Forum 



Contact us

High Judicial Council

Building “ Justice Pole”, “Ana Komnena” Street, Tirana

GJYKATA KUSHTETUESE

Data dhe konteksti i krijimit

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë është krijuar më anë të Ligjit kushtetues nr. 7561, datë 29 prill 1992 "Mbi një shtesë në ligjin 7491 datë 29.04.1991 Për dispozitat kryesore kushtetuese". Nenet 17 deri në 28 të atij Ligji krijonin Gjykatën Kushtetuese, përcaktonin statusin e saj, përbërjen, atributet, strukturën, funksionimin dhe kompetencat. Po kështu, me atë ligj u formuluan edhe parimet që duhen ndjekur për të ushtruar kontrollin kushtetues. Gjykata Kushtetuese ka filluar veprimtarinë e saj më 1 qershor 1992, kur anëtarët e parë të saj bënë betimin para Presidentit të Republikës.

Gjykata Kushtetuese në Kushtetutën e re

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë nuk bën pjesë në sistemin gjyqësor të zakonshëm por ajo përbën një juridiksion të veçantë, e ngarkuar të kontrollojë kushtetutshmërinë e ligjeve dhe të akteve të tjerë normative.

Me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, që ka hyrë në fuqi më 28 nëntor 1998, Gjykata Kushtetuese fiton një pozitë të rëndësishme institucionale. Nenet 124 deri 134 të Kushtetutës i kushtohen Gjykatës Kushtetuese si juridiksion kushtetues i pavarur. Gjykata Kushtetuese i nënshtrohet vetëm Kushtetutës (neni 124 i Kushtetutës). Këto dispozita përcaktojnë edhe përbërjen, emërimin dhe statusin e gjyqtarëve e të Kryetarit të saj, tipin dhe shtrirjen e kompetencave të kontrollit kushtetues, subjektet që mund ta venë në lëvizje atë, forcën detyruese dhe zbatimin e vendimeve të saj.

Bazat ligjore të krijimit dhe të funksionimit të Gjykatës Kushtetuese

Bazat ligjore të krijimit dhe funksionimit të Gjykates Kushtetuese janë ligjet e mëposhtme:

Ligji kushtetues nr.7561 datë 29 prill 1992 "Mbi një shtesë në ligjin nr. 7491 datë 29.04.1991 " Për Dispozitat Kryesore Kushtetuese" (shfuqizuar);

Ligji nr. 8373 date 15 korrik 1998 "Mbi Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë." (shfuqizuar);

Ligji nr. 8577 datë 10 shkurt 2000 " Mbi Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë";

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë që hyri në fuqi më 28.11.1998.

 

Përbërja

Gjykata Kushtetuese është autoriteti më i lartë i ngarkuar të mbrojë e të garantojë respektimin e Kushtetutës dhe të bëjë interpretimin përfundimtar të saj. Në ushtrimin e funksioneve të saj, ajo është e pavarur dhe i nënshtrohet vetëm Kushtetutës (neni 124 i Kushtetutës) Ajo përbëhet nga nëntë anëtarë të emëruar nga Presidenti i Republikës pasi është marrë pëlqimi i Kuvendit të Republikës. Gjyqtarët emërohen për një mandat prej nëntë vjetësh. Një e treta e përbërjes së Gjykatës përtërihet çdo tre vjet. Gjyqtarët përzgjidhen nga rradhët e juristëve të diplomuar në drejtësi me kualifikim të lartë e me përvojë pune jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese emërohet nga rradhët e anëtarëve nga Presidenti i Republikës, pasi ai ka marrë pëlqimin e Kuvendit, për një periudhë prej tre vjetësh (neni 125 i Kushtetutës).

Funksioni i gjyqtarit është i papajtueshëm me çdo funksion tjetër publik ose veprimtari private (neni 130 i Kushtetutës). Gjyqtari kushtetues nuk mund të ndiqet penalisht pa autorizim paraprak të Gjykatës Kushtetuese. Ai mund të ndalohet ose të arrestohet vetëm nëse kapet në kryerje e sipër të një krimi ose menjëherë sapo e ka kryer atë. Por, kur Gjykata Kushtetuese nuk jep pëlqimin brenda 24 orëve për dërgimin në gjykatë të gjyqtarit të arrestuar, organi kompetent është i detyruar ta lirojë atë (neni 126 i Kushtetutës).

Gjyqtari kushtetues pushon së ushtruari funksionet e tij kur:

Dënohet me vendim të formës së prerë për kryerjen e nje krimi;

Nuk paraqitet pa arsye në detyrë për më shumë se gjashtë muaj;

Mbush moshën 70 vjeç;

Jep dorëheqjen;

Deklarohet i paaftë për të vepruar me vendim gjyqësor të formës së prerë.

 

Mbarimi i mandatit të gjyqtarit bëhet me vendim të Gjykatës Kushtetuese. Në rast se vendi i gjyqtarit mbetet vakant, Presidenti i Republikës, me pëlqimin e Kuvendit të Republikës, emëron një gjyqtar të ri, i cili përfundon mandatin e paraardhësit të tij (neni 127 i Kushtetutës).

