Titulli Publikuar më Veprime
Rregullore
REPUBLIKA E SHQIPERISE GJYKATA E RRETHIT GJYQESOR POGRADEC Lagj.3 rruga “Andon Xoxe” Telefon/Faks 0035583.222.772 RREGULLORE “PER ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN SA ME MIRE TE GJYKATES SE RRETHIT GJYQESOR POGRADEC” Neni 1 Objekti i rregullores Objekti i kësaj rregullore është caktimi i rregullave me të hollësishme dhe plotësimi i mangësive që ekzistojnë lidhur me: - Strukturën, drejtimin dhe kompetencat e stafit gjyqësor dhe administrativ të Gjykatës; - Marrëdhëniet ndërmjet gjyqtarëve dhe stafit administrativ, midis gjyqtarëve, midis vete stafit administrativ; - Marrëdhëniet midis stafit të gjykatës dhe personave pjesëmarrës ose të interesuar për proçesin gjyqësor, si dhe marrëdhëniet me publikun; - Natyrën dhe llojet e veprimeve që përmbushen nga administrata gjyqësore dhe afatet e këtyre veprimeve; - Rregulla të tjera që lidhen me funksionimin më të mirë të gjykatës. Neni 2 Drejtimi i gjykates Drejtimi dhe organizimi i veprimtarisë së gjykatës bëhet nga Kryetari i Gjykatës. Në mungesë të Kryetarit të Gjykatës drejtimi dhe organizimi i gjykatës bëhet nga personi i autorizuar prej tij ne baze te nenit 18/par.4 te ligjit nr.9877, dt.12.02.2008, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, pas delegimit me shkrim të kësaj të drejte nga Kryetari. Drejtimi dhe organizimi i veprimtarisë se administratës gjyqësore brenda kompetencave te parashikuar ne ligjin e posacem dhe ne aktet nenligjore bëhet nga Kryetari i Gjykatës dhe nga Kancelari. Në rast mungesë të përkohshme apo gjatë kohës së mbetjes vakant të postit të kancelarit detyrat e tij përmbushen nga një punonjësi me përvojë i stafit administrativ i caktuar për këtë qëllim nga kryetari, pas konsultimit me kancelarin qe mungon perkohesisht. Neni 3 Struktura e gjykatës Struktura e gjykates mbi bazen e numrit te gjyqtareve dhe te organikes se percaktuar nga Ministria e Drejtesise eshte si me poshte: 1- Kryetari 2- Gjyqtarët 3- Kancelarja 4- Kryesekretaria ( apo sekretaria gjyqësore ) 5- Sekretari i seancës 6- Nëpunësi gjyqësor 7- Zyra e arkivit 8- Zyra për marrëdhëniet me publikun dhe mediat ( e mbuluar nga Kancelarja ) 9- Zyra e buxhetit 10- Zyra e administratës ndihmëse Neni 4 Kompetencat e Kryetarit të Gjykatës 1. Përfaqëson gjykatën në marrëdhënie me të tretët. 2. Në fillim të çdo viti gjyqesor përcakton ndarjen e gjyqtarëve në trupa gjykues ne baze te nenit 18/3 - b te ligjit te posacem per pushtetin gjyqesor. Kur gjatë vitit ndonjë nga trupat gjykues mbetet i paplotë për ndonje shkak te heqjes dore apo te perjashtimit sipas rregullave proceduriale civile dhe penale, per shkak transferimi, rritje në detyrë, lejelindje, shkarkimi apo për çdo shkak tjetër me karakter të gjatë në kohë, trupi gjykues plotësohet rast pas rasti me short pas njoftimit te Kryetarit te gjykates dhe te Kancelarit me kërkesë të gjyqtarit kryesues duke iu referuar edhe Urdherit te brendshem te nxjerre nga ana e Kryetarit te gjykates per kete pike. 3. Bën planifikimin e gjyqtarëve për gjykimet me objekt vlerësim i arrestit apo ndalimit dhe caktimin e masave të sigurisë sipas rendit alfabetik me bazë mbiemrin. Në rast mungese në datat e caktuara per shkaqe te ndryshme të një gjyqtari bën zëvendësimin e tij me një gjyqtar tjetër. Ne zbatimin e kesaj detyre merret parasysh parashikimi i ligjit dhe Urdheri i brendshem per kete pike. 4. Drejton mbledhjen me gjyqtarët gjatë diskutimit të problemeve juridike, të disiplinës dhe të etikës. 