REPUBLIKA E SHQIPËRISË

GJYKATA ADMINISTRATIVE E APELIT

 

Në zbatim të parashikimeve ligjore të ligjit nr. 49/2012  “Për  organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” ka filluar funksionimin edhe Gjykata Administrative e Apelit, e cila organizohet dhe funksionon vetëm në Tiranë.

Gjykata Administrative e Apelit funksionon që prej vitit 2013 dhe fillimisht  ushtroi aktivitetin e saj me një trupë gjyqësore prej 7 (shtatë) gjyqtarësh për t’u plotësuar më vonë nga një trupë e përbërë nga 13 (trembëdhjetë) gjyqtarë. Gjykata Administrative e Apelit ka në organikën e saj 13 (trembëdhjetë) gjyqtarë.

Përgjatë vitit 2021 organika e Gjykatës nuk ka qenë plotësuar, pasi kjo gjykatë, si pasojë e e procesit të rivlerësim kalimtar të gjyqtarëve (Vettingut), e nisi vitin 2021 me një trupë gjyqësore prej 9 (nëntë) gjyqtarësh, nga këta 2 (dy) gjyqtarë të shkarkuar me vendim të formës së prerë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) dhe 2 (dy) gjyqtarë të shkarkuar me vendim të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), si dhe 2 (dy) gjyqtarë të shkarkuar përgjatë vitit 2022 me vendim të formës së prerë të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA). Në vitin 2022 numri i gjyqtarëve efektivë është 6 (gjashtë), ndër të cilët rezultojnë 1 (një) gjyqtar i ngritur në detyrë sipas Vendimit nr. 168, datë 05.05.2022 të Këshillit të Lartë Gjyqësor si dhe 1 (një) gjyqtar i caktuar me skemë delegimi sipas Vendimit nr. 260, datë 15.07.2022.

Funksioni kryesor i Gjykatave Administrative është dhënia e drejtësisë në mosmarrëveshjet që lindin nga zbatimi i akteve administrative individuale, akteve nënligjore normative dhe kontratave administrative, mosmarrëveshjet që lindin për shkak të ndërhyrjes së paligjshme, ose të mosveprimit të organit publik, mosmarrëveshjet e kompetencave ndërmjet organeve të ndryshme administrative, në rastet e parashikuara në ligj, mosmarrëveshjet në fushën e marrëdhënieve të punës, kur punëdhënësi është organ i administratës publike si dhe gjykimet për shqyrtimin e kundërvajtjeve administrative që dënohen me heqje lirie deri në 30 ditë, apo kërkesat për zëvendësimin e këtij dënimi.

Në Gjykatën Administrative të Apelit është instaluar Sistemi Elektronik i Menaxhimit të Çështjeve Gjyqësore (ICMIS) si dhe Sistemi RDA për regjistrimin audio të seancave gjyqësore.

Për të siguruar një proces sa më transparent dhe një akses të gjerë publikut, Gjykata Administrative e Apelit ka hapur dhe përditëson faqen zyrtare të saj, www.gjykataadministrativeeapelit.al, ku çdokush mund të informohet në mënyrë të vazhdueshme mbi veprimtarinë e saj gjyqësore dhe administrative. Ideja dhe qëllimi ynë është që nëpërmjet kësaj faqe të ofrojmë një informacion të plotë mbi funksionimin dhe aktivitetin e Gjykatës, pasi ndjejmë një detyrim qytetar për t’a bërë Gjykatën Administrative të Apelit një institucion transparent, të afërt, të prekshëm dhe sa më të besueshëm për publikun.

Për Gjykatën Administrative të Apelit transparenca e veprimtarisë së saj mbetet një angazhim kryesor dhe ky është një prej motiveve më serioze të përpjekjeve tona për të përfshirë në këtë faqe zyrtare interneti një informacion sa më të dobishëm, që do t’i vinte në ndihmë kujtdo që dëshiron të marrë informacion.

 

Parimet e gjykimit administrativ

 

Gjykata, në gjykimin administrativ, siguron nëpërmjet një procesi të rregullt gjyqësor dhe brenda afateve të shpejta e të arsyeshme, mbrojtjen juridike të të drejtave, lirive dhe interesave kushtetues dhe ligjorë të subjekteve, që mund të cenohen si pasojë e ushtrimit, ose jo, të funksioneve publike nga ana e organeve të administratës publike.

Gjykata administrative zbaton parimin e mbrojtjes së interesit publik dhe të të drejtave e interesave të ligjshëm të personave privatë.

Organi i administratës publike, si rregull, ka detyrimin të provojë bazueshmërinë në ligj dhe në fakt të veprimeve të kryera prej tij.

Gjykata administrative, sipas natyrës së çështjes, shqyrton çështjen gojarisht në seancë gjyqësore, ose mbi bazë aktesh shkresore në dhomë këshillimi. Mosparaqitja e palëve nuk përbën shkak për pushimin e gjykimit.

 

Kompetenca lëndore

 

Gjykatat administrative janë kompetente për:

a) mosmarrëveshjet që lindin nga aktet administrative individuale, aktet nënligjore normative dhe kontratat administrative publike, të nxjerra gjatë ushtrimit të veprimtarisë administrative nga organi publik;

b) mosmarrëveshjet që lindin për shkak të ndërhyrjes së paligjshme, ose të mosveprimit të organit publik;

c) mosmarrëveshjet e kompetencave ndërmjet organeve të ndryshme administrative në rastet e parashikuara nga Kodi i Procedurave Administrative;

ç) mosmarrëveshjet në fushën e marrëdhënieve të punës të nëpunësve civilë, nëpunësve civilë gjyqësorë, nëpunësve civilë të prokurorisë dhe të nëpunësve shtetërorë që sipas ligjit organik kanë një rregullim të posaçëm.

