Për të ngritur një kërkesë padi në Gjykatë, i referohemi " KODI I PROCEDURËS CIVILE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË "

Kërkesë padia gjendet në Neni 153 faqe.62 të këtij kodi.

Hartimi i padisë
Gjykimi i një çështjeje në gjykatë fillon me paraqitjen e kërkesëpadisë me shkrim.

1. Kërkesëpadia shkruhet në gjuhën shqipe dhe duhet të përmbajë:
a) gjykatën përpara së cilës paraqitet kërkesa;
b) emrin, atësinë, mbiemrin, vendbanimin ose vendqëndrimin e paditësit e të paditurit dhe të personave që përkatësisht i përfaqësojnë ata, kur ka të tillë. Nëse paditësi ose i padituri është person juridik, emërtimin e tij ashtu siç figuron në regjistrat publikë, duke treguar edhe selinë ose zyrën qendrore, ku do kryhet njoftimi;
c) objektin e padisë;
ç) tregimin konkret të fakteve, rrethanave, dokumenteve, mjeteve të tjera provuese, të së drejtës mbi të cilat mbështetet padia, si dhe kërkimin konkret të paditësit;
d) vlerën e padisë, në rast se objekti i saj është i vlerësueshëm.


2. Përveç këtyre kërkesave, paditësi në kërkesëpadi duhet të tregojë saktë dhe/ose të bashkëngjisë:
a) të dhënat elektronike të kontaktit të tij ose të përfaqësuesit, nëse ka një të tillë, ku gjykata mund ta njoftojë;
b) listën e personave që kërkon të thirren në gjykim në cilësinë e dëshmitarit, duke saktësuar emrin, atësinë, mbiemrin dhe adresën e plotë, si dhe faktet që kërkohet të provohen me to;
c) provat që kërkohen të merren nga i padituri dhe të tretët, duke përcaktuar arsyet dhe vendndodhjen e këtyre provave;
ç) llojin e ekspertimit që kërkohet të kryhet gjatë gjykimit;
d) emrin, atësinë, mbiemrin ose emërtimin nëse është person juridik dhe adresën e plotë të personave të tretë që kërkon të thirren në gjykim me këtë cilësi;
dh) aktin provues të pagimit të tarifës së padisë, sipas ligjit.

Paraqitja e kërkesëpadisë
Kërkesëpadia paraqitet në gjykatë nga paditësi ose nga përfaqësuesi i tij i pajisur me prokurë. Kërkesëpadia mund të paraqitet në gjykatë edhe nëpërmjet postës. Padia iu caktohet gjyqtarëve me short. Kur kërkesëpadia nuk plotëson kushtet e përmendura në këtë kapitull, gjyqtari i vetëm ia kthen paditësit në kohën e paraqitjes së saj ose ai njoftohet me shkrim për plotësimin e të metave dhe, pasi të jetë shënuar në padi data e paraqitjes, caktohet një afat për plotësimin e të metave. Deri në këtë datë padia mbetet pa veprime. Kur paditësi nuk plotëson të metat brenda afatit të caktuar, kërkesëpadia quhet se nuk është paraqitur dhe i kthehet paditësit së bashku me aktet e tjera. Kundër vendimit të gjyqtarit të vetëm për kthimin e kërkesëpadisë mund të bëhet ankim i veçantë. Kur të metat e kërkesëpadisë janë plotësuar në afatin e caktuar, ajo quhet e regjistruar që nga dita që është regjistruar në gjykatë. Në këtë mënyrë veprohet edhe kur të metat e kërkesëpadisë konstatohen gjatë gjykimit të çështjes.

Aktet që i bashkëngjiten padisë
Bashkë me kërkesëpadinë duhet të paraqiten:
a) prokura, në rast se kërkesëpadia paraqitet në emër të paditësit nga përfaqësuesi i tij;
b) kopje të kërkesëpadisë dhe të akteve provuese, në numër sa janë të paditurit, si dhe për rastin e parashikuar nga neni 197 i Kodit Civil.
Me paraqitjen e kërkesëpadisë paguhet tarifa, si dhe shpenzimet e nevojshme për njoftimet ose shërbimet e tjera gjyqësore. Kërkesëpadisë i bashkëngjitet thirrja në të cilën shënohen data e paraqitjes në gjykatë, si dhe porosia që në këtë datë të jenë të saktësuara provat që i padituri pretendon se duhen dëgjuar nga gjykata.