Forum 



Na kontaktoni

Këshilli i Lartë Gjyqësor

Godina “Poli i Drejtësisë “, Rruga “Ana Komnena”, Tiranë



GJYKATA KUSHTETUESE

 

Neni 124

(Ndryshuar neni me ligjin Nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

 

  1. Gjykata Kushtetuese zgjidh mosmarrëveshjet kushtetuese dhe bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës.
  2. Gjykata Kushtetuese i nënshtrohet vetëm Kushtetutës.
  3. Gjykata Kushtetuese ka buxhet të veçantë, të cilin e administron në mënyrë të pavarur.

 

Neni 125

(Ndryshuar neni me ligjin Nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

 

  1. Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë. Tre anëtarë emërohen nga Presidenti i Republikës, tre anëtarë zgjidhen nga Kuvendi dhe tre anëtarë zgjidhen nga Gjykata e Lartë. Anëtarët përzgjidhen ndërmjet kandidatëve të renditur në tri vendet e para të listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, sipas ligjit.
  2. Kuvendi zgjedh gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese me jo më pak se tri të pestat e të gjithë anëtarëve të tij. Nëse Kuvendi nuk zgjedh gjyqtarin brenda 30 ditëve nga paraqitja e listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, kandidati i renditur i pari në listë shpallet i emëruar.
  3. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese qëndrojnë në detyrë për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi.
  4. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese duhet të kenë arsim të lartë juridik, të paktën 15 vjet përvojë pune si gjyqtarë, prokurorë, avokatë, profesorë ose lektorë të së drejtës, nëpunës të nivelit të lartë në administratën publike, me një veprimtari të spikatur në fushën e së drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose në sfera të tjera të së drejtës.
  5. Gjyqtari nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në një parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit. Kritere të tjera, si dhe procedura për emërimin dhe zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese rregullohen me ligj.
  6. Përbërja e Gjykatës Kushtetuese përtërihet çdo 3 vjet me një të tretën e saj, sipas procedurës së përcaktuar me ligj.
  7. Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese vazhdon në detyrë deri në zgjedhjen e pasardhësit të tij, me përjashtim të rasteve të parashikuara në nenin 127, paragrafi 1, nënparagrafët “c”, “ç”, “d” dhe “dh”.

 

 Neni 126

(Ndryshuar neni me ligjin Nr. 88/2012, datë 18.9.2012; ndryshuar neni me ligjin Nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

 

Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese gëzon imunitet për mendimet e shprehura dhe vendimet e marra në ushtrim të funksioneve të tij, përveç rasteve kur ai ka vepruar për një interes vetjak ose me keqbesim.

 

Neni 127

(Ndryshuar neni me ligjin Nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

 

  1. Mandati i gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese mbaron kur:
  2. a) mbush moshën 70 vjeç;
  3. b) përfundon mandatin 9-vjeçar;
  4. c) jep dorëheqjen;

ç) shkarkohet sipas parashikimeve të nenit 128 të Kushtetutës;

  1. d) vërtetohen kushtet e pazgjedhshmërisë dhe të papajtueshmërisë në ushtrimin e funksionit;
  2. dh) vërtetohet fakti i pamundësisë për të ushtruar detyrën.
  3. Mbarimi i mandatit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese deklarohet me vendim të Gjykatës Kushtetuese.
  4. Në rast se vendi i gjyqtarit mbetet vakant, organi i emërtesës emëron një gjyqtar të ri, i cili qëndron në detyrë deri në përfundimin e mandatit të gjyqtarit të larguar.

 

Neni 128

(Ndryshuar neni me ligjin Nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

 

  1. Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese mban për-gjegjësi disiplinore sipas ligjit.
  2. Procesi disiplinor ndaj gjyqtarit zhvillohet nga Gjykata Kushtetuese, e cila vendos për shkarkimin e tij kur:
  3. a) konstaton shkelje të rënda profesionale ose etike që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të mandatit;
  4. b) dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.
  5. Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese pezullohet nga detyra me vendim të Gjykatës Kushtetuese kur:
  6. a) ndaj tij caktohet masa e sigurimit personal “arrest në burg” ose “arrest në shtëpi” për kryerjen e një vepre penale;
  7. b) ai merr cilësinë e të pandehurit për një krim të kryer me dashje;
  8. c) fillon procedimi disiplinor, sipas ligjit.

