Forum 



Na kontaktoni

Këshilli i Lartë Gjyqësor

Godina “Poli i Drejtësisë “, Rruga “Ana Komnena”, Tiranë

 

KUSHTET PËR EMËRIM TË MAGJISTRATËVE, CAKTIMI NË POZICION, NGRITJA NË DETYRË DHE MBARIMI I STATUSIT TË MAGJISTRATIT

 

 

KREU II

EMËRIMI I MAGJISTRATËVE

 

Neni 35

Emërimi i kandidatit magjistrat të diplomuar

(ndryshuar pika 2, shfuqizuar pika 3, ndryshuar shkronjat “a” dhe “b” të pikës 4  me ligjin nr. 50/2021, datë 23.3.2021)

 

  1. I diplomuari emërohet magjistrat nëse plotëson njëkohësisht këto kritere:
  2. a) është diplomuar në Shkollën e Magjistraturës, në formimin fillestar, me të paktën 70 për qind të pikëve maksimale të mundshme;
  3. b) është vlerësuar minimalisht “mirë” për të gjitha detyrat e dhëna gjatë stazhit profesional në vitin e tretë të formimit fillestar;
  4. c) ka kaluar sërish verifikimin e pasurisë dhe figurës, të kryer nga Këshillat në përputhje me parashikimet në pikat 2 deri në 6, të nenit 32, të këtij ligji.
  5. I diplomuari që përmbush kriteret e përcaktuara në pikën 1 të këtij neni, për shkaqe të justifikuara, jo më vonë se dy javë nga data e publikimit të listës së të diplomuarve, mund të kërkojë që të emërohet si magjistrat në vitin pasardhës.
  6. Shfuqizuar.
  7. Brenda afatit njëmujor nga data e publikimit të listës së të diplomuarve, Këshillat:
  8. a) emërojnë magjistrat çdo person që është në listën e të diplomuarve, i cili përmbush kriteret e emërimit, ose refuzojnë të emërojnë magjistrat çdo person që është në listën e të diplomuarve, por që nuk përmbush kriteret e emërimit;
  9. b) lejojnë kandidatin që përmbush kriteret e emërimit për t’u emëruar në vitin pasardhës, pas paraqitjes së kërkesës sipas pikës 2 të këtij neni.
  10. Këshilli miraton rregulla të mëtejshme për arsyet e justifikuara për kandidimin në vitin pasardhës të mëvonshëm, sipas parashikimeve të pikës 2 të këtij neni.

 

Neni 36

Riemërimi magjistrat i ish-gjyqtarëve dhe ish-prokurorëve

 (ndryshuar me ligjin nr. 50/2021, datë 23.3.2021)

 

  1. Ish-gjyqtarët dhe ish-prokurorët mund të kandidojnë për t’u riemëruar si magjistratë jo më vonë se dy javë pas shpalljes së vendeve të lira, sipas pikës 1 të nenit 39 të këtij ligji.
  2. Këshillat shqyrtojnë kërkesat për t’u riemëruar në rast se numri i vendeve të lira është më i madh se numri i të diplomuarve që përmbushin kriteret e emërimit sipas nenit 35 të këtij ligji.
  3. Këshillat mund të riemërojnë magjistratë, brenda numrit të vendeve të lira, kandidatët që:
  4. a) përmbushin kriteret e shkronjave “a”, “b”, “d”, “dh”, “ë” dhe “f” të nenit 28 të këtij ligji;
  5. b) kanë ushtruar funksionin e magjistratit për të paktën 5 vjet në 15 vitet e fundit;
  6. c) nuk kanë mbajtur funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 viteve të fundit, përpara kërkesës për riemërim si magjistrat.

ç) kalojnë me sukses verifikimin e pasurisë dhe figurës, sipas rregullave të caktuara në nenin 32 të këtij ligji.