5. Organizon diskutime lidhur me Vendimet Unifikuese të Gjykatës së Lartë, te Gjykatës Kushtetuese, vendimet e gjykatave të tjera, vendimeve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Aktet e kontrollit dhe te inspektimit, si dhe urdheron shperndarjen per cdo gjyqtar te praktikave te diskutueshme e te vendimeve unifikuese. 6. Ushtron kompetencat e tjera të Kryetarit qe janë të përcaktuara në ligjin nr.9877, dt.12.02.2008, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, si dhe në nenin 8 të Rregullores “Për organizimin dhe funksionimin e administratës gjyqësore” e miratuar me Urdhërin e Ministrit të Drejtësisë nr.1830, datë 03/04/2001. 7. Ushtron kompetencat e tjera të Kryetarit që janë përcaktuar në akte të tjera ligjore ose nënligjore të Këshillit të Lartë të Drejtësisë apo të Ministrit të Drejtësisë. Neni 5 Kompetencat e kancelarit Kompetencat e kancelarit përcaktohen në nenin 37 te ligjit nr.9877, dt.12.02.2008, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, ne Rregulloren “Për organizimin dhe funksionimin e administratës gjyqësore“ e miratuar me Urdhërin e Ministrit të Drejtësisë nr.1830, datë 03/04/2001, si dhe ne pikat e meposhtme te kesaj Rregulloreje, e cila ka per baze aktet e mesiperme. Neni 6 Transparenca per trupen gjyqesore dhe pozicioni i publikut I. - Ndarja e çështjeve gjyqësore midis gjyqtarëve bëhet me short elektronik, per njohjen e te cilit trupa gjyqesore, palet dhe publiku kane aksesin e tyre. Ne rast se ky short eshte i pazbatueshem per shkaqe objektive, atehere aplikohet shorti manual sipas procedurave te parashikuara. Mbikqyrja, dokumentimi dhe percjellja e praktikes behet nga ana e Kancelares ne baze te nenit 38/pika “b” te ligjit te posacem dhe te vendimit te Keshillit te Larte te Drejtesise per kete ceshtje. II. - Me kërkesën e tyre çdo person nga publiku apo media mund të marrë pjesë në hedhjen e shortit dhe në monitorin e Kryetarit të gjykatës. III. - Me qellim per te rritur transparencen per sa i perket procedures dhe rezultateve te hedhjes se shortit edhe brenda vete trupes gjyqesore, me hedhjen e shortit elektronik kancelarja dhe arkivistja duhe t’i japin diten e hene cdo gjyqtari nje liste te ceshtjeve civile dhe penale te marra gjate javes se mbyllur nga cdo gjyqtar ( tabele e ceshtjeve te shperndara per secilin gjyqtar gjate javes se meparshme ). IV. - Me qëllim rritjen e transparencës dhe te kontrollit ruajtja e të dhënave të shortit bëhet ne të dyja mënyrat: ne mënyrë elektronike dhe ate manuale. Në mënyrë elektronike ruhen në Severin e gjykatës, ndersa ne mënyrë manuale ruhen listat e shortit dhe Libri i Shortit, të cilat firmosen nga Kryetari dhe Kancelari i gjykatës. V. - Në mënyrë manuale listat e gjykimit shpallen për çdo fillim jave nga Kancelari i Gjykatës në ambjentin në hyrje të gjykatës. VI. - Të gjitha gjykimet të zhvillohen në sallen e gjyqit. Vetëm kur nuk ka mundësi objektive për një gjykim në sallë ( per shkak se ajo eshte e zene ), atehere gjyqi mund të