Forum 



Na kontaktoni

Këshilli i Lartë Gjyqësor

Godina “Poli i Drejtësisë “, Rruga “Ana Komnena”, Tiranë

 

TË DREJTAT DHE DETYRIMET E MAGJISTRATËVE

 

KREU I

VLERAT THEMELORE DHE  TË DREJTAT DHE DETYRIMET E PËRGJITHSHME

 

Neni 3

Vlerat themelore

 

  1. Magjistrati ushtron funksionet e tij, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin.
  2. Magjistrati ushtron funksionet në mënyrë të pavarur, duke vlerësuar faktet dhe interpretuar ligjin, sipas bindjes së tij të brendshme, i lirë nga çdo ndikim i drejtpërdrejtë ose i tërthortë nga çdo palë dhe për çdo arsye.
  3. Magjistrati nuk duhet të krijojë kontakte të papërshtatshme dhe nuk duhet të ndikohet nga pushteti ekzekutiv ose nga pushteti legjislativ. Magjistrati duhet të marrë çdo masë për të qenë dhe të duket se është jashtë çdo ndikimi prej tyre. Magjistrati njofton menjëherë Këshillin dhe kryetarin, në rast se evidenton ndërhyrje ose ushtrim të ndikimit të papërshtatshëm ndaj tij.
  4. Magjistrati ushtron funksionet gjyqësore në mënyrë të paanshme, pa ndikim dhe pa para-gjykime.
  5. Sjellja e magjistratit gjatë ushtrimit të funksionit dhe jashtë tij garanton ruajtjen dhe forcimin e besimit të publikut te sistemi i drejtësisë, profesioni ligjor dhe palëve në proces. Magjistrati ushtron funksionet me drejtësi, në mënyrë korrekte, në kohë të arsyeshme, të ndërgjegjshme, të kujdesshme, të zellshme dhe sistematike, me objektivitet, vetëpërmbajtje dhe maturi.

 

Neni 4

Standardet e etikës dhe rregullat e sjelljes

 

  1. Magjistrati merr të gjitha masat e arsyeshme për të ruajtur dinjitetin e funksionit, duke përfshirë veprimtaritë e kryera edhe kur magjistrati nuk është duke ushtruar funksionet zyrtare.
  2. Magjistrati merr të gjitha masat për të mbrojtur dhe forcuar:
  3. a) dinjitetin dhe standardet e funksionit të tij;
  4. b) reputacionin e organeve të drejtësisë dhe besimin e publikut në sistemin gjyqësor dhe atë të prokurorisë;
  5. c) statusin e funksionit të magjistratit.
  6. Në përputhje me parashikimet e këtij neni, Këshillat publikojnë standardet e etikës dhe rregullat e sjelljes.
  7. Secili Këshill emëron magjistratin si këshilltarin e etikës, sipas parashikimeve të ligjit “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

 

Neni 5

Të drejtat dhe detyrimet për formimin vazhdues

 

  1. Magjistrati ka të drejtë dhe detyrimin të marrë pjesë në programet e formimit vazhdues. Magjistrati ka të drejtë të propozojë tema trajnimi dhe të bashkëpunojë me Këshillin, me qëllim përmirësimin e programeve të trajnimit.
  2. Magjistrati duhet:
  3. a) të ndjekë formimin vazhdues, në përputhje me legjislacionin në fuqi;
  4. b) të marrë çdo masë tjetër të arsyeshme për t’u përditësuar me ndryshimet legjislative dhe të jurisprudencës.
  5. Periudha e formimit vazhdues duhet të jetë:
  6. a) jo më pak se pesë ditë të plota në vit dhe jo më pak se 30 ditë të plota gjatë pesë viteve;
  7. b) jo më shumë se 40 ditë në vit dhe 200 ditë gjatë pesë viteve.
  8. Magjistrati duhet të përmbushë detyrimin për të marrë pjesë në formimin vazhdues vetëm në ato raste kur programet e trajnimit janë:
  9. a) të përshtatshme për funksionin e tij;
  10. b) të organizuara dhe certifikuara nga Shkolla e Magjistraturës ose nga çdo institucion trajnimi në nivel kombëtar ose ndërkombëtar të njohur nga Këshilli. Një kopje e certifikatës vendoset në dosjen personale të magjistratit.
  11. Shpenzimet e udhëtimit dhe të qëndrimit për ndjekjen e programeve të formimit vazhdues, të organizuar nga Shkolla e Magjistraturës, mbulohen me fonde nga buxheti i parashikuar për këtë qëllim të Shkollës së Magjistraturës, si dhe nga burime të tjera financiare, të paracaktuara për këto veprimtari. Këshilli mund të mbulojë nga buxheti i tij shpenzimet e udhëtimit dhe të qëndrimit për ndjekjen e trajnimeve të organizuara nga çdo institucion trajnimi, i njohur nga Këshilli.
  12. Këshillat bashkëpunojnë me Shkollën e Magjistraturës për analizën e nevojave për trajnim, zhvillimin e kurrikulave dhe programeve trajnuese. Këshillat miratojnë rregulla më të hollësishme për përshtatshmërinë dhe përmbajtjen e programeve të formimit vazhdues, shërbimet lehtësuese të lejuara, si dhe për procedurën e pajisjes me leje për ndjekjen e këtyre trajnimeve.

 

KREU II

PAPAJTUESHMËRITË, KUFIZIMET DHE VEPRIMTARITË E TJERA

 

Neni 6

Papajtueshmëritë me funksionin e magjistratit

 

  1. Funksioni i magjistratit është i papajtueshëm me:
  2. a) anëtarësinë në parti politike dhe pjesëmarrjen në veprimtari politike të organizuara nga një parti politike;
  3. b) kryerjen e çdo veprimtarie politike, pavarësisht nëse veprimtaria kryhet në bashkëpunim me ndonjë parti politike ose jo, që mund të ndikojë në pavarësinë e magjistratit, të krijojë ndonjë konflikt interesi ose, në çdo rast, të krijojë përshtypjen që magjistrati është i paanshëm dhe i pandikuar.
  4. Kryetari njofton Këshillin në rast se ka dyshime të bazuara për të besuar se një magjistrat i gjykatës ose prokurorisë përkatëse nuk i përmbush kërkesat e kësaj dispozite.

