbrojtësit. Kur i pandehuri nuk ka mbrojtës të zgjedhur, kryetari i kolegjit cakton një mbrojtës kryesisht dhe në këtë rast lajmërimet i bëhen edhe të pandehurit.

 

Pas shqyrtimit të çështjes, Kolegji Penal ose Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë vendosin:

- mospranimin e rekursit në rastet kur është bërë për shkaqe të ndryshme nga ato që parashikon neni 432 K.Pr.P;

- prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së shkallës së parë;

- prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në këtë gjykatë me tjetër trup gjykues;

- prishjen e vendimeve të gjykatës së apelit dhe të gjykatës së shkallës së parë dhe dërgimin e çështjes për rigjykim në shkallë të parë kur nuk janë respektuar dispozitat që lidhen me kushtet për të qenë gjyqtar në çështjen konkrete, me numrin e gjyqtarëve që është i domosdoshëm për formimin e kolegjeve të caktuara në këtë Kod, me ushtrimin e ndjekjes penale nga prokurori dhe pjesëmarrjen e tij në procedim, me pjesëmarrjen e të pandehurit, të mbrojtësit të tij, ose përfaqësuesit të viktimës akuzuese, me shkeljen e dispozitave për paraqitjen e akuzave të reja, si dhe në çdo rast kur në dispozita të veçanta është parashikuar pavlefshmëria e vendimit;

- prishjen e vendimeve të gjykatës së shkallës së parë dhe të gjykatës së apelit dhe pushimin e gjykimit të çështjes pa e kthyer për rishqyrtim;

- ndryshimin e vendimeve të gjykatës së apelit dhe të gjykatës së shkallës së parë dhe zgjidhjen përfundimisht të çështjes kur zbatimi i ligjit procedural ose material nuk diktohet nga nevoja për rivlerësimin e fakteve apo të provave të çështjes;

- lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së apelit.

Në rastet kur Kolegji Penal ose Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë vendosin njësimin ose ndryshimin e praktikës gjyqësore, në vendim gjykata formulon edhe rregullin e së drejtës për çdo çështje të shtruar për zgjidhje në vendimin e ndërmjetëm të marrë gjatë gjykimit të çështjes. Në këtë rast vendimi botohet në Fletoren Zyrtare.

 

Kërkesa për rishikim

Kërkesa për rishikim është akti me të cilin kërkohet rishikimi i një vendimi të formës së prerë të gjykatës.

Kërkesa për rishikim paraqitet para gjykatës së shkallës së parë që ka dhënë vendimin, por në rast se vendimi është ankimuar në gjykatat më të larta, kompetente është gjykata më e lartë që ka shqyrtuar çështjen në themel. Gjykata kompetente për shqyrtimin e kërkesës për rishikim gjykon sipas rregullave të zbatueshme për atë shkallë gjykimi.

Afati për të kërkuar rishikimin e vendimit të gjykatës së  shkallës së parë dhe kundërshtimin e të tretit është 30 ditë.

 

Kërkesa duhet të përmbajë shkakun për të cilin kërkohet rishikimi, provat përkatëse që lidhen me një nga kërkesat e nenit 494, të Kodit të Procedurës Civile, ditën e zbulimit ose të vërtetimit të rrethanës ose marrjes së dokumenteve. Kërkesa e paraqitur pa u plotësuar ose në kundërshtim me kriteret e mësipërme kthehet për plotësim nga gjykata. Në rast se kërkesa nuk plotësohet brenda një afati 10 ditor, gjykata vendos mospranimin e saj.

Kur kërkesa është bërë jashtë rasteve të përcaktuara në nenin 494 të K.Pr.C ose kur është bërë nga ata që nuk e kanë këtë të drejtë, si dhe kur rezulton haptazi e pambështetur, gjykata vendos mospranimin e saj.

Kur kërkesa shqyrtohet nga gjykata e shkallës së parë ose gjykata e apelit dhe pranohet, gjykata vendos prishjen e vendimit tërësisht ose pjesërisht dhe vazhdon gjykimin e çështjes në themel.

Kur kërkesa shqyrtohet nga Gjykata e Lartë dhe pranohet prej saj, gjykata vendos prishjen e vendimit tërësisht ose pjesërisht dhe e dërgon atë për rigjykim në gjykatën kompetente, e cila e gjykon me një tjetër trup gjykues. Nëse shkaku i rishikimit nuk lidhet me nevojën e saktësimit të fakteve të reja, Gjykata e Lartë revokon vendimin e mëparshëm të saj dhe vendos sërish për çështjen, sipas kompetencave të saj.

