Gjykatat Administrative dhe ndër to Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë, nisën funksionimin e tyre në datë 04.11.2013 sipas Dekretit të Presidentit të Republikës nr. 8349, datë 14.10.2013.

Gjykatat Administrative përbëjnë një risi në organizimin e pushtetit gjyqësor në vendin tonë. Më parë, gjykimi administrativ zhvillohej në seksionet administrative të Gjykatave të Rretheve Gjyqësore (seksione të ngritura jo në çdo Gjykatë) . Vet gjykimi administrativ konsiderohej si një nga gjykimet e posaçme të parashikuara në Kodin e Procedurës Civile (Titulli III, Kreu II , tanimë i shfuqizuar) .

Risia qëndron jo vetëm në krijimin e Gjykatave Administrative por edhe në procedurën gjykimit pasi në gjykimin administrativ, organi i administratës publike ka barrën e provës për të provuar ligjshmërinë e veprimit administrativ, mosparaqitja e paditësit të njoftuar nuk përbën shkak për pushimin e gjykimit. Po kështu, janë vendosur rregulla të qarta në lidhje me momentin kohor të paraqitjes së provave si dhe një rëndësi e jashtëzakonshme i është dhënë veprimeve përgatitore të cilat kryhen përgjithsisht në dhomë këshillimi.

Veprimtaria e Gjykatave Administrative si në aspektin procedural, ashtu edhe në atë të organizimit bazohet në Ligjin 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” të ndryshuar. Procedura e gjykimit administrativ plotësohet edhe me dispozita të K.Pr.Civile dhe në rast se në ligjin organik dhe në K.Pr.Civile ka rregullime të ndryshme, zbatohet Ligji 49/2012. Ndërsa veprimtaria administrative e Gjykatës dhe funksionimi i saj rregullohet edhe nga Ligji nr. 9877, datë 18.02.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor” i ndryshuar si dhe njërë aktesh nënligjore të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Ministrisë së Drejtësisë në lidhje me procedurën e shortit gjyqësor, solemnitetin në gjykim, marrëdhëniet me publikun dhe median, përdorimin e sistemit audio në regjistrimin e seancave gjyqësore etj..

Funksioni kryesor i Gjykatave Administrative është dhënia e drejtësisë në mosmarrëveshjet që lindin nga zbatimi i akteve administrative individuale, akteve nënligjore normative ( kjo kompetencë i takon Gjykatës Administrative të Apelit) dhe kontratave administrative, mosmarrëveshjet që lindin për shkak të ndërhyrjes së paligjshme ose të mosveprimit të organit publik, mosmarrëveshjet e kompetencave ndërmjet organeve të ndryshme administrative, në rastet e parashikuara në ligj, mosmarrëveshjet në fushën e marrëdhënieve të punës, kur punëdhënësi është organ i administratës publike si dhe gjykimet për shqyrtimin e kundërvajtjeve administrative që dënohen me heqje lirie deri në 30 ditë apo kërkesat për zëvendësimin e këtij dënimi.

Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë, në bazë të Dekretit nr. 7818, datë 16.11.2012 të Presidentit të Republikës “ Për caktimin e numrit të Gjyqtarëve për çdo Gjykatë të Shkallës së Parë, Apelit dhe të Gjykatave Administrative dhe caktimin e kompetencave tokësore dhe selisë qendrore të Gjykatave Administrative” të ndryshuar, ka 16 gjyqtarë në trupën gjyqësore, shtrin kompetencën e saj tokësore në Rrethet Bulqizë, Dibër, Krujë , Laç, Mat dhe Tiranë ndërsa selia qendrore e Gjykatës është në Tiranë.

Në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë është instaluar Sistemi Elektronik i Menaxhimit të Çështjeve Gjyqësore (ICMIS) si dhe Sistemi RDA për regjistrimin audio të seancave gjyqësore.