Forum 


Browse 


Voto    Rezultatet
Galeri Fotografike 

Kontakt 

Na kontaktoni 
Edit
Ministria e Drejtësisë

Bulevardi "Zogu I", Tiranë

 

 

 

Edit

POLICIA GJYQËSORE

Hetimet paraprake përbëjnë bazën e proçedimit penal. Gjatë kësaj faze zgjidhen një varg problemesh të rëndësishme si: merren provat që nuk mund të përsëriten, caktohen masat e sigurimit, bëhet njoftimi i akuzës, grumbullohen të dhënat e nevojshme për përcaktimin e veprës penale dhe individualizimin e autorit të kryerjes së saj, etj. Krahas Prokurorit, e ngarkuar me kryerjen e hetimeve paraprake është dhe Policia Gjyqësore. Në këtë kapitull do të trajtohen disa momente të rëndësishme që lidhen me riorganizimin dhe veprimtarinë e Policisë Gjyqësore.

Policia Gjyqësore është një nga subjektet e rëndësishme të proçedimit penal. Në këndvështrimin historik, në vitin 1995, me hyrjen në fuqi të K.Pr.Penale u suprimua struktura organizative e Hetuesisë së Prokurorisë dhe Policisë Hetimore të Ministrisë së Brendshme dhe në zbatim të ligjit Nr.8007 datë 5.10.1995 "Për miratimin e dekretit nr.1188 datë 10.08.1995 "Për Policinë Gjyqësore", u krijua struktura organizative dhe filloi rishtazi funksionimi i Policisë Gjyqësore. Me ligjin Nr.8677 datë 2.11.2000 " Për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore" u shfuqizua dekret-ligji i lartpërmendur, me synim riorganizimin dhe ngritjen në një nivel më të lartë cilësor të punës së saj.

Vartësia Funksionale e Policisë Gjyqësore

Vartësia funksionale dhe veprimtaria proçeduriale penale e oficerëve dhe agjentëve të Policisë Gjyqësore të të gjitha strukturave kryhet nën drejtimin, kontrollin dhe urdhërat e udhëzimet e prokurorit që ka në kompetencë lëndore e tokësore të ndjekë proçedimin. Ligji parashikon se, nëpërmjet prokurorit edhe Gjykata ngarkon ose urdhëron Policinë Gjyqësore për kryerjen e detyrave proçeduriale. Policia Gjyqësore, gjithashtu, është e detyruar të përmbushë funksionet e saj pavarësisht nga territori dhe rrethana ku ndodhet si dhe kur ndodhet jashtë kohës së kryerjes së shërbimit.

Seksionet e Policisë Gjyqësore, në ushtrimin e funksioneve proçeduriale penale janë në vartësi të titullarit të Prokurorisë pranë të cilës janë ngritur, i cili i bazuar në nevojat e prokurorëve dhe Gjykatës, drejton dhe bashkërendon veprimtarinë e tyre. Oficeri drejtues i shërbimeve të Policisë Gjyqësore, sipas kritereve dhe brenda afateve të përcaktuara, duhet t'i paraqesë prokurorit të Prokurorisë kompetente listën emërore, rolin dhe gradën e oficerëve që bëjnë pjesë në këtë shërbim.

Prokurorit të një shkalle më të lartë i është siguruar e drejta e disponimit të të gjithë seksioneve të Policisë Gjyqësore që shtrijnë veprimtarinë në territorin e kompetencës së tyre. Kurse brenda Policisë Gjyqësore, oficeri me gradë e kualifikim më të lartë, i këtyre seksioneve, është përgjegjës për oficerët dhe agjentët e tjerë të atij seksioni.

Mbi kërkesën e motivuar të prokurorit që drejton seksionin, pasi të ketë vënë në dijeni Prokurorin e Përgjithshëm, organi kompetent i forcës policore vendos largimin e oficerëve dhe agjentëve të Policisë Gjyqësore të seksioneve.