zhvillohet në zyrën e gjyqtarit. Do të konsiderohet shkelje e solemnitetit rasti kur, megjithëse salla e gjyqit ne katin e pare eshtë bosh, nje gjyq penal ose civil me shume pale zhvillohet në zyrën e gjyqtarit. VII. - Çdo qytetar që dëshiron të marrë pjesë në një proçes është i lirë për këtë. Aksesi në sallat e gjyqit është i plotë për publikun dhe median. Sekretari / sekretarja e gjyqtarit para se të fillojë gjyqi do të shoqërojë për në sallën e gjyqit palët në proçes dhe çdo pjesëmarrës nga publiku apo nga media që dëshiron të ndjek proçesin. Në mbarim të seancës sekretarja e gjyqtarit do të shoqërojë palët, publikun dhe median për në ambjentin jashtë gjykatës duke ndaluar që ndonjë nga palët ndërgjyqëse apo publiku të mund të kalojë në pjesën ku ndodhen zyrat e gjyqtarëve duke bërë një ndarje të qartë midis aksesit të plotë në séancë dhe shmangies së kontaktit të palëve me gjyqtarin jashtë seancës, pra, në zyrën e gjyqtarit. VIII. - Kancelarja e gjykates duhet te kujdeset dhe te marre masa per vendosjen në hyrje të gjykates të rregullave që duhet të respektojnë pjesëmarrësit në proçes dhe publiku ne sallën e gjyqit dhe ne ambjentet e gjykates, ku përfshihen: • detyrimi për t`iu bindur urdhrave të kryesuesit të seancës gjyqësore; • detyrimi për të mbajtur qëtësi dhe per te mos folur me zë te larte; • ndalimi për të mbajtur të hapur telefonat celular; • ndalimi i rregjistrimeve të paautorizuara; • detyrimi i medias për të respektuar urdhrat e kryesuesit të seancës për të mos filmuar ( por vetëm për të mbajtur shënime ), kur gjykata e urdhëron një gjë të tillë; • detyrimi për të respektuar gjykatën dhe gjyqtarin; • detyrimi për të ruajtur dhe mos dëmtuar infrastrukturën e gjykatës; • ndalimi për të pirë cigare në ambjentet e gjykatës; • ndalimi për tu paraqitur në gjykatë me veshje jo të përshtatshme. IX. - Në ambjentin për publikun duhet të listohen të gjitha shërbimet që ofron gjykata në përgjithësi dhe në mënyrë të veçantë: Kryesekretaria, Zyra e Arkivës, Zyra e Arkës, Kancelari dhe një orientim për qytetaret mbi vendin, kohën dhe mënyrën se si do të ofrohet shërbimi. X. - Në çdo 30 ditë Kancelarja e Gjykatës duhet të marrë kontakt me median për ta informuar atë për punën e gjykatës me qëllim nxjerrjen në pah të punës së gjykatës dhe per te menjanuar kontaktet e d.p.d te medias me gjyqtaret, si dhe ne cdo rast jashte kesaj radhe, kur ajo e cmon te nevojshme per rrethana te caktuara. Neni 7 Solemniteti, etika dhe disiplina e gjyqtareve dhe e administrates 1. - ORARI ZYRTAR I PUNES. Puna fillon në orën 08 00 h dhe përfundon në orën 16 00 h, nga e hëna në të premte. Cdo gjyqtar duhet te respektoje orarin zyrtar te punes, disiplina per te cilin do te mbikqyret nga ana e Kryetarit te gjykates ne zbatim te nenit 18/par.3 - pika “e” te ligjit nr.9877, dt.12.02.2008, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, si dhe te nenit 8/pika 18 te Rregullores “Për organizimin dhe funksionimin e administratës gjyqësore“ e miratuar me Urdhërin e Ministrit të Drejtësisë nr.1830, datë 03/04/2001. Disiplina ne pune e gjyqtareve mbikqyret per cdo dite pune me verifikim formal te prezences dhe te zhvillimit te gjykimeve te planifikuara nga vete gjyqtari, si dhe me liste - prezence ne mbledhjet e zakonshme dhe ato te paparashikuara. Libri i mbledhjeve mbahet nga ana e Kancelares ne zbatim te nenit 10/pika 9 te Rregullores, ku pasqyrohet prania e gjyqtareve, tematika e mbledhjes, diskutimet e secilit gjyqtar dhe cdo rrethane tjeter e rendesishme. Cdo punonjes i administrates duhet te respektoje orarin zyrtar te punes, disiplina per te cilin do te mbikqyret paralelisht nga ana e Kancelares dhe e Kryetarit te gjykates. 