Forum 



Contact us

High Judicial Council

Building “ Justice Pole”, “Ana Komnena” Street, Tirana

STATUSI I GJYQTARËVE

NENI 26  

Gjyqtarët gëzojnë imunitet. Gjyqtarët e shkallës së parë dhe të apelit mund të ndiqen penalisht vetëm me miratim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Gjyqtari mund të ndalohet ose të arrestohet vetëm në qoftë se kapet në kryerje e sipër të një krimi ose menjëherë pas kryerjes së tij.Organi kompetent njofton menjëherë Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Në qoftë se Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk jep pëlqimin brenda 24 orëve për dërgimin në gjykatë të gjyqtarit të arrestuar, organi kompetent është i detyrar ta lirojë atë.

NENI 27

Gjyqtarët nuk mund të lëvizin nga detyra, përveç kur: 1. japin dorëheqjen; 2. mbushin moshën për pension; 3. dënohen penalisht me anë të një vendimi të formës së prerë të gjykatës; 4. konkludohet se ata janë fizikisht ose mendërisht të paaftë ose, sipas kritereve të përcaktuara në nenet 45 ose 48 të këtij ligji, konkludohet pamjaftueshmëria e tyre profesionale; 5. merren ndaj tyre masa disiplinore nga organi competent sipas rasteve të parashikuara nga ligji; 6. kryejnë veprime apo mbajnë funksione që bien ndesh me nenet 29 deri 35 të këtij ligji. Në rastin kur ndaj një gjyqtari vendoset fillimi i një çështjeje penale, ai pezullohet nga detyra derisa të merret vendim i formës së prerë. Në rastet kur fajësia nuk provohet me vendim të formës së prerë të gjykatës, gjyqtari ka të drejtë të kthehet në punën e tij /saj të mëparshme dhe të marrë pagën e plotë që nga koha e pezullimit.

NENI 28

Ngritja në përgjegjësi dhe transferimi i gjyqtarit nga puna e tij bëhet vetëm me pëlqimin e tij/saj, përveç rasteve të parashikuara nga ky ligj. Në rast se një gjykatë nuk funksionon normalisht për shkak të mungesës së përkohshme të gjyqtarëve ose për shkak të mbingarkesës së punës, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, i delegon gjyqtarët nga një gjykatë në një tjetër për një periudhë prej jo më shumë se 3 muaj në vit edhe pa pëlqimin e gjyqtarit. Në fund të këtij afati, gjyqtari shkon përsëri në vendin e tij të mëparshëm. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, mund të emërojë një gjyqtar të gjykojë një numër çështjesh në një gjykatë tjetër të të njëjtit nivel, nësem mungojnë gjyqtarët në këtë gjykatë.

NENI 29

Gjyqtarëve u ndalohet të bëjnë pjesë në parti politike ose të marrin pjesë në veprimtari me karakter politik.

NENI 30

Funksioni i gjyqtarit është i papajtueshëm me çdo mandate zgjedhor, si dhe me çdo funksion dhe veprimtari tjetër publike ose private. Gjyqtarëve u ndalohet të marrin pjesë në administrimin apo drejtimin e shoqërive civile ose tregtare, personalisht ose me anë përfaqësimi.

NENI 31

Gjyqtarët nuk mund të jenë ekspertë ose arbitër të palëve në arbitrazh.

NENI 32

Gjyqtarit i ndalohet të bëjë deklarata në lidhje me proceset, të bëjë të ditur mendimet që janë dhënë gjatë seancave të gjykimit, që akoma nuk kanë marrë formën e një vendimi, të deklarojë përmbajtjen e akteve ose dokumenteve zyrtare me karakter sekret ose vetjak.

NENI 33

Gjyqtarët gjatë gjykimit të çështjeve duhet të re spektojnë solemnitetin e gjykimit dhe të mbajnë veshje të posaçme.

NENI 34

Gjyqtarët duhet të ruajnë dinjitetin e tyre, duke mos lejuar veprime që kompromentojnë profesionin, organet e drejtësisë dhe figurën e tyre në shoqëri.

NENI 35

Gjyqtarët janë të lirë të krijojnë shoqata ose organizata për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e tyre, si dhe për ngritjen profesionale. Gjyqtarëve u ndalohet të bëjnë greva.

NENI 36

Për të garantuar rendin dhe sigurinë, pranë gjykatave organizohet shërbimi i vazhdueshëm i policisë, i cili vepron sipas urdhrave të autoriteteve gjyqësore.

NENI 37

Asnjë gjyqtar nuk përgjigjet në një padi civile, e cila lidhet me kryerjen e detyrave të tij profesionale, me përjashtim të rasteve kur parashikohet shprehimisht me një ligj të veçantë.

NENI 38

Gjyqtarët kanë të drejtë: 1. Të kenë një mbrojtje të veçantë të vetes, familjes dhe pronës, kur një gjë të tillë e kërkojnë vetë për rrethana serioze ose çmohet se është e domosdoshme. 2. Të përfitojnë falas fletoret zyrtare, gazetat dhe revistat juridike.

NENI 39

Gjyqtarët përfitojnë leje të pagueshme vjetore prej 30 ditësh. Leja vjetore bëhet në muajt korrik dhe gusht. Gjyqtarët e ngarkuar me kryerjen e detyrave të ngutëshme për periudhën korrik- gusht, lejen vjetore e bëjnë në një periudhë tjetër, duke përfituar 5 ditë shtesë.