 

Neni 7

Kufizimet për shkak të funksionit

 

  1. Gjatë ushtrimit të funksionit, magjistrati nuk duhet:
  2. a) të bëjë publike të dhëna ose informacione për çështjet që i janë caktuar;
  3. b) të bëjë publike mendimet që ka dhënë gjatë hetimeve ose seancave gjyqësore, përveç rasteve kur mendimi është publikuar nëpërmjet një vendimi;
  4. c) të bëjë deklarata publike që mund të krijojnë përshtypjen që magjistrati është i njëanshëm ose i ndikuar në një çështje të caktuar.
  5. Parashikimet e pikës 1, të këtij neni, nuk e ndalojnë magjistratin të ushtrojë përgjegjësitë si magjistrat shtypi, lidhur me marrëdhëniet me publikun në gjykata dhe në prokurori.
  6. Magjistrati nuk mund të marrë pjesë në grevë.
  7. Magjistratit i ndalohet:
  8. a) të administrojë, të drejtojë ose të ushtrojë ndikim në shoqëritë tregtare ose fitimprurëse, personalisht ose nëpërmjet përfaqësimit;
  9. b) të zotërojë në mënyrë aktive aksione ose pjesë të kapitalit të një shoqërie tregtare, në përputhje me legjislacionin në fuqi për parandalimin e konfliktit të interesit;
  10. c) të zotërojë në mënyrë pasive aksione ose pjesë të kapitalit të një shoqërie tregtare, nëse shoqëria ka fitime ose të mira nga kontratat publike, në përputhje me legjislacionin për parandalimin e konfliktit të interesit në fuqi;

ç) të zotërojë në mënyrë pasive aksione ose pjesë të kapitalit të një shoqërie tregtare, në të cilën veprimtaria e magjistratit është e ndaluar, për shkak se mund të ndikojë në pavarësinë e magjistratit, krijon konflikt interesi ose krijon përshtypjen që magjistrati është i njëanshëm ose i ndikuar;

  1. d) të jetë ekspert në gjykatat vendase ose arbitër në arbitrazhin tregtar.
  2. Kryetari njofton Këshillin në rast se ka dyshim të arsyeshëm për të besuar që një magjistrat i gjykatës ose prokurorisë përkatëse nuk plotëson kriteret e parashikuara në këtë dispozitë.

 

Neni 8

Papajtueshmëria ambientale

 (Shfuqizuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. 34, datë 10.4.2017 dhe ndryshuar me ligjin nr. 48/2019, datë 18.7.2019)

 

  1. Papajtueshmëria ambientale, në kuptimin e këtij neni, krijohet për shkak të lidhjeve të ngushta familjare mes magjistratëve, që janë përkatësisht bashkëshorti/ja, bashkëjetuesi/ja, ose të afërmit e tij deri në shkallë të dytë.
  2. Këshillat, gjatë emërimit, transferimit, apo ngritjes në detyrë të magjistratit, për aq sa është e mundur dhe pa cenuar në mënyrë jopropocionale të drejtën për zhvillimin normal të karrierës profesionale të magjistratit, marrin masa për të shmangur papajtueshmërinë ambientale, sipas pikës 3, të këtij neni, me qëllim që të garantohet besimi i publikut në sistemin e drejtësisë, pavarësia dhe paanësia e magjistratit, eficienca e gjykatave dhe zyrave të prokurorisë në dhënien e drejtësisë.
  3. Papajtueshmëri ambientale përbëjnë rrethanat e mëposhtme:
  4. a) nëse respektivisht në të njëjtën gjykatë ose prokurori ku magjistrati kërkon të caktohet, ushtron funksionin një magjistrat tjetër, që ndodhet në kushtet e pikës 1 të këtij neni;
  5. b) nëse gjyqtari që kërkon të caktohet në një gjykatë administrative të shkallës së parë, ndodhet në kushtet e pikës 1, të këtij neni, me një gjyqtar tjetër, që ushtron funksionin në Gjykatën Administrative të Apelit, si dhe anasjelltas;
  6. c) nëse gjyqtari që kërkon të caktohet në seksionin civil të gjykatës së shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm, ndodhet në kushtet e pikës 1, të këtij neni, me një gjyqtar tjetër, që ushtron funksionin në seksionin civil të gjykatës së apelit, që ka nën juridiksion gjykatën e shkallës së parë, si dhe anasjelltas;

ç) nëse magjistrati që kërkon të caktohet në seksionin penal të gjykatës së shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm dhe në prokurorinë në juridiksion të kësaj gjykate, ndodhet në kushtet e pikës 1, të këtij neni, me një magjistrat tjetër që ushtron funksionin në prokurorinë pranë gjykatës së apelit ose në seksionin penal të gjykatës së apelit, që ka nën juridiksion gjykatën dhe prokurorinë e shkallës së parë, si dhe anasjelltas.

  1. Magjistrati nuk mund të caktohet në gjykatat e posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar ose në Prokurorinë e Posaçme nëse një magjistrat tjetër, që ndodhet në kushtet e pikës 1, të këtij neni, ushtron funksionin në këto struktura.
  2. Për efekt të zbatimit të kësaj dispozite, magjistrati, në momentin e paraqitjes së kërkesës për emërim, transferim, apo ngritje në detyrë, paraqet një vetëdeklarim përpara Këshillit, ku deklaron nëse ndodhet apo jo në një nga rastet e papajtueshmërisë ambientale, sipas pikës 3, të këtij neni.
  3. Nëse papajtueshmëria ambientale lind gjatë ushtrimit të funksionit, apo është krijuar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, rregullat e parashikuara në këtë nen nuk zbatohen. Në këtë rast, me pëlqimin e tij, magjistrati mund të caktohet në një seksion tjetër.
  4. Këshillat miratojnë rregulla të detajuara për kriteret dhe procedurat e zbatimit të këtij neni.

 

Neni 9

Veprimtaritë jashtë funksionit

(Shfuqizuar fjalia e fundit e shkronjës “c” të pikës 1, pikat 7 dhe 8 me vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. 34, datë 10.4.2017, ndryshuar pikat 7 dhe 8 me ligjin nr. 48/2019, datë 18.7.2019)

 

  1. Magjistrati lejohet të kryejë veprimtari jashtë funksionit, vetëm nëse këto veprimtari:
  2. a) janë në përputhje me dinjitetin e ushtrimit të funksionit;
  3. b) nuk krijojnë perceptime të ndikimit ose njëanshmëri gjatë ushtrimit të funksionit;
  4. c) nuk bien ndesh me interesat thelbësorë të funksionit, duke mos cenuar afatet dhe ushtrimin në mënyrë efiçiente të funksioneve.

