Forum 



Contact us

High Judicial Council

Building “ Justice Pole”, “Ana Komnena” Street, Tirana

EKZEKUTIMI I VENDIMEVE

Zyra e Përmbarimit ka për detyrë të ekzekutojë si vendimet gjyqësore të formës së prerë, ashtu dhe disa kategori vendimesh administrative (të ashtuquajtura urdhëra për ekzekutim). Një vendim i Gjykatës së Shkallës së Parë quhet i formës 'së prerë' kur kundër tij nuk është bërë apelim brenda afateve ligjore, ndërsa vendimet e Gjykatës së Apelit quhen të formës së prerë për efekte ekzekutimi edhe nëse kundër tyre bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë përjashto rastet kur:

Ekzekutimi i menjëhershëm i një vendimi do të sillte dëme serioze dhe të pariparueshme

Pala që bën rekurs depoziton një kolateral të mjaftueshëm për siguruar vendimin

 

Proçesi i ekzekutimit fillohet nga kreditori (ose avokati i tij), i cili i kërkon Gjykatës e cila ka dhënë vendimin 'një urdhër ekzekutimi'. Me t'u nxjerrë, ky urdhër ekzekutimi duhet t'i dërgohet Zyrës së Përmbarimit në mënyrë që të fillojë proçesi i ekzekutimit. Ky urdhër ekzekutimi i drejtohet Zyrës së Përmbarimit nën juridiksionin e së cilës ndodhet pasuria e debitorit mbi të cilën është lëshuar ky urdhër ekzekutimi.

Proçedurat e ekzekutimit të vendimeve gjyqësore dhe të titujve ekzekutive nga Zyra e Përmbarimit janë të parashikuar nga Kodi i Proçedurës Civile, respektivisht në nenet 510-617. Baza ligjore e sipërpërmendur është ndarë në 10 Kapituj të cilat respektivisht trajtojnë çështjet e mëposhtme:

Nocione të përgjithshme në lidhje me ekzekutimin e vendimeve finale gjyqësore;

Ekzekutimin e konfiskimit për pronat e luajtshme;

Ekzekutimin e konfiskimit për prona të paluajtshme, duke përfshirë edhe transportin detar dhe ajror;

Ekzekutimin e konfiskimit për kreditime të debitorëve dhe të pronave që persona të tretë u detyrohen debitorëve;

Ekzekutimin e konfiskimit për detyrimet financiare kundrejt institucioneve buxhetore;

Ekzekutimin e konfiskimit për shuma të depozituara në llogari bankare;

Ekzekutimin e detyruar për realizimin e një veprimi të përcaktuar;

Mënyrat e mbrojtjes kundër ekzekutimit të vendimeve;

Pezullimi dhe anullimi i ekzekutimit.

 

Meqënëse nenet e mësipërme të Kodit të Proçedurës Civile nuk parashikojnë rregullimin e brendshëm dhe funksionimin e Zyrës së Përmbarimit, Parlamenti shqiptar në Janar të vitit 2001 ka nxjerrë ligjin për "Organizimin dhe Funksionimin e Shërbimit te Përmbarimit Gjyqësor", ligj i cili përcakton rregullat e funksionimit, strukturën e tij, statusin e punonjësve të këtij institucioni, kriteret për t'u punësuar në këto insitucione etj.

Në bazë të ligjit të sipërpërmendur, Shërbimi i Përmbarimit Gjyqësor ka organizim unik dhe të centralizuar me shtrirje në 29 rrethe gjyqësore nën drejtimin e një Drejtori të Përgjithshëm i cili emërohet dhe shkarkohet nga Kryeministri, me propozim të Ministrit të Drejtësisë. Ai është përgjegjës për menaxhimin, koordinimin dhe kontrollin e kësaj zyre. Çdo Zyrë Përmbarimi në rrethe gjyqësore ka një drejtor i cili menaxhon stafin dhe zyrën. Numri i përgjithshëm i përmbaruesve gjyqësorë të shërbimit të përmbarimit caktohet nga Kryeministri me propozim të Ministrit të Drejtësisë. Struktura e Drejtorisë së Përgjithshme dhe e zyrave përmbarimore, organikat e tyre, si dhe rregullat e hollësishme për funksionimin e Shërbimit të Përmbarimit Gjyqësor përcaktohen nga Ministri i Drejtësisë me propozim të Drejtorit të Përgjithshëm.