Ndërsa transferimi i oficerëve dhe agjentëve të Policisë Gjyqësore, të seksioneve ose të shërbimeve, bëhet sipas kërkesës së motivuar të organit kompetent të forcës policore, duke marrë më parë mendimin paraprak dhe pëlqimin e Prokurorit të Përgjithshëm ose të prokurorit që i është deleguar kjo e drejtë prej tij.

Për caktimin, transferimin dhe largimin nga seksionet e Policisë Gjyqësore janë parashikuar rregulla dhe procedura rigorozisht të përcaktuara, me synim shmangien e qëndrimeve të mundshme abuzive. Për procedimin disiplinor të oficerëve të Policisë Gjyqësore do të flasim më poshtë.

Seksionet e Policisë Gjyqësore.

Policia Gjyqësore organizohet dhe funksionon në seksionet e Prokurorive pranë Gjykatave të shkallë së parë. Gjithashtu, krijohen seksione të posaçme të Policisë Gjyqësore edhe në Prokuroritë pranë Gjykatave të tjera të sistemit gjyqësor, siç mund të jenë Prokuroritë pranë Gjykatave të Krimeve të Rënda (në qoftë se krijohet një e tillë).

Gjithashtu, një seksion i posaçëm i Policisë Gjyqësore është krijuar pranë Drejtorisë së Krimit të Organizuar në Prokurorinë e Përgjithshme.

Në këto seksione nuk ka vetëm oficerë të Policisë Gjyqësore të emëruar nga Prokurori i Përgjithshëm, por ka: jo më pak se gjysma, oficerë të Policisë Gjyqësore, të caktuar nga Ministri i Rendit Publik, nga Ministri i Financave, Ministri i Mbrojtjes etj. Në seksione ka, gjithashtu, jo më pak se 1/4 juristë, në cilësinë e oficerëve të Policisë Gjyqësore të emëruar nga Prokurori i Përgjithshëm dhe pjesa tjetër janë agjentë të Policisë Gjyqësore.

Policia Gjyqësore e seksioneve ngarkohet vetëm me kryerjen e hetimeve paraprake. Sipas edhe udhëzimit të përbashkët, datë 27.04.2001 të Prokurorit të Përgjithshëm dhe Ministrit të Rendit Publik, çdo ditë oficerët dhe agjentët e Policisë Gjyqësore të seksioneve duhet të paraqiten tek titullari i Prokurorisë që i ka në vartësi, për të informuar lidhur me detyrat e kryera në zbatim të urdhërave të delegimit dhe për të marrë detyra të tjera. Ata nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari tjetër në strukturat policore të cilave u përkasin, përveç rasteve të urgjencës ose dhe për nevoja stërvitore, edukuese ose trainuese, pasi të jetë njoftuar dhe marrë më parë pëlqimi i titullarit të Prokurorisë përkatëse.

Shërbimet e Policisë Gjyqësore

Për të realizuar veprimtarinë proceduriale penale, krahas seksioneve të Policisë Gjyqësore, në dispozicion të Prokurorive dhe Gjykatave, të të gjitha shkallëve, është dhe personeli i shërbimeve të Policisë Gjyqësore. Në këtë personel shërbimi përfshihen, të gjitha njësitë e Policisë së Shtetit si: Kriminale, Rendit, Qarkullimit, Kufitare etj., dhe policitë e tjera si: Ushtarake, Tatimore, Doganore, Ndërtimit, Burgjeve etj., si dhe çdo polici tjetër, që me ligjin organik të krijimit do t'i njihet cilësia e ushtrimit të funksioneve të tillë. Organi përkatës i policisë është përgjegjës dhe kujdeset për ngritjen e shërbimeve të Policisë Gjyqësore pranë çdo qendre administrative ku janë zyrat e Prokurorive dhe Gjykatave si dhe për plotësimin me numrin organik të nevojshëm të tyre.

