Forum 



Na kontaktoni

Këshilli i Lartë Gjyqësor

Godina “Poli i Drejtësisë “, Rruga “Ana Komnena”, Tiranë

 

ADMINISTRATA GJYQËSORE

 

 

Roli i Kryetarit të Gjykatës

Në çdo Gjykatë, ngrihet dhe funksionon Këshilli i Gjykatës i përbërë nga Kryetari i Gjykatës, Zëvendëskryetari dhe Kancelari.

Kryetari i Gjykatës, përveç funksionit si gjyqtar, ka edhe disa funksione themelore për mbarëvajtjen e punës në gjykatë.

 

Kryetari i gjykatës

Kryetari i Gjykatës ka përgjegjësi për menaxhimin e përgjithshëm gjyqësor, dhe ushtron këto detyra (në referim të nenit 37, të ligjit nr. 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar):

  1. a) Përfaqëson gjykatën në marrëdhënie me të tretët;
  2. b) Në fillim të çdo viti miraton një listë, e cila përditësohet kur është e nevojshme, që përcakton gjyqtarët për gjykimet e rasteve urgjente, siç përcaktohet me ligj, sipas rendit alfabetik me bazë mbiemrin, në përputhje me rregullat e miratuara nga Këshilli i   Lartë Gjyqësor;
  3. c) Mban kontakt me grupet e kontrollit të institucioneve të tjera shtetërore, njihet me qëllimin dhe objektin e kontrollit dhe u krijon atyre mundësi për ushtrimin e detyrës;
  4. d) Mbikëqyr respektimin e etikës gjyqësore dhe të solemnitetit, si dhe bashkëpunon me Këshillin e Lartë Gjyqësor në lidhje me vlerësimin etik dhe profesional të gjyqtarëve;
  5. e) Mbikëqyr disiplinën në punë të gjyqtarëve dhe kërkon fillimin e hetimit kur dyshohet shkelje disiplinore e gjyqtarëve në gjykatat e tyre;
  6. f) Kujdeset për organizimin dhe funksionimin e administrimit gjyqësor në gjykatë në lidhje me veprimtaritë jo gjyqësore nëpërmjet kancelarit, përveç rasteve kur parashikohet ndryshe në këtë ligj;
  7. g) Thërret, përgatit dhe drejton mbledhjet e përgjithshme të gjyqtarëve dhe të Këshillit të Gjykatës, përveçse kur parashikohet ndryshe në këtë ligj;
  8. h) Udhëzon dhe mbikëqyr kancelarin;
  9. i) Verifikon ankesat, heton shkeljet disiplinore dhe propozon fillimin e procedimit disiplinor ndaj kancelarit;
  10. j) Kryen veprimet dhe merr vendime që lidhen me statusin e nëpunësve civilë gjyqësorë, siç parashikohet në këtë ligj;
  11. k) Garanton zbatimin e vendimeve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, në veçanti në lidhje me masat që kanë për qëllim rritjen e efikasitetit dhe cilësisë së shërbimeve gjyqësore;
  12. l) Garanton qasjen dhe mënyrën e përdorimit të sistemit të menaxhimit të çështjeve, në përputhje me politikat e përgjithshme shtetërore në fushën e teknologjisë dhe sigurisë së informacionit dhe rregullave të miratuara nga Këshilli i Lartë   Gjyqësor, sipas parashikimeve të ligjit “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”;
  13. m) Ushtron çdo detyrë tjetër që lidhet me veprimtaritë jo gjyqësore të gjykatës, siç përcaktohet me ligj ose vendim të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

 

Administrata gjyqësore realizon misionin e saj nëpërmjet shërbimeve të mëposhtme:

  1. a) Shërbime gjyqësore, që mbështesin drejtpërdrejt veprimtaritë gjyqësore, duke përfshirë dokumentimin dhe veprimtari që kryhen nga këshilltarët dhe ndihmësit ligjorë, kryesekretarja dhe sekretarët gjyqësorë;
  2. b) Shërbime administrative, që përfshijnë financën dhe buxhetimin, marrëdhëniet me jashtë dhe me publikun, teknologjinë e informacionit, arkivin gjyqësor, sigurinë, si dhe burimet njerëzore;
  3. c) Shërbime mbështetëse, që sigurojnë në mënyrë të veçantë kryerjen e shërbimeve të njoftimeve, dhënien ndihmë trupit gjykues dhe kryesuesit të seancës, si dhe çdo veprimtari tjetër që ka të bëjë me rregullin dhe sjelljen e përshtatshme gjatë seancës gjyqësore, shërbimet e transportit, mirëmbajtjen e mjediseve të gjykatës.