  1. Këshillat vendosin të refuzojnë riemërimin kur kandidati nuk plotëson kriteret e përcaktuara në pikën 3 të këtij neni.
  2. Këshillat miratojnë rregulla të detajuara për kriteret dhe procedurat për përzgjedhjen e ish-gjyqtarëve dhe ish-prokurorëve që mund të riemërohen si magjistratë në rastet kur numri i vendeve të lira është më i vogël se numri i kandidatëve që kanë kandiduar për t’u riemëruar dhe plotësojnë kriteret e përcaktuara në pikën 3 të këtij neni.

 

Neni 37

Betimi

(shtuar  fjalë në pikën 2 dhe shtuar pika 3 me ligjin nr. 15/2020, datë 12.2.2020)

 

  1. Magjistrati, para fillimit të ushtrimit të funksionit, bën betimin si më poshtë:

“Betohem solemnisht se gjatë kryerjes së detyrës do t'i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ligjeve në fuqi dhe do të respektoj rregullat e etikës profesionale”.

  1. Betimi i magjistratit bëhet me një ceremoni publike përpara Këshillit të Lartë Gjyqësor ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Këshilli organizon ceremoninë e betimit jo më vonë se 10 ditë nga data e emërimit të magjistratëve.
  2. Nëse magjistrati nuk është thirrur për të bërë betimin, pas përfundimit të afatit të parashikuar në pikën 2, të këtij neni, ai betohet me shkrim, sipas formulës së parashikuar në pikën 1, të këtij neni, dhe ia dërgon atë të nënshkruar personalisht Këshillit. Data e ceremonisë së betimit ose data e dërgimit të betimit me shkrim pranë Këshillit konsiderohet si data e betimit dhe e fillimit të ushtrimit të funksionit të magjistratit.

 

KREU III

CAKTIMI NË POZICION

 

Neni 39

Caktimi në pozicion i magjistratit të emëruar

(shtuar fjali në pikën 1, ndryshuar shkronja “b” e pikës 3, ndryshuar pika 4, shtuar pika 4/1  me ligjin nr. 50/2021, datë 23.3.2021)

 

  1. Brenda muajit qershor të çdo viti, pas përfundimit të procedurave të transferimit paralel dhe ngritjes në detyrë, secili Këshill shpall vendet e lira për të emëruarit. Jo më vonë se dy javë nga shpallja e vendeve të lira, të emëruarit i bëjnë me dije Këshillit, sipas renditjes preferenciale, tri gjykata ose prokurori në të cilat kërkojnë të caktohen.
  2. Brenda muajit korrik të çdo viti, secili Këshill publikon vendimet e tij për caktimin e të emëruarve në pozicionet e lira për magjistrat.
  3. Caktimi në pozicion i të emëruarit të sapodiplomuar në Shkollën e Magjistraturës është parësor dhe bazohet në:
  4. a) renditjen e tyre në listën e të diplomuarve, sipas nenit 34 të këtij ligji;
  5. b) përmbushjen e preferencave të deklaruara nga të emëruarit, sipas pikës 1 të këtij neni, duke e zbatuar, për aq sa është e mundur, në përputhje me shkronjën “a” të pikës 3 të këtij neni.
  6. Pas caktimit në pozicion të të emëruarve, sipas përcaktimeve të pikës 3 të këtij neni, Këshillat shpallin vendet e lira për caktimin në pozicion të magjistratëve të riemëruar sipas nenit 36 të këtij ligji.

4/1. Caktimi në pozicion i të riemëruarve sipas nenit 36 të këtij ligji bazohet:

  1. a) së pari, në rezultatet e vlerësimit të aftësive profesionale, sipas parashikimeve të nenit 49 të këtij ligji;
  2. b) së dyti, në rastin kur ka barazi në aftësitë profesionale, mbizotëron kriteri i përvojës profesionale, duke iu referuar viteve të përvojës në sistemin gjyqësor ose prokurorisë;
  3. c) së treti, duke përmbushur preferencat në tri gjykata ose prokurori të deklaruara nga të riemëruarit, në respektim të përcaktimeve të bëra në shkronjat “a” dhe “b” të kësaj pike, për aq sa gjejnë zbatim.
  4. I emëruari që caktohet në pozicion në gjykatat administrative, duhet të ketë përvojë pune në të paktën një vit e gjysmë në administratën publike ose të ketë rezultate “shumë të mira” në lëndët e së drejtës administrative në Shkollën e Magjistraturës.