Shërbimi i Policisë Gjyqësore nuk duhet kuptuar si strukturë dhe me ligjin për Policinë Gjyqësore ai nuk përcaktohet të organizohet si strukturë më vete qoftë kjo dhe në Ministrinë e Rendit Publik. Shërbimi i Policisë Gjyqësore është funksion dhe këtë funksion e ushtron dhe oficeri i policisë në strukturat e Policisë shtetërore dhe policive të tjera të krijuara me ligj të veçantë, kur vihet në dijeni për ekzistencën e një vepre penale dhe kryen veprime proceduriale për zbulimin dhe dokumentimin e veprës penale dhe autorit të tij ose urdhërohet nga prokurori për të kryer veprime proceduriale në hetimin e një vepre penale. E thënë më thjesht, një oficer i Policisë së shtetit në shërbimin e luftës kundër drogës ose i shërbimeve të tjera të policisë, për sa kohë nuk merret me hetimin e një vepre penale, ai është oficer i zakonshëm dhe kryen detyrat e tij funksionale të parashikuara në legjislacionin për Policinë e shtetit. Por nga momenti që ai bie në kontakt me një vepër penale (pra merr informacion se x person tregton lëndë narkotike) dhe kryen hetime për zbulimin dhe dokumentimin e saj, ky oficer i Policisë së shtetit menjëherë ushtron funksionet e oficerit të Policisë Gjyqësore ku është i detyruar të zbatojë me korrektësi dispozitat e K.Pr.Penale.

Shërbimet e Policisë Gjyqësore, ndryshe nga seksionet e Policisë Gjyqësore që në mënyrë permanente punojnë në zyrat e prokurorisë dhe nuk ushtrojnë asnjë funksion tjetër përveç atij të hetimit këto shërbime ushtrojnë dhe funksione të tjera në policinë e shtetit për të cilat ato janë të specializuara. Të tilla kemi policinë kriminale, policinë e luftës kundër drogës, policinë kufitare, rrugore etj ose ato të tatimeve apo doganave.

Në urdhërin e përbashkët të Prokurorit të Përgjithshëm dhe Ministrit të Rendit Publik është shprehur midis të tjerave se këto shërbime të Policisë Gjyqësore sikurse dhe seksionet e Policisë Gjyqësore do të kryejnë veprime hetimore të urdhëruara nga prokurori si para konsumimit të një vepre penale por dhe pas referimit të veprës penale te prokurori.

Oficerët e shërbimit të Policisë Gjyqësore si rregull urdhërohen për të kryer veprime hetimore proceduriale në procedime penale kur seksionet e Policisë Gjyqësore janë të mbingarkuara ose kërkojnë kualifikim të veçantë. Prokurori në vartësi të rëndësisë dhe vështirësisë së çështjes mund të urdhërojë që në një procedim penal të marrin pjesë oficerë të Policisë Gjyqësore nga seksionet pranë Prokurorisë por dhe nga shërbimet e Policisë Gjyqësore që të punojnë së bashku.

Përgjegjësia disiplinore e Oficerëve dhe Agjentëve të Policisë Gjyqësore 

Ligji garanton një proçedim disiplinor të drejtë të oficerëve dhe agjentëve të Policisë Gjyqësore. Prokurori i Prokurorisë që drejton seksionin e Policisë Gjyqësore, ka të drejtën të fillojë proçedimin disiplinor kundër oficerit ose agjentit të atij seksioni, për shkelje të rënda të disiplinës, siç mund të jenë: nxjerrja e të dhënave hetimore jashtë zyrës së prokurorit; fshehja e të dhënave ose mosnjoftimi në Gjykatë ose në Prokurori për kryerjen e një vepre penale; moszbatimi i urdhërave të ligjshëm të Gjykatës ose prokurorit dhe kryerja e veprimeve në kundërshtim me ligjin proçedurial penal, duke njoftuar menjëherë për këtë, Ministrin e forcës përkatëse të policisë.

Oficeri ose agjenti i proceduar disiplinarisht njoftohet me shkrim për shkaqet, faktet dhe dispozitat e shkelura, duke iu garantuar e drejta e paraqitjes së mbrojtjes me shkrim të dokumentave dhe të kërkojë thirrjen e dëshmitarëve, si dhe duke iu garantuar e drejta e mbrojtjes me avokat.

