Ankimi ndaj një vendimi gjyqësor

Të gjitha vendimet e dhëna nga Gjykatat e Rretheve Gjyqësore, mund të ankimohen në Gjykatën e Apelit, me përjashtim të rasteve kur ankimi përjashtohet nga ligji. Vendimet gjyqësore janë objekt shqyrtimi vetëm mbi bazën e ankimeve kundër tyre sipas përcaktimeve në Kodet e Proçedurave ose në ligje të veçanta.

Pra, vendimet e Gjykatave të Rretheve jane vendime të shkallës së parë. Ato mund të ekzekutohen vetëm kur marrin formë të prerë. Në Kodet e Proçedurave (Penale e Civile) përcaktohen qartë së kur marrin formë të prerë dhe cilat janë mjetet e ankimit, afatet e ankimit, kur paraqiten ankimet dhe mënyrën e gjykimit të tyre.

 

Ankimi kundër një vendimi civil
Në fushën, civile kundër vendimeve të Gjykatave janë parashikuar disa mjete ligjore mbrojtjeje. Ato janë:

Ankimi në Gjykatën e Apelit
Rekursi në Gjykatën e Lartë
Kërkesa për rishikim
Afati i rishikimit në Gjykatën e Apelit kundër vendimeve përfundimtare të Gjykatës së Rrethit është 15 ditë, kurse afati për të bërë rekurs në Gjykatën e Lartë kundër vendimeve të Gjykatës së Apelit është 30 ditë. Këto afate jane të prera dhe fillojnë nga dita e nesërme e shpalljes së vendimit përfundimtar. Kur çështja është gjykuar dhe nga Gjykata e Rrethit dhe nga Gjykata e Apelit në mungesë të njërës palë, ky akt fillon nga dita e njoftimit të vendimit.

Kërkesa për rishikim mund të paraqitet brenda 30 ditëve nga dita që pala ka marrë dijeni për shkakun e rishikimit, por në çdo rast jo më vonë se një vit nga data që ka lindur shkaku i rishikimit. Në nenin 496 të Kodit të Proçedurës Civile parashikohet që afati prej 30 ditësh të kërkësës për rishikim, në disa raste fillon nga dita që vendimi ka marrë formë të prerë.

Këto raste janë:

Kur vërtetohet se thëniet e dëshmitarëve apo mendimet e ekspertëve mbi të cilat ështe bazuar vendimi, kanë qënë të rreme;
Kur palët osë përfaqësuesit e tyre, apo ndonjë anëtarë i trupit gjykues ka marrë pjesë në gjykimin e çështjes, kanë kryer vepra të dënueshme penalisht, të cilët kanë ndikuar në dhënien e vendimit;
Kur vërtetohet se vendimi i dhënë është bazuar në dokumenta të fallsifikuar.
Megjithatë, ankimi në Gjykatën e Apelit, rekursi në Gjykatën e Lartë dhe kërkesa për rishikimin, nuk mund të bëhen pasi ka kaluar një vit nga shpallja e vendimit. Kjo dispozitë (neni 445 i Kodit të Proçedurës Civile "Prekluziviteti i ankimimit) nuk zbatohet kur pala në mungesë vërteton se nuk ka qënë në dijeni të proçesit gjyqësor për shkak të pavlefshmërisë së njoftimeve".

 


Ankimi kundër një vendimi penal
Në çështjet penale mjetet e ankimimit janë: apeli, rekursi në Gjykatën e Lartë dhe kërkesa për rishikim.

Afati për të bërë ankim në Gjykatën e Apelit është 10 ditë duke filluar nga e nesërmja e shpalljes së vendimit ose njoftimit të vendimit. Ankim mund të bëjë prokurori, i dëmtuari akuzues, i pandehuri si dhe paditësi civil dhe i padituri civil.

Ankimi paraqitet në sekretarinë e Gjykatës që ka dhënë vendimin e ankimuar, ose mund të paraqitet edhe në Gjykatën kur ka vendbanimin pala e interesuar. Në këto raste, akti dërgohet menjeherë në sekretarinë e Gjykatës që ka dhënë vendimin.

Gjithashtu ankimi mund të dërgohet edhe me postë rekomande në sekretarinë e Gjykatës që ka dhënë vendimin. Akti i ankimit u njoftohet prokurorit, të pandehurit dhe palëve private, nga sekretaria e Gjykatës që ka dhënë vendimin.