2. - PLANIFIKIMI I SEANCAVE. Çdo gjyqtar bën planifikimin e punës së vet në mënyrë të pavarur dhe në përshtatje me numrin e çështjeve që ka në shqyrtim. Në gjykimet me tre gjyqtare planifikimi bëhet bashkarisht nga të tre gjyqtarët. 3. - MOSPARAQITJA NE PUNE. Ne referim te dispozitave te ligjit te ri per pushtetin gjyqesor dhe te Kodit te Etikes gjyqesore mosparaqitja në punë pa shkaqe të arsyeshme, në mënyrë të përsëritur dhe kur kjo shkakton situata problematike ne punën e gjykatës do të konsiderohet sjellje që tregon mungesë respekti ndaj gjykatës dhe figurës së gjyqtarit dhe do të përbëjë shkak për të njoftuar Ministrinë e Drejtësisë për të filluar proçedimin disiplinor ndaj gjyqtarit. Ne rast te mosparaqitjes ne pune dhe me qellim qe drejtuesi i gjykates te jete ne dijeni te cdo prezence ose mosprezence te plote te trupes gjyqesore, gjyqtari njofton kryetarin e gjykates per diten / ditet dhe shkakun e mosparaqitjes ( seminare / raport mjekesor / shkaqe te tjera qe vete gjyqtari i ka cmuar si te arsyeshme per mosparaqitjen e tij ). 4. - FILLIMI I SEANCAVE GJYQESORE. Gjyqi fillon në orarin e caktuar nga gjyqtari dhe që është shpallur nga kancelari i gjykatës nëpërmjet listave të gjykimit në fillim të çdo jave. Ne referim te dispozitave te ligjit te ri per pushtetin gjyqesor mosrespektimi i orareve të fillimit të gjyqit ( me përjashtim të rasteve objektive ) do të konsiderohet shkelje e disiplinës dhe shkak për të kërkuar nga Ministri i Drejtësisë proçedimin disiplinor, pasi një sjellje e tillë tregon mungesë serioziteti të institucionit dhe të respektit për palët ç’ka ul besimin e publikut tek gjykata. 5. - PJESEMARJA E GJYQTARIT NE MBLEDHJE. Çdo gjyqtar ka detyrim të marre pjesë në mënyrë aktive në mbledhjet dhe çdo aktivitet tjetër të planifikuar apo të dalë aty për aty, të detyrueshëm ose jo dhe që ka lidhje me veprimtarinë e tyre apo për shkak të detyrës që ata kryejnë. Mospjesëmarrja në to tregon mungesë etike dhe vlerësimi për gjykatën dhe figurën e gjyqtarit dhe do të shërbejë si e dhënë e rëndësishme në vlerësimin profesional dhe etik të gjyqtarit. 6. - VESHJA E GJYQTARIT DHE E ADMINISTRATES. Në sallën e gjyqit gjyqtari paraqitet gjithmonë me veshjen e posaçme me “Togë“. Mosmbajtja e “Togës“ do të konsiderohet shkelje e solemnitetit dhe do të jetë tregues në vlerësimin e solemnitetit të gjyqtarit. Rregullat e etikës për gjyqtarët parashikohen në Kodin e Etikës. Per aq kohe sa nuk do te jete arritur veshja e njejte per te gjithe administraten, sekretaret duhet te kene veshje të përshtatshme për stinën dhe që nuk mbajnë një mesazh vulgariteti. Ndalohet hyrja në gjykatë e personave me veshje të papërshtatshme si me pantallona të shkurtra, me veshje vulgare apo të turpshme. 