ç) nuk bien ndesh me qëllimin për të cilin është ulur ngarkesa e punës;

  1. d) në rast se shpërblimi për veprimtaritë jashtë funksionit përfshin çdo lloj dhe formë pagese, shpërblim financiar ose kompensim, të cilat nuk tejkalojnë rregullat e zakonshme të tregut;
  2. dh) nuk janë të papajtueshme me ushtrimin e funksionit të magjistratit dhe nuk ndalohen sipas këtij ligji.
  3. Me përjashtim të botimeve shkencore ose trajnimeve, magjistrati ndalohet të përdorë titullin e magjistratit në veprimtaritë jashtë funksionit, si dhe merr masa që palët e treta të mos e përdorin titullin e tij në këto veprimtari.
  4. Magjistrati mund të shkruajë, të publikojë, të japë leksione dhe mësimdhënie për çështjet ligjore dhe të marrë pjesë në veprimtari që lidhen me çështje ligjore, sistemin ligjor, administrimin e drejtësisë dhe çështje të tjera të lidhura me to, sipas parashikimeve të pikës 1 të këtij neni.
  5. Magjistrati, para se të fillojë kryerjen e një veprimtarie të paguar jashtë funksionit, sipas përcaktimeve të këtij neni, duhet të njoftojë Këshillin dhe t’i paraqesë dokumentacionin e nevojshëm që:
  6. a) përshkruan natyrën dhe kohëzgjatjen e këtyre veprimtarive;
  7. b) vërteton masën e shpërblimit të këtyre veprimtarive;
  8. c) evidenton ngarkesën në punë në gjykatë ose prokurori, ngarkesën totale të punës në gjykatë ose prokurori, si dhe përmbushjen në kohë të detyrave përgjatë 12 muajve të mëparshëm.
  9. Magjistrati merr miratimin e Këshillit përkatës, përpara se të pranojë kryerjen e veprimtarive të paguara jashtë funksionit.
  10. Këshilli vendos brenda tri javëve nga marrja e kërkesës dhe e dokumentacionit të plotë dhe jep miratimin nëse veprimtaria dhe çdo shpërblim për kryerjen e saj janë në përputhje me pikën 1 të këtij neni. Në rast se Këshilli brenda afatit 3-javor nga marrja e kërkesës dhe e dokumentacionit të plotë nuk shprehet me vendim, nuk njofton të interesuarin, si dhe nuk merr vendimin për zgjatjen e afatit, kërkesa konsiderohet e aprovuar, në përputhje me parashikimet e Kodit të Procedurave Administrative.
  11. Magjistrati, pa cenuar afatet e përcaktuara dhe ushtrimin në mënyrë eficiente të funksioneve, mund të marrë pjesë në veprimtari të papaguara jashtë funksionit, pa miratimin e Këshillit, vetëm në rastet kur:
  12. a) vepron si përfaqësues i gjyqësorit ose prokurorisë;
  13. b) merr pjesë në aktivitete për çështje të lidhura me sistemin gjyqësor ose të prokurorisë dhe bën deklarata publike të përgjithshme në kuadër të pjesëmarrjes në këto aktivitete;
  14. c) merr pjesë në diskutime për çështje të ligjit.
  15. Magjistrati raporton, brenda 6-mujorit të parë të vitit pasardhës, në Këshill, për veprimtaritë e papaguara jashtë funksionit, ku ka qenë i përfshirë në vitin paraardhës.

 

Neni 10

Liria e organizimit dhe e shprehjes

 

  1. Magjistratët kanë të drejtë të themelojnë shoqata ose organizata dhe të marrin pjesë në to, me qëllim:
  2. a) mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të tyre;
  3. b) ngritjen e tyre profesionale.
  4. Shoqatat ose organizatat e magjistratëve në ushtrimin e aktivitetit nuk duhet të bien ndesh me kompetencat e institucioneve të drejtësisë.

 

Neni 19

Bursa e shkollimit për kandidatët magjistratë

 

  1. Kandidati për magjistrat, i cili pranohet të ndjekë kursin e formimit fillestar në Shkollën e Magjistraturës përfiton bursë shkollimi sipas këtyre treguesve:
  2. a) në vitin e parë 30 për qind të pagës bruto fillestare të tij;
  3. b) në vitin e dytë 40 për qind të pagës bruto fillestare të tij;
  4. c) në vitin e tretë 50 për qind të pagën bruto fillestare të tij.
  5. Kandidati magjistrat që merr më shumë se 90 për qind të pikëve gjatë një viti akademik, sipas përcaktimeve të Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës, përfiton në vitin pasues akademik një shtesë në masën 10 për qind të bursës së shkollimit të përcaktuar në pikën 1 të këtij neni.
  6. Rregullat e nenit 22 aplikohen për aq sa gjejnë zbatim.
  7. Kandidati për magjistrat është i detyruar të kthejë shumën e përfituar të bursës së shkollimit, brenda një viti, në rastet kur:
  8. a) kandidati është përjashtuar ose ka lënë shkollën;
  9. b) në rastet kur kandidati për magjistrat nuk kandidon për t’u emëruar në një pozicion brenda një viti nga përfundimi i formimit fillestar në Shkollën e Magjistraturës.
  10. Kandidati magjistrat duhet të kthejë 50 për qind të shumës së përfituar të bursës së shkollimit që është marrë gjatë tri viteve të kursit të formimit fillestar në Shkollën e Magjistraturës, në rastet kur:
  11. a) kandidati për magjistrat nuk plotëson kushtet e emërimit si magjistrat, sipas nenit 40 të këtij ligji;
  12. b) mandati i magjistratit ka përfunduar përpara plotësimit të paktën të pesë viteve të ushtrimit të funksionit.
  13. Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës, për shkaqe shëndetësore ose për shkaqe të tjera të justifikuara, miraton me vendim përjashtimin e kandidatit magjistrat nga detyrimi për kthimin e shumës së përfituar të bursës së shkollimit, sipas parashikimeve të pikës 4, të këtij neni, si dhe rastet e parashikuara në pikën 5, shkronja “b”, të këtij neni.