Rekursi në Gjykatën e Lartë duhet të paraqitet me shkrim brenda 30 ditëve nga dita që vendimi ka marrë formën e prerë. Mund të bëhet rekurs i drejtëpërdrejtë në Gykatën e Lartë vetëm kundër vendimeve dhe urdhrave të Gjykatës, me të cilat disponohet mbi liritë personale, ose që krijojnë mosmarrëveshje juridiksioni e kompetence, si dhe rastet e veçanta të parashikuara me ligj.

 

 

Ankimi në Gjykatën e Apelit

1.Ankimi i Çështjeve Civile
Ankimi ndaj një vendimi civil të dhënë nga Gjykata e Rrethit paraqitet pranë kësaj Gjykate. Ai duhet të nënshkruhet nga vetë pala, avokati ose përfaqësuesi i pajisur me prokurë dhe në të duhet të tregohen:

Palët ndërgjygjësore,
Vendimi kundër të cilit bëhet ankimi,
Shkaqet për të cilat bëhet ankimi
Çfarë kërkohet me ankimin
Bashkë me ankimin duhet të paraqiten kopje të tij dhe të dokumenteve të tjera (kur ka të tilla) në numër aq sa janë personat që marrin pjesë në çështje si palë, si dhe prokura kur ankimi paraqitet nga avokati ose përfaqësuesi i palës.

Në rast se ankimi nuk plotëson kushtet e mësipërme, Gjykata njofton palën që të ndreqë të metat brenda 5 ditëve, në të kundërt ankimi kthehet.

Gjykata që ka dhënë vendimin nuk pranon ankimin kur:

Është paraqitur jashtë afatit të parashikuar në ligj,
Nuk ndreqen të metat brenda afatit të caktuar,
Është bërë kundër një vendimi ndaj të cilit nuk lejohet ankim,
Është hequr dorë nga ankimi
Mospranimi i ankimit mund të deklarohet në çdo shkallë gjykimi. Kundër vendimit për kthimin e ankimit mund të bëhet ankim i veçantë brenda 5 ditëve nga dhënia e vendimit. Ankimi pranohet mbasi konstatohet se ai është paraqitur brenda afatit 5 ditor dhe sipas rregullave të parashikuara nga Kodi i Proçedurës Civile. Administrata e Gjykatës së Rrethit pranon ankimin dhe shënon në të datën e paraqitjes.

Përveç kësaj shënim lihet edhe në Rregjistrin themeltar dhe në Rregjistrin e vendimeve, për të treguar së për këtë vendim pala e interesuar (paditësi ose i padituri) kanë paraqitur ankimin dhe duke qënë para një fakti të tillë, mënjanohet ndonjë gabim që mund të bëhet duke vënë shënim mbi kopjen e vendimit se ai ka marrë formë të prerë, gjë që do të sillte ngatërresa, sepse pala e interesuar mund të kërkonte ekzekutimin e këtij vendimi.

Kur palët kanë humbur të drejtën e ankimit për shkaqe të arsyeshme, mund të paraqesin ankesë për rivendosje në afat. Kërkesa paraqitet në gjykatën që ka dhënë vendimin.

Kur palët nuk janë dakort me vendimin e veçantë që jep gjykata për pranimin ose jo të kërkesës për rivendosje në afat, ata mund të bëjnë ankim brenda 5 ditëve nga e nesërmja e shpalljes së vendimit.

Kur ankimi është bërë brenda afatit dhe sipas rregullave që përmendëm më lart, administrata e Gjykatës së rrethit merr masat që ankimi t'u komunikohet palëve të interesuara pjesëmarrëse në gjykim. Ankimi shoqërohet edhe me një dëftesë komunikimi, e cila mbasi firmoset nga marrësi i kopjes së ankimit, i kthehet përsëri Gjykatës për të provuar se ankimi iu dorëzua palës tjetër.

Kodi i Proçedurës Civile në nenet 130, 131, 132,133 etj, parashikon deri në hollësi se si do të veprohet me komunikimet e tjera në rastet kur refuzohet të merret në dorëzim ankimi, ose kur nuk gjendet pala që duhet t'i jepet ankimi, ose kur nuk ka vendbanim të njohur etj.