7. - MOSPERDORIMI I TELEFONI. Në sallat e gjyqit gjyqtarët nuk mund të marrin dhe aq me pak të përdorin telefonat celular. Mbajtja apo përdorimi i tyre do të konsiderohet shkelje e etikës dhe solemnitetit dhe do të jetë tregues në vlerësimin e solemnitetit . 8. - PJESEMARRJA NE SÉANCE DHE FILMIMI.QENDRIMI NE GJYKATE. Mediat janë të lira të marrin pjesë në zhvillimin e gjykimit të mbajnë shënime dhe të filmojnë, me përjashtim të rastit kur trupi gjykues vendos të ndalojë filmimin, por pa ndaluar mbajtjen e shënimeve. Në këtë rast ato janë të detyruar të respektojne urdhërin e gjyqtarit apo Trupit Gjykues. Publiku ndalohet të kryejë rregjistrime të paautorizuara. Publiku ndalohet të mbajë hapur ose te komunikojë me celular apo mjet tjetër ndërlidhës në sallën e gjyqit. Avokatët dhe prokuroret ndalohet të mbajnë hapur apo komunikojnë me telefon apo mjet tjetër ndërlidhës në sallën e gjyqit. Ndalohet pirja e duhanit në ambjentet e gjykatës. Neni 8 Menaxhimi i çështjeve I. - PARAQITJA E PADISE. Padia paraqitet në sekretarinë e gjykatës me shkrim dhe në gjuhën shqipe nga kërkuesi ose nga përfaqësuesi i tij i pajisur me prokurë, apo nëpërmjet postës. Kërkesëpadia duhet të përmbajë elementët e parashikuar ne nenin 154 të K.Pr.Civile. Bashkë me padine paditësi paguan taksen dhe shpenzimet e para të njoftimit, si dhe i bashkangjit asaj nga nje kopje te padise dhe te akteve shoqeruese aq sa jane palet e thirrura ne gjykim. II. - VEPRIMET ADMINISTRATIVE PAS PARAQITJES SE PADISE. Pasi paraqitet kërkesëpadia ( apo kërkesa ), sekretaria e gjykatës i vendos një numër provizor dhe kancelari fillon ta pergatisë atë për short. Sekretaria mund të lëshojë një vërtetim për paraqitjen e padisë, nëse i kërkohet. III. - SHORTI. Para hedhjes në short cdo fillimjave Kryetari i gjykatës përcakton ngarkesën për çdo gjyqtar duke marrë parasysh ngarkesën aktuale të gjyqtarit dhe numrin e çështjeve të shqyrtuara prej tij. Para hedhjes së shortit kancelari verifikon çështjet e ardhura për rigjykim dhe gjyqtarët që nuk mund t’i gjykojnë ato për të mënjanuar nga shorti i këtyre çështjeve gjyqtarët që kanë pengesa. Shorti për ndarjen e çështjeve civile dhe penale me numrin provizor që kanë marrë hidhet ne baze te sistemit elektronik qe eshte ne zbatim dhe vetem ne rast se ai eshte i pazbatueshem Kancelari menaxhon dhe dokumenton shortin manual. IV. - GJYKIMI. Gjykimi i çështjes bëhet sipas rregullave të parashikuara hollësisht ne Kodet e proçedurave dhe administrohet tërësisht dhe ekskluzivisht nga gjyqtari, te cilit i ka rënë çështja. Në gjykim gjyqtari për efekt të vlerësimit të punës së tij profesionale duhet të këtë parasysh afatet kohore të përcaktuara nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë në vendimin nr.199/3, dt.15.09.2006 “Mbi kriteret matëse të veprimtarisë gjyqësore“, kohën që atij i duhet gjatë javës për veprimtarinë e mirëfilltë të gjykimit, si dhe kohën për veprimtari dytësore, por të lidhura me gjykimin si: përgatitjen e gjykimit, hartimin e vendimeve, kryerjen e veprimtarive adiministrative, pjesëmarrjen në aktivitet trajnuese etj, kjo duke patur parasysh edhe shmangien e shtyrjes së seancave në mënyrë të papërligjur, gjetjen e mënyrave më të efektshme të njoftimit, sensibilizimin dhe inicimin e proçedurave të parapara nga ligji për ndëshkim të