Pranimi në Shërbimin e Përmbarimit Gjyqësor bëhet me konkurs, i cili organizohet nga Këshilli i Përmbarimit. Në këtë Këshill bëjnë pjesë: Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Përmbarimit Gjyqësor, Drejtori i Drejtorisë së Personelit, Organizimit dhe Shërbimeve në Ministri, Kryetari i Zyrës Përmbarimore të Tiranës dhe një këshilltar i Ministrit të Drejtësisë. Kanditati për përmbarues duhet të plotësojë këto kushte:

Ka zotësi të plotë për të vepruar.

Ka kryer arsimin e lartë juridik.

Gëzon figurë të pastër morale.

Nuk është dënuar për kryerjen e një vepre penale me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Nuk është larguar nga administrata publike për shkelje disiplinore brenda një afati prej 3 vjetësh nga data e depozitimit të kërkesës; kur shkelja disiplinore është kryer gjatë ushtrimit të funksionit si gjyqtar, prokuror, oficer i policisë gjyqësore, noter ose avokat afati është 5 vjet.

 

 

Bazuar në rezultatin e konkursit Këshilli i Përmbarimit bën vlerësimin e kandidatëve dhe mendimin e vet ia paraqet Ministrit të Drejtësisë brenda 15 ditësh. Konkuruesi fitues emërohet përkohësisht përmbarues gjyqësor nga Ministri i Drejtësisë, për një periudhë 3-mujore. Gjatë periudhës së provës përmbaruesi gjyqësor është nën kujdesin e një përmbaruesi të vjetër në detyrë dhe vlerësohet nga eprori i tij. Veprimtaritë e trainimit janë të detyrueshme për përmbaruesin gjyqësor në periudhën e provës. Në fund të periudhës së provës, Ministri i Drejtësisë, me propozim të Drejtorit të Përgjithshëm vendos emërimin përfundimtar të tij ose largimin.

Një nga detyrat e tjera të Këshillit të Përmbarimit është bërja e vlerësimit të aftësive profesionale të përmbaruesve gjyqësorë, bazuar në kriteret e cilësisë, të vëllimit të punës, të shpejtësisë dhe të figurës së tyre morale si më poshtë:

Shumë mirë

Mirë

Pranueshëm

I paaftë

 

Ky Këshill është përgjegjës gjithashtu edhe për masat disiplinore ndaj përmbaruesve. Këshilli i Përmbarimit ka funksion këshillimor dhe ia paraqet në çdo rast mendimin e vet si për vlerësimet ashtu dhe për masat disiplinore Ministrit të Drejtësisë i cili duhet të shprehet brenda 30 ditëve nga kjo paraqitje.

Përmbaruesit gjyqësorë nuk mund të ushtrojnë asnjë detyrë ose veprimtari tjetër publike, me përjashtim të atyre edukative dhe atyre të mësimdhënies. Ai nuk duhet të jetë në marrëdhënie pune ose të kryejë veprimtari të tjera, të cilat paraqesin konflikt interesash me detyrën që ka ose pengojnë përmbushjen e saj. Përmbaruesit gjyqësor nuk duhet të jenë anëtar i organeve qendrore ose ekzekutive të partive politike.

Përmbaruesi gjyqësor është i detyruar të heqë dorë nga ekzekutimi i çështjes kur ai ose një i afërm i tij ka interes në çështje ose në një mosmarrëveshje tjetër që ka lidhje me këtë ekzekutim ose kur sipas rrethanave konkrete ka arsye serioze njëanshmërie. Kërkesa për heqjen dorë i paraqitet për vendim Kryetarit të zyrës përkatëse. Në rastin se dorëheqja ka të bëjë me Kryetarin e Zyrës Përmbarimore kërkesa i paraqitet për vendim Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit të Përmbarimit.

Zyra e Përmbarimit është fizikisht e atashuar pranë Gjykatave të Shkallës së Parë. Si rrjedhojë, perceptohet gabimisht si pjesë e gjyqësorit. Gjithësesi, ligji e shpreh qartë se Zyra e Përmbarimit është strukturë e Ministrisë së Drejtësisë. Shërbimi i Përmbarimit Gjyqësor ka buxhetin e vet, si pjesë të veçantë brenda buxhetit të Ministrisë së Drejtësisë.

Ekzekutimi i vendimeve gjyqësore dhe titujve të tjerë ekzekutivë nga Zyra e Përmbarimit realizohet duke paguar tarifat e përcaktuara nga një akt normativ të Ministrisë së Drejtësisë. Administrimi i të ardhurave të vjela nga ky shërbim është përcaktuar nga një rregullore e përbashkët e Ministrisë së Drejtësisë dhe e Ministrisë së Financave.