LIGJ Nr.7905, datë 21.3.1995

KODI I PROCEDURËS PENALE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

(ndryshuar me ligjet: nr. 7977, datë 26.7.1995, 8027, datë 15.11.1995, nr. 8180, datë 23.12.1996, nr. 8460, datë 11.2.1999, nr. 8570, datë 20.1.2000, nr.8602, datë 10.4.2000, nr. 8813, datë 13.6.2002, nr.9085, datë 19.6.2003, nr. 9187, datë 12.2.2004, nr. 9276, datë 16.9.2004, nr. 9911, datë 5.5.2008, nr. 10 054, datë 29.12.2008, nr. 145/2013, datë 2.5.2013, nr. 21/2014, datë 10.3.2014, nr.99/2014, datë 31.7.2014, nr. 35/2017, datë 30.3.2017; vendimet e Gjykatës Kushtetuese nr. 55, datë 21.11.1997, nr. 15, datë 17.4.2003 dhe nr. 31, datë 17.5.2012, nr.41, datë 23.03.2021).

 

TITULLI VIII

ANKIMET

KREU I

RREGULLA TË PËRGJITHSHME

 

Neni 407

Rastet dhe mjetet e ankimit

  1. Ligji cakton rastet në të cilat vendimet dhe urdhrat e gjykatës mund të ankimohen, si dhe mjetin e ankimit.
  2. Ankimi i urdhrave të gjykatës, kur nuk parashikohet ndryshe nga ligji, mund të bëhet vetëm me ankimin kundër vendimit.
  3. Mjetet e ankimit janë: apeli, rekursi në Gjykatën e Lartë dhe kërkesa për rishikim.
  4. E drejta e ankimit i takon vetëm atij që ligji ia njeh shprehimisht. Kur ligji nuk bën dallim ndërmjet palëve, kjo e drejtë i takon secilës prej tyre.
  5. Kur ankimi bëhet në gjykatën jokompetente, ajo ia dërgon aktet gjykatës kompetente.

 

Neni 408

Ankimi i prokurorit

Prokurori mund të bëjë ankim në gjykatën më të lartë, sipas rasteve të parashikuara nga ky Kod.

Neni 409

Ankimi i viktimës akuzuese

  1. Viktima akuzuese mund të bëjë ankim, vetë ose nëpërmjet përfaqësuesit të tij, si për efekte penale, ashtu dhe për ato civile. Ai mund ta tërheqë ankimin e bërë nga përfaqësuesi.

 

Neni 410

Ankimi i të pandehurit

  1. I pandehuri mund të bëjë ankim vetë ose nëpërmjet mbrojtësit të tij. Kujdestari i të pandehurit mund të bëjë çdo ankim që i takon të pandehurit.
  2. Kundër vendimit të dhënë në mungesë, mbrojtësi mund të bëjë ankim vetëm kur është i autorizuar posaçërisht nga i pandehuri është i pajisur me një akt përfaqësimi të lëshuar në format e parashikuara nga ligji ose me deklarim në seancë.
  3. I pandehuri mund ta tërheqë ankimin e bërë nga mbrojtësi i tij, por kur ai nuk ka zotësinë juridike për të vepruar duhet të merret edhe pëlqimi i kujdestarit.
  4. Ankimi i të pandehurit kundër dënimit penal ose pafajësisë i shtrin efektet e veta edhe në pjesën e vendimit që cakton detyrimin për kthimin e pasurisë, shpërblimin e dëmit dhe pagimin e shpenzimeve procedurale.

Neni 411

Ankimi i paditësit civil dhe të paditurit civil

  1. Paditësi civil mund të bëjë ankim kundër pikave të vendimit të dënimit që kanë të bëjnë me padinë civile dhe në rastin e vendimit të pafajësisë vetëm për efektet e përgjegjësisë civile.
  2. I padituri civil mund të bëjë ankim kundër disponimit të vendimit që kanë të bëjnë me përgjegjësinë e të paditurit civil për kthimin e pasurisë, shpërblimin e dëmit dhe shpenzimet procedurale.