cilido subjekti proçedural që manifeston sjellje proçeduriale të papranueshme. V. - DHENIA E VENDIMIT. Gjyqtari e shpall vendimin të arsyetuar. Me shpalljen e vendimit të arsyetuar gjyqtari dorëzon dosjen në sekretarinë e tij. Sekretarja e gjyqtarit kryen po atë ditë regjistrimin e vendimit në Regjistrin e vendimeve në sekretarinë e gjykatës dhe po atë ditë dorëzon dosjen në këtë sekretari ( Neni 308 ne K.Pr.Civile dhe Neni 386 i K.Pr.Penale ). Në rast se dosja është voluminoze ajo duhet të dorëzohet në sekretari brenda 5 ditëve. Kur gjyqtari për çështje të ndërlikuara civile shpall vetëm dispozitivin e vendimit, ai duhet ta dorëzojë dosjen maksimumi brenda 10 ditëve në Sekretari ( Neni 308 i K.Pr.Civile ). VI. - ANKIMI. Pasi është shpallur vendimi, dosjet qëndrojnë në sekretari në pritje të ndonjë ankimi. Ankimi paraqitet në gjykatën që ka dhënë vendimin. Kur ankimi civil ( pra vetëm në çështje civile ) është paraqitur me të meta ligjore sikurse parashikohet në nenin 450 të K.Pr.Civile, sekretaria e gjykatës njofton Kryetarin e Gjykatës për këtë fakt. Kryetari i gjykatës urdhëron hedhjen në short të këtij ankimi dhe gjyqtari që i bie në short çështja merr vendim vetëm lidhur me pranimin ose jo të këtij ankimi. Kundër vendimit të gjyqtarit për mospranimin e ankimit mund të bëhet ankim i veçantë. Kur ka ankim, pasi kryen proçedurat e njoftimit, sekretaria dërgon dosjen në Gjykatën e Apelit. VII. - DETYRAT E KANCELARIT TE GJYKATES. Kancelari i gjykates ne zbatim te detyrimeve te parashikuara nga neni 38/pika “c” i ligjit te posacem per pushtetin gjyqesor kontrollon vonesat lidhur me dorëzimin e dosjeve në sekretari apo me dërgimin e tyre ne gjykatat më të larta dhe njofton për këtë Kryetarin e Gjykatës per te qene ne dijeni te cdo problematike. Dorëzimi jashtë afatit të dosjeve nga ana e gjyqtarëve do të merret parasysh në vlerësimin e tyre dhe njëkohësisht, kur kjo bëhet shqëtësuese për punën e gjykatës, për këtë gjë do të njoftohet Ministri i Drejtësisë për të proçeduar disiplinarisht ndaj gjyqtarit. Kur vendimi ka marrë formë të prerë, dosja që i përket atij vendimi depozitohet në Arkivë. Në arkivë dosja sistemohet në bazë të numrit të Rregjistrit Themeltar, të numrit të vendimit dhe datës së dhënies së këtij vendimi nga Gjykata e Shkallës së Parë. Për çështjet që vijnë në rigjykim nga Gjykata e Apelit apo Gjykata e Lartë proçedura e mësipërme fillon nga fillimi. Neni 9 Menaxhimi i burimeve njerëzore REKRUTIMI. Rekrutimi i punonjësve të administratës gjyqësore bëhet nga ana e kancelarit ne baze te nenit 38/pika “a” te ligjit te posacem per pushtetin gjyqesor dhe te akteve te tjera te zbatueshme ( Rregullorja ). TRAJNIMI. Kancelari i gjykatës kujdeset vazhdimisht për trajnimin e personelit adiministrativ, qoftë nëpërmjet programeve që ka Ministria e Drejtësisë për këtë qëllim, qoftë edhe nëpërmjet mundësive të tjera të vet gjykatës apo donatorëve të ndryshëm. Kancelari i gjykatës kujdeset që personeli administrativ të jetë i specializuar në punën që iu ngarkohet, por njëkohësisht kujdeset që ky personel të jetë në gjendje të punojë edhe në sektorë të tjerë të administratës, kjo me qëllim përballimin e situatave që mund të krijohen në raste largimi nga puna. Neni 10 Menaxhimi i