 

Kategoritë e nëpunësve civilë gjyqësorë janë:

  1. a) Kancelari;
  2. b) Këshilltari ligjor në Gjykatën e Lartë;
  3. c) Ndihmësi ligjor në gjykatën e shkallës së parë dhe gjykatën e apelit;
  4. d) Kryesekretari;
  5. e) Sekretari gjyqësor;
  6. f) Nëpunësi i financës dhe buxhetit;
  7. g) Nëpunës të tjerë që punojnë në fushat e kërkimit ligjor dhe dokumentacionit, burimeve njerëzore, teknologjisë së informacionit, arkivit dhe marrëdhëniet me publikun, me jashtë ose me median.

 

Kancelari

Kancelari i gjykatës është përgjegjës për menaxhimin e administrimit gjyqësor dhe në veçanti ka kompetencat e mëposhtme:

  1. a) Është anëtar me të drejtë vote në Këshillin e Gjykatës, në përputhje me nenin 27, dhe i Komisionit të Ristrukturimit, sipas pikës 6, të nenit 66, të këtij ligji;
  2. b) Kryen veprime dhe merr vendime që lidhen me statusin e nëpunësve civilë gjyqësorë siç parashikohet në këtë ligj;
  3. c) Mbikëqyr procesin e organizimit dhe dokumentimit të ndarjes së çështjeve me short;

ç) Emëron, drejton, mbikëqyr dhe shkarkon punonjësit e gjykatës;

  1. d) Mbikëqyr mirëmbajtjen e godinës së gjykatës.

Gjithashtu kancelari pas këshillimit me Kryetarin e Gjykatës, është përgjegjës për:

  1. a) Funksionimin e sistemit të menaxhimit të çështjeve në gjykatë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për teknologjinë dhe sigurinë e informacionit dhe mbikëqyrjen e mbledhjes dhe përpunimit të saktë të të dhënave;
  2. b) Dorëzimin e raporteve periodike për gjendjen e përdorimit dhe funksionimit të sistemit të menaxhimit të çështjeve Këshillit të Lartë Gjyqësor;
  3. c) Raportimin pa vonesë Këshillit të Lartë Gjyqësor mbi nevojat dhe përditësimet e nevojshme të funksionimit të sistemit të menaxhimit të çështjeve;
  4. d) Udhëzimin dhe mbikëqyrjen e punës së nëpunësve civilë gjyqësorë të gjykatës;
  5. e) I siguron Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Ministrisë së Drejtësisë qasje në të dhënat statistikore për aq sa u nevojitet këtyre institucioneve në ushtrimin e kompetencave të tyre të caktuara me ligj;
  6. f) Kryen çdo detyrë, siç përcaktohet me ligj ose siç autorizohet nga kryetari.

 

Këshilltari ligjor në Gjykatën e Lartë

Pranë Gjykatës së Lartë funksionon Njësia e Shërbimit Ligjor, e cila përbëhet nga këshilltarët ligjorë, ndihmës magjistratë të komanduar, sipas procedurave të përcaktuara në ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, dhe Këshilltarët ligjorë jo magjistratë, të cilët emërohen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Njësia e Shërbimit Ligjor, shtron veprimtari këshilluese dhe ndihmëse në procesin vendimmarrës të Gjykatës së Lartë duke përfshirë analizimin e praktikës gjyqësore përkatëse mbi interpretimin e dispozitave të zbatueshme për çështjet në gjykim, analizimin e çështjes dhe përmbledhjen e procedurës, kryerjen e detyrave të tjera për përpunimin e çështjes siç kërkohet nga gjyqtari.

Njësia e Shërbimit Ligjor është në varësi të Kryetarit të Gjykatës, i cili për çdo çështje gjyqësore cakton këshilltarin ligjor, duke marrë parasysh përvojën profesionale dhe specializimin e tyre, si dhe duke siguruar ngarkesë pune të barabartë ndërmjet tyre.

 

Ndihmësi ligjor në gjykatën e shkallës së parë dhe gjykatën e apelit

Pranë gjykatave të shkallës së parë dhe gjykatave të apelit mund të funksionojë Njësia e Shërbimit Ligjor, e përbërë nga ndihmësit ligjorë, e krijuar me vendim të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Ndihmësi ligjor analizon praktikën gjyqësore përkatëse mbi interpretimin e dispozitave të zbatueshme për çështjet në gjykim, përpunon çështjen dhe përgatit çështje të thjeshta standarde me shkallë kompleksiteti të ulët për marrjen e vendimit nga gjyqtari, kryen detyra të tjera për përpunimin e çështjes, siç kërkohet nga gjyqtari ose siç parashikohet në ligj.