 

Neni 20

Mbrojtja e veçantë e magjistratit gjatë ushtrimit të funksionit ose për shkak të tij

 

  1. Gjatë ushtrimit të funksionit ose për shkak të tij, magjistrati dhe familja e tij gëzojnë të drejtën të kenë mbrojtje të veçantë nga shteti për jetën, shëndetin dhe pasurinë e tyre. Magjistrati që nuk e ushtron funksionin ose që ka dalë në pension gëzon këtë mbrojtje, në rast se e kërkon, si dhe në rast cenimi për shkak të ushtrimit të mëparshëm të funksionit të magjistratit.
  2. Në rast se jeta, shëndeti dhe pasuria e magjistratit ose familja e tij janë në rrezik, shteti ofron mbrojtje të veçantë, si dhe mbrojtje fizike, sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave, pas konsultimit me Këshillat.
  3. Dëmet e shkaktuara për jetën, shëndetin ose pasurinë e magjistratit ose familjes së tij/saj, shpërblehen nga shteti, në rast se këto dëme shkaktohen gjatë ushtrimit të funksionit të magjistratit ose për shkak të tij.

 

Neni 21

Pensioni suplementar dhe përfitimet e tjera

 

  1. Magjistratët, përveç rasteve të parashikuara në pikën 2, të këtij neni, përfitojnë pension shtetëror suplementar dhe përfitime të tjera të parashikuara nga ligji “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”, të njëjtë me funksionarët e parashikuar në grupin e dytë, sipas përcaktimit të shkronjës “a”, të pikës 9, të nenit 1, të ligjit “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”.
  2. Magjistratët që ushtrojnë funksionin në Gjykatën e Lartë përfitojnë pension shtetëror suplementar dhe përfitime të tjera të parashikuara nga ligji “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”, të njëjtë me funksionarët e parashikuar në grupin e parë, sipas përcaktimit të shkronjës “b”, të pikës 8, të nenit 1, të ligjit “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”. Kryetari i Gjykatës së Lartë dhe Prokurori i Përgjithshëm përfitojnë pension shtetëror suplementar dhe përfitime të tjera, të parashikuar nga ligji për pensionet suplementare, të njëjtë me funksionarët e parashikuar në grupin e parë, sipas përcaktimit të shkronjës “a”, të pikës 8, të nenit 1, të ligjit “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”.
  3. Magjistratët përfitojnë këtë pension suplementar dhe përfitime të tjera suplementare, sipas kushteve dhe procedurave të parashikuara nga legjislacioni në fuqi për pensionet shtetërore suplementare të funksioneve kushtetuese dhe punonjësve të shtetit dhe aktet nënligjore në zbatim të tij.

 

Neni 22

Paprekshmëria e pagës dhe përfitimeve të tjera financiare të magjistratit

(ndryshuar  shkronja “ç” e pikës 1 me ligjin nr. 50/2021, datë 23.3.2021)

 

  1. Paga dhe përfitimet e tjera të magjistratit nuk mund të ulen, me përjashtim të rasteve kur:
  2. a) ka situata të vështira financiare në vend ose emergjenca të tjera kombëtare, duke marrë parasysh faktorët si vijon: një mospërputhje e qartë midis dinamikës së pagave të magjistratëve dhe dinamikës së pagave standarde në shërbimin civil; indeksi i pagesave, ashtu si dhe indeksi i çmimeve të konsumatorit. Këta faktorë është e nevojshme që të vlerësohen, për të gjetur balancën mes paprekshmërisë së pagës dhe nevojës për të shmangur marrjen e borxheve të reja;
  3. b) magjistrati ushtron të drejtën për t’u kthyer nga një pozicion i mëparshëm më i lartë ose më i specializuar ose me mandat të kufizuar dhe me pagesë më të lartë;
  4. c) magjistrati ka masë disiplinore;

ç) vlerësohet i pamjaftueshëm ose jepet masa disiplinore e uljes së përkohshme të pagës, sipas parashikimeve të këtij ligji.

  1. Magjistrati duhet të kthejë shumat e përfituara të pagës ose përfitimeve financiare nëse ka përfituar më shumë sesa është parashikuar në ligj.

 

KREU IV

LEJA DHE ULJA E KOHËS SË PUNËS

 

Neni 23

Pushimet vjetore

(Shfuqizuar pika 10 me vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. 34, datë 10.4.2017 dhe ndryshuar me ligjin nr. 48/2019, datë 18.7.2019)

 