burimeve financiare HARTIMI I BUXHETIT. Gjatë gjithë vitit kalendarik Zyra e Buxhetit dhe Kancelari i Gjykatës marrin kontakt me të gjithë personelin e gjykatës, si me gjyqtarët ashtu edhe me stafin administrativ duke individualizuar të gjitha nevojat deri në imtësi. Në muajin Korrik Zyra e Buxhetit së bashku me Kancelarin i paraqesin Kryetarit të Gjykatës projektbuxhetin për vitin e ardhshëm, projekt i cili duhet të jetë i shoqëruar me relacionin shpjegues. Projektbuxheti duhet të jetë i tillë që të sigurojë plotësimin e nevojave të gjykatës për funsionimin e saj me qëllim identifikimin dhe implementimin e projekteve që do të ndikonin dukshëm në përmirësimin thelbësor dhe bashkëkohor të shërbimit gjyqësor si: salla e gjyqit, informatizimi, siguria, transparenca, mbajtja e proçesverbalit me mjete teknike etj. Gjatë gjithë kohës Zyra e Buxhetit duhet të bashkëpunojë ngushtë dhe të kërkojë ndihmën e specializuar të Zyrës së Administrimit të Buxhetit Gjyqësor. Neni 11 Menaxhimi i sigurisë ne gjykatë I. - Çdo person që dëshiron të ndjeke zhvillimin e një gjyqi është i lirë për këtë, por duke respektuar rregullat e parashikuara në Kodet Proceduriale, si dhe rregullat e parashikuara në këtë rregullore. II. - Para se të fillojë seanca gjyqësore sekretarja e seancës shoqëron palët ne proçes dhe çdo të interesuar për të ndjekur gjykimin nga ambjenti për publikun deri në sallën e gjyqit, i fton ata të zënë vendet dhe pas kësaj njofton gjyqtarin për të filluar seanca gjyqësore. Në mbarim të seancës sekretarja shoqëron palët dhe qytetarët pjesëmarrës në gjyq për në pjesën e jashtme të gjykatës. Sekretari / sekretarja e seancës para fillimit të seancës gjyqësore therret dhe shoqëron dëshmitarët në një ambjent të ndryshëm nga publiku dhe palët. III. - Ndalohet hyrja e palëve dhe e avokatëve në zyrat e gjyqtarëve, përveç rasteve kur gjykimi për mungesë të sallës do të zhvillohet në zyrën e gjyqtarit. IV. - Ne zbatim te nenit 41 te ligjit te posacem nr.9877, dt.12.02.2008, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” secili punonjes i policise se rendit publik qe eshte planifikuar per ne gjykate nga ana e Komisariatit te Policise dhe qe vepron sipas urdherave te kryetarit te gjykates eshte pergjegjes per organizmin e sherbimit te vijueshem per te garantuar rendin dhe sigurine ne gjykate. Ai për çdo dyshim ose konstatim që paraqet rrezik për sigurinë e gjyqtarëve apo personelit administrativ, ndërhyn duke lajmëruar paraprakisht forcat e tjera policisë për të dhënë ndihmën e menjehershme. V. - Gjykimet zhvillohen në sallat e parashikuara për këtë qëllim. Të gjithë qytetarët që dëshirojnë të marrin pjesë në këto gjykime i nënshtrohen kontrollit. Personi qe refuzon të kontrollohet, nuk lejohet të futet në ambjentet e gjykatës. VI. - Dosjet gyqësore deri në përfundimin e gjykimit mbahen nga sekretaret e seancës ne kasafortë. Sekretaret kanë përgjegjësi disiplinore dhe penale në rast humbje apo dëmtimi të dosjes, apo dokumentëve të veçanta të saj. Studimi i dosjeve nga avokatët bëhet në dhomën e veçantë për avokatët në prani të sekretares gjyqësore. Neni 12 Aksesi i qytetarëve për shërbimin gjyqësor 1. - Kancelari si drejtues dhe pergjegjes i gjykatës kujdeset për afishimin në vendqëndrimin e publikut të shërbimeve që ofron gjykata dhe mënyrën e ofrimit të këtyre shërbimeve duke përcaktuar në mënyrë të veçantë: Zyrën ku duhet të drejtohet qytetari, orarin kur ofrohet ky shërbim, taksën që duhet paguar ( nëse shërbimi kryhet kundrejt pagimit të taksës ), si dhe të drejta e detyrime të tjera të palëve në këtë marrëdhënie. 