 

Neni 40

Caktimi i përkohshëm në pozicione të komanduara të të emëruarve

 

  1. Brenda afatit kohor të përcaktuar në pikat 1 dhe 2, të nenit 39, të këtij ligji, në rastin kur numri i kërkesave për t’u caktuar në pozicion është më i madh se numri i vendeve të lira për magjistrat, Këshillat e caktojnë të emëruarin në një pozicion të komanduar në një institucion.
  2. Në rastet kur i emëruari caktohet në një pozicion të komanduar në një institucion:
  3. a) Këshillat i ofrojnë të emëruarit mundësinë e zgjedhjes për të paktën dy pozicione, sipas radhës së renditjes së tyre në listën e të diplomuarve;
  4. b) i emëruari i caktuar në një pozicion të komanduar në një institucion duhet të marrë pjesë në procedurën e radhës të lëvizjes paralele në shkallën e parë, me qëllim që të caktohet sa më shpejt në një pozicion të lirë si magjistrat;
  5. c) i emëruari i caktuar në një pozicion të komanduar në një institucion përfiton pagë dhe përfitime të tjera financiare të barabarta me ato që përfitojnë magjistratët e shkallës së parë.
  6. Këshillat miratojnë rregulla më të detajuara për përcaktimin e kritereve, kushteve dhe procedurën e caktimit të të emëruarve në pozicione të komanduara, me qëllim që të sigurojnë që pozicioni për çdo të emëruar të jetë i përshtatshëm me profilin e magjistratit.

 

KREU V

NGRITJA NË DETYRË

 

Neni 47

Kriteret minimale të përvojës profesionale për ngritjen në detyrë

(shtuar fjalë në shkronjën “b” të pikës 2 me ligjin nr. 50/2021, datë 23.3.2021)

 

  1. “Ngritja në detyrë” është kalimi nga:
  2. a) një pozicion në sistemin gjyqësor ose të prokurorisë, në një pozicion tjetër të një niveli më të lartë;
  3. b) një pozicion i juridiksionit të përgjithshëm civil, penal ose administrativ në një pozicion në një prej gjykatave të posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar ose në Prokurorinë e Posaçme;
  4. c) një pozicion si magjistrat, në pozicionin e kryetarit të një gjykate ose prokurorie;

ç) një pozicion i komanduar ose pozicion në skemën e delegimit, në një pozicion të një niveli më të lartë sesa pozicioni i mbajtur para komandimit.

