Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Korçë

Gjykatat Administrative ne Republikën e Shqipërisë dhe ndër to Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Korçë, nisën funksionimin e tyre në datë 04.11.2013 sipas Dekretit të Presidentit të Republikës nr. 8349, datë 14.10.2013.
Gjykatat Administrative përbëjnë një risi në organizimin e pushtetit gjyqësor në vendin tonë. Më parë, gjykimi administrativ zhvillohej në seksionet administrative të Gjykatave të Rretheve Gjyqësore (seksione të ngritura jo në çdo Gjykatë). Gjykimi administrativ konsiderohej si një nga gjykimet e posaçme të parashikuara në Kodin e Procedurës Civile (Titulli III, Kreu II , tanimë i shfuqizuar) .

Funksioni kryesor i Gjykatave Administrative është dhënia e drejtësisë në mosmarrëveshjet që lindin nga zbatimi i akteve administrative individuale, akteve nënligjore normative (kjo kompetencë i takon Gjykatës Administrative të Apelit) dhe kontratave administrative, mosmarrëveshjet që lindin për shkak të ndërhyrjes së paligjshme ose të mosveprimit të organit publik, mosmarrëveshjet e kompetencave ndërmjet organeve të ndryshme administrative, në rastet e parashikuara në ligj, mosmarrëveshjet në fushën e marrëdhënieve të punës, kur punëdhënësi është organ i administratës publike si dhe gjykimet për shqyrtimin e kundërvajtjeve administrative që dënohen me heqje lirie deri në 30 ditë apo kërkesat për zëvendësimin e këtij dënimi.

Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Korçë, në bazë të Dekretit nr. 7818, datë 16.11.2012 të Presidentit të Republikës “ Për caktimin e numrit të Gjyqtarëve për çdo Gjykatë të Shkallës së Parë, Apelit dhe të Gjykatave Administrative dhe caktimin e kompetencave tokësore dhe selisë qendrore të Gjykatave Administrative” të ndryshuar, ka 2 gjyqtarë në trupën gjyqësore, shtrin kompetencën e saj tokësore në Rrethet Devoll, Kolonje, Bashkinë Leskovik, Korçë dhe Pogradec, me seli qendrore ne Korçë.

Në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Korçë është instaluar Sistemi Elektronik i Menaxhimit të Çështjeve Gjyqësore (ICMIS) si dhe Sistemi RDA për regjistrimin audio të seancave gjyqësore.

Për të siguruar një proces sa më transparent dhe një akses të gjerë të publikut, Gjykata Administrative e Shkalles se Pare Korçë vendos në shërbimin tuaj këtë faqe zyrtare ku cilido mund të informohet në mënyrë të vazhdueshme mbi veprimtarinë e saj gjyqësore dhe administrative.