Neni 412

Forma e ankimit

  1. Ankimi bëhet me akt të shkruar, në të cilin tregohen vendimi i ankimuar, dita e tij, gjykata që e ka dhënë, si dhe pikat e vendimit që kundërshtohen, shkaqet e ankimit dhe çfarë kërkohet.

 

Neni 413

Paraqitja e ankimit

  1. Akti i ankimit paraqitet në sekretarinë e gjykatës që ka dhënë vendimin e ankimuar. Sekretari i gjykatës shënon në të ditën kur merr aktin dhe personin që e paraqet, e bashkon me aktet dhe, kur i kërkohet, lëshon vërtetimin e marrjes.
  2. Palët private, mbrojtësit dhe përfaqësuesit, mund ta paraqesin aktin e ankimit edhe në sekretarinë e gjykatës së vendit ku ata ndodhen ose pranë një nëpunësi konsullor jashtë shtetit. Në këto raste, akti dërgohet menjëherë në sekretarinë e gjykatës që ka dhënë vendimin.
  3. Akti i ankimit mund të dërgohet me postë rekomande në sekretarinë e gjykatës që ka dhënë vendimin. Sekretari i gjykatës shënon në zarf ditën e marrjes dhe e bashkëngjit atë me aktet. Ankimi quhet i bërë në datën e dërgimit të aktit me postë rekomande.

 

Neni 414

Njoftimi i ankimit

  1. Akti i ankimit u njoftohet prokurorit, të pandehurit dhe palëve private nga sekretaria e gjykatës që ka dhënë vendimin.

Neni 415

Afatet e ankimit

  1. Përveç rasteve të parashikuara ndryshe në këtë Kod, afati për të bërë ankim është pesëmbëdhjetë ditë. Ky afat fillon nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit.
  2. Ai që ka bërë ankim ka të drejtë që deri pesë ditë para seancës të paraqesë në sekretarinë e gjykatës që do të shqyrtojë çështjen, parashtrime me shkrim lidhur me shkaqet e ngritura në ankim.
  3. Afatet e parashikuara nga ky nen nuk mund të zgjaten për asnjë shkak, përveç rasteve të parashikuara me ligj.

Neni 416

Shtrirja e ankimit

  1. Ankimi i bërë nga një i pandehur, kur nuk bazohet vetëm në motive personale, vlen edhe për të pandehurit e tjerë.
  2. Ankimi i bërë nga i pandehuri vlen edhe për të paditurin civil.
  3. Ankimi i të paditurit civil vlen për të pandehurin edhe për efektet penale.

 

Neni 417

Pezullimi i ekzekutimit

  1. Ekzekutimi i vendimit të ankimuar pezullohet deri në përfundimin e gjykimit në gjykatën e apelit me përjashtim të rasteve kur ligji parashikon ndryshe.

Në rastet e rekursit, vendimi mund të pezullohet nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vetëm në rastet e parashikuara nga pika 1 e nenit 476 të këtij Kodi.

  1. Ankimet kundër vendimeve që lidhen me lirinë personale nuk kanë efekt pezullues.

 

Neni 418

Heqja dorë nga ankimi

  1. Prokurori që ka bërë ankimin mund të heqë dorë prej tij deri në fillimin e shqyrtimit gjyqësor, kurse heqja dorë nga prokurori pranë gjykatës që shqyrton ankimin mund të bëhet deri para fillimit të diskutimit përfundimtar.
  2. I pandehuri dhe palët private mund të heqin dorë nga ankimi edhe nëpërmjet mbrojtësit ose përfaqësuesit.
  3. Deklarata për heqjen dorë paraqitet në format dhe mënyrat e parashikuara për paraqitjen e ankimit, sipas rastit, në gjykatën që ka dhënë vendimin ose në gjykatën që shqyrton ankimin.

