Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar


Në ndryshimet kushtetuese, të miratuara nëpërmjet ligjit nr.76/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8417, datë 21.10.1998, “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, (të ndryshuar), ndër të tjera, në nenin 135 të saj, është parashikuar ngritja e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Gjykata e Posaçme gjykon veprat penale të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, si dhe akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, anëtarit të Këshillit të Ministrave, gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Kryetarit të Bashkisë, deputetit, zëvendësministrit, anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, apo edhe akuzat ndaj ish-funksionarëve të mësipërm.
Gjyqtarët e gjykatave të posaçme emërohen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe para emërimit, i nënshtrohen verifikimit të pasurisë dhe figurës, si dhe japin pëlqimin për kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare dhe të telekomunikacione vetjake sipas ligjit.
Në dispozitat tranzitore të Kushtetutës1 , është parashikuar procesi i shndërrimit dhe emërtimit të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, sipas nenit 1352  të saj. Sipas kësaj dispozite, parashikohet se Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe Gjykata e Apelit për Krime të Rënda do të emërtohen, funksionojnë dhe ushtrojnë kompetencat e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Gjykatës së Apelit, brenda dy muajve nga krijimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor, sipas ligjit.
Në këtë rast, Kushtetuta i referohet ligjit nr.98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”3  dhe ligjit nr.95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”.
Kushtetuta vë si kusht, që gjyqtarët në detyrë, pra Gjykatat për Krime të Rënda, duhet të japin pëlqimin për rishikimin periodik të llogarive të tyre financiare dhe të telekomunikimeve vetjake, me qëllim që të kalojnë në Gjykatën e re Antikorrupsion dhe Krimin e Organizuar.
Ligji nr. 95/2016 “Për Organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”4  parashikon se kompetenca lëndore e Gjykatave Kundër Korrupsionit  dhe Krimit të Organizuar, parashikohet nga neni 75/a i Kodit të Procedurës Penale e nuk mund të tejkalojë kompetencën e përcaktuar nga neni 135/2 i Kushtetutës5 . Ky ligj përcakton juridiksionin penal të Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar,  e cila do të jetë me vendndodhje në Tiranë dhe e ushtron juridiksionin e saj penal në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
Kompetenca tokësore e Gjykatës së Posaçme, për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, përcaktohet edhe në ligjin 98/2016 “Për organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”6 , ku përcaktohet edhe një herë që kjo gjykatë do të jetë me seli në Tiranë.
Që gjyqtarët të pranohen në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion dhe të Krimit të Organizuar, përpara caktimit në detyrë, duhet të nënshkruajnë një deklaratë, sipas së cilës ata dhe anëtarë të afërt të familjes së tyre pranojnë kushtet për të qënë nën mbikëqyrje mbi llogaritë financiare, komunikimet telefonike etj. Kushtet e sigurisë për besimin dhe konfidencialitetin, janë kushte strikte dhe parashikojnë kufizime të theksuara të lirisë personale/vetjake të gjyqtarëve dhe të familjarëve të tyre.
Në dispozitat kalimtare të ligjit, parashikohet që Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Prokuroria e Posaçme, vendosen në ndërtesën aktuale të Gjykatës për Krime të Rënda dhe të Prokurorisë për Krime të Rënda.
Gjithashtu thuhet, që dispozitat për gjyqtarët të Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe të Apelit për Krime të Rënda dhe statusi i tyre tranzitor parashikohen shprehimisht në ligjin nr.96/2016 “Për Statusin e Gjyqtarit dhe të Prokurorit në Republikën e Shqipërisë”.
Ligji nr.35/2017 mbi ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale shfuqizoi disa dispozita, të cilat kufizonin në kohë, në afat prej 300 ditësh ekzistencën e Gjykatës së Krimeve të Rënda, çka do të thotë për rrjedhojë se Gjykata e Krimeve të Rënda do të ekzistojë deri sa të ngrihet e konstituohet Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ky është një proces që duhet të ndodhë në të njëjtën kohë, në mënyrë që të sigurohet vijimësia e shqyrtimit të çështjeve e të respektohen të drejtat e garancitë e persona të akuzuar pranë kësaj gjykate.
Sipas ligjit për organizimin e pushtetit gjyqësor, parashikohet që Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Shkalla e Parë do të ketë minimalisht 16 gjyqtarë, ndërsa ajo e Apelit 11 gjyqtarë. Ndryshimet e Kodit të Procedurës Penale kanë parashikuar që tashmë gjykatat edhe ato të posaçme, gjykojnë me trupa gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë.
Gjykatat e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar filluan funksionimin më datë 19 dhjetor 2019.
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar filloi funksionimin më datë 19 dhjetor 2019, në bazë të Vendimit Nr. 286, datë 18.12.2019 “Për fillimin e funksionimit të Gjykatave të Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Sipas vendimit të sipërcituar është vendosur, fillimi i funksionimit të Gjykatave të Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar më datë 19.12.2019. Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda emërtohet Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Selia e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është në Tiranë, në ndërtesën aktuale të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda. Numri i gjyqtarëve të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është 11 (njëmbëdhjetë).