  1. Magjistrati gëzon të drejtën për pushime vjetore të paguara me kohëzgjatje 25 ditë pune.
  2. Magjistrati që ushtron funksionin në gjykatën e posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar ose në Prokurorinë e Posaçme, ka të drejtë të përfitojë pesë ditë pune shtesë leje vjetore.
  3. Pushimet vjetore për magjistratin që autorizohet të punojë me kohë të pjesshme, zbriten në përpjesëtim me kohën e punës që kryen.
  4. Në vitin kur magjistrati caktohet në pozicion ose largohet prej tij ose kur është me leje prindërore, gëzon të drejtën për pushime të pjesshme vjetore të paguara, të cilat përcaktohen në raport me kohëzgjatjen në funksion, si vijon:
  5. a) 2 ditë pune leje për çdo muaj të plotë në funksion;
  6. b) 2 ditë pune leje për një muaj jo të plotë, prej më shumë se 15 ditë pune;
  7. c) 1 ditë pune leje për një muaj jo të plotë deri në 15 ditë pune.
  8. Pushimet vjetore mund të merren njëherësh ose në periudha të ndryshme, sipas kërkesës së magjistratit dhe në përputhje me kërkesat e funksionit. Në çdo rast, pushimet duhet të përfshijnë një periudhë trejavore pa ndërprerje, gjatë muajit gusht, përveç kur kërkesat e ushtrimit të funksionit kërkojnë vazhdimin e aktiviteteve të gjykatës ose prokurorisë.
  9. Magjistrati i sapocaktuar në pozicion përfiton pushime vjetore vetëm pasi ka ushtruar funksionin për një periudhë tremujore. Përjashtimisht, pushimet mund të miratohen para këtij afati, në raste të jashtëzakonshme dhe të arsyetuara.
  10. Magjistrati që kalon sëmundje gjatë pushimeve vjetore, të cilat mund ta pengonin atë në ushtrimin e funksionit nëse nuk do të ishte me pushime, përfiton shtyrje të kohëzgjatjes së pushimeve vjetore, të njëjtë me kohëzgjatjen e sëmundjes, me kushtin që kjo e fundit të vërtetohet me raport mjekësor.
  11. Magjistrati që nuk merr pushimet e plota vjetore deri në fund të vitit përkatës kalendarik, për arsye që nuk lidhen me kërkesa të funksionit, mund të shtyjë kohëzgjatjen e mbetur të pushimeve në vitin pasardhës, me kushtin që kohëzgjatja e mbetur të jetë deri në pesë ditë. Leja e prapambetur mund të merret deri në fund të muajit mars të vitit pasardhës. Magjistrati që nuk ka marrë pushimet e plota vjetore në kohën e largimit nga funksioni, përfiton kompensim në pagesë, të barabartë me një të tridhjetën e pagës që merrte para largimit, për çdo ditë pushimi të mbetur. Shuma e përllogaritur, sipas kësaj pike, zbritet nga pagesa që magjistrati duhet të përfitojë, në rast se në kohën e largimit nga funksioni ka marrë më shumë pushime vjetore sesa ka pasur të drejtë deri në atë moment.
  12. Magjistrati që ndërpret pushimet vjetore për shkak të kërkesave të funksionit ose që i anulohen këto pushime, gëzon të drejtën për t’u kompensuar për të gjitha shpenzimet e kryera, veçanërisht shpenzimet e transportit, nëse ato vërtetohen me dokumentacionin e nevojshëm.
  13. Magjistrati nuk mund të kryejë mungesa në detyrë, me përjashtim të rasteve të justifikuara, të parashikuara në legjislacionin në fuqi. Kryetari, me vendim të arsyetuar me shkrim, zbret nga periudha e pushimit vjetor të të njëjtit vit ditët e mungesës së pajustifikuar. Magjistrati ka të drejtë të ankimojë vendimin e kryetarit, në Këshill brenda 7 ditëve, nga dita e njoftimit të vendimit.

Nëse zbritja nuk mund të realizohet, kryetari njofton Këshillin, i cili merr masa që magjistrati të mos paguhet për ditët që ka munguar.

  1. Pushimet vjetore jepen nga kryetari i gjykatës ose prokurorisë. Kërkesa për leje vjetore për një periudhë më shumë se tre ditë i drejtohet kryetarit të paktën një muaj para marrjes së tyre.

 

Neni 24

Pushimet e tjera

 

  1. Përveç pushimeve vjetore, magjistrati gëzon të drejtën të marrë në përputhje me Kodin e Punës:
  2. a) pushime të tjera;
  3. b) leje prindërore.
  4. Leja e veçantë miratohet nga kryetari i gjykatës ose prokurorisë. Këshillat miratojnë lejen prindërore, pasi kanë marrë mendimin e kryetarit të gjykatës ose prokurorisë.
  5. Magjistrati mund të kërkojë leje të papaguar deri në 2 vjet për qëllime kualifikimi profesional dhe specializime në një institucion trajnimi, ose për arsye familjare ose shëndetësore. Leja e papaguar mund të merret e gjitha njëherësh ose në periudha të ndryshme sipas kërkesës së magjistratit.
  6. Këshillat mund të japin lejen e papaguar pasi kanë marrë mendimin e kryetarit të gjykatës ose prokurorisë, nëse leja nuk bie ndesh me interesat kryesorë të funksionit dhe nuk vë në rrezik në tërësi përmbushjen e funksionit me efiçencë dhe në kohë, në gjykatë ose në prokurori.
  7. Periudha e lejes së papaguar nuk merret në konsideratë për vjetërsinë në punë ose për efekt të përfitimeve të tjera.
  8. Këshilli përcakton rregulla më të detajuara për kriteret dhe procedurat për dhënien e lejes së papaguar.

 

Neni 25

Siguria dhe shëndeti në punë

 

Me përjashtim të rasteve kur ky ligj parashikon ndryshe, Këshillat, gjykatat dhe prokuroritë zbatojnë dispozitat e ligjit për sigurinë dhe shëndetin në punë.

 

KREU V

TË DREJTAT E TJERA

 

Neni 26

Ulja e ngarkesës

(Shfuqizuar shkronja “b” e pikës 4 me vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. 34, datë 10.4.2017, ndryshuar shkronja “a” e pikës 1, shtuar shkronja “c” e pikës 1, ndryshuar shkronja “a” e pikës 3 dhe shkronja “b” e pikës 4 me ligjin nr. 48/2019, datë 18.7.2019)

 

  1. Magjistrati ka të drejtë për ulje të ngarkesës së çështjeve, në rast nevoje, për një nga këto shkaqe:
  2. a) arsye të përkohshme personale ose familjare për një kohëzgjatje të kufizuar deri në dy vjet;
  3. b) studime jashtë kursit të formimit vazhdues në Shkollën e Magjistraturës, për një kohëzgjatje të kufizuar deri në tre vjet;
  4. c) kur angazhohet për shkak të funksionit të magjistratit edhe në detyra të tjera, kur parashikohet nga legjislacioni në fuqi.
  5. Ngarkesa e çështjeve mund të ulet deri në 75 për qind të ngarkesës, në varësi të rrethanave.
  6. Këshillat mund të vendosin ulje të ngarkesës së çështjeve të magjistratit, pas marrjes së mendimit të kryetarit, nëse plotësohen këto kushte:
  7. a) në rastet e parashikuara në pikën 1, shkronja “a”, të këtij neni, magjistrati kërkon ulje të ngarkesës në punë, nëse kjo nuk cenon interesat thelbësorë të funksionit, afatet dhe ushtrimin në mënyrë efiçente të funksioneve në gjykatën ose prokurorinë përkatëse;
  8. b) në rastin e parashikuar në shkronjën “b”, të pikës 1, të këtij neni:
  9. i) kur studimet kanë si qëllim të rrisin aftësitë profesionale të magjistratit;
  10. ii) kur ulja e ngarkesës nuk cenon interesat thelbësorë të funksionit, afatet dhe ushtrimin në mënyrë efiçiente të funksioneve në gjykatën ose prokurorinë përkatëse.
  11. Këshillat miratojnë rregulla më të detajuara, të cilat përcaktojnë:
  12. a) procedurën që ndiqet për kërkesat për uljen e ngarkesës, veçanërisht detajimi për provat e duhura që duhet të paraqiten në mbështetje të një kërkese;
  13. b) rregulla për uljen e pagës dhe të përfitimeve të tjera, kur magjistrati ndodhet në kushtet e parashikuara në shkronjën “a”, të pikës 1, të këtij neni, bazuar në parimin e proporcionalitetit dhe mosdiskriminimit;
  14. c) rregullat për uljen e pagës dhe përfitimeve të tjera në rastet kur kërkesa pranohet, për arsyet e parashikuara në shkronjën “b”, të pikës 1, të këtij neni, në përputhje me parimin e mosdiskriminimit dhe proporcionalitetit;