Komisioni i gjykimit disiplinor kryesohet nga një prokuror i Prokurorisë pranë Gjykatës së shkallës së parë kompetente dhe anëtarët e caktuar nga drejtuesi i Prokurorisë dhe drejtuesi rajonal i forcave policore ku bën pjesë i proçeduari disiplinarisht. Akuza disiplinore ngrihet nga prokurori që ka kërkuar proçedimin disiplinor. Vendimi për masën disiplinore, sipas rëndësisë së shkeljes, mund të jetë:

  • Vërejtje me paralajmërim;
  • Pezullim për një periudhë deri në gjashtë muaj;
  • Largim nga detyra.

 

Kundër vendimit të komisionit disiplinor, për pezullim ose largim nga detyra, prokurori ose i proceduari disiplinarisht kanë të drejtën e ankimit në Gjykatë. Komisioni disiplinor ose Gjykata, gjatë shqyrtimit të çështjes, mund të vendosin pezullimin nga ushtrimi i funksioneve të të proceduarit disiplinarisht.

Raportet e Policisë Gjyqësore me Prokurorinë

Raportet e Policisë Gjyqësore me prokurorin janë raporte proçeduriale në zhvillimin e hetimeve paraprake brenda kompetencave të caktuara. Këto raporte fillojnë qysh nga momenti i referimit të veprës penale në bazë të nenit 293 të K.Pr.Penale, vazhdojnë gjatë proçesit të ndjekjes penale në hetim dhe duhet të vazhdojnë derisa vendimi i Gjykatës të marrë formë të prerë, dhe në ekzekutimin e vendimeve penale.

Sipas nenit 277 të K.Pr.Penale organet e ngarkuara për kryerjen e hetimeve paraprake janë prokurori dhe Policia Gjyqësore. Prokurori drejton hetimet dhe ka në dizpozicion Policinë Gjyqësore. Sipas dispozitave të K.Pr.Penale, në veçanti neneve 30, 277 të K.Pr.Penale dhe kreut IV mbi veprimtarinë me iniciativë të Policisë Gjyqësore si dhe udhëzimit të përbashkët midis Prokurorit të Përgjithshëm dhe Ministrit të Rendit është Policia Gjyqësore ajo që duhet të kryejë hetime për të zbuluar dhe dokumentuar në rrugë proceduriale veprimtarinë kriminale të çdo subjekti të veprës penale. Sipas nenit 294 të K.Pr.Penale Policia Gjyqësore edhe pas referimit të veprës penale te prokurori me iniciativën e vetë duhet të marrë dijeni për veprat penale, të pengojë ardhjen e pasojave të mëtejshme, të kërkojë autorët e tyre, të kryejë hetime dhe të grumbullojë gjithçka që i shërben zbatimit të ligjit penal. Ajo kryen çdo veprim hetimor që i është urdhëruar ose deleguar nga prokurori. Policia Gjyqësore bën sigurimin e burimeve të provave: (neni 294 i K.Pr.Penale)

  • Për kërkimin dhe fiksimin e sendeve dhe të gjurmëve të veprës penale.
  • Për kërkimin dhe pyetjen e personave që janë në gjendje të tregojnë rrethanat e faktit etj.

Policia Gjyqësore në bazë të nenit 295 të K.Pr.Penale bën identifikimin e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime. Në vendin e ngjarjes ose në veprat penale të dukshme oficerët e Policisë Gjyqësore, edhe pa praninë e mbrojtësit mund të marrin ndaj personit të cilit zhvillohen hetime qoftë edhe i arrestuar në flagrancë ose i ndaluar të dhëna të nevojshme për vazhdimin e hetimeve. Policia Gjyqësore mund të kërkojë të kryhen ekspertime kur kërkohen njohuri të posaçme teknike. Ajo mund të marrë deklarime nga persona që mund të tregojnë rrethana të dobishme për qëllimin e hetimit. Policia Gjyqësore në raste të ngutshme e të flagrancës mund të kryejë kontrollime, sekuestrime mbi provat materiale dhe sendet që lidhen me veprën penale. Për sekuestrimet dhe kontrollimet të cilat janë veprime proceduriale që cënojnë liritë e të drejtat e njeriut kërkohet profesionalizëm dhe përgjegjësi në kryerjen e detyrës prandaj ato brenda 48 orëve çohen dhe vlerësohen tek prokurori që drejton hetimin.