 

Neni 419

Dërgimi i akteve

  1. Gjykata që ka dhënë vendimin i dërgon, brenda pesë ditëve nga realizimi i njoftimeve, gjykatës që do të shqyrtojë çështjen, aktet e procedimit dhe ankimin nëse nuk është hequr dorë nga ankimi.

Neni 420

Mospranimi i ankimit

  1. Me përjashtim të rasteve kur konstatohet në seancë, ankimi nuk pranohet në dhomë këshillimi:
  2. a) kur është bërë nga ai që nuk është i legjitimuar;
  3. b) kur vendimi është i paankimueshëm;
  4. c) kur nuk janë respektuar dispozitat për formën, paraqitjen,

dërgimin, njoftimin dhe afatin e ankimit;

ç) kur është hequr dorë nga ankimi gjatë gjykimit.

  1. d) kur ankimi nuk ka më objekt.
  2. Mospranimi mund të deklarohet, edhe kryesisht, në çdo gjendje dhe shkallë të procedimit.
  3. Vendimi i mospranimit i njoftohet atij që ka bërë ankimin dhe kundër tij lejohet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda kompetencës së saj.
  4. Kur gjykata vendos mospranimin e ankimit, vendimi konsiderohet i paankimuar për efekt të vënies në ekzekutim.

Neni 420/1

Rivendosja në afatin e ankimit

  1. Palët rivendosen në afatin e ankimit kur provojnë se nuk kanë pasur mundësi ta respektojnë afatin për shkak të rastit fator ose të forcës madhore. Kërkesa shoqërohet së bashku me ankimin, me pasojë mospranimi.
  2. Kur gjykimi është zhvilluar sipas parashikimeve të nenit 351, të këtij Kodi, i pandehuri mund të kërkojë rivendosjen në afat për të bërë ankim kur provon se nuk ka marrë dijeni për vendimin.
  3. Kërkesa për rivendosjen në afat paraqitet brenda dhjetë ditëve nga zhdukja e faktit që përbënte rast ose forcë madhore, kurse në rastet e parashikuara në paragrafin 2, të këtij neni, nga dita kur i pandehuri ka marrë dijeni efektivisht për vendimin. Rivendosja në afat nuk lejohet më shumë se një herë për secilën palë dhe për çdo shkallë të procedimit.
  4. Nëse ankuesi nuk paraqitet në seancë, pa shkaqe të arsyeshme, megjithëse ka dijeni rregullisht për datën dhe orën e saj ose heq dorë nga kërkesa, gjykata vendos mospranimin e kërkesës.
  5. Kur kërkesa pranohet dhe vendimi për të cilin është lejuar rivendosja në afat është një vendim dënimi me burgim, i cili është ekzekutuar, ekzekutimi i dënimit pezullohet. Gjykata urdhëron lirimin e menjëhershëm të të pandehurit në rast se nuk mbahet për shkak të një mase sigurimi me arrest.
  6. Gjykata arsyeton vendimin brenda 5 ditëve nga shpallja e tij.
  7. Kundër vendimin që lejon rivendosjen në afat bëhet ankim së bashku me vendimin përfundimtar.
  8. Kundër vendimit që refuzon kërkesën për rivendosje në afat mund të bëhet ankim brenda 5 ditëve. Gjykata e apelit shqyrton ankimin në dhomë këshillimi brenda 15 ditëve nga data e marrjes së akteve.

Neni 421

Detyrimi me shpenzimet

  1. Me vendimin që rrëzon ose deklaron të papranueshëm ankimin, pala private që e ka bërë detyrohet për shpenzimet e procedimit.
  2. Bashkëtëpandehurit që kanë marrë pjesë në gjykim detyrohen me shpenzimet solidarisht me të pandehurin që ka bërë ankimin.
  3. Në gjykimet e ankimit vetëm për interesa civile, pala private gjyqhumbëse detyrohet me shpenzimet.

KREU II

APELI

Neni 422

E drejta e apelit

  1. Prokurori, i pandehuri dhe, paditësi dhe i padituri civil kanë të drejtë të apelojnë vendimet e gjykatës së shkallës së parë.

