Forum 



Na kontaktoni

Këshilli i Lartë Gjyqësor

Godina “Poli i Drejtësisë “, Rruga “Ana Komnena”, Tiranë

Pushteti Gjyqësor

 

Në Republikën e Shqipërisë, pushteti gjyqësor ushtrohet në emër të republikës, në përputhje me Kushtetutën dhe kompetencat që u ngarkohen atyre me ligj. Gjyqtarët, gjatë ushtrimit të funksionit dhe vendimmarrjes, janë të pavarur dhe të paanshëm. Gjyqtarët kanë kompetencë të shqyrtojnë të gjitha çështjet penale, civile, administrative si dhe çdo çështje tjetër të përcaktuar me ligj. Pushteti gjyqësor ushtrohet nga Gjykata e Lartë, gjykatat e apelit dhe gjykatat e shkallës së parë, të cilat krijohen me ligj. Kuvendi mund të krijojë me ligj gjykata të tjera për fusha të veçanta, por në asnjë rast gjykata të jashtëzakonshme.

 

Sistemi ynë i Drejtësisë është i organizuar në tre shkallë, të cilat janë në gjykata të shkallës së parë, gjykata apeli dhe 1 gjykatë e lartë, i cili përfshin 20 gjykata, ndër të cilat 13 gjykata të shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm, 1 gjykatë apeli të juridiksion të përgjithshëm, 2 gjykata administrative të shkallës së parë, 1 gjykatë Administrative Apeli, 1 gjykatë  e posaçme e shkallës së parë për korrupsionin dhe krimin e organizuar, 1 gjykatë e posaçme Apeli për korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe Gjykata e Lartë. Numri total i magjistratëve në të gjithë gjykatat e Republikës së Shqipërisë është 408.

 

Organizimi i rretheve gjyqësore dhe kompetencave tokësore hartohet nga propozimi i  përbashkët i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Ministrit të Drejtësisë, i cili i përcillet për miratim Këshillit të Ministrave nga Ministri i Drejtësisë.

Këshilli i Lartë Gjyqësor propozon numrin e përgjithshëm të gjyqtarëve në Republikën e Shqipërisë bashkë me propozimin për buxhetin e sistemit gjyqësor, sipas procedurës së caktuar me ligj.

Gjykata e Lartë organizohet dhe funksionon në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, me seli në Tiranë.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë dhe e Apelit për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar organizohen dhe funksionojnë për të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, me seli në Tiranë.

Gjykata Administrative e Apelit organizohet dhe funksionon në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, me seli në Tiranë.

Gjykatat Administrative të Shkallës së Parë, organizohen dhe funksionojnë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, me seli në: Tiranë, Lushnje.

Gjykatat e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm organizohen dhe funksionojnë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

 

Me qëllim rritjen e efiçencës dhe për të siguruar specializimin në gjykata numri minimal në gjykatën e shkallës së parë me juridiksion të përgjithshëm dhe administrativ, duhet të jetë të paktën shtatë gjyqtarë, në gjykatën e apelit me juridiksion të përgjithshëm dhe administrativ të paktën dhjetë gjyqtarë, në gjykatat e posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar të shkallës së parë nga të paktën 16 gjyqtarë; gjykatat e posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar të apelit të përbëhen nga të paktën 11 gjyqtarë.

 

Gjykatat e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm kanë juridiksion të përgjithshëm dhe për rrjedhojë ato përbëjnë hallkën themelore të sistemit tonë të drejtësisë. Gjykatat e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm shqyrtojnë çështjet gjyqësore, sipas rregullave të detyrueshme, të njëjta e të barabarta për gjykimin e mosmarrëveshjeve civile e të mosmarrëveshjeve të tjera, të parashikuara në Kodin e Procedurës Civile e në ligje të veçanta, si dhe veprat penale sipas rregullave dhe përgjegjësive të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale.

 

Gjykatat me juridiksion të përgjithshëm të shkallës së parë dhe të apelit, gjykatat administrative të shkallës së parë dhe të apelit, si dhe gjykata e posaçme, për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar të shkallës së parë dhe të apelit, gjykojnë me trup gjykues të përbërë nga një gjyqtar, ose me trup gjykues të përbërë nga 3 gjyqtarë, sipas parashikimeve të ligjeve procedurale, përveç rasteve kur në ligj parashikohet ndryshe.

 

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, gjykon veprat penale të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, si dhe akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, anëtarit të Këshillit të Ministrave, gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Kryetarit të Bashkisë, deputetit, zëvendësministrit, anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dhe drejtuesve të institucioneve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj, si dhe akuzat kundër ish-funksionarëve të sipërpërmendur.

 

Gjykatat e Apelit, gjykojnë në shkallë të dytë ankimet kundër vendimeve të Gjykatave të Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, përveç rasteve kur në ligj parashikohet ndryshe. Ato i marrin vendimet në trup gjykues të përbërë nga 3 (tre) gjyqtarë, përveç rasteve kur në ligj parashikohet ndryshe.

 

Gjykata Administrative e Apelit, gjykon në shkallë të dytë ankimet kundër vendimeve të gjykatës administrative të shkallës së parë (dhe rastet kur në ligj parashikohet ndryshe). Gjykata Administrative e Apelit gjykon me trup gjykues të përbërë nga 3 (tre) gjyqtarë, përveç rasteve kur në ligj parashikohet ndryshe.

 

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, gjykon në shkallë të dytë ankimet kundër vendimeve të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, gjykon me trup gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë, çështjet e gjykuara nga gjykata e shkallës së parë për korrupsionin dhe krimin e organizuar.

 

Gjykata e Lartë, gjykon çështje të juridiksionit të përgjithshëm dhe të posaçëm dhe organizohet në Kolegjin Civil, Kolegjin Penal dhe Kolegjin Administrativ.

 

Kolegji Civil shqyrton rekurse ndaj vendimeve të gjykatave me juridiksion të përgjithshëm për çështje tregtare, civile dhe familjare, si dhe çështje të tjera të caktuara në kompetencë me ligj. Kolegji Civil gjykon në kolegj me trup gjykues të përbërë nga 3 gjyqtarë. Në rastet e gjykimeve, për njësimin dhe zhvillimin e praktikës gjyqësore, Kolegji Civil gjykon në kolegje me trup gjykues të përbërë nga 5 gjyqtarë.

 

Kolegji Penal shqyrton rekurse ndaj vendimeve të gjykatave me juridiksion të përgjithshëm dhe gjykatave të posaçëm për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar për çështje penale, si dhe çështje të tjera të caktuara në kompetencë me ligj. Kolegji Penal gjykon në kolegj me trup gjykues të përbërë nga 3 gjyqtarë. Në rastet e gjykimeve, për njësimin dhe zhvillimin e praktikës gjyqësore, Kolegji Penal gjykon në kolegje me trup gjykues të përbërë nga 5 gjyqtarë.

 

Kolegji Administrativ shqyrton rekurse ndaj vendimeve të gjykatave administrative. Kolegji Administrativ gjykon me 3 gjyqtarë të gjitha çështjet, me përjashtim të rekurseve të paraqitura kundër vendimeve të Gjykatës Administrative të Apelit, që kanë shqyrtuar padi ndaj aktit nënligjor normativ, si dhe gjykimeve në seancë gjyqësore, për njësimin ose zhvillimin e praktikës gjyqësore, të cilat gjykohen me 5 gjyqtarë.