Forum 



Contact us

High Judicial Council

Building “ Justice Pole”, “Ana Komnena” Street, Tirana

GJYKATAT

Në Republikën e Shqipërisë, pushteti gjyqësor ushtrohet vetëm nga Gjykatat, në përputhje me Kushtetutën dhe kompetencat që u ngarkohen atyre me ligj. Gjyqtarët kanë kompetencë të shqyrtojnë të gjitha çështjet penale, penale ushtarake, civile, administrative si dhe çdo çështje tjetër të përcaktuar me ligj.

Sistemi Shqiptar i Drejtësisë përbëhet nga Gjykatat e Faktit, Gjykatat e Apelit dhe Gjykata e Lartë. Secili nivel trajton çështje civile, penale, tregtare dhe administrative. Sistemi ushtarak i drejtësisë është i përfshirë në sistemin e drejtësisë penale.

Sistemi ynë i Drejtësisë përfshin 346 gjyqtarë të cilët janë të shpërndarë në 29 Gjykata Fakti, 6 Gjykata Apeli, 1 Gjykatë Ushtarake Apeli dhe në Gjykatën e Lartë.

Gjykatat e Rretheve Gjyqësore organizohen dhe funksionojnë në rrethe gjyqësore në të gjithë territorin e vendit. Kompetencat tokësore dhe qëndra e ushtrimit të veprimtarisë për secilën prej tyre caktohet me dekret të Presidentit të Republikës, me propozimin e Ministrit të Drejtësisë, pasi të jetë marrë edhe mendimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Gjykatat e Rretheve Gjyqësore gjykojnë sipas rregullave të parashikuara në kodet e proçedurave, ku përcaktohet edhe përbërja e trupit gjykues.

Gjykatat e Apelit funksionojnë në zona të caktuara nga Presidenti i Republikës, përsëri me propozimin e Ministrit të Drejtësisë, pasi të jetë marrë edhe mendimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Këto Gjykata gjykojnë në shkallë të dytë ankimet kundër vendimeve të Gjykatave të Rretheve Gjyqësore.

Gjykatat e Apelit gjykojnë me trup gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë.

Gjykatat Ushtarake organizohen dhe funksionojnë brenda sistemit gjyqësor sipas kompetencave të përcaktuara në ligj. Gjykatat Ushtarake përbëhen nga Gjykatat e Shkallës së Parë dhe të Apelit. Kjo e fundit shqyrton në shkallë të dytë ankimet kundër vendimeve të Gjykatave Ushtarake të Shkallës së Parë.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ndalon krijimin e Gjykatave të Jashtëzakonshme. Në nenin 135 pika 2 e saj thuhet: "Kuvendi mund të krijojë me ligj Gjykata për fusha të veçanta, por në asnjë rast Gjykata të Jashtëzakonshme". Një gjë e tillë është pasqyruar edhe në paragrafin e tretë të nenit 11 të ligjit 8436, datë 28.12.1998 "Për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë"

Gjykatat e Rretheve Gjyqësore kanë kompetencë të gjykojnë të gjitha mosmarrëveshjet civile si dhe mosmarrëveshjet e tjera të parashikuara në Kodin e Proçedurës Civile e në ligje të tjera, si dhe veprat penale, përveç atyre që i përkasin kompetencës së Gjykatës Ushtarake. Këto të fundit gjykojnë ushtarakët për veprat penale ushtarake, robërit e luftës dhe persona tjerë të caktuar me ligj.

Për gjykimin e mosmarrëveshjeve civile e të mosmarrëveshjeve të tjera të parashikuara ne Kodin e Proçedurës Civile e në ligje të veçanta, zbatohen rregulla të detyrueshme, të njëjta e të barabata. Në asnjë rast Gjykata nuk mund të mos shqyrtojë dhe të japë vendime për çështjet që paraqiten për shqyrtim, me arsyetimin se ligji mungon, nuk është i plotë, ka kundërshtime ose është i paqartë.

Gjithashtu, legjislacioni proçedurial penal ka për detyrë të sigurojë një proçedim të drejtë, të barabartë e të rregullt ligjor, të mbrojë liritë personale dhe të drejtat e interesat e ligjshme të shtetasve, të ndihmojë për forcimin e rendit juridik dhe zbatimin e Kushtetuës e të ligjeve të shtetit.

