REPUBLIKA E SHQIPËRISË

GJYKATA ADMINISTRATIVE E SHKALLËS SË PARË

VLORË

 

 

 

Gjykata Administrative e shkallës së Parë Vlorë funksionon që prej vitit 2013.

Kjo Gjykatë funksionon në bazë të ligjit "nr.49/2012 Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administratvie dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative" (ndryshuar me ligjin nr.100/2014). Për të parë ligjin kliko këtu.                                                                                                                                                                                                                                                                                                  

 

 

  • Parimet e gjykimit administrativ

 

1. Gjykata, në gjykimin administrativ, siguron nëpërmjet një procesi të rregullt gjyqësor dhe brenda afateve të shpejta e të arsyeshme, mbrojtjen juridike të të drejtave, lirive dhe interesave kushtetues dhe ligjorë të subjekteve, që mund të cenohen si pasojë e ushtrimit ose jo të funksioneve publike nga ana e organeve të administratës publike.

2. Gjykata administrative zbaton parimin e mbrojtjes së interesit publik dhe të të drejtave e interesave të ligjshëm të personave privatë.

3. Organi i administratës publike, si rregull, ka detyrimin të provojë bazueshmërinë në ligj dhe në fakt të veprimeve të kryera prej tij.

4. Gjykata administrative, sipas natyrës së çështjes, shqyrton çështjen gojarisht në seancë gjyqësore ose mbi bazë aktesh shkresore në dhomë këshillimi. Mosparaqitja e palëve nuk përbën shkak për pushimin e gjykimit.

 

 

  • Organizimi dhe funksionimi i gjykatave administrative

 

1. Gjykata kompetente për shqyrtimin e mosmarrëveshjeve administrative, sipas këtij ligji, janë gjykatat administrative të shkallës së parë, Gjykata Administrative e Apelit dhe Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë.

2. Gjykatat administrative të shkallës së parë organizohen në numër dhe për territor të barabartë me atë të gjykatave të apelit civil, në kohën e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Veprimtaria e gjykatës administrative të shkallës së parë, si rregull, ushtrohet në selinë e saj. Gjykata mund të zhvillojë një pjesë të veprimtarisë edhe jashtë selisë së saj, nëse kjo vlerësohet e nevojshme, lehtëson aksesin për cilëndo palë, kursen kohë ose shpenzime procedurale. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me propozim të Ministrit të Drejtësisë, përcakton rregulla më të detajuara për ushtrimin e veprimtarisë së gjykatës administrative të shkallës së parë jashtë selisë së saj.

3. Gjykata Administrative e Apelit organizohet së paku në Tiranë.

 

4. Kompetencat tokësore, selia qendrore, si dhe numri i gjyqtarëve të gjykatave administrative të shkallës së parë dhe të Gjykatës Administrative të Apelit caktohen me dekret të Presidentit të Republikës, me propozimin e Ministrit të Drejtësisë. Ministri i Drejtësisë bën propozimet, pasi të ketë marrë më parë mendimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

 

 

  • Kompetenca lëndore

 

Gjykatat administrative janë kompetente për:

a) mosmarrëveshjet që lindin nga aktet administrative individuale, aktet nënligjore normative dhe kontratat administrative publike, të nxjerra gjatë ushtrimit të veprimtarisë administrative nga organi publik;

b) mosmarrëveshjet që lindin për shkak të ndërhyrjes së paligjshme ose të mosveprimit të organit publik;

c) mosmarrëveshjet e kompetencave ndërmjet organeve të ndryshme administrative në rastet e parashikuara nga Kodi i Procedurave Administrative;

ç) mosmarrëveshjet në fushën e marrëdhënieve të punës, kur punëdhënësi është organ i administratës publike;

d) kërkesat e paraqitura nga organet administrative për shqyrtimin e kundërvajtjeve administrative, për të cilat ligji parashikon heqjen e lirisë deri në 30 ditë, si një lloj të dënimit administrativ për kundërvajtësin;

dh) kërkesat e paraqitura nga kundërvajtësit për zëvendësimin e dënimit administrativ me heqje lirie deri në 30 ditë me dënimin me gjobë.

 

 

  • Kompetenca tokësore

 

1. Paditë kundër veprimit administrativ shqyrtohen në gjykatën administrative të shkallës së parë, që përfshin territorin, në të cilin organi publik ka kryer veprimin administrativ që kundërshtohet. Në rastet kur organi administrativ më i lartë, pas ankimit administrativ, e ndryshon aktin administrativ të organit vartës, padija ngrihet në gjykatën që përfshin territorin ku ka qendrën organi administrativ më i lartë.

2. Paditë për marrëdhëniet e punësimit shqyrtohen në gjykatën administrative të shkallës së parë, që përfshin territorin, ku punëmarrësi kryen zakonisht punën e tij.

3. Paditë për mosmarrëveshjet administrative, që kanë për objekt mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të ligjshëm, që rrjedhin nga sendet e paluajtshme, shqyrtohen në gjykatën administrative të shkallës së parë, që përfshin territorin në të cilin ndodhet sendi ose pjesa më e madhe e tij.

4. Paditë për mosmarrëveshjet që lidhen me mbrojtjen e të drejtave, lirive dhe interesave kushtetues dhe ligjorë, që rrjedhin nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, ndihma ekonomike dhe pagesa e aftësisë së kufizuar, përveç sa është parashikuar në këtë ligj, shqyrtohen në gjykatën administrative të shkallës së parë, që përfshin territorin ku paditësi ka banimin ose vendqëndrimin.

5. Kur kompetenca tokësore nuk mund të përcaktohet në këtë mënyrë, atëherë kompetente është gjykata, në territorin e së cilës ka qendrën organi publik i paditur.