PJESA E DYTE

 

GJYKIMI NË SHKALLË TË PARË

 

TITULLI I

 

NGRITJA E PADISË

 

KREU I

 

HARTIMI, PARAQITJA NË GJYKATË, NJOFTIMI I PADISË DHE VEPRIMET PËRGATITORE

(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 35)

 

 

Neni 153

Hartimi i padisë

Gjykimi i një çështje në gjykatë fillon me paraqitjen e kërkesëpadisë me shkrim.

 

 

 

Neni 154

(Shfuqizuar paragrafi i fundit me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001,

neni 36)

Kërkesëpadia shkruhet në gjuhën shqipe dhe duhet të përmbajë:

– gjykatën përpara së cilës paraqitet kërkesa;

– emrin, atësinë, mbiemrin, vendbanimin ose vendqëndrimin e paditësit e të paditurit dhe të personave që përkatësisht i përfaqësojnë ata, kur ka të tillë;

– përcaktimin e objektit të kërkesëpadisë;

– tregimin e fakteve, rrethanave, dokumenteve, mjeteve të tjera provuese dhe të së drejtës mbi të cilat mbështetet kërkesëpadia;

– kërkimin e paditësit;

– vleften e padisë, në rast se objekti i saj është i vlerësueshëm.

 

Neni 154/a

Paraqitja e kërkesëpadisë

(Shtuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 37)

Kërkesëpadia paraqitet në gjykatë nga paditësi ose nga përfaqësuesi i tij i pajisur me prokurë. Kërkesëpadia mund të paraqitet në gjykatë edhe nëpërmjet postës.

Padia iu caktohet gjyqtarëve me short.

Kur kërkesëpadia nuk plotëson kushtet e përmendura në këtë kre, gjyqtari i vetëm ia kthen paditësit në kohën e paraqitjes së saj ose ai njoftohet me shkrim për plotësimin e të metave dhe, pasi të jetë shënuar në padi data e paraqitjes, caktohet një afat për plotësimin e të metave. Deri në këtë datë padia mbetet pa veprime.

Kur paditësi nuk plotëson të metat brenda afatit të caktuar, kërkesëpadia quhet se nuk është paraqitur dhe i kthehet paditësit së bashku me aktet e tjera.

Kundër vendimit të gjyqtarit të vetëm për kthimin e kërkesëpadisë mund të bëhet ankim i veçantë.

Kur të metat e kërkesëpadisë janë plotësuar në afatin e caktuar, ajo quhet e regjistruar që nga dita që është regjistruar në gjykatë. Në këtë mënyrë veprohet edhe kur të metat e kërkesëpadisë konstatohen gjatë gjykimit të çështjes.

 

Neni 155

Njoftim

Ndërmjet datës që është njoftuar padia dhe asaj të paraqitjes në gjykatë, duhet të sigurohet një afat jo më pak se dhjetë ditë.

Kur vendi i njoftimit është jashtë rrethit ose jashtë shtetit, afati për paraqitjen në gjyq duhet të jetë i tillë sa të sigurohet një komunikim normal i padisë dhe paraqitja në gjykatë e të paditurit ose të personave të tretë.

Në çështjet që është e nevojshme të kryhet një njoftim i shpejtë i padisë, me kërkesën e paditësit, gjyqtari kur e sheh atë me vend, mund të lejojë mosrespektimin e afatit të mësipërm të parashikuar në paragrafin e parë të këtij neni, por gjithnjë njoftimi duhet të jetë bindës, në përputhje me rregullat e parashikuara prej neneve 132 e 133 të këtij Kodi dhe pa i cenuar të paditurit të drejtën e mbrojtjes.

 

Neni 156

Aktet që i bashkëngjiten padisë

Bashkë me kërkesëpadinë duhet të paraqiten:

a) prokura, në rast se kërkesëpadia paraqitet në emër të paditësit nga përfaqësuesi i tij;

b) kopje të kërkesëpadisë dhe të akteve provuese, në numër sa janë të paditurit, si dhe për rastin e parashikuar nga neni 197 i Kodit Civil.

Me paraqitjen e kërkesëpadisë paguhet taksa mbi aktet, si dhe shpenzimet e nevojshme për njoftimet ose shërbimet e tjera gjyqësore.

Kërkesëpadisë i bashkëngjitet thirrja në të cilën shënohen data e paraqitjes në gjykatë, si dhe porosia që në këtë datë të jenë të saktësuara provat që i padituri pretendon se duhen dëgjuar nga gjykata.