Gjykata e Rrethit mbasi bindet se dëftesa e komunikimit të ankimit është e rregullt dhe e firmosur nga marrësi (pala e interesuar), ose për komunikimin është vepruar në një nga mënyrat e parashikuara nga nenet 130, 131, 132, 133 e vijues të Kodit të Proçedurës Civile, me shkresë përcjellëse, duke futur në dosje edhe dëftesën e komunikimit, e nis dosjen në Gjykatën e Apelit.

Pra ashtu si në Gjykatën e Rrethit, edhe në Gjykatën e Apelit (si dhe në Gjykatën e Lartë) dosjet do të ndahen midis gjyqtarëve me short. Mbasi dosja studiohet nga gjyqtari përkatës, caktohet data e gjykimit.

Njoftimi për datën dhe orën e gjykimit bëhet nga Gjykata e Apelit duke e afishuar këtë njoftim tek stendat e lajmërimeve që janë në hyrje të Gjykatës së Apelit. Kjo shpallje bëhet edhe në stendat e lajmërimeve të Gjykatave përkatëse të rrethit (para asaj Gjykate rrethi që ka dhënë vendimin). Ky njoftim duhet të bëhet jo më vonë se 10 ditë përpara shqyrtimit të çështjes.

Kur Gjykata e Apelit shqyrton çështje që janë në gjykim, ose e ka mbajtur çështjen për ta gjykuar vetë si Gjykatë Fakti, ose kur lind nevoja që çështja të gjykohet para afatit 10 ditor, të përmendur më lart, njoftimi në këto raste nuk bëhet me shpallje tek stendat e lajmërimeve, por njoftimi për datën e orën e gjykimit u bëhet drejtpërdrejtë palëve, përfaqësuesve ose mbrojtësve të tyre.

Mosparaqitja e palëve për të cilat njoftimi është bërë me shpallje nuk pengon shqyrtimin e çështjes, me përjashtim të rastit kur pala e interesuar ka njoftuar shkaqe të arsyeshme për mungesën.

Gjithashtu Gjykata e Apelit nuk mund të shqyrtojë çështjen në mungesë të palëve kur dëgjimi i tyre është një nga detyrat që i është vënë nga Gjykata e Lartë gjatë rigjykimit në Gjykatën e Apelit.

Po ashtu çështja nuk mund të gjykohet në mungesë të palëve, kur njoftimet për thirrjen e tyre nuk kanë qënë të rregullta.

Në Gjykatën e Apelit çështjet shqyrtohen në mënyrë kolegjiale. Kjo Gjykatë gjykon me trup gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë. Pasi shqyrtohen çështjet (kur ato janë çështje civile), Gjykata e Apelit mund të vendosë:

 

Lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së shkallës së parë,
Ndryshimin e vendimit,
Prishjen e vendimit dhe pushimin e çështjes,
Prishjen e vendimit dhe dërgimin e çështjes për rigjykim në Gjykatën e Rrethit, në rastet e parashikuara nga neni 467 i Kodit të Proçedurës Civile, çka do të thotë ndërmjet të tjerash se:
Gjykata e shkallës së parë ka shkelur dispozitat mbi juridiksionin dhe kompetencën,
Nuk ka qënë në rregull përbërja e trupit gjykues, apo vendimi nuk ështe nënshkruar nga gjyqtarët,
Çështja është gjykuar në mungesë pa patur dijeni palët për datën e gjykimit,
Kur mungojnë ose janë të pavlefshme padia, proçesverbali gjyqësor, ankimi si dhe çdo dokument tjetër që ka ndikuar në dhënien e vendimit,
Nuk është formuar drejt ndërgjyqësia.

2.Ankimi i Çështjeve Penale
Më lart kemi folur për ankimin në Gjykatën e Apelit të çështjeve civile. Ligji parashikon rregulla preçize për formën e ankimit, kush mund të bëjë ankim, vendin e paraqitjes dhe afatin e ankimit, kujt i komunikohet ankimi etj. edhe në proçesin penal.