  1. Magjistrati ngrihet në detyrë nëse plotëson këto kritere minimale për përvojën profesionale:
  2. a) për pozicionin gjyqtar në gjykatën e posaçme të shkallës së parë për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, magjistrati duhet të ketë ushtruar funksionin jo më pak se shtatë vjet si gjyqtar, nga të cilat të paktën pesë vjet si gjyqtar në fushën e drejtësisë kriminale ose si inspektor në Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, duke përfshirë edhe përvojën si magjistrat i komanduar;
  3. b) për pozicionin gjyqtar apeli në Gjykatën e Posaçme të Apelit për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, magjistrati duhet të ketë ushtruar funksionin jo më pak se dhjetë vjet si gjyqtar, nga të cilat të paktën pesë vjet si gjyqtar për çështjet penale ose si inspektor në Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë duke përfshirë edhe përvojën si magjistrat i komanduar;
  4. c) për pozicionin prokuror në Prokurorinë e Posaçme, magjistrati duhet të ketë ushtruar funksionin për jo më pak se dhjetë vjet si prokuror, duke përfshirë edhe përvojën si prokuror i komanduar.
  5. Për të gjitha pozicionet e përcaktuara në pikën 1, të këtij neni, magjistrati duhet të përmbushë edhe kriteret e tjera dhe kushtet e sigurisë, të parashikuara në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”.
  6. Magjistrati mund të ngrihet në detyrë në pozicione pranë gjykatave ose prokurorive të shkallës së dytë, nëse ka ushtruar funksionin jo më pak se shtatë vjet në shkallën e parë, nga të cilat të paktën pesë vjet në fushën e së drejtës përkatëse të përshtatshme për pozicionin e lirë, duke përfshirë edhe përvojën si magjistrat i komanduar.
  7. Magjistrati mund të ngrihet në detyrë në pozicione pranë Gjykatës së Lartë dhe Prokurorisë së Përgjithshme, nëse ka ushtruar funksionin jo më pak se trembëdhjetë vjet në nivele më të ulëta, nga të cilat të paktën pesë vjet në fushën e së drejtës përkatëse të përshtatshme për pozicionin e lirë, duke përfshirë edhe përvojën si magjistrat i komanduar.
  8. Magjistrati mund të ngrihet në detyrë, në pozicionin e kryetarit të gjykatës ose prokurorisë së shkallës së parë ose të dytë, nëse:
  9. a) ka ushtruar funksionin e magjistratit jo më pak se shtatë vjet, gjatë të cilës, të paktën katër vjet në të njëjtën shkallë, duke përfshirë edhe përvojën si magjistrat i komanduar;
  10. b) përmbush treguesit e kërkuar për aftësi organizative dhe drejtuese, të tilla si:
  11. i) përvoja si zëvendëskryetar, kryetar i një seksioni ose magjistrat për çështjet e shtypit;
  12. ii) përvoja në pozicione drejtuese në administratën publike ose të drejtësisë, ose përvoja si anëtar i Këshillit, që ka përfunduar të paktën në tre vjet më parë;

iii) njohuri për strukturat organizative dhe modele të ndryshme të drejtimit, si magjistrat në skemën e delegimit ose inspektor në Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë;

  1. c) nuk ka qenë anëtar i Këshillit në tre vitet e fundit.

 

Neni 48

Ngritja në detyrë në shkallët më të larta ose të specializuara

(shtuar fjalë në pikën 1 dhe në nënndarjen “ii” të shkronjës “a’ të pikës 9 me ligjin nr. 48/2019, datë 18.7.2019; ndryshuar pika 6, ndryshuar shkronjat “a” dhe “c” të pikës 14 me ligjin nr. 50/2021, datë 23.3.2021)

 