2. - Kancelari kujdeset për afishimin ne vendqëndrimin e publikut të taksave dhe tarifave për çdo shërbim që ofron gjykata. 3. - Kancelari kujdeset për evitimin e pengesave artificiale, të paarsyeshme dhe të papërligjura duke lehtësuar maksimalisht proçedurat burokratike të shërbimit që kërkohet. 4. - Kancelari i gjykatës kujdeset që qytetarëve t’iu shërbehet në përputhje me ligjin dhe në mënyrë të barabartë duke respektuar parimin e ligjshmerise dhe te barazise. 5. - Kancelari kujdeset për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e një kutie, e cila do të shërbejë si vend ku qytetarët do të depozitojnë ankesat e tyre si për gjyqtarë të veçantë, ashtu edhe për stafin administrativ apo për përshtypje të tyre lidhur me gjykatën, për punën dhe shërbimet e ofruara prej saj. Çelësat e kësaj kutie ( me dy brava te ndryshme ) mbahen nga njeri nga Kryetari i Gjykatës, kurse tjetri nga Kancelarja e Gjykates, ndersa kutia hapet gjithnje ne prani te te dyve duke u mbajtur ne cdo rast qe ka ankim procesverbal ne dy kopje, nga nje per secilin. 6. - Kryetari i Gjykatës, pasi njihet me këto ankesa, bën verifikimin e tyre në përputhje me ligjin nr.9508 të dt.03.04.2006 dhe vepron sipas rastit:  për ato ankesa qe mund te jene shkak për proçedim disiplinor njofton Ministrin e Drejtësisë;  për çështje që përbëjnë vepër penale njofton Prokurorin e Rrethit duke i bashkëngjitur ankesën e qytetarit, si dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë;  për çështje që janë në kompetencën e Kryetarit të Gjykatës merr masat sipas ligjit. 7. - Kancelari i gjykatës kujdeset për mirëmbajtjen e Kendit te Njoftimeve të vendosur në vendqëndrimin e publikut, me qëllim që publiku të ketë mundësi që nëpërmjet tij të marrë gjithë informacionin që i intereson si për vete, ashtu edhe për punën e gjykatës në përgjithësi. Neni 13 Zbatimi dhe publikimi i rregullores se brendshme 1. - Kjo rregullore do të zbatohet krahas Rregullores se Ministrit të Drejtësisë “Për organizimin dhe funksionimin e administratës gjyqësore“ e miratuar me urdhërin e Ministrit të Drejtësisë nr.1830, dt.03.04.2001 deri ne miratimin e nje rregulloreje standarte per te gjitha gjykatat per funksionimin e brendshem te tyre. 2. - Kjo rregullore mund t’iu nenshtrohet ne cdo moment ndryshimeve te plota ose te pjesshme ne varesi te problemeve dhe rrethanave qe lindin ose qe mund te parashtroje trupa gjyqesore apo Kancelarja per probleme te administrates. 3. - Kjo rregullore i jepet cdo gjyqtari, iu komunikohet te gjithe punonjesve te administrates per cdo pike qe ka lidhje me ta nga ana e Kancelares, si dhe duhet te afishohet nga sekretaria gjyqesore ne kendin e njoftimeve dhe ne ambjente te dukshme ne hyrje te gjykates per t‘u lexuar nga publiku. 4. - Rregullorja e meparshme e miratuar shfuqizohet me hyrjen ne fuqi te Rregullores se re me dt.___ / ___ / 2008. KANCELARE KRYETARI MAMICA GUSHO NIKO RAPI