A. Gjykatat e shkallës së parë

Emri zyrtar i Gjykatave të Shkallës së Parë është Gjykata e Rrethit Gjyqësor (psh. Tiranë). Megjithatë në gjuhën e përditshme ato shpesh cilësohen si Gjykata të Shkallës së Parë ose Gjykata të Faktit. Gjykatat e Faktit janë elementi bazë i sistemit të drejtësisë. Mbi 300 gjyqtarë dhe 341 sekretarë juridikë shërbejnë në këto Gjykata. Gjykatat e faktit kanë juridiksion të përgjithshëm dhe për rrjedhojë ato përbëjnë hallkën themelore të sistemit tonë të drejtësisë.

Çështjet penale, në shkallën e parë, gjykohen nga një panel i përbërë prej 3 gjyqtarësh në rastet kur objekt i gjykimit janë veprat penale dhe nga një gjyqtar në rastet kur gjykohen kundravatje penale (ky sistem është vendosur si rrjedhojë e ndryshimeve në sistemin e drejtësisë të cilat rezultuan në suprimimin e pozicionit të gjyqtarit asistent).

Një gjyqtar mund të gjykojë i vetëm vetëm vepra penale, për të cilat parashikohet një dënim për jo më shumë se 5 vjet, kurse një panel i përbërë nga 3 gjyqtarë gjykon vepra penale më serioze.

Për rastet kur palë në proçesin gjyqësor janë të miturit, Kodi i Proçedurës Penale kërkon gjyqtarë të veçantë të specializuar. Për një kohë të gjatë ky rregull është neglizhuar nga Gjykatat shqiptare. Sidoqoftë kohët e fundit vihet re një zbatim më rigoroz i kësaj kërkese të ligjit.

Gjykatat penale kanë në juridiksion të gjitha veprat penale, me përjashtim të rasteve që janë në juridiksionin e Gjykatave ushtarake. Përsa i përket kompetencave tokësore të Gjykatës penale të shkallës së parë, ajo përcaktohet duke u nisur nga vendi ku është kryer vepra penale ose ku ka ardhur pasoja e saj. Në rastin e veçantë kur vepra penale është kryer jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, vendimi se cila Gjykatë do ta shqyrtojë çështjen merret duke u nisur nga vendi i qëndrimit, i banimit, i arrestimit ose i dorëzimit të personit që dyshohet për kryerjen e veprës penale.

Çështjet Civile në shkallën e parë (këtu përfshihen edhe çështjet administrative dhe ato tregtare), shqyrtohen nga një gjyqtar i vetëm ose nga një panel prej tre gjyqtarësh. Kjo varet nga vlera e objektit të padisë dhe nga lloji i çështjes në shqyrtim. Konkretisht, sipas nenit 35 të Kodit të Proçedurës Civile gjykohen nga një trup gjykues prej tre gjyqtarësh çështjet e mëposhtme:Paditë për njohjen e së drejtës së pronësisë dhe të drejtave reale mbi sendet e paluajtshme;

 

Paditë për kërkimin e sendeve të paluajtshme dhe pjestimin e tyre;

 

Paditë për njohjen kërkimin dhe pjestimin e trashgimisë kur vlera e padisë është mbi 5 milionë Lek;

 

Paditë që rrjedhin nga mosmarrëveshjet tregtare të parashikuara nga neni 334 i Kodit të Procedurës Civile;

 

Paditë që rrjedhin nga mosekzekutimi ose nga ekzekutimi në mënyrë jo të plotë të detyrimeve për shpërblimin e dëmit, për begatimin pa shkak dhe për pagimin e padetyruar ku vlera e padisë është mbi pesëmilionë Lek;

 

Paditë për kundërshtimin e akteve administrative me përjashtim të atyre që rregullojnë marrëdhëniet e punës ose që përmbajnë detyrime në të holla deri në pesë milionë Lek;

 

Paditë për shpalljen e zhdukjes ose të vdekjes së personit;

 

Paditë për heqjen ose kufizimin e zotësisë për të vepruar të personave.


Të gjitha konfliktet e tjera civile që janë në juridiksionin e Gjykatave të shkallës së parë gjykohen nga një gjyqtar i vetëm.

Në përbërje të Gjykatave të rretheve gjyqësore krijohen seksione të veçanta për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative, tregtare dhe familiare. Në bazë të një dekreti të Presidentit të Republikës të vitit 1996 janë krijuar dhe funksionojnë pranë Gjykatave të rretheve gjyqësore 17 seksione të tilla. Pjesë të veçanta të çështjeve administrative, tregtare apo familare, mbulohen nga Gjykata e shkallës së parë.