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
PJESA E NËNTË- GJYKATAT
Neni 135 (Ndryshuar me ligjin nr.76/2016, datë 22.7.2016)
1.    Pushteti gjyqësor ushtrohet nga Gjykata e Lartë, si dhe nga gjykatat e apelit e gjykatat e shkallës së parë, të cilat krijohen me ligj.
2.    Gjykatat e posaçme gjykojnë veprat penale të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, si dhe akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, anëtarit të Këshillit të Ministrave, gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Kryetarit të Bashkisë, deputetit, zëvendësministrit, anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dhe drejtuesve të institucioneve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj, si dhe akuzat kundër ish-funksionarëve të sipërpërmendur.
3.    Kuvendi mund të krijojë me ligj gjykata të tjera për fusha të veçanta, por në asnjë rast gjykata të jashtëzakonshme.
4.    Gjyqtarët e gjykatave të posaçme që parashikohen në paragrafin 2, të këtij neni, emërohen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, sipas ligjit. Gjyqtarët e  gjykatave të posaçme shkarkohen nga detyra me dy të tretat e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Kandidatët për gjyqtarë dhe nëpunës civilë gjyqësorë në gjykatat e posaçme, si dhe familjarët e afërm të kandidatëve, para emërimit, i nënshtrohen verifikimit të pasurisë dhe të figurës, si dhe japin pëlqimin për kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare dhe të telekomunikimeve vetjake, sipas ligjit.
Kompetencat e Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar
1. Neni 244 i Kodit Penal: Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike.
2. Neni 244/a i Kodit Penal: Korrupsioni aktiv i nëpunësve të huaj publikë.
3. Neni 245 i Kodit Penal: Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë.
4. Neni 245/1 i Kodit Penal: Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.
5. Neni 257 i Kodit Penal: Përfitim i paligjshëm i interesave.
6. Neni 258 i Kodit Penal: Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike.
7. Neni 259 i Kodit Penal: Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike.
8. Neni 259/a i Kodit Penal: Korrupsioni pasiv i nënpunësve të huaj publikë.
9. Neni 260 i Kodit Penal: Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë.
10. Neni 312 i Kodit Penal: Korrupsioni aktiv i dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit.
11. Neni 319 i Kodit Penal: Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë.
12. Neni 319/a i Kodit Penal: Korrupsioni aktiv i gjyqtarit ose i zyrtarit të gjykatave ndërkombëtare.
13. Neni 319/b i Kodit Penal: Korrupsioni aktiv i arbitrit vendas dhe të huaj.
14. Neni 319/c i Kodit Penal: Korrupsioni aktiv i anëtarëve të jurive gjyqësore të huaja.
15. Neni 319/ç i Kodit Penal: Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë.
16. Neni 319/d i Kodit Penal: Korrupsioni pasiv i gjyqtarit ose i zyrtarit të gjykatave ndërkombëtare.
17. Neni 319/dh i Kodit Penal: Korrupsioni pasiv i arbitrit vendas dhe të huaj.
18. Neni 319/e i Kodit Penal: Korrupsioni pasiv i anëtarëve të jurive gjyqësore të huaja
Veprat penale në kuadër të organizatave kriminale
19. Neni 28 i Kodit Penal: Forma të veçanta të bashkëpunimit.
20. Neni 333 i Kodit Penal: Organizata Kriminale.
21. Neni 333/a i Kodit Penal: Grup i strukturuar kriminal.
22. Neni 334 i Kodit Penal: Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal.
23. Akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, anëtarit të Këshillit të Ministrave, gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe te Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Kryetarit të Bashkisë, deputetit, zëvendësministrit, anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dhe drejtuesve të institucioneve qëndrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj.
24. Akuzat penale kundër ish-funksionarëve të mësipërm, kur vepra është kryer gjatë ushtrimit të detyrës.
Në fushën e veprimit të Gjykatës së Posaçme hyjnë dhe kërkesat për masë parandaluese në kuadër të ligjit nr.10192 datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”.
Sipas Aktit Normativ Nr.1 datë 31.01.2020 “Për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit dhe sigurisë publike”.
1 Paragrafi 8, neni 179, pjesa e 18 e Kushtetutës, dispozita kalimtare të fundit.
2 Paragrafi 2, neni 135, Gjykatat, pjesa e nëntë.
3 I referohet ligjit nr. 95/2016 “Për organizmin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”. Në këtë rast Kushtetuta i referohet ligjit nr. 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”.
4 Ligji nr. 95/2016 “Për organizmin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”.
5 Neni 8, kompetenca lëndore parësore po aty.
6 Neni 11, i ligjit nr. 98/2016 “Për organizmin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”