ç) rregullat për përcaktimin e kohëzgjatjes gjatë së cilës ulet ngarkesa;

  1. d) rregulla të ndërmjetme për transferimin e një pjese të ngarkesës së magjistratit, në rastet kur kërkesa pranohet.
  2. Ulja e pagës dhe përfitimeve të tjera nuk duhet të jetë më shumë se 75 për qind.

 

Neni 27

Pensioni i parakohshëm

(shfuqizuar shkronja “c” e pikës 1 , shtuar pikat pikat 1/1 dhe 1/2  me ligjin nr. 50/2021, datë 23.3.2021)

 

  1. Magjistrati gëzon të drejtën e pensionit të parakohshëm nëse:
  2. a) ka mbushur të paktën moshën 60 vjeç;
  3. b) ka ushtruar funksionin e magjistratit për të paktën 30 vjet, duke përfshirë edhe periudhën e komandimit;
  4. c) Shfuqizuar.

1/1. Magjistrati gëzon të drejtën e pensionit të parakohshëm edhe në rast se Këshilli vendos mbarimin e statusit të magjistratit për shkak të pamundësisë fizike dhe mendore sipas nenit 67 të këtij ligji.

1/2. Pensioni i parakohshëm është një pension pleqërie i reduktuar dhe mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit deri në plotësimin e kushteve për përfitimin e pensionit të plotë të pleqërisë. Ky pension llogaritet duke zbritur nga pensioni i plotë shumën që del nga shumëzimi i numrit të muajve të përfitimit të pensionit, para mbushjes së moshës së përcaktuar në nenin 64 të këtij ligji, me koeficientin mujor të reduktimit. Koeficienti i reduktimit të pensionit të plotë të pleqërisë për magjistratët që plotësojnë kushtet e parashikuara në pikat 1 dhe 1/1 të këtij neni është 0.6 për qind në muaj.

  1. Magjistrati që ushtron funksionin në gjykatën e posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe Prokurorinë e Posaçme, gëzon të drejtën e pensionit të parakohshëm tre muaj më parë, për çdo vit të ushtrimit të funksionit në këto struktura.
  2. Këshillat miratojnë pensionin e parakohshëm të magjistratit, pasi kanë marrë më parë mendimin e kryetarit të gjykatës/prokurorisë.
  3. Këshillat miratojnë rregulla më të detajuara, në të cilat përcaktohet:
  4. a) procedura që ndiqet për kërkesat për pension të parakohshëm dhe dokumentacionin mbështetës;
  5. b) rregullat për mënyrën e llogaritjes së pensionit të parakohshëm dhe përfitimeve të tjera, në rastet kur kërkesa pranohet.

 

Neni 41

Të drejtat dhe detyrimet e të emëruarit

(shtuar fjalë në fund të fjalisë së parë të pikës 2 me ligjin nr. 48/2019, datë 18.7.2019)

 

  1. I emëruari duhet të pranojë pozicionin e ofruar në përputhje me nenet 39 dhe 40, të këtij ligji, duke përfshirë:
  2. a) pozicionin që nuk është deklaruar në preferencat e tij;
  3. b) pozicionin e komanduar.
  4. I emëruari ka të drejtë të ankimojë vendimin për caktimin në pozicion. Ankimi nuk pezullon zbatimin e vendimit brenda 5 ditëve nga njoftimi i vendimit të Këshillit. Gjykata kompetente merr vendimin brenda dy javëve nga dita e ankimit. Vendimi i gjykatës kompetente është i formës së prerë.
  5. Vendimi i Këshillit për caktimin e të emëruarit në pozicion, në përputhje me këtë nen, merr formë të prerë kur:
  6. a) nuk është depozituar ankim brenda afateve të ankimit;
  7. b) është depozituar ankim sipas afateve dhe gjykata ka vendosur pushimin e çështjes ose rrëzimin e ankimit;
  8. c) është depozituar ankim sipas afateve dhe mbi bazën e tij është dhënë vendim gjyqësor i formës së prerë.
  9. Në rastet kur gjykata pranon ankimin dhe shfuqizon vendimin e Këshillit, ky i fundit, brenda dy javëve nga njoftimi i vendimit gjyqësor, rishikon vendimin e caktimit në pozicion të të emëruarit, në masën e nevojshme për zbatimin e vendimmarrjes së gjykatës.

 

KREU IV

TRANSFERIMI

 

Neni 42

Parimet e transferimit

 

  1. “Transferimi” është:
  2. a) lëvizja në mënyrë të përkohshme ose të përhershme nga një pozicion në një gjykatë ose prokurori në një pozicion në një gjykatë ose prokurori tjetër të të njëjtit nivel;
  3. b) caktimi nga një pozicion i komanduar në një pozicion në gjykatë ose në prokurori, i cili është në të njëjtin nivel me pozicionin e mëparshëm;
  4. c) caktimi nga një pozicion i komanduar në një pozicion në gjykatë ose në prokurori të shkallës së parë, nëse magjistrati nuk ka pasur pozicione të mëparshme.
  5. Transferimi bëhet në një pozicion të lirë të përhershëm ose të përkohshëm. Pozicioni është i lirë në mënyrë të përhershme vetëm nëse nuk ka magjistratë me të drejtën për t’u kthyer në atë pozicion. Pozicioni është përkohësisht i lirë kur magjistrati që ka atë pozicion në mënyrë të përhershme, për të paktën 3 muaj, është përkohësisht në pamundësi për të ushtruar funksionin në atë pozicion.
  6. Një pozicion i lirë i përhershëm plotësohet me radhë si më poshtë:
  7. a) nga magjistrati që ka të drejtën për t’u caktuar në një pozicion në nivel apeli;
  8. b) nga magjistrati që transferohet për shkak të papajtueshmërisë ambientale ose për shkak të ndryshimeve në strukturën administrative ose në kompetencën tokësore të gjykatave ose prokurorive;
  9. c) nga magjistrati që transferohet për shkak të lëvizjes paralele;

ç) nga magjistrati që ka të drejtën e ngritjes në detyrë.