 

Neni 129

 

Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit të Republikës.

 

Neni 130

(Ndryshuar neni me ligjin Nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

 

Qenia gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese nuk pajtohet me asnjë veprimtari tjetër politike, shtetërore, si dhe me veprimtari profesionale që ushtrohen kundrejt pagesës, me përjashtim të atyre të mësimdhënies, akademike dhe shkencore, sipas ligjit.

 

Neni 131

(Ndryshuar shkronja ‘e’ me ligjin Nr. 137/2015, datë 17.12.2015; ndryshuar shkronja ‘f’ dhe shtuar pika 2 me ligjin Nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

 

Gjykata Kushtetuese vendos për:

  1. a) pajtueshmërinë e ligjit me Kushtetutën ose me marrëveshjet ndërkombëtare, siç parashikohet në nenin 122;
  2. b) pajtueshmërinë e marrëveshjeve ndërkombëtare me Kushtetutën para ratifikimit të tyre;
  3. c) pajtueshmërinë e akteve normative të organeve qendrore dhe vendore me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare;

ç) mosmarrëveshjet e kompetencës ndërmjet pushteteve, si dhe ndërmjet pushtetit qendror dhe qeverisjes vendore;

  1. d) kushtetutshmërinë e partive dhe të organizatave të tjera politike, si dhe të veprimtarisë së tyre, sipas nenit 9 të kësaj Kushtetute;
  2. dh) shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës dhe vërtetimin e pamundësisë së ushtrimit të funksioneve të tij;
  3. e) çështjet që lidhen me zgjedhshmërinë dhe papajtueshmëritë në ushtrimin e funksioneve të Presidentit të Republikës, të deputetëve, të funksionarëve të organeve të parashikuara në Kushtetutë, si dhe me verifikimin e zgjedhjes së tyre;

ë) kushtetutshmërinë e referendumit dhe verifikimin e rezultateve të tij;

  1. f) gjykimin përfundimtar të ankesave të individëve kundër çdo akti të pushtetit publik ose vendimi gjyqësor që cenon të drejtat dhe liritë themelore të garantuara në Kushtetutë, pasi të jenë shteruar të gjitha mjetet juridike efektive për mbrojtjen e këtyre të drejtave, përveçse kur parashikohet ndryshe në Kushtetutë.
  2. Gjykata Kushtetuese, në rastin kur vihet në lëvizje për shqyrtimin e një ligji për rishikimin e Kushtetutës, të miratuar nga Kuvendi sipas nenit 177, kontrollon vetëm respektimin e procedurës së parashikuar nga Kushtetuta.

 

Neni 132

(Ndryshuar neni me ligjin Nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

 

  1. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim.
  2. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese hyjnë në fuqi ditën e publikimit në Fletoren Zyrtare. Gjykata Kushtetuese mund të urdhërojë që vendimi i saj, me të cilin ka shqyrtuar aktin, të fillojë efektet në një datë tjetër.
  3. Mendimi i pakicës publikohet bashkë me vendimin përfundimtar.

 

Neni 133

(Ndryshuar pika 2 me ligjin Nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

 

  1. Pranimi i ankesave për gjykim vendoset nga një numër gjyqtarësh, siç përcaktohet me ligj.
  2. Gjykata Kushtetuese merr vendim përfundimtar me shumicën e të gjithë anëtarëve të saj, me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe në ligj.

 

Neni 134

(Ndryshuar neni me ligjin Nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

 

  1. Gjykata Kushtetuese vihet në lëvizje me kërkesë të:
  2. a) Presidentit të Republikës;
  3. b) Kryeministrit;
  4. c) jo më pak se një të pestës së deputetëve;

ç) Avokatit të Popullit;

  1. d) Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit;
  2. dh) çdo gjykate, sipas nenit 145, pika 2, të kësaj Kushtetute;
  3. e) çdo komisioneri të krijuar me ligj për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara nga Kushtetuta;

ë) Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë;

  1. f) organeve të qeverisjes vendore;
  2. g) organeve të bashkësive fetare;
  3. gj) partive politike;
  4. h) organizatave;
  5. i) individëve.
  6. Subjektet e parashikuara nga nënparagrafët “d”, “dh”, “e”, “ë”, “f”, “g”, “gj”, “h” dhe “i”, të paragrafit 1, të këtij neni, mund të bëjnë kërkesë vetëm për çështje që lidhen me interesat e tyre.