Neni 423

Apeli kundërshtues

  1. Pala që nuk ka bërë ankim brenda afatit mund të bëjë apel kundërshtues brenda pesë ditëve nga dita kur ka marrë njoftimin për apelin e palës tjetër.
  2. Apeli kundërshtues paraqitet dhe njoftohet sipas rregullave të përgjithshme për ankimet.
  3. Apeli kundërshtues i prokurorit nuk ka efekt për bashkëtëpandehurin joapelues që nuk ka bërë apel.
  4. Apeli kundërshtues e humbet fuqinë në rast mospranimi për shqyrtim të apelit të palës tjetër ose të heqjes dorë prej tij.

Neni 424

Gjykata kompetente

  1. Mbi apelin e bërë kundër vendimeve të gjykatës së rrethit gjyqësor vendos gjykata e apelit.
  2. Shfuqizuar.
  3. Për ankimin e bërë kundër vendimeve të Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendos Gjykata e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

 

Neni 425

Kufijtë e shqyrtimit të çështjes

  1. Gjykata e apelit e shqyrton çështjen brenda shkaqeve të ngritura në ankim. Për çështje të ligjit që duhet të shqyrtohen kryesisht, si dhe për shkaqet e ngritura në ankim që nuk bazohen në motive personale, gjykata e apelit shqyrton edhe pjesën që u takon bashkëtëpandehurve që nuk kanë bërë apel.
  2. Kur apelues është prokurori ose viktima akuzuese, gjykata e apelit:
  3. a) mund t’i japë faktit një cilësim juridik më të rëndë, të ndryshojë llojin ose ta rrisë masën e dënimit, të ndryshojë masat e sigurimit dhe të marrë çdo masë tjetër që urdhëron ose lejon ligji;
  4. b) mund t’i japë dënim atij që është deklaruar i pafajshëm, t’i japë pafajësi për një shkak të ndryshëm nga ai që pranohet në vendimin e apeluar, të marrë masat e treguara në shkronjën “a”;
  5. c) mund të zbatojë, të ndryshojë ose të përjashtojë dënimet plotësuese ose dënimet alternative;

ç) mund t’i japë faktit një cilësim juridik më të rëndë se ai i kërkuar nga prokurori kur çështja është në kompetencën e saj lëndore. Në këtë rast, gjykata riçel shqyrtimin gjyqësor dhe zbaton parashikimet e paragrafit 2, të nenit 375, të këtij Kodi.

  1. Kur apelues është vetëm i pandehuri, gjykata nuk mund të caktojë një dënim më të rëndë, të zbatojë një masë sigurimi më të rëndë, t’i japë pafajësisë një shkak më pak të favorshëm nga ai i vendimit të apeluar dhe as t’i japë faktit një cilësim juridik më të rëndë.

 

Neni 426

Shqyrtimi i çështjes në apel

  1. Gjyqtari relator i çështjes në gjykatën e apelit caktohet me short.
  2. Gjyqtari relator cakton datën dhe orën e gjykimit në përputhje me kalendarin e shqyrtimit të çështjeve, duke marrë për bazë radhën sipas kohës së ardhjes së dosjes në gjykatën e apelit. Kanë përparësi në shqyrtim çështjet në lidhje me ekstradimet për jashtë

shtetit, çështjet në të cilat i pandehuri është i paraburgosur dhe çështjet për të cilat Gjykata e Lartë ka vendosur prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në këtë gjykatë.

  1. Gjyqtari relator i çështjes urdhëron thirrjen e të pandehurit, paditësit civil dhe të paditurit civil, si dhe të mbrojtësve e të përfaqësuesve të tyre. Afati i paraqitjes nuk mund të jetë më i vogël se dhjetë ditë.
  2. Urdhri i thirrjes është i pavlefshëm kur i pandehuri nuk është identifikuar në mënyrë të sigurt ose kur nuk janë saktësuar vendi, dita dhe ora e paraqitjes.