  1. Pozicionet në Gjykatën e Lartë, Prokurorinë e Përgjithshme, Prokurorinë e Posaçme dhe gjykatat e posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar plotësohen nëpërmjet procedurës së ngritjes në detyrë. Pozicionet në gjykatat e tjera të apelit plotësohen nëpërmjet procedurave të lëvizjes paralele, në përputhje me nenet 42 dhe 43 të këtij ligji.
  2. Në rastin kur ka shumë pozicione të lira, të cilat nuk plotësohen me lëvizje paralele, secili Këshill organizon një procedurë ngritje në detyrë për çdo pozicion të lirë, të paktën një herë në çdo tre muaj. Pozicionet plotësohen jo më vonë se tre muaj nga dita e shpalljes së procedurës.
  3. Këshillat shpallin procedurën e ngritjes në detyrë dhe bëjnë thirrje që të kandidojë:
  4. a) magjistrati që plotëson kriteret për ngritjen në detyrë, në përputhje me kërkesat e pozicionit të lirë të shpallur;
  5. b) magjistrati i komanduar ose magjistrati në skemën e delegimit që plotëson kriteret për ngritjen në detyrë, në përputhje me kërkesat e pozicionit të lirë të shpallur;
  6. c) juristi i spikatur, sipas përcaktimeve të nenit 49 të këtij ligji.
  7. Kandidati që ka ushtruar funksionin si anëtar i Këshillit, përjashtohet nga procedura e ngritjes në detyrë gjatë kohës së ushtrimit të funksionit si anëtar, si dhe tre vjet pas mbarimit të mandatit.
  8. Në zbatim të pikës 3, të këtij neni, shpallja publikohet të paktën në faqen zyrtare të Këshillit dhe duhet të përmbajë informacionin e nevojshëm për pozicionin e lirë, si dhe të përcaktojë:
  9. a) afatin e kandidimit, i cili është të paktën dy javë nga data e shpalljes së procedurës;
  10. b) informacionin dhe dokumentacionin që i bashkëlidhet kandidimit;
  11. c) procedurën e kandidimit dhe vendin e dorëzimit të dokumentacionit.
  12. Pas shpalljes së procedurës së ngritjes në detyrë, magjistrati mund të kandidojë për jo më shumë se tri pozicione të lira, që janë në proces. Nëse magjistrati kandidon për më shumë se tri pozicione të lira në proces, kandidime të vlefshme konsiderohen ato të bëra më parë në kohë, ose në rastin e shumë kandidimeve në të njëjtën kohë, ato sipas radhës kronologjike të pozicioneve të shpallura, duke filluar nga ai i shpallur më parë. Magjistrati që kandidon për më shumë se një pozicion, bën renditjen e tyre sipas preferencës.
  13. Këshilli verifikon kandidatët, sipas parashikimeve të pikave 2 deri në 7, të nenit 32, të këtij ligji.
  14. Vetëm kandidatët të cilët kalojnë verifikimin e pasurisë dhe figurës dhe që nuk kanë masa disiplinore në fuqi, pranohen në procedurat e mëtejshme të ngritjes në detyrë.
  15. Këshillat shqyrtojnë kandidimet dhe rendisin kandidatët që përmbushin kriteret, sipas rezultateve të mëposhtme:
  16. a) së pari, dy vlerësimet e mëparshme, duke pasur parasysh:
  17. i) që përvoja në pozicionet e komanduara, si magjistrat në skemën e delegimit, ose si anëtar i Këshillit që i ka mbaruar mandati tre vite përpara kandidimit do të ketë përparësi;
  18. ii) në rastet e më shumë kandidatëve me rezultate të njëjta, magjistratët brenda grupit të kandidatëve me rezultatet më të larta të vlerësimit do të renditen sipas skemës së pikëve, të përcaktuar nga këshillat;
  19. b) së dyti, në rast se pas vlerësimit të bërë sipas shkronjës “a”, të pikës 9, të këtij neni, ka më shumë se një kandidat me pikë më të larta, Këshilli rendit këta kandidatë, sipas përvojës profesionale specifike që kërkohet për pozicionin e lirë;
  20. c) së treti, në rast se pas vlerësimit të bërë, sipas shkronjës “b”, të pikës 9, të këtij neni, ka më shumë se një kandidat me pikë më të larta, Këshilli rendit këta kandidatë sipas vjetërsisë si magjistrat ose jurist.
  21. Këshillat vendosin të ngrenë në detyrë kandidatët e vlerësuar me pikët më të larta të arritura, sipas procedurës dhe rregullave të parashikuara në pikat 9 dhe 14, të këtij neni. Rregullat e parashikuara në nenin 41, pikat 2 deri në 4, aplikohen për aq sa gjejnë zbatim.
  22. Për procedurën e ngritjes në detyrë, për plotësimin e një pozicioni të lirë në Gjykatën e Lartë, Këshilli i Lartë Gjyqësor propozon me shkrim emërimin e kandidatëve që plotësojnë kriteret ligjore, duke arsyetuar përmbushjen e kritereve dhe duke bërë renditjen e kandidatëve, sipas procedurës dhe rregullave të parashikuara në pikat 9 dhe 14 të këtij neni.
  23. Propozimi për emërimin është i ankimueshëm. Rregullat e parashikuara në nenin 41, pikat 2 deri në 4, aplikohen për aq sa gjejnë zbatim. Këshilli bën publik vendimin përfundimtar të propozimit për emërim në faqen e tij zyrtare. Vendimi i këshillave për moscaktimin në detyrë në gjykatat e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe Prokurorinë e Posaçme është i formës së prerë.
  24. Ngritja në detyrë e gjyqtarit me renditjen më të lartë dekretohet nga Presidenti i Republikës, në përputhje me nenin 136, pika 2, të Kushtetutës.
  25. Këshillat miratojnë rregulla më të detajuara, të cilat përcaktojnë:
  26. a) kriteret për vlerësimin ndërmjet kandidatëve me nivel të njëjtë vlerësimi etik dhe profesional;
  27. b) kriteret për vlerësimin e përvojës profesionale që kërkohet për pozicionin e lirë;
  28. c) procedurën që ndiqet në rastin e kandidatëve me rezultate të njëjta;

