Forum 



Contact us

Ministry of Justice

Bulevardi "Zogu I", Tiranë

KUSHTET PËR PRANIMIN E GJYQTARËVE

Kriteret e pranimit në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe të Apelit

NENI 19

Gjyqtarë mund të emërohen shtetasit shqiptarë që përmbushin kriteret e mëposhtme:
1. Të kenë zotësi të plotë për të vepruar.
2. Të jenë me arsim të lartë juridik.
3.Të kenë përfunduar Shkollën e Magjistraturës.
4. Të mos kenë qenë të dënuar ndonjëherë dhe të gëzojnë reputacion të mirë.
5. Të jenë jo më pak se 25 vjeç.

NENI 20

Këshilli i Lartë i Drejtësisë mund të emërojë si gjyqtarë persona, që nuk kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës, nëse ata përmbushin kriteret e tjera të përcaktuara në nenin 19 të këtij ligji dhe njërin prej kushteve të mëposhtme: 1. Kanë punuar për mbi tre vjet si pedagogë në Fakultetin e Drejtësisë ose në Shkollën e Magjistraturës, deputet, këshilltarë ligjorë në Kuvend, pranë Presidentit ose në Këshillin e Ministrave, ose specialistë në Ministrinë e Drejtësisë, në Gjykatën e Lartë apo në Prokurorinë e Përgjithshme. 2. Kanë marrë një diplomë nga një program kualifikimi afatgjatë pasuniversitar juridik jashtë shtetit, që përmbush kërkesat e legjislacionit shqiptar ose të marrëveshjeve ndërkombëtare. 3. Kanë punuar për pesë ose më shumë vjet si gjyqtarë, ndihmës gjyqtarë, prokurorë, avokatë ose noterë dhe kanë kaluar një provim kualifikimi profesional të organizuar sipas këtij neni. Personat që emërohen gjyqtarë sipas pikës 3 do t'i nënshtrohen një provimi të detyrueshëm teorik dhe praktik, me shkrim e me gojë, brenda 6 muajve nga dita e emërimit. Provimi do të organizohet nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë në bashkëpunim me Shkollën e Magjistraturës dhe Fakultetin Juridik të Universitetit të Tiranës.

NENI 21

Vendet e paplotësuara për gjyqtarë duhet të shpallen nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

NENI 22

Kandidatët për gjyqtarë emërohen në detyrë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë mbi bazën e konkurimit. Procedurat e përzgjedhjes dhe të parqitjes së kandidaturave përcaktohen në rregulloren e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në vlerësimin e kandidaturave që plotësojnë kushtet e parashikuara në nenet 19 e 20 të këtij ligji, merren parasysh edhe rezultatet e përfundimit të shkollës së lartë, vjetërsia si jurist, treguesit e punës, kualifikimi pasuniversitar, si dhe çdo e dhënë tjetër objektive që flet për epërsinë e kandidatit ndaj kandidatëve të tjerë.

NENI 23

Para fillimit të detyrës, gjyqtarët bëjnë betimin si më poshtë: "Betohem solemnisht se gjatë kryerjes së detyrës do t'i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë, ligjeve në fuqi dhe do të respektoj rregullat e etikës profesionale". Betimi i gjyqtarëve të porsaemëruar bëhet para gjyqtarëve të instancës ku janë caktuar për të kryer detyrën.

NENI 24

Gjyqtarët e gjykatës së apelit emërohen nga Këshilli i Lartë I Drejtësisë pasi të kenë punuar jo më pak se pesë vjet në gjykatat e shkallës së parë dhe në kryerjen e detyrës të kenë manifestuar cilësi të larta etiko-morale dhe profesionale. Kryetarët dhe zëvendëskryetarët e gjykatave të shkallës së pare dhe të apelit emërohen nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë nga radhët e gjyqtarëve të tyre.

NENI 25

Gjyqtarët mund të qëndrojnë në detyrë deri në moshën 65 vjeç.