Për të bërë një ankim në Gjykatë, i referohemi " KODI I PROCEDURËS CIVILE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË "   
 
Ankimi gjendet në Neni 442 faqe.177 të këtij kodi.
 
Mjetet e ankimit
Mjetet për t’u ankuar ndaj vendimeve të gjykatave janë: ankimi në gjykatën e apelit, rekursi në Gjykatën e Lartë, kërkesa për rishikim.
 
Ankimi
Ankimi është akti me të cilin palët ose pjesëmarrësit e tjerë në proces parashtrojnë kundërshtimet e tyre ndaj vendimit të gjykatës dhe veprimeve të përmbaruesit gjyqësor, për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e tyre.
 
Rekursi
Rekursi është akti me të cilin palët ose pjesëmarrësit e tjerë në proces parashtrojnë kundërshtimet e tyre ndaj vendimit të gjykatës së shkallës së parë ose të gjykatës së apelit në Gjykatën e Lartë, sipas rregullave të përcaktuara në këtë Kod.
 
Afati i ankimit
Afati i ankimit në gjykatën e apelit, kundër vendimeve përfundimtare të gjykatës së shkallës së parë, është 15 ditë. Afati për të bërë rekurs në Gjykatën e Lartë, kundër vendimeve të gjykatës së apelit, është 30 ditë. Afati për të kërkuar rishikimin e vendimit të gjykatës së shkallës së parë dhe kundërshtimin e të tretit është 30 ditë. Afati i ankimeve të veçanta është 5 ditë.
 
Vendimet që mund të ankimohen
Mund të ankimohen në gjykatën e apelit të gjitha vendimet e dhëna nga gjykata e shkallës së parë, me përjashtim të rasteve kur ankimi përjashtohet me ligj.

Nënshkrimi i ankimit
Ankimi që i drejtohet gjykatës së apelit duhet të nënshkruhet nga vetë pala, avokati ose përfaqësuesi i pajisur me prokurë.
 
Përmbajtja e ankimit
Në ankim duhet të tregohen:
a) palët ndërgjyqës;
b) vendimi kundër të cilit bëhet ankimi;
c) shkaqet për të cilat bëhet ankimi;
ç) çfarë kërkohet me ankimin.
 
Dokumentet që i bashkëngjiten ankimit
Bashkë me ankimin duhet të paraqiten:
a) kopje të ankimit dhe të dokumenteve të tjera, aq sa janë personat që marrin pjesë në çështje si palë;
b) prokura kur ankimi paraqitet nga avokati ose përfaqësuesi i palës.
Në rast se ankimi nuk plotëson kushtet e mësipërme, si dhe ato të neneve 453 dhe 454 të këtij Kodi, gjykata njofton palën që të ndreqë të metat brenda 5 ditëve, në të kundërt ankimi kthehet.