Detyrat për ndihmësin ligjor përcaktohen nga Kryetari i Gjykatës, ndërsa gjyqtari i caktuar me short për çështjen mund t’i japë udhëzime ndihmësit ligjor kur është e nevojshme. Ndihmësi ligjor është i lidhur vetëm me udhëzimet e dhëna nga gjyqtari i caktuar me short për çështjen.

 

Kryesekretari

Kryesekretari, bashkërendon, organizon punën e zyrës së sekretarisë nën drejtimin e kancelarit të gjykatës, lëshon vërtetime për të dhënat e kërkuara nga palët nga regjistrat në gjykatë, nënshkruan të gjitha aktet procedurale që kërkojnë njoftime procedurale (vendimet gjyqësore që bëhen përfundimtare, vendime përfundimtare dhe të ndërmjetme që dërgohen për ekzekutim, ekstrakte dhe fotokopje të njësuara me origjinalin të akteve të gjykatës, të gjitha aktet e tjera të nxjerra nga gjykata, krahas nënshkrimit të personit që i ka përgatitur), si dhe çdo detyrë tjetër e përcaktuar me ligj.

 

Sekretari gjyqësor

Sekretari gjyqësor, vërteton aktet e gjykatës dhe lëshon vërtetime apo kopje të njësuara me origjinalin të akteve procedurale gjyqësore. Në rastet kur përdoren pajisje regjistrimi apo pajisje që kryejnë funksione të ngjashme, sekretari garanton që regjistrimi ose riprodhimi është origjinal dhe i paprekur. Sekretari gjyqësor, është përgjegjës për krijimin e dosjeve dhe ndihmon gjyqtarin për mbajtjen e dosjeve sipas një rregulli të caktuar, si dhe për regjistrimin dhe zbatimin e urdhrave të shpallur apo të nxjerrë nga gjykatat dhe gjyqtarët, ndihmon në mbajtjen e regjistrave, si dhe për regjistrimet në regjistra dhe ndihmon në mbajtjen dhe përdorimin e mjeteve teknike, audiovizive dhe kompjuterike atje ku këto janë të disponueshme, ndihmon në çështje që lidhen me mbajtjen e dosjeve personale, bashkëpunon me autoritetet kompetente për çështje të taksave dhe tarifave gjyqësore, ndihmon në krijimin e statistikave të gjykatës.

 

Nëpunësi i financës dhe buxhetit

Nëpunësi i financës dhe buxhetit, ushtron dhe zbaton detyrimet që rrjedhin nga ligji “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë” dhe ligji “Për menaxhimin dhe kontrollin financiar”, si dhe aktet në zbatim të tyre.

 

Nëpunësi i marrëdhënieve me publikun

Nëpunësi i marrëdhënieve me publikun, kujdeset për informimin e publikut dhe medias në lidhje me veprimtarinë e gjykatës, për t’i siguruar medias dhe publikut informacion faktik rreth vendimeve gjyqësore dhe për korrigjimin e gabimeve të mundshme mbi faktet për çështje të caktuara, t’i komunikojë medias përmbledhje të vendimeve gjyqësore për çështje që kanë interes publik, të mbajë kontakte me median për seancat gjyqësore të çështjeve që kanë interes të veçantë publik, të sigurojë informacion, në përputhje me ligjin “Për të drejtën e informimit”, në veçanti në lidhje me çështjet në gjykim dhe administratën gjyqësore, të publikojë të gjitha vendimet gjyqësore në përputhje me ligjin.

 

Nëpunësi i teknologjisë së informacionit

Nëpunësi i teknologjisë së informacionit, mirëmban administrimin e bazës së të dhënave në gjykatë, të mbajtur në formë elektronike nëpërmjet sistemeve kompjuterike, duke respektuar legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale, si dhe ruajtjen e rregullt të statistikave të gjykatës.

 

Nëpunësi i shërbimit të arkivit gjyqësor

Nëpunësi i shërbimit të arkivit gjyqësor, mban dhe administron dokumentacionin gjyqësor, i cili përfshin dosje, regjistra dhe akte të tjera gjyqësore, si dhe akte që lidhen me veprimtarinë administrative të gjykatës, në përputhje me legjislacionin në fuqi për arkivat shtetërorë.