Kur vendimi është në kundërshtim të hapur me një vendim tjetër të formës së prerë të dhënë midis po atyre palëve, për të njëjtin objekt dhe për të njëjtin shkak gjykata kompetente prish vendimin e dytë.

Kundër vendimit të gjykatës së shkallës së parë dhe asaj të apelit lejohet ankim ose rekurs në gjykatën më të lartë, sipas rregullave të përgjithshme të ankimit ose rekursit. Në rast se kërkesa shqyrtohet nga Gjykata e Lartë, kundër vendimit të saj nuk lejohet ankim.

Rigjykimi i çështjes nga gjykata kompetente bëhet sipas rregullave të përgjithshme.

 

Kërkesa për rishikim në procesin penal

Në rastet dhe kushtet e parashikuara nga K.Pr.P, rishikimi i vendimeve që kanë marrë formë të prerë lejohet në çdo kohë, edhe kur dënimi është ekzekutuar ose shuar. Nuk lejohet rishikimi i vendimit të pafajësisë dhe as rishikimi i vendimit të dënimit kur synohet rëndimi i pozitës së të dënuarit.

 

Rishikimi mund të kërkohet:

- kur faktet e vëna në themel të vendimit nuk pajtohen me ato të një vendimi tjetër të formës së prerë;

- kur vendimi është bazuar në një vendim të gjykatës civile ose administrative, i cili është revokuar më pas;

- kur pas vendimit kanë dalë ose janë zbuluar prova të reja, të cilat vetëm ose së bashku me ato që janë vlerësuar njëherë, tregojnë se vendimi është i gabuar;

- kur vërtetohet se vendimi është dhënë si pasojë e falsifikimit të akteve të gjykimit ose të një fakti tjetër të parashikuar nga ligji si vepër penale;

- kur shkaku për rishikimin e vendimit të formës së prerë rezulton nga një vendim i Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut që e bën të domosdoshëm rigjykimin e çështjes. Kërkesa paraqitet brenda 6 muajve nga njoftimi i vendimit;

- kur ekstradimi i të dënuarit të gjykuar në mungesë jepet me kushtin e shprehur të rigjykimit të çështjes. Kërkesa për rishikim mund të paraqitet brenda tridhjetë ditëve nga data kur personi është ekstraduar. Kërkesa e paraqitur brenda afatit nuk mund të refuzohet;

- kur personi është gjykuar në mungesë sipas nenit 352 të K.Pr.P dhe kërkon rigjykimin e çështjes.

 

Kërkesa paraqitet brenda tridhjetë ditëve nga data e marrjes dijeni. Kërkesa e paraqitur brenda afatit nuk mund të refuzohet.

Rishikimin mund ta kërkojë i dënuari, mbrojtësi i autorizuar posaçërisht prej tij ose kujdestari i tij, dhe kur ai ka vdekur, trashëgimtari ose një i afërm i tij dhe prokurori pranë gjykatës që ka dhënë vendimin.

Kërkesa e rishikimit bëhet personalisht ose nëpërmjet përfaqësuesit. Ajo duhet të përmbajë provat që e përligjin dhe duhet të paraqitet, bashkë me dokumentet eventuale, në sekretarinë e Gjykatës së shkallës së parë që ka dhënë vendimin.

Kërkesa e rishikimit shqyrtohet nga gjykata e shkallës së parë që ka dhënë vendimin në dhomën e këshillimit, pa praninë e palëve. Gjykata vendos mospranimin e nëse kërkesa nuk është bërë sipas dispozitave procedurale dhe nga persona që nuk e kanë këtë të drejtë ose kur rezulton haptazi e pambështetur. Kur kërkesa pranohet, gjykata vendos dërgimin e çështjes për rigjykim nga një tjetër trup gjykues i së njëjtës gjykatë ose në gjykatën e apelit, kur kërkesa është bërë vetëm kundër vendimit të saj. Kundër vendimit nuk lejohet ankim. I dënuari ruan të njëjtën pozitë procedurale deri në dhënien e vendimit nga gjykata e rishikimitVendimi merret sipas dispozitave për marrjen e vendimit nga gjykata e shkallës së parë. Vendimi i dhënë në gjykimin e rishikimit mund të ankimohet.