 

Neni 426/a

Seanca gjyqësore

  1. Fillimisht kryetari i trupit gjykues kontrollon paraqitjen e palëve. Në rast se palët nuk janë paraqitur, kryetari verifikon nëse njoftimet janë të rregullta dhe nëse mungesa është e justifikuar.
  2. Pas verifikimit të palëve dhe legjitimit të tyre, gjykata shpall trupin gjykues dhe deklaron të hapur diskutimin.
  3. Kryetari ose anëtari i trupit gjykues relaton në mënyrë të përmbledhur dosjen gjyqësore dhe shkaqet e ngritura në ankim.
  4. Kur është bërë ankim vetëm nga njëra prej palëve, fjalën e para e merr ajo. Kur kanë bërë ankim si prokurori, ashtu dhe i pandehuri, i pari e merr fjalën prokurori.
  5. Në shqyrtimin e çështjes në apel mbahen parasysh, për aq sa janë të zbatueshme, dispozitat mbi procedurën e gjykimit në shkallë të parë.
  6. Gjykata mund të urdhërojë palët që të parashtrojnë pretendimet e tyre në mënyrë të përmbledhur, duke caktuar edhe kohën e vlerësuar të mjaftueshme. Palët nuk mund të parashtrojnë në seancë shkaqe tej atyre të ngritura në apel.

 

Neni 427

Përsëritja e shqyrtimit gjyqësor

  1. Kur një palë në aktin e apelit, kërkon rimarrjen e provave të lejuara në shqyrtimin gjyqësor të shkallës së parë ose marrjen e provave të reja, gjykata në qoftë se çmon se nuk mund të vendosë në gjendjen që janë aktet, përsërit shqyrtimin gjyqësor.
  2. Për provat që zbulohen pas gjykimit të shkallës së parë ose të atyre që dalin aty për aty, gjykata vendos, sipas rastit, marrjen ose jo të tyre.
  3. Përsëritja e shqyrtimit gjyqësor vendoset edhe kryesisht kur gjykata e çmon të domosdoshme.
  4. Kur i pandehuri është deklaruar i pafajshëm, gjykata e apelit nuk mund ta deklarojë atë fajtor vetëm mbi bazën e vlerësimit të ndryshëm të provave të marra në gjykimin në shkallë të parë. Në këtë rast gjykata e apelit përsërit shqyrtimin gjyqësor.
  5. Për përsëritjen e shqyrtimit gjyqësor, të vendosur në bazë të paragrafëve të mësipërm, procedohet menjëherë dhe kur kjo nuk është e mundur, shqyrtimi gjyqësor shtyhet për një afat jo më të gjatë se dhjetë ditë.

Neni 427/a

Gjykimi në apel në dhomë këshillimi

  1. Në rastet kur ky Kod parashikon gjykimin në apel në dhomë këshillimi, gjykimi bëhet mbi bazë aktesh dhe/ose dokumentesh.
  2. Gjyqtari relator urdhëron njoftimin e palëve sipas nenit 426 të këtij Kodi. Palët kanë të drejtë që deri 5 ditë para seancës së shqyrtimit të çështjes, në dhomë këshillimi, të paraqesin parashtrime me shkrim lidhur me shkaqet e ngritura në apel dhe apelin kundërshtues.
  3. Për çështjen që shqyrtohet me trup gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë, relatori përgatit paraprakisht dhe u shpërndan anëtarëve një relacion të përmbledhur të dosjes gjyqësore dhe shkaqeve të ngritura në ankim.
  4. Shqyrtimi i çështjes në dhomë këshillimi vijon nëse njoftimet e palëve janë të rregullta.
  5. Për shqyrtimin e çështjes në dhomë këshillimi mbahet procesverbal nga sekretari gjyqësor.