  1. Një pozicion i lirë në mënyrë të përkohshme plotësohet nga magjistrati që ka të drejtën për t’u kthyer. Gjatë periudhës, sipas parashikimeve të pikës 2, të këtij neni, pozicioni përkohësisht i lirë plotësohet përkohësisht me radhë si më poshtë:
  2. a) nga magjistrati që ka të drejtën për t’u caktuar në një pozicion në nivel apeli;
  3. b) nga magjistrati që transferohet për shkak të papajtueshmërisë ambientale ose për shkak të ndryshimeve në strukturën administrative ose në kompetencën tokësore të gjykatave ose prokurorive;
  4. c) nga magjistrati që transferohet për shkak të lëvizjes paralele;

ç) nga magjistrati që ka të drejtën e ngritjes në detyrë.

  1. Magjistrati nuk transferohet pa pëlqimin e tij, përveç rasteve kur parashikohet ndryshe në këtë ligj.
  2. Magjistrati nuk ulet në detyrë pa pëlqimin e tij në një pozicion më të ulët, përveç rasteve kur në ligj parashikohet ndryshe.
  3. Në rastin e transferimit të përkohshëm, magjistrati kthehet në pozicionin e mëparshëm me përfundimin e periudhës së transferimit.
  4. Një gjyqtar nuk lejohet të transferohet në mënyrë të përkohshme ose të përhershme në gjykatat e posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
  5. Në rast të hapjes së pozicioneve të lira në gjykatën e apelit administrativ, procedura e lëvizjeve paralele do të jetë e hapur vetëm për gjyqtarë që kanë punuar për të paktën për pesë vjet në 9 vitet e fundit si gjyqtar në çështjet administrative.

 

Neni 44

Transferimi pa pëlqim

(Shfuqizuar shkronja “c” e pikës 1 me vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. 34, datë 10.4.2017, shtuar fjalë në fund të fjalisë së parë të pikës 4 me ligjin nr. 48/2019, datë 18.7.2019)

 

  1. Magjistratët transferohen pa pëlqim vetëm në këto raste:
  2. a) në zbatim të masës disiplinore;
  3. b) kur pozicioni i magjistratit suprimohet për shkak të ndryshimeve në strukturën administrative ose në kompetencën tokësore të gjykatave ose prokurorive, pas kryerjes së një vlerësimi, bazuar në kritere objektive dhe transparente;
  4. c) Shfuqizuar;

ç) për shkak të mungesave të përkohshme të magjistratëve në gjykata dhe prokurori, të cilat nuk mund të plotësohen nga magjistratët që janë në skemën e delegimit, sipas përcaktimeve të bëra në nenin 46 të këtij ligji.

  1. Magjistrati, të cilit i suprimohet pozicioni, sipas shkronjës “b”, pikës 1, të këtij neni:
  2. a) transferohet në pozicion në strukturën e re të së njëjtës shkallë, që ka në kompetencë tokësore gjykatën ose prokurorinë, pranë të cilës magjistrati ka ushtruar më parë funksionin, ose kur kjo nuk është e mundur;
  3. b) gëzon të drejtën të zgjedhë për t’u transferuar në çdo pozicion, që është i lirë apo pritet të bëhet i lirë brenda gjashtë muajve nga momenti i shkurtimit të pozicionit, në gjykatë ose prokurori të të njëjtit nivel, të së njëjtës kompetencë lëndore.
  4. Për shkak të mungesave të përkohshme të magjistratëve, sipas shkronjës “ç”, pikës 1, të këtij neni, Këshilli cakton një magjistrat nga skema e delegimit ose transferon një magjistrat përkohësisht, sipas nenit 46 të këtij ligji.
  5. Magjistrati ka të drejtë të ankimojë në gjykatë vendimin për transferim pa pëlqim brenda 5 ditëve nga njoftimi i vendimit të Këshillit. Shqyrtimi i ankimit në gjykatë nuk pezullon vendimin për transferim.

 

Neni 46

Transferimi i përkohshëm

 

  1. Në rastin kur në skemën e delegimit nuk ka magjistrat të disponueshëm, Këshilli mund t’i kërkojë magjistratit në një nga gjykatat ose prokuroritë me ngarkesën më të ulët, i cili përmbush kriteret për t’u transferuar ose për t’u ngritur në detyrë në pozicionin përkatës, të japë pëlqimin që për një periudhë të caktuar të transferohet përkohësisht në atë pozicion. Në këtë rast, Këshilli merr paraprakisht mendimin e kryetarit të gjykatës ose prokurorisë ku ushtron funksionin magjistrati.
  2. Në rastin kur asnjë magjistrat nuk jep pëlqimin për t’u transferuar përkohësisht, Këshilli i kërkon një magjistrati nga një gjykatë ose prokurori me ngarkesë më të ulët për t’u transferuar përkohësisht. Ky magjistrat duhet të jetë me përvojën më të pakët si magjistrat në atë gjykatë ose prokurori, si dhe duhet të përmbushë kriteret për pozicionin që kërkohet për t’u transferuar përkohësisht, Në këtë rast, Këshilli merr paraprakisht mendimin e kryetarit të gjykatës ose prokurorisë ku ushtron funksionin magjistrati.
  3. Për çështje voluminoze dhe komplekse, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme mund t’i kërkojë kryetarit të prokurorisë së shkallës së parë të japë pëlqimin për transferimin e prokurorëve me kualifikim të veçantë në zyrën e Prokurorisë së Posaçme, për të punuar me çështje të veçanta, për një periudhë të caktuar.
  4. Para se të merret vendimi për transferimin, sipas pikës 3, të këtij neni, Kryetari i Prokurorisë së Posaçme kërkon mendimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për transferimin dhe kualifikimin e prokurorit përkatës. Këshilli i Lartë i Prokurorisë mund të japë mendim jo të detyrueshëm të paktën tre ditë pas marrjes së kërkesës.
  5. Prokurori përkatës që kërkohet të transferohet duhet të ketë jo më pak se pesë vite përvojë si prokuror, të japë pëlqimin për transferimin dhe respektimin e kushteve të sigurisë për besimin dhe konfidencialitetin në Prokurorinë e Posaçme, sipas pikës 3, të nenit 47, të këtij ligji. Pas dhënies së pëlqimit nga kryetari i prokurorisë përkatëse, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme transferon prokurorin për periudhën për të cilën është rënë dakord. Prokurori gëzon të drejtën të marrë pagën më të lartë, vetëm gjatë periudhës së transferimit.
  6. Magjistrati transferohet në mënyrë të përkohshme për një periudhë të caktuar, por në çdo rast nuk duhet të zgjasë më shumë se një vit.

