Forum 



Na kontaktoni

Këshilli i Lartë Gjyqësor

Godina “Poli i Drejtësisë “, Rruga “Ana Komnena”, Tiranë

PROGRAMI I TRANSPARENCËS PËR
(Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar)

I. HYRJE

Në përputhje me nenin 7 të ligjit nr. 119/2014 “Për të Drejtën e Informimit” është përgatitur programi i transparencës për Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Ky program përcakton kornizën ligjore të veprimtarisë së autoritetit në kuadër të ligjit nr. 119/2014 “Për të Drejtën e Informimit” (LDI). Ky program vlerësohet si një mënyrë konkrete përmes së cilës Autoriteti Publik (Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar) ndërton dhe rrit transparencën në punën e tij institucionale, nën garancinë e LDI-së. Informacioni i bërë publik në këtë program, synon të bëjë transparencën e veprimtarisë së punës së Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nëpërmjet pasqyrimit të detajuar të tij në faqen zyrtare http://www.gjykata.gov.al, si dhe në mjediset e pritjes së publikut në ekranin elektronik, në kioskën eletronike (touchscreen) të aksesit mbi programin e menaxhimit të çështjeve gjyqësore, këndin e informacionit, atë të njoftimeve. Programi i transparencës pasqyrohet në rubrika, tekste/përmbajtje, afat kohor për bërjen publike të tij, mënyrën e bërjes publike, si dhe strukturën përkatëse, e cila prodhon ose administron dokumentin. Në përmbajtje të programit të transparencës evidentohet skema e publikimit, e cila pasqyron menutë, ku adresohet dokumenti në faqen zyrtare në internet. Dokumentacioni i bërë publik, do të jetë i përditësuar në formë e përmbajtje.

Faqja zyrtare e GJPAKKO-së është ndërtuar në atë formë që mundëson informacion për publikun pa kërkesë në format lehtësisht të kuptueshëm.

Në rubrikat e faqes zyrtare pasqyrohen edhe informacione që karakterizohen nga kufizime të identifikimit të të dhënave personale për shkak të ruajtjes së privatësisë së individëve/subjekteve të të dhënave etj. Kjo në përputhje me dispozitat e Kodit të Proçedurës Penale, ligjin nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, ligjin nr. 9887, datë 10.03.2008, ndryshuar me ligjin nr. 48/2012 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, si dhe Udhëzimin nr. 15, datë 13.12.2011 të Komisionierit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, “Për përpunimin dhe publikimin e të dhënave personale në sistemin gjyqësor”.

 

II. PARIME TË PËRGJITHSHME

 

Parimet kryesore në të cilat mbështetet Programi Transparencës së GJPAKKO-së janë:

1.  “E drejta për informim” është e drejtë Kushtetuese e parashikuar në nenin 23 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

2. “Prezumimi i publikimit maksimal të të dhënave”: GJPAKKO ushtron funksione publike, për rrjedhojë informacioni që rrjedh nga veprimtaria e saj, për aq kohë sa nuk përbën informacion të klasifikuar dhe nuk kufizohet me ligje të tjera, publikohet në përputhje me legjislacionin në fuqi.

3. Zbatimi korrekt i ligjit dhe dispozitave ligjore që rregullojnë në mënyrë të posaçme veprimtarinë e GJPAKKO-së si: Kodi i Proçedurës Penale, ligji nr.95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, si dhe në përputhje me rregullimet e përcaktuara në ligjin nr. 119/2014 “Për të drejtën për informim”, ligjin nr. 8457, datë 11.02.1999, “Për informacionin e klasifikuar “Sekret shtetëror””, i ndryshuar, ligjin nr. 9887, datë 10.03.2008, ndryshuar me ligjin nr. 48/2012 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, si dhe akteve të tjerë nënligjore.

4. Informacioni përshtatet në gjuhë të qartë e të kuptueshme.

5. Rishikimi i Programit të Transparencës bëhet sipas së njëjtës proçedurë, përmes së cilës është bërë miratimi i tij.

6. Informacioni publik pa kërkesë duhet të jetë:

- I plotë

- I saktë

- I përditësuar

- I thjeshtë në konsultim

- I kuptueshëm

- Lehtësisht i aksesueshëm

- I pajtueshëm me dokumentet origjinale në posedim të autoritetit publik

 

III. INFORMACIONI QË BËHET PUBLIK PA KËRKESË

 

Informacioni i lejuar për publikim është shprehimisht i parashikuar në nenin 7, të ligjit nr. 119/2014 “Për të Drejtën e Informimit”. Në përputhje me këtë Program Transparence të miratuar, GJPAKKO vendos në dispozicion të publikut në faqen e saj të internetit www.gjykata.gov.al, kategoritë e mëposhtme të informacionit:

- Strukturën organizative të autoritetit publik;

- Tekstet e plota, të konventave që janë ratifikuar, të ligjeve, të akteve nënligjore, të kodeve të sjelljes, dokumente politikash, ose ndonjë dokument tjetër që ka lidhje me ushtrimin e funksioneve të tij dhe që prek publikun e gjerë;

- Informacion për proçedurat që duhen ndjekur për të bërë një kërkesë për informim, adresën postare dhe elektronike për depozitimin e kërkesave për informim, si dhe proçedurat e ankimit të vendimit përkatës;

- Të dhëna për vendndodhjen e zyrave të autoritetit publik, orarin e punës, emrin dhe kontaktet e koordinatorit për të drejtën e informimit;

- Të dhëna për arsimin, kualifikimet dhe pagat e funksionarëve, të cilët kanë detyrimin për deklarimin e pasurisë, sipas ligjit, strukturat e pagave për nëpunësit e tjerë, si dhe një përshkrim të proçedurave të zgjedhjes, kompetencave dhe detyrave të funksionarëve të lartë të autoritetit publik dhe proçedurën që ata ndjekin për të marrë vendime;

- Mekanizmat monitorues dhe të kontrollit që veprojnë mbi autoritetin publik, raportet e auditimit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit ose subjekte të tjera, etj.;

- Të dhëna për buxhetin dhe planin e shpenzimeve për vitin financiar në vijim dhe vitin paraardhës, si dhe çdo raport vjetor për zbatimin e buxhetit;

- Informacion për proçedurat e prokurimit, sipas parashikimeve të ligjit nr. 9643, datë 20.12.2006, “Për prokurimin publik”, që kryhen për llogari të autoritetit publik;

- Çdo mekanizëm dhe proçedurë për bërjen e kërkesave dhe ankesave, në lidhje me veprimet ose mosveprimet e autoritetit publik, proçedura, përmes së cilës personat e interesuar mund të paraqesin mendimet e tyre apo të ndikojnë në çfarëdo mënyre tjetër në hartimin e ligjeve, të politikave publike apo ushtrimin e funksioneve të GJPAKKO-së.

GJPAKKO, gjithashtu krijon dhe arkivon një kopje dixhitale të faqes zyrtare të saj në internet, të plotësuar me informacionin që kërkohet në programin e miratuar të transparencës, si dhe për metodat, mekanizmat dhe periodicitetin e publikimit të informacioneve publike, të cilat vihen në dispozicion të publikut pa kërkesë.