Përjashtohen nga ky rregull punonjësit në administratën publike, në gjykatë ose prokurori, marrëdhënia e punës e të cilëve bazohet në Kodin e Punës.

d) kërkesat e paraqitura nga organet administrative për shqyrtimin e kundërvajtjeve administrative, për të cilat ligji parashikon heqjen e lirisë deri në 30 ditë, si një lloj të dënimit administrativ për kundërvajtësin;

dh) kërkesat e paraqitura nga kundërvajtësit për zëvendësimin e dënimit administrativ me heqje lirie deri në 30 ditë me dënimin me gjobë.

 

Kompetenca tokësore

 

1. Paditë kundër veprimit administrativ shqyrtohen në gjykatën administrative të shkallës së parë, që përfshin territorin, në të cilin organi publik ka kryer veprimin administrativ që kundërshtohet. Në rastet kur organi administrativ më i lartë, pas ankimit administrativ, e ndryshon aktin administrativ të organit vartës, padija ngrihet në gjykatën që përfshin territorin ku ka qendrën organi administrativ më i lartë.

Paditë për marrëdhëniet e punësimit shqyrtohen në gjykatën administrative të shkallës së parë, që përfshin territorin, ku punëmarrësi kryen zakonisht punën e tij.

Paditë për mosmarrëveshjet administrative, që kanë për objekt mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të ligjshëm, që rrjedhin nga sendet e paluajtshme, shqyrtohen në gjykatën administrative të shkallës së parë, që përfshin territorin në të cilin ndodhet sendi ose pjesa më e madhe e tij.

Paditë për mosmarrëveshjet që lidhen me mbrojtjen e të drejtave, lirive dhe interesave kushtetues dhe ligjorë, që rrjedhin nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, ndihma ekonomike dhe pagesa e aftësisë së kufizuar, përveç sa është parashikuar në këtë ligj, shqyrtohen në gjykatën administrative të shkallës së parë, që përfshin territorin ku paditësi ka banimin ose vendqëndrimin.

Kur kompetenca tokësore nuk mund të përcaktohet në këtë mënyrë, atëherë kompetente është gjykata, në territorin e së cilës ka qendrën organi publik i paditur.

Gjykata Administrative e Apelit ka funksion rishikues të vendimeve të gjykatës së shkallës së parë dhe shqyrton si gjykatë e shkallës së parë paditë me objekt kundërshtimin e aktit nënligjor me karakter normativ si dhe paditë e tjera të parashikuara shprehimisht në ligj.

Gjykata Administrative e Apelit ushtron funksion rishikues të të gjitha vendimeve të gjykatave administrative të shkallës së parë, përveç kategorisë së atyre vendimeve që janë parashikuar në nenin 45 të ligjit nr. 49/2012 “Për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, i ndryshuar, si vendime të paankimueshme.

Gjykata Administrative e Apelit, përveç karakterit rishikues, shqyrton si gjykatë e shkallës së parë paditë me objekt kundërshtimin e aktit nënligjor me karakter normativ të parashikuara në ligjin nr.49/2012 “Për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” (neni 10/2/b), i ndryshuar, si dhe paditë e tjera të parashikuara shprehimisht në ligjin nr. 96/2016 “Për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, ligjin nr.115/2016 “Për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, ligjin nr. 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompesimit të pronave”, i ndryshuar, dhe, së fundmi, ligjin nr. 162/2020 “Për Prokurimin Publik”.

Gjykata Administrative e Apelit ka një tendencë në rritje të ligjeve, të cilat e përcaktojnë këtë gjykatë si gjykatë kompetente si nga pikëpamja lëndore ashtu edhe ajo funksionale për shqyrtimin e çështjeve të caktuara si gjykatë e shkallës së parë.

Gjithashtu, në vitin 2022 pranë kësaj gjykate ushtrojnë funksionin e tyre edhe 7 ndihmës ligjorë nga 13 që janë parashikuar në organikë. Krijimi i kësaj strukture ishte një risi e ligjit nr. 49/2012 “Për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, i ndryshuar, dhe emërimi i tyre ka sjellë efekte pozitive, kryesisht në përgatitjen e çështjeve për gjykim, përgatitjen e projekt-akteve procedurale të nevojshme për gjykimin si dhe në përgatitjen e opinioneve ligjore për problematika të ndryshme të karakterit material dhe procedurial.  

Gjykata Administrative e Apelit me një infrastrukturë të re, moderne, përbën sot një institucion të rëndësishëm të Drejtësisë në Republikën e Shqipërisë. Shërbimet e ofruara nga administrata gjyqësore janë cilësore dhe profesionale.

Gjykata Administrative e Apelit ndodhet në një pikë të aksesueshme lehtësisht nga qytetarët, në adresën Rruga “Ismail Qemali” 9, Njësia Bashkiake nr.2, Tiranë.

 

Orari i shërbimit:

E hënë – e Premte 

Ora 08:00 – 16:00

Veprimet në Kryesekretari:

E hënë – e Premte 

Ora 08:00 – 16:00

 

Kanalet e komunikimit të Gjykatës me publikun dhe median janë: 

 

Adresë postare: Rruga “Ismail Qemali” 9, Njësia Bashkiake nr.2, Tiranë

Faqja zyrtare e gjykatës: www.gjykataadministrativeeapelit.al

Zyra e Marrëdhënieve me Publikun dhe Median: zmp.administrativeapelit@gjykata.gov.al

Koordinatori për të drejtën për informim: vilma.yzo@gjykata.gov.al

Kryesekretaria: kryesekretaria@gjykataadministrativeeapelit.al

Telefon fix: 04 222 3588

Mobile: +355 67 2020 997

 

Ju falenderojmë!