Në bazë të nenit 294/2 të K.Pr.Penale pas referimit të veprës penale tek prokurori, rregjistrimit të saj në rregjistrat e Prokurorisë, pra pas ndërhyrjes së prokurorit në hetim, Policia Gjyqësore kryen veprime që i janë deleguar posaçërisht nga prokurori, urdhërat e prokurorit për marrjen dhe administrimin e provave si dhe të gjitha veprimet e ngutshme që çmon Policia Gjyqësore se duhen marrë dhe administruar për të vërtetuar veprën penale. Duhet theksuar se në bazë të nenit 303 të K.Pr.Penale Policia Gjyqësore dokumenton me procesverbal të gjitha veprimet hetimore të kryera dhe së bashku me provat materiale dhe sendet që lidhen me veprën penale i vë në dispozion të prokurorit.

Me pak fjalë, Policia Gjyqësore që ka barrën dhe përgjegjësinë për zbulimin, hetimin dhe dokumentimin e veprës penale. Por Policia Gjyqësore nuk punon e vetme dhe në mënyrë të pavarur në ndjekjen penale në hetim. Sipas nenit 304 të K.Pr.Penale prokurori drejton veprimtarinë hetimore dhe mund të kryejë vetë çdo veprim hetimor që e çmon te nevojshëm. Të drejtosh nuk do të thotë që prokurori të marrë përsipër të kryejë vetë të gjitha veprimet hetimore dhe kontrollit të veprimeve proçeduriale të oficerëve të Policisë Gjyqësore. Drejtimin e hetimit prokurori e realizon nëpërmjet urdhërave që i jep oficerit të Policisë Gjyqësore për të kryer veprime të veçanta hetimore. Si rregull prokurori urdhërat i jep me shkrim, por në raste të ngutshme ose të veçanta për shkak të largësisë që mund të ndodhet me oficerin e Policisë Gjyqësore mund t'i japë dhe me gojë. Ndërsa kontrolli i Prokurorit duhet të kryhet në mënyrë periodike deri në përfundim të hetimeve paraprake të një procedimi penal.

Oficeri i Policisë Gjyqësore mban dhe administron dosjen e procedimit penal, për të hetuar e ndjekur në dinamikë zbulimin e autorëve të veprës penale. Prokurori si drejtues i hetimit, me përjashtim të kërkesave dhe paraqitjes në gjyq për masat e sigurimit, për veprimet e përgjimit, të njoftimit të akuzës, në të gjitha rastet e tjera detyrat që ka në kompetencë ekskluzive të tij mund t'ia delegojë t'i kryejë oficeri i Policisë Gjyqësore. Prokurori si drejtues i hetimeve paraprake ka për detyrë të ndihmojë e kontrollojë Policinë Gjyqësore që kjo e fundit të administrojë të gjitha provat në rrugë proçeduriale. Gjykuar në këtë këndvështrim, Prokurori është gjykatës për oficerin e Policisë Gjyqësore dhe prokuror përpara gjykatësit.

Pasi kryen veprimet e nevojshme hetimore, Policia Gjyqësore i dërgon aktet prokurorit bashkë me një relacion shpjegues për faktin dhe provat si dhe sugjerimet e veta për mënyrën e përfundimit të hetimeve. Prokurori pasi studion dosjen e proçedimit penal vendos nëse duhet ose jo të dërgohet dosja për gjykim në Gjykatë.

Për ne është e rëndësishme të kuptohet që të gjitha faktet e grumbulluara në hetimet paraprake, pra dhe ato vepra penale që hetohen nga oficeri i Policisë Gjyqësore dhe drejtohen nga prokurori, vlerën e provës e marrin pas shqyrtimit që u bëhet atyre në Gjykatë. Prandaj prezenca e oficerit të Policisë Gjyqësore në ndihmë të prokurorit gjatë shqyrtimit gjyqësor merr një rëndësi të veçantë si për paraqitjen e provave por dhe në aftësimin profesional të oficerëve të Policisë Gjyqësore.


Links 


News 

Te reja