 

Neni 157

Paraqitja e padisë

(Shfuqizuar me ligjin nr.8812, datë 15.7.2001, neni 38)

 

Neni 158

Regjistrimi i padisë dhe formimi i dosjes

Me depozitimin e padisë në sekretari bëhet regjistrimi i saj në regjistrin themeltar përkatës dhe hapet dosja, në të cilën depozitohen padia, akti i njoftimit të saj të paditurve dhe pjesëmarrësve të tjerë në proces, provat shkresore dhe çdo dokument që palët kanë paraqitur lidhur me çështjen në gjykim. Ato kanë të drejtë që me lejen e gjykatës të njihen me përmbajtjen e tyre, por palët apo personat e tretë të thirrur në gjykatë nuk mund të tërheqin dokumentet e paraqitura, të bëjnë fotokopje të tyre, pa lejen e gjykatës dhe pa qenë ato të evidentuara në dosje.

Njoftimi i padisë bëhet sipas rregullave të parashikuara në nenet 130 dhe 131 të këtij Kodi.

 

 

Neni 158/a

Veprimet përgatitore

(Shtuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 39

Ndryshuar paragrafi i parë, shfuqizuar paragrafi i katërt me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 8 )

Gjyqtari cakton, për çdo çështje, seancën përgatitore, ku thirren palët ose personi i tretë, për të përcaktuar natyrën e mosmarrëveshjes dhe kërkon prej tyre shpjegimet e nevojshme, si dhe përcaktimin e provave për vërtetimin e pretendimeve e të prapësimeve të tyre. Gjyqtari, me vendim, kryen këto veprime:

Kërkon nga paditësi që kërkesëpadia të plotësohet me të gjitha elementet e nevojshme të përcaktuara nga nenet 154 dhe 156 të këtij Kodi.

Vendos për përjashtimin e paditësit nga pagimi i taksës mbi aktet, në rastet e përcaktuara nga ligji.

Vendos se cilët dëshmitarë do të thirren në seancë gjyqësore dhe kërkon nga i padituri ose persona të tjerë akte që ndodhen pranë tyre.

Kur është rasti, vendos për vënien e sekuestros ose për marrjen e ndonjë mase tjetër për sigurimin e padisë.

Kur është rasti, vendos për sigurimin e provave.

Vendos për pezullimin e gjykimit, kur janë rastet e përcaktuara nga neni 297 i këtij Kodi.

Vendos për pushimin e gjykimit kur janë rastet e përcaktuara nga shkronjat “b” dhe “c” të nenit 299 të këtij Kodi.

Vendos për bashkimin e padive në një gjykim të vetëm kur janë rastet e përcaktuara në këtë Kod.

Vendos për moskompetencën e gjykatës kur çmon se çështja hyn në kompetencën e një gjykate tjetër dhe i dërgon asaj kërkesëpadinë së bashku me aktet e paraqitura. Kundër vendimit të gjyqtarit të vetëm, me të cilin vendoset pezullimi, pushimi dhe moskompetenca e gjykatës, mund të bëhet ankim i veçantë.

 

Neni 158/b

Veprimet e pajtimit

(Shtuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 40)

Gjyqtari, gjatë veprimeve përgatitore, bën të gjitha përpjekjet për të zgjidhur mosmarrëveshjen me pajtim, kur e lejon natyra e çështjes. Për këtë qëllim, kur është rasti, urdhëron edhe paraqitjen e vetë palëve

Përpjekjet për pajtim mund të përsëriten në çdo fazë të hetimit gjyqësor.

Kur arrihet pajtimi pa filluar seanca gjyqësore, mbahet procesverbal i cili nënshkruhet nga palët. Gjyqtari me vendim miraton pajtimin.

Kur pajtimi arrihet në seancë gjyqësore, kushtet e marrëveshjes pasqyrohen në procesverbalin gjyqësor. Gjykata jep vendim për miratimin e tij, por në çdo rast ai nuk duhet të jetë në kundërshtim me ligjin.

Kundër vendimit për zgjidhjen e mosmarrëveshjes me pajtim ose mospranimin e pajtimit mund të bëhet ankim i veçantë.

 

Neni 159

Bashkimi i kërkimeve

Në një kërkesëpadi mund të parashtrohen shumë kërkime, në rast se gjykata është kompetente për të gjitha kërkimet. Kur gjykata çmon se shqyrtimi i përbashkët i tyre, do të shkaktojë vështirësi të dukshme në zhvillimin e gjykimit, vendos që ato të shqyrtohen veç e veç.

 

Neni 160

Kundërpadia

(Ndryshuar paragrafi III me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 41)

I padituri ka të drejtë të paraqesë kundërpadi kur kërkimi i kundërpadisë ka lidhje me atë të padisë ose kur midis tyre mund të bëhet kompensimi.

Kundërpadia mund të paraqitet derisa nuk ka përfunduar hetimi gjyqësor dhe i nënshtrohet të gjitha rregullave të caktuara për ngritjen e padisë.

Kur të metat e kundërpadisë nuk plotësohen në afatin e caktuar nga gjykata, kundërpadia kthehet.