Forum 



Contact us

Ministry of Justice

Bulevardi "Zogu I", Tiranë

PËRGJEGJËSIA DISIPLINORE E GJYQTARËVE

NENI 40  

Gjyqtarët kanë përgjegjësi për shkeljet e disiplinës, si dhe për kryerjen e akteve e të sjelljeve që diskretitojnë rëndë figurën e tyre dhe autoritetin e drejtësisë.

NENI 41

Konsiderohen shkelje të disiplinës: 1. Kryerja e veprimeve që sipas ligjit janë të papajtueshme me funksionin e gjyqtarit. 2. Nxjerrja e sekretit të hetimit, të dhomës së këshillimit ose të të dhënave të tjera me karakter intim. 3. Zvarritje të rënda ose sistematike në kryerjen e detyrës. 4. Mosrespektimi i rregullave të solemnitetit. 5. Mungesat pa arsye në punë. 6. Kryerja e veprimeve të pahijshme ose amorale brenda dhe jashtë kohës së punës. 7. Kryerja e veprimeve në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës ose moskryerja e veprimeve të detyrueshme proceduriale, kur nuk përbën vepër penale. 8. Moszbatimi pa arsye i masës së dhënë disiplinore.

NENI 42

Për shkelje të disiplinës, si dhe akte e sjellje të tjera diskretituese, merren këto masa: 1. Vërejtje. 2.Vërejtje me paralajmërim. 3. Ulje në pagë deri në masën 25 për qind për një periudhë nga 3-6 muaj. 4. Pezullim nga detyra dhe kalim në një detyrë tjetër më të ulët brenda gjykatës për një periudhë nga gjashtë muaj deri në një vit. 5. Transferim në një gjykatë tjetër. 6. Shkarkim nga detyra.

NENI 43

Masat disiplinore ndaj gjyqtarëve merren nga Këshilli I Lartë i Drejtësisë në bazë të vlerësimit të llojit dhe të karakterit të shkeljes së kryer.

NENI 44

Procedimi disiplinor për gjyqtarët vihet në lëvizje nga ministri i Drejtësisë. Fillimi i procedimit disiplinor mund të bëhet brenda tre vjetëve nga data e kryerjes së shkeljes. Gjatë verifikimit, që bëhet nga inspektorët, përcaktohet nëse është kryer ndonjë shkelje e disiplinës nga ato të përcaktuara në ligj, lloji dhe rëndësia e shkeljes, fajësia e personit, si dhe të dhëna mbi të cilat mbështeten përfundimet e nxjerra. Në çdo rast duhet të dëgjohet edhe gjyqtari që ka kryer shkeljen. Verifikimi I pretendimeve është i detyrueshëm. Rezultatet e verifikimeve të bëra, si dhe të dhënat shkresore rreth tyre, pasqyrohen në një akt përfundimtar, i cili i bëhet i njohur gjyqtarit që ka kryer shkeljen. Materialet i dërgohen ministrit të Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, përpara se të marrë vendimin, duhet të dëgjojë në një seancë pretendimet e palëve. Materialet e plota i vihen në dispozicion gjyqtarit 10 ditë përpara zhvillimit të seancës. Ai ka të drejtë të mbrohet vetë ose me avokatë gjatë seancës.

NENI 45

Këshilli i Lartë i Drejtësisë jo më vonë se një herë në dy vjet bën vlerësimin e aftësive profesionale të gjyqtarëve, bazuar mbi cilësinë, volumin e punës, shpejtësinë e gjykimit, reputacionin dhe botimin e punimeve juridike, si më poshtë: 1. Shumë mirë 2. Mirë 3. Pranueshëm 4.I paaftë Inspektori i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që ka përgatitur projekt-aktin e vlerësimit të aftësive profesionale, ia komunikon atë gjyqtarit përkatës paraprakisht, dhe ky i fundit ka të drejtën të paraqesë kundërshtimet e tij brenda një afati prej 8 ditësh. Kundër aktit përfundimtar të vlerësimit, gjyqtari ka të drejtën e ankimit në Këshillin e Lartë të Drejtësisë brenda 10 ditësh nga marrje dijeni. Këshilli i Lartë i Drejtësisë e heton ankesën duke zbatuar rregullat e parashikuara në paragrafin e fundit të nenit 44 të këtij ligji. Vlerësimi "i paaftë" përbën shkak për shkarkimin nga puna.

NENI 46

Gjyqtari kur shkarkohet nga detyra për një nga arsyet e parashikuara në Kushtetutë, ka të drejtë të ankohet në Gjykatën e Lartë brenda 10 ditëve nga njoftimi i vendimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Gjykimi i çështjes bëhet nga kolegjet e bashkuara.