 

KREU VI

KOMANDIMI

 

Neni 53

Parimet e komandimit të magjistratëve

(shtuar fjalë në pikën 1dhe 2, shtuar pika 8/1  me ligjin nr. 50/2021, datë 23.3.2021)

 

  1. “Komandim” është lëvizja e magjistratit në një pozicion jomagjistrati në një institucion brenda sistemit të drejtësisë ose organizatë ndërkombëtare, pozicion i cili është i pajtueshëm me pavarësinë dhe mbajtjen e statusit të tij.
  2. “Institucioni në të cilin magjistrati komandohet”, për pozicionin e ndihmësmagjistratit është Gjykata e Lartë, Gjykata Kushtetuese ose Prokuroria e Përgjithshme; për pozicionet si inspektorë është Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë; dhe për pozicione të tjera janë Këshillat, Ministria e Drejtësisë, Avokatura e Shtetit, Shkolla e Magjistraturës ose çdo institucion tjetër brenda sistemit të drejtësisë dhe përafrimit të legjislacionit, si dhe organizatat ndërkombëtare.
  3. Me përjashtim të rasteve të caktimit në pozicion të sapoemëruarve, magjistratët mund të komandohen vetëm me pëlqimin e tyre.
  4. Magjistrati i komanduar ka të njëjtat të drejta dhe detyrime si çdo magjistrat tjetër, me përjashtim kur parashikohet ndryshe në këtë ligj.
  5. Magjistrati nuk lejohet të komandohet në ato raste kur:
  6. a) është në një pozicion me mandat të kufizuar;
  7. b) është i komanduar.
  8. Periudha e komandimit të magjistratit nuk mund të jetë më shumë se pesë vjet, me përjashtim kur parashikohet ndryshe në ligj.
  9. Magjistrati duhet të shërbejë jo më pak se pesë vjet si magjistrat pas përfundimit të periudhës së komandimit.
  10. Magjistrati nuk mund të komandohet për më shumë se dhjetë vjet gjatë gjithë periudhës së ushtrimit të detyrës së tij.

8/1. Magjistrati që komandohet në një organizatë ndërkombëtare, me qëllim përfaqësimin e Republikës së Shqipërisë në atë organizatë, gëzon të njëjtin status me diplomatët, sipas parashikimeve të ligjit në fuqi për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë.

  1. Përvoja e magjistratit të komanduar nga gjykata ose prokuroria e shkallës së parë në institucionin në të cilin magjistrati komandohet, llogaritet përvojë në profesion në shkallë të parë, me përjashtim të rasteve kur në ligj parashikohet ndryshe. Përvoja e magjistratit të komanduar nga gjykata ose prokuroria në shkallë të dytë, institucioni në të cilin magjistrati komandohet llogaritet si përvojë në profesion në shkallë të dytë, me përjashtim të rasteve kur në ligj parashikohet ndryshe. Ushtrimi i funksioneve drejtuese në institucionin në të cilin magjistrati komandohet vlerësohet si përvojë drejtuese.
  2. Magjistratit të komanduar i bëhet vlerësimi etik dhe profesional nga institucioni në të cilin magjistrati është komanduar, në përputhje me kriteret dhe procedurën që zbatohet për anëtarët e tjerë të këtij institucioni, me përjashtim të rasteve kur në ligj parashikohet ndryshe. Nivelet e këtij vlerësimi njihen si nivele vlerësimi në kuptim të këtij ligji.
  3. Magjistratit, të cilit nuk i është bërë vlerësimi etik dhe profesional nga institucioni në të cilin magjistrati është komanduar, ka të drejtën të vlerësohet për aftësitë profesionale si kandidat jogjyqtar në Gjykatën e Lartë, sipas parashikimeve të nenit 49, të këtij ligji, për aq sa gjejnë zbatim, me qëllim që të konkurrojë në kushte të njëjta me magjistratët e tjerë për pozicionet e lira.
  4. Magjistrati, gjatë komandimit, ka përgjegjësi disiplinore, sipas parashikimeve që zbatohen për anëtarët e institucionit në të cilin magjistrati është komanduar. Në rastet kur institucioni në të cilin magjistrati është komanduar propozon shkarkimin e magjistratit si masë disiplinore, magjistrati i komanduar mund të kërkojë referimin e çështjes te Këshilli. Në këtë rast Këshilli shqyrton çështjen dhe zbaton procedurën disiplinore, sipas parashikimeve të këtij ligji. Institucioni në të cilin është komanduar magjistrati merr pjesë në procedurën disiplinore me të drejtat dhe detyrimet e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
  5. Nëse çështja nuk është referuar në Këshill, institucioni në të cilin është komanduar magjistrati informon Këshillin për çdo vendim të ndërmarrë prej tij ndaj magjistratit të komanduar. Ankimi në gjykatë i vendimit për masë disiplinore të institucionit në të cilin është komanduar magjistrati pezullon zbatimin e vendimit.

 

DETYRIMET PENALE DHE CIVILE

 

Neni 158

Përgjegjësia penale e magjistratëve

 

  1. Magjistrati mund të ndiqet penalisht, sipas dispozitave të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale.
  2. Prokuroria, në rast se fillon hetimet penale ndaj magjistratit, njofton menjëherë Këshillin respektiv.

 

Neni 159

Kufizimi i përgjegjësisë civile

 

Magjistrati nuk ka përgjegjësi civile për shkak të ushtrimit të funksionit, përveç rastit kur ka treguar të paktën pakujdesi të rëndë.