Kompetencat kryesore

Neni 131 i Kushtetutës rendit atributet e Gjykatës Kushtetuese në fushë të kontrollit kushtetues si më poshtë:

Pajtueshmërinë e ligjeve me Kushtetutën ose me marrëveshjet ndërkombëtare, ashtu siç parashikohet në nenin 122;

Pajtueshmërinë e marrëveshjeve ndërkombëtare me Kushtetutën para ratifikimit të tyre;

Pajtueshmërinë e akteve normative të organeve qëndrore dhe vendore me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare;

Mosmarrëveshjet e kompetencës ndërmjet pushteteve si dhe ndërmjet pushtetit qendror dhe qeverisjes vendore;

Kushtetutshmërinë e partive dhe organizatave të tjera politike, si dhe të veprimtarisë së tyre në bazë të nenit 9 të Kushtetutës;

Shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës dhe vërtetimin e pamundësisë së ushtrimit të funksioneve;

Çështjet që lidhen me zgjedhshmërinë dhe pajtueshmërinë në ushtrimin e funksioneve të Presidentit të Republikës dhe deputetëve, si dhe me verifikimin e zgjedhjes së tyre;

Kushtetutshmërinë e referendumit dhe verifikimin e zgjedhjes së tyre;

Gjykimin përfundimtar të ankesave të individëve për shkeljen e të drejtave të tyre kushtetuese për një proçes të rregullt ligjor, pasi të jenë shteruar të gjitha mjetet juridike për mbrojtjen e këtyre të drejtave.

 

Venia në lëvizje e Gjykatës Kushtetuese


Gjykata Kushtetuese vihet në lëvizje (neni 134 i Kushtetutës) vetëm me kërkesë të:

Presidentit të Republikës;

Kryeministrit;

Një të pestës së deputetëve

Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit

Çdo gjykatë sipas nenit 145, pika 2, të Kushtetutës;

Avokatit të Popullit;

Organeve të qeverisjes vendore;

Organeve të bashkësive fetare;

Partive politike dhe organizatave të tjera;

Individëve.

 

Subjektet e parashikuara në nënparagrafët f,g,h,i dhe j mund të bëjnë kërkesë vetëm për çështje që lidhen me interesat e tyre.

Shqyrtimi i kërkesave nga Gjykata Kushtetuese

Çdo kërkesë që i është drejtuar Gjykatës i dorëzohet Kryetarit të saj, i cili cakton një gjyqtar relator që ngarkohet me përgatitjen paraprake të shqyrtimit të saj (neni 27 i ligjit). Një kolegj i përbërë nga tre gjyqtarë, ndër të cilët edhe relatori, shqyrton pranueshmërinë e kërkesës. Kur vendimi për pranueshmërinë e kërkesës nuk merret unanimisht, çështja i paraqitet mbledhjes plenare të gjyqtarëve, vendimi i së cilës merret me shumicë votash (neni 31 i ligjit). Kërkesa deklarohet e papranueshme kur objekti i saj nuk është në kompetencë të Gjykatës, ose personi që e ka paraqitur atë nuk legjitimohet për të vënë në lëvizje Gjykatën.

Gjykata thirret në seancë nga Kryetari i saj. Gjykata zhvillon seancën plenare, në të cilën marrin pjesë jo më pak se dy të tretat e të gjithë gjyqtarëve dhe ajo drejtohet nga Kryetari. Dispozitat e Kushtetutës si dhe ato të ligjit 8577 datë 10.02.2000 "Mbi Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatës Kushtetuese" përcaktojnë garancitë e nevojshme për ushtrimin e pavarësisë së gjyqtarit dhe të Gjykatës. Veprimtaria e Gjykatës pajtohet me parimet themelore të gjykimit kushtetues dhe të proçesit të rregullt. Debatet janë kontradiktore, dhe si regull, edhe publike. Palët mund të përfaqësohen nga avokatët e tyre. (nenet 20-27 të ligjit). Proçedurat gjyqësore janë pa pagesë. Në fund të shqyrtimit, Gjykata shprehet me vendim për kërkesën e paraqitur.

Natyra dhe efektet e vendimeve

Vendimet e Gjykatës merren me shumicë votash. Çdo vendim duhet të arsyetohet me shkrim. Ai duhet të mbajë nënshkrimet e gjyqtarëve që kanë marrë pjesë në gjykim. Gjykata Kushtetuese ka të drejtë vetëm të shfuqizojë aktet që i paraqiten për shqyrtim.

Vendimet e Gjykatës janë përfundimtare, ato kanë fuqi detyruese të përgjithshme dhe hyjnë në fuqi, si rregull ditën e botimit në Fletoren Zyrtare. Gjykata mund të vendosë që teksti i ligjit ose i aktit, të deklaruar i pavlefshëm, të hyjë në fuqi në një datë tjetër. Vendimet e Gjykatës, si rregull, nuk kanë fuqi prapavepruese.

Megjithatë, një vendim mund të ketë fuqi prapavepruese kur ai deklaron të pavlefshëm një vendim gjyqësor penal, qoftë edhe kur ai është në ekzekutim, vendim që është marrë duke zbatuar aktin normativ të shpallur të pavlefshëm nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese (neni 76 i ligjit). Kur një vendim deklaron pavlefshmërinë e një vendimi gjyqësor, ky humbet fuqinë juridike që nga data e marrjes së tij dhe çështja i dërgohet së njëjtës Gjykatë për rishqyrtim (neni 77 i ligjit). Vendimi i Gjykatës Kushtetuese që interpreton Kushtetutën ka fuqi prapavepruese (neni 79 i ligjit).

V
endimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshëm për t'u zbatuar. Ekzekutimi i vendimeve sigurohet nga Këshilli i Ministrave nëpërmjet organeve përkatëse të administratës shtetërore. Gjykata mund të caktojë një organ tjetër që ngarkohet me ekzekutimin e vendimit, si dhe me procedurën e ekzekutimit të tij. Ligji parashikon marrjen e sanksioneve kur një person nuk zbaton ose pengon zbatimin e vendimit.