ç) zbatimin dhe përshtatjen e parashikimeve të këtij neni për pozicionet e lira  të përkohshme.

 

KREU VIII

MBARIMI I STATUSIT TË MAGJISTRATIT

 

Neni 64

Kohëzgjatja në detyrë e magjistratit

(shfuqizuar pika 5 me vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. 34, datë 10.4.2017, ndryshuar shkronja “c” e pikës 1, pika 4 dhe 5 me ligjin nr. 48/2019, datë 18.7.2019; ndryshuar shkronja “c” në pikën 1, ndryshuar pika 5 dhe 6 me ligjin nr. 50/2021, datë 23.3.2021)

 

  1. Statusi i magjistratit mbaron në rastet kur:
  2. a) jep dorëheqjen;
  3. b) vërtetohen kushtet e pazgjedhshmërisë dhe të papajtueshmërisë në ushtrimin e funksionit;
  4. c) mbush moshën e pensionit të pleqërisë, sipas parashikimit të këtij ligji;

ç) shkarkohet nga funksioni për përgjegjësi disiplinore, sipas parashikimeve të këtij ligji;

  1. d) vërtetohet fakti i pamundësisë për të ushtruar detyrën.
  2. Gjyqtari i Gjykatës së Lartë del në pension në moshën 70 vjeç. Gjyqtarit të Gjykatës së Lartë i mbaron mandati kur mbush moshën 70 vjeç, pavarësisht nga vitet e ushtrimit të funksionit në këtë pozicion.
  3. Prokurori i Përgjithshëm del në pension në moshën 70 vjeç. Prokurorit të Përgjithshëm i mbaron mandati kur mbush 70 vjeç, pavarësisht nga vitet e ushtrimit të funksionit në këtë pozicion.
  4. Mandati i Prokurorit të Prokurorisë së Posaçme mbaron në fundin e muajit në të cilin mbush moshën 67 vjeç, pavarësisht viteve që ai ka qenë në detyrë në këtë pozicion.
  5. Magjistrati del në pension pleqërie në moshën 67 vjeç. Magjistrati, me kërkesën e tij, mund të qëndrojë në detyrë deri në moshën 70 vjeç. Kërkesa për qëndrimin në detyrë paraqitet jo më vonë se 6 muaj përpara plotësimit të moshës për pension. Statusi i magjistratit mbaron kur mbush moshën 67 vjeç ose moshën 70 vjeç, në rastet kur ka kërkuar të qëndrojë në detyrë deri në këtë moshë. Këshilli deklaron me vendim mbarimin e statusit të magjistratit, jo më vonë se dy javë para fundit të muajit përkatës.
  6. Mbarimi i mandatit të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë deklarohet me vendim të Gjykatës së Lartë jo më vonë se dy javë para fundit të muajit përkatës. Mbarimi i mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm dhe prokurorit të Prokurorisë së Posaçme deklarohet me vendim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë jo më vonë se dy javë para fundit të muajit përkatës.