Gjykata e Apelit mbasi shqyrton ankimin në një çështje penale mund të vendosë:

Lënien në fuqi të vendimit
Ndryshimin e vendimit
Prishjen e vendimit dhe pushimin e çëshjes kur jane raste qe nuk lejojnë fillimin ose vazhdimin e proçedimit ose kur nuk vërtetohet fajesia e të pandehurit.
Prishjen e vendimit dhe kthimin e akteve Gjykatës së shkallës së parë kur nuk janë respektuar dispozitat që lidhen me kushtet për të qënë gjyqtar në çështjen konkrete, me ushtrimin e ndjekjes penale nga prokurori dhe pjesëmarrjen e tij në proçedim me pjesëmarrjen e përfaqësuesit të të dëmtuarit akuzues dhe të mbrojtësit të të pandehurit, si dhe në çdo rast kur në dispozita të veçanta është parashikuar pavlefshmëria e vendimit.
Rekursi në Gjykatën e Lartë
Rekursi, si një nga mjetet e ankimit, është akti me të cilin palët ose pjesëmarrësit e tjerë në proçes parashtrojnë kundërshtimet e tyre ndaj vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë ose të Gjykatës së Apelit në Gjykatën e Lartë, sipas rregullave të përcaktuara në Kodin e Proçedurës Civile.

Mund të ankimohen me rekurs në Gjykatën e Lartë vendimet e shpallura nga Gjykata e Apelit dhe ato të Shkallës së Parë vetëm kur:

Nuk është respektuar ose është zbatuar keq ligji,
Ka shkelje të rënda të normave proçeduriale të parashikuara në nenin 467 të Kodit të Proçedurës Civile (rastet e nenit 467 janë përmendur më lart kur flitet për mënyrën se si mund të vendosë Gjykata e apelit mbas shqyrtimit të çështjes),
Për shkelje proçeduriale që kanë ndikuar në dhënien e vendimit.
Paraqitja e ankimit ne Gjykatën e Lartë, nuk pezullon ekzekutimin e vendimit të atakuar. Përjashtimisht Gjykata e Lartë pezullon ekzekutimin e vendimit vetëm në qoftë se:

Ekzekutimi i menjëhershëm i vendimit do të sillte pasoja të rënda e të pariparueshme, dhe
Pala që ka bërë rekursin depoziton garanci materiale që siguron ekzekutimin e vendimit.
Afati për të bërë rekurs në Gjykatën e Lartë kundër vendimeve të Gjykatës së Apelit është 30 ditë. Si për ankimin në Gjykatën e Apelit, kundër vendimeve të Gjykatës së Shkallës së Parë (Gjykatës së Rrethit) ashtu edhe për rekursin në Gjykatën e Lartë, ligji ka përcaktuar afate të cilat janë të prerë dhe fillojnë nga dita e nesërme e shpalljes së vendimit përfundimtar.

Në paragrafin e parë të nenit 467 të Kodit të Proçedurës Civile thuhet se rekursi paraqitet dhe depozitohet në sekretarinë e Gjykatës që ka dhënë vendimin. Nga kjo del e qartë se rekursi duhet të depozitohet, sipas rastit, në sekretarinë e Gjykatës së Apelit kur objekti i rekursit është vendimi i Gjykatës së Apelit, (dhe në fakt në pjesën më të madhe ndaj këtyre vendimeve bëhet rekurs) dhe në sekretarinë e Gjykatës së Rrethit për vendimet e dhëna prej saj që mund të ankimohen direkt në Gjykatën e Lartë, në rastet që parashikohen nga Kodi i Proçedurës Civile. Megjithatë, në praktikë me shprehjen "Gjykata që ka dhënë vendimin" është pranuar të quhet Gjykata e Rrethit.

Në rekurs duhet të shënohet se kush janë palët ndërgjyqëse (identiteti i tyre, vendbanimi etj), numri dhe dita e vendimit që kundërshtohet dhe cila Gjykatë e ka dhënë, të paraqiten në mënyrë të përmbledhur faktet e çështjes (faktet e ndodhura, cilat janë ato, provat e administruara apo ato që kërkon pala dhe që pretendon se e bazon kërkesën e saj ndaj vendimit të ankimuar) të tregohen shkaqet për të cilat kërkohet prishja e vendimit, duke iu referuar normave ligjore mbi të cilat mbështetet, dhe nëse rekursi është bërë nga avokati ose nga pala në proçes