 

 

Mosmarrëveshjet administrative janë në thelb një konflikt midis një personi fizik dhe organeve shtetërore të të gjitha niveleve. Që konflikti të quhet administrativ, është e domosdoshme që njëra nga palët të jetë organ administrativ. Personi fizik që ngre padi në gjykatë kundër organeve shtetërore duhet patjetër të provojë se një akt, veprim ose mosveprim i organit shtetëror e ka dëmtuar atë personalisht në një nga të drejtat apo interesat e tij/saj të ligjshme. Përjashtimisht një ose disa persona mund të ankohen në gjykatë edhe për ato akte, veprime ose mosveprime të shtetit që dëmtojnë të drejtat dhe interesat kolektive të tilla si ambienti, trashëgimia kulturore etj. Më konkretisht, Kodi i Procedurës Civile mundëson personat fizikë që, në kuadrin e një mosmarrëveshje administrative, të kërkojnë nga gjykata sa më poshtë:

A) Shfuqizimin ose ndryshimin e një akti administrativ;
B) Kundërshtimin e refuzimit (nga ana e organit administrativ) për të nxjerrë një akt administrativ;
C) Kundërshtimin e vonesës (nga ana e organit administrativ) në shqyrtimin dhe nxjerrjen e një akti administrativ.

Mosmarrëveshjet tregtare janë në thelb konflikte midis palëve kur të paktën njëra nga palët është subjekt tregtar. Konkretisht, seksionet tregtare pranë Gjykatave të rretheve gjyqësore gjykojnë çështje të tilla si konfliktet midis shoqërive tregtare, konfliktet midis ortakëve të një shoqërie tregtare, çështje që kanë të bëjnë me falimentimin, konkurencën e pandershme si dhe çështje kontraktore ku njëra nga palët është shoqëri tregtare.

Mosmarrëveshjet familjare janë në thelb konflikte që përfshijnë anëtarët e familjes. Më konkretisht në kompetencën e seksioneve familjare pranë Gjykatave të rretheve gjyqësore bien çështje të tilla si zgjidhja e martesës, pavlefshmëria e martesës, kujdestaria mbi të miturit, birësimet, ndarja e pasurisë bashkëshortore, detyrimi ushqimor si dhe kërkesat për heqjen dhe kthimin e pushtetit prindëror.

Çështjet ushtarake janë objekt i gjykimit të Gjykatave ushtarake të shkallës së parë. Megjithëse ligji siguron krjimin e tyre, këto Gjykata funksionojnë si "Kolegje" të veçanta brenda sistemit të Gjykatave të faktit. Ekzistojne 5 Gjykata ushtarake të cilat kanë juridiksion territorial të përcaktuara nga një dekret i veçantë i Presidentit të Republikës. Këto Gjykata trajtojnë vepra penale ushtarake, pengjet e luftës dhe specifika të tjera të përcaktuara me ligj. Gjykatat ushtarake funksionojnë në panele të përbëra nga 3 gjyqtarë për çështjet penale dhe nga 1 gjyqtar për çështjet e kundravatjeve ligjore. 

B. Gjykatat e Apelit


Republika e Shqipërisë ka 6 Gjykata Apeli dhe 1 Gjykatë Apeli ushtarake, kjo e fundit me juridiksion të plotë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Gjykatat e Apelit përbëhen nga 47 gjyqtarë dhe 97 anëtarë të stafit administrativ.

Juridiksioni territorial i Gjykatave të Apelit caktohet me dekret të Presidentit të Republikës mbi një propozim të Ministrit të Drejtësisë dhe pasi të jetë marrë paraprakisht mendimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Gjykatat e Apelit kanë si kompetencë të shqyrtojnë dhe të vendosin në lidhje me pretendimet kundër vendimeve të Gjykatave të shkallës së parë. Ato i marrin vendimet në trup gjykues të përbërë nga 3 (tre) gjyqtarë.

Gjykata Ushtarake e Apelit e cila, siç u tha më lart, është një e vetme për të gjithë territorin e Republikës, gjykon në shkallë të dytë çështjet penale të gjykuara nga kolegjet penale ushtarake të shkallës së parë. Gjykata Ushtarake e Apelit gjykon gjithnjë me trup gjykues të përbërë nga 3 anëtarë.