Neni 428

Vendimi i gjykatës së apelit

  1. Gjykata e apelit, pasi shqyrton çështjen, vendos:
  2. a) lënien në fuqi të vendimit;
  3. b) ndryshimin e vendimit;
  4. c) prishjen e vendimit dhe pushimin e çështjes kur janë rastet që nuk lejojnë fillimin ose vazhdimin e procedimit;

ç) prishjen e vendimit dhe kthimin e akteve gjykatës së shkallës së parë kur nuk janë respektuar dispozitat që lidhen me kushtet për të qenë gjyqtar në çështjen konkrete, me numrin e gjyqtarëve që është i domosdoshëm për formimin e kolegjeve të caktuara në këtë Kod, me ushtrimin e ndjekjes penale nga prokurori dhe pjesëmarrjen e tij në procedim, me pjesëmarrjen e të pandehurit, të mbrojtësit të tij, ose përfaqësuesit të viktimës akuzuese, me shkeljen e dispozitave për paraqitjen e akuzave të reja, si dhe në çdo rast kur në dispozita të veçanta është parashikuar pavlefshmëria e vendimit.

  1. Një kopje e vendimit i njoftohet menjëherë gjykatës së shkallës së parë.

 

Neni 429

Kthimi i akteve gjykatës së shkallës së parë

  1. Kur vendoset sipas pikës “ç” të nenit 428, gjykata e apelit urdhëron dërgimin e akteve një kolegji tjetër të së njëjtës gjykatë.
  2. Kur nuk është bërë rekurs në Gjykatën e Lartë, fashikulli me aktet i dërgohet gjykatës që ka dhënë vendimin.

Neni 430

Disponimet lidhur me ekzekutimin e detyrimit civil

Me kërkesën e paditësit civil, gjykata e apelit mund të vendosë për ekzekutimin e përkohshëm të detyrimit kur gjykata e shkallës së parë nuk është shprehur ose e ka refuzuar kërkesën. Ajo mund të vendosë, gjithashtu, pezullimin e ekzekutimit të detyrimit kur ka rrezik që të ndodhë një dëm i rëndë dhe i pandreqshëm.

Neni 430/1

Shpallja dhe depozitimi i vendimit

  1. Vendimi shpallet në seancë nga kryetari ose një anëtar i trupit gjykues me anë të leximit të dispozitivit.
  2. Pas dispozitivit kryetari lexon vendimin e arsyetuar. Arsyetimi i vendimit mund të jepet me shkrim edhe në mënyrë të përmbledhur, duke treguar shkaqet kryesore mbi të cilat bazohet vendimi. Në këtë rast gjykata u jep palëve në seancë vendimin e përmbledhur me shkrim.
  3. Vendimi depozitohet në sekretari menjëherë pas shpalljes.

Nëpunësi i caktuar vë nënshkrimin dhe shënon datën e depozitimit.

  1. Kur vendimi shpallet i përmbledhur, ai arsyetohet brenda 30 ditëve nga shpallja e tij. Ky afat mund të zgjatet për një periudhë tjetër 30-ditore nëse çështja është gjykuar në Gjykatën e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
  2. Afati i parashikuar për të arsyetuar vendimin me shkrim, sipas pikës 4, të këtij neni, mund të zgjatet në raste përjashtimore, për shkaqe të përligjura. Në këtë rast njoftohet kryetari i gjykatës.

 

KREU III

REKURSI NË GJYKATËN E LARTË

 

SEKSIONI I

RREGULLA TË PËRGJITHSHME

 

Neni 431

Rekursi i drejtpërdrejtë në Gjykatën e Lartë

(shfuqizuar me ligjin nr. 35/2017, datë 30.3.2017)

 

Neni 432

Rekursi kundër vendimeve të gjykatës së apelit

  1. Rekursi në Gjykatën e Lartë kundër vendimeve të gjykatës së apelit mund të bëhet për këto shkaqe:
  2. a) për mosrespektimin ose zbatimin e gabuar të ligjit material ose procedural, me rëndësi për njësimin ose zhvillimin e praktikës gjyqësore;
  3. b) për mosrespektimin ose zbatimin e gabuar të ligjit procedural me pasojë pavlefshmërinë e vendimit, pavlefshmërinë absolute të akteve ose papërdorshmërinë e provave;
  4. c) kur vendimi i ankimuar vjen në kundërshtim me praktikën e Kolegjit Penal ose të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.
  5. Kur e çmon të nevojshme, gjykata u kërkon palëve memorie me shkrim.

