PARAQITJA E KERKESE PADISE

 

Neni 153

Hartimi i padisë

Gjykimi i një çështjeje në gjykatë fillon me paraqitjen e kërkesëpadisë me shkrim.

Neni 154

(Ndryshuar me ligjet nr. 8812, datë 17.5.2001; nr. 122/2013, datë 18.4.2013 dhe nr. 38/2017, datë 30.3.2017)

1. Kërkesëpadia shkruhet në gjuhën shqipe dhe duhet të përmbajë:

a) gjykatën përpara së cilës paraqitet kërkesa;

b) emrin, atësinë, mbiemrin, vendbanimin ose vendqëndrimin e paditësit e të paditurit dhe të personave që përkatësisht i përfaqësojnë ata, kur ka të tillë. Nëse paditësi ose i padituri është person juridik, emërtimin e tij ashtu siç figuron në regjistrat publikë, duke treguar edhe selinë ose zyrën qendrore, ku do kryhet njoftimi;

c) objektin e padisë;

ç) tregimin konkret të fakteve, rrethanave, dokumenteve, mjeteve të tjera provuese, të së drejtës mbi të cilat mbështetet padia, si dhe kërkimin konkret të paditësit;

d) vlerën e padisë, në rast se objekti i saj është i vlerësueshëm.

2. Përveç këtyre kërkesave, paditësi në kërkesëpadi duhet të tregojë saktë dhe/ose të bashkëngjisë:

a) të dhënat elektronike të kontaktit të tij ose të përfaqësuesit, nëse ka një të tillë, ku gjykata mund ta njoftojë;

b) listën e personave që kërkon të thirren në gjykim në cilësinë e dëshmitarit, duke saktësuar emrin, atësinë, mbiemrin dhe adresën e plotë, si dhe faktet që kërkohet të provohen me to;

c) provat që kërkohen të merren nga i padituri dhe të tretët, duke përcaktuar arsyet dhe vendndodhjen e këtyre provave;

ç) llojin e ekspertimit që kërkohet të kryhet gjatë gjykimit;

d) emrin, atësinë, mbiemrin ose emërtimin nëse është person juridik dhe adresën e plotë të personave të tretë që kërkon të thirren në gjykim me këtë cilësi;

dh) aktin provues të pagimit të tarifës së padisë, sipas ligjit.

Neni 154/a

Paraqitja e kërkesëpadisë

(Shtuar me ligjin nr. 8812, datë 17.5.2001)

Kërkesëpadia paraqitet në gjykatë nga paditësi ose nga përfaqësuesi i tij i pajisur me prokurë. Kërkesëpadia mund të paraqitet në gjykatë edhe nëpërmjet postës.

Padia iu caktohet gjyqtarëve me short.

Kur kërkesëpadia nuk plotëson kushtet e përmendura në këtë kre, gjyqtari i vetëm ia kthen paditësit në kohën e paraqitjes së saj ose ai njoftohet me shkrim për plotësimin e të metave dhe, pasi të jetë shënuar në padi data e paraqitjes, caktohet një afat për plotësimin e të metave. Deri në këtë datë padia mbetet pa veprime.

Kur paditësi nuk plotëson të metat brenda afatit të caktuar, kërkesëpadia quhet se nuk është paraqitur dhe i kthehet paditësit së bashku me aktet e tjera.

Kundër vendimit të gjyqtarit të vetëm për kthimin e kërkesëpadisë mund të bëhet ankim i veçantë.

Kur të metat e kërkesëpadisë janë plotësuar në afatin e caktuar, ajo quhet e regjistruar që nga dita që është regjistruar në gjykatë. Në këtë mënyrë veprohet edhe kur të metat e kërkesëpadisë konstatohen gjatë gjykimit të çështjes.