 

Neni 432/a

Rekursi në interes të ligjit

(shfuqizuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr.55, datë 21.11.1997)

 

Neni 433

Mospranimi i rekursit

 

  1. Rekursi nuk pranohet në qoftë se bëhet për shkaqe të ndryshme nga ato që lejon ligji, si dhe kur Gjykata e Lartë çmon se çështja nuk duhet të shqyrtohet prej saj, sipas përcaktimeve të paragrafit 1, të nenit 432, të këtij Kodi.
  2. Mospranimi i rekursit vendoset nga një trup gjykues me tre gjyqtarë në dhomën e këshillimit.

 

Neni 434

Kufijtë e shqyrtimit në Gjykatën e Lartë

  1. Gjykata e Lartë e shqyrton çështjen brenda kufijve të shkaqeve të ngritura në rekurs.
  2. Nëse rekursi pranohet për shqyrtim, Gjykata e Lartë ka të drejtë të vendosë edhe për çështje të ligjit që konstatohen kryesisht.
  3. Në rastet kur Gjykata e Lartë kryesisht vë në diskutim çështje të ligjit, për të cilat palët nuk kanë paraqitur më parë mendimin e tyre, përpara shqyrtimit urdhërohet njoftimi i palëve dhe caktohet afati për depozitimin e parashtresave të tyre për çështjet e ligjit. Njoftimi në këto raste kryhet sipas rregullave të përgjithshme.

 

Neni 434/a

Përmbajtja e rekursit

  1. Rekursi duhet të përmbajë:
  2. a) palët ndërgjyqëse;
  3. b) vendimin që kundërshtohet;
  4. c) paraqitjen e përmbledhur të fakteve të çështjes;

ç) shkaqet për të cilat kërkohet prishja e vendimit, si dhe argumentet që mbështesin pretendimin se ekzistojnë shkaqe për rekurs sipas parashikimeve të nenit 432 të këtij Kodi;

  1. d) prokurën e avokatit në rastet kur rekursi paraqitet nga i pandehuri ose palët private.
  2. Rekursi mund të paraqitet në përputhje me formatin e miratuar me vendim të Këshillit të Gjykatës së Lartë.

Neni 435

Paraqitja e rekursit

  1. Rekursi paraqitet me shkrim brenda 45 ditëve nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të gjykatës së apelit. Afati për paraqitjen e rekursit kundër një vendimi të gjykatës së apelit me të cilin është vendosur prishja e vendimit dhe kthimi i akteve gjykatës së shkallës së parë është 20 ditë. Rekursi shqyrtohet nga Gjykata e Lartë jo më vonë se dy muaj nga momenti i regjistrimit të tij në sekretarinë gjyqësore.
  2. Akti i rekursit dhe memoriet duhet të nënshkruhen, me pasojë mospranimi, nga mbrojtësit. Kur i pandehuri nuk ka mbrojtës të zgjedhur, kryetari i kolegjit cakton një mbrojtës kryesisht dhe në këtë rast lajmërimet i bëhen edhe të pandehurit.

 

Neni 435/a

Kundërrekursi

  1. Pala kundër së cilës është paraqitur rekurs mund ta kundërshtojë atë me kundërrekurs brenda 20 ditëve nga dita kur ka marrë njoftimin për rekursin e palës tjetër. Në rastin kur rekursi është paraqitur kundër një vendimi të gjykatës së apelit me të cilin është vendosur prishja e vendimit dhe kthimi i akteve gjykatës së shkallës së parë, afati për paraqitjen e kundërrekursit është 10 ditë.
  2. Kundërrekursi i njoftohet atij që ka bërë rekursin brenda 20 ditëve nga komunikimi i rekursit.
  3. Për kundërrekursin zbatohen rregullat